Letra nga limbo
KOHA DITORE, 20 JANAR 2012
KOHA DITORE, 20 JANAR 2012
Për një ditë të zezë kosovare, për dhunën ndaj shqiptarëve, për arrestimin e përfaqësuesve, për nxitjen e urrejtjes, për masozhismin e zëvendësministrit e për mbytjen e demokracisë. Sa keq për Kosovën
Nuk dua të bëjë verdiktin se kush ka të drejtë e kush jo në ngjarjet e 14 Janarit, kjo do varej gjithsesi nga dioptria e syzeve të kuzhinierëve nga të dyja anët. Dua vetëm të them se ajo çfarë pashë në vikend ishte e tmerrshme, e dhimbshme, e turpshme. Pashë se si rrahën e zvarriten qytetarët pa fije mëshire, pashë përdorimin irracional të veturave të blinduara që nuk iu dhanë asnjëherë Enver Zymberit në Veri, pashë se si polici fyen me nënë, rrahë të prangosurit, ofron organe gjenitale e kërcënon pa fije brenge dikë që ka marrë pushkë për këtë vend pak vite më parë, pashë mësuesin e studentin të shqelmoheshin ulur si në tetorin e 98-ës, pashë policin ti thyhet këmba e hunda me gurë katrorë trotuaresh, pashë se si Serbia pas 12 vitesh bën sherrin mes shqiptarëve, dhe në fund pashë heshtjen dhe terrin e mbetjeve të dhunës ndaj qytetarit, policit, gazetarit, banorit e deputetit. Mosvet çfarë pashë!
Në rrethana normale, nuk do bëja dallim mes nënkryetarit të parlamentit, deputetit, policit, gazetarit e qytetarit për trajtim mizor e dhunues. Në fund të fundit të gjithë janë njerëz, dhe për më tepër, të gjithë janë të tanët. Por ja që rrahja nuk arsyetohet asnjëherë në një vend me demokraci minimale, sidomos jo rrahja e të prangosurve. Për më tepër, rrahja e të dytit të Parlamentit të Republikës së Kosovës nga disa që fshihen pas uniformës së shenjtë policore është rrahje e vet shtetit, rrahje e kontributit, mundit e gjakut të gjeneratave të tëra për të pasur një shtet e parlament e nënkryetar parlamenti. Në një vend normal, i pari i Parlamentit do kërkonte lirimin e menjëhershëm të zëvendësit të tij, Presidentja do bënte nam, opozita do kërkonte shpjegim, qeveria do kërkonte falje e prokuroria niste hetime. Asnjëra nuk ndodhi. Në vend të kësaj institucionet qeveritare dhanë letër përkrahje për dhunën pa kuptuar mirë paradoksin shtetndërtues të veprimeve të tilla; pa kuptuar se dhuna e tyre ishte dhunë ndaj institucioneve të vendit. Nëse sot rrahet e maltretohet nga policia i dyti i parlamentit, nesër, nga po të njëjtit do rrahet e maltretohet dhe Presidentja, Kryetari i Parlamentit, e deri te ai i shkreti në fund të pusit si puna ime e juaja. Do të rrahet gjithkush që nuk është pjesë e sistemit.
Sa keq që për herë të parë pashë pajisje super policore të përdoreshin ndaj protestuesve të ulur, në kohë kur një e pesta e territorit të vendit tim është nën kontrollin e plotë të pretenduesve në këmbë, tjetërsues e pushtues të pakompromisë, terroristë, vandalë e banditë. Të njëjtit vranë, dogjën e ndoqën me pushkë e zjarr të njëjtit polic, për të marrë më pas lutje e thirrje paqësore nga vendorë e ndërkombëtarë. Sa keq për sharjet dhe fyerjet e policëve tanë ndaj ish luftëtarëve (rasti i turpshëm i fyerjes së ish luftëtarit e kontribuuesit të Newborni-it, derisa zvarritej e goditej pa dhimbtë), deputetëve e kryesisë së partisë së tretë më të madhe në vend. Nuk kam parë askund në botë që një shërbyes publik (pra polic), i paguar me taksat e qytetarëve të komunikojë me protestuesin, të shajë e fyej atë e në fund të kërcënojë haptazi se do të takoheshin më vonë; nuk di se çfarë ka ndodhur më vonë, por në një vend normal polici i njëjtë do merrte plaçkat e veta më vonë. Edhe më e trishtueshme mu duk dhuna ndaj një gazetari që u alivanos nga një goditje ‘alla taekwundo’ prej një polici shqiptar. Trimi i trimave gjet gazetarin në detyrë të shfaq aftësitë e tij holivudiane; ani pse ka pak kilometra më lartë çiftin e Veselinoviqit, ndaj të cilit bënte ditë më parë dialog. Nuk pashë ndonjë reagim nga ekipet hetuese brenda policisë për këto pamje. Në çdo vend tjetër të botës, një pamje e tillë (madje e filmuar) do të donte pak mund për verdikt.
Sa keq që policët tanë nuk bindën një vozitës serb kamioni të kthente prapa kargon me produkte serbe. Këmbëngulja e tij për të vazhduar rrugën (madje me përcjellje) më bindi se provokimet e përtejkufiit ishin të qarta dhe të bollshme. Serbët kishin gjetur kohën për të mbjellë dhe më shumë konflikt e urrejtje mes të tanëve, me vetëm një kamion të thjeshtë. Në vend të ndalimit të provokuesit, forcat policore zgjodhën rikujtimin e viteve të luftës duke rrahur një shqiptar mu në oborrin e tij. Burri i botës tregonte për goditjet e vazhdueshme që merrte derisa ishte i lidhur në veturën policore. Mu prenë gjunjët kur kuptova se po i njëjti ishte një ish luftëtar i UÇK-së dhe se tre plagët e marra në luftë nga ai ishin mu arsyeja që një ditë rrahësi i tij mbante një uniformë të Republikës! Hajde rrahën qytetarin, rrahën deputetin, rrahën luftëtarin e rrahën gazetarin, po si mundën të rrahin një invalid, një të pambrojtur, një pa duar, një me aftësi më të kufizuara fizike? Ku ka burrëri e bujari këtu? Si mund të gjejë rrahësi qetësi mbrëmjeve kur fle?
Sa keq që nuk pat një unifikim të opozitës dhe për më tepër një reagim ndaj dhunës, ndaj prangosjes e rrahjes së përfaqësuesve institucional nga Kuvendi i Republikës. Sa keq që ndërkombëtarët dhanë mbështetje për dhunë para-protestës Nxitje të tilla në një vend ku as ne tualet nuk shkohet pa pëlqimin ndërkombëtar kanë efekte tmerrësisht disproporcionale. Ndërkombëtarët duhet të jenë guardianë të paqes e jo nxitës të dhunës. Dhunë për dhunë ja ku e kanë Veriun, atje ku policët tanë e ushtarët e tyre vriten e plagosen me plumba armësh! Sa keq që dhamë lajm të zi në mediat botërore. Derisa britanezët (BBC) raportuan për arrestime të deputetëve, një praktikë kjo e pazakontë demokratike, të tjerët përmendën vetëm fjalën dhunë. Në të gjitha rastet humbi Kosova. Pavarësisht shkakut apo pasojës, humbëm të gjithë. E derisa BBC jepte lajme për Kosovën, televizioni publik i vendit, i thirrur në paanësi e pavarësi vendosi të mos e mbulonte ngjarjen dhe për më tepër ta konsideronte atë si të parëndësishme për raportim special. Mbaj mend se i njëjti televizion kishte konsideruar të rëndësishme fejesat e martesat e kushërinjve të showmanëve, por ja që një protestë, një dhunë dhe një burgosje të institucioneve e sheh të parëndësishme.
Sa keq që pashë policë të shtrirë e të hospitalizuar nga gurët, shkopinjtë e tullat fluturuese. Nuk u jap faj atyre, ata në fund të fundit bënë urdhrin e eprorëve që ngrohnin zyret në Prishtinë. Sa keq që u ndamë e katandisëm kaq tmerrshëm për një çështje kaq substanciale për vetekzistencën e shtetit, Republikës e lirisë qytetare: reciprocitetin e dinjitetin qytetar. Sa keq që nuk patëm një shtet që bën drejtësinë e na mbron me nder. Në vend se të kemi një vullnet të plotë demokratik për tu bindur Parlamentit, për të promovuar trajtimin e barabartë dhe fer madje dhe pa nevojën e kërkesës të Parlamentit, ne bëmë mu të kundërtën ndarje e përçarje. Përçarja, thirrja për dhunë e urrejtje nuk na kanë hije në kohë kur kemi një mijë e një halle të përbashkëta.
Por ja që në disa ditë me radhë promovuesit pro-qeveritarë merreshin me shkrime e paraqitje publike për të thirrur në ndarje e dhunë. Zëvendësministri Mirena, në një deklarim të bërë një ditë pas protestës shprehte kënaqësi e masozhisëm se protestuesit kosovar u ishin dukur “si refugjat të Bllacës”. Paramendoni, zëvendësministri, i imi e i juaji, ka kënaqësi e ndien delir kur dikush i përngjanë si “shqiptari në lloçin e Bllacës”. Zëvendësministri duhet të dijë se refugjati i Bllacës nuk është simbol i qeshjes e kënaqësisë, ai nuk është palaço, por është simbol i vrasjes e përndjekjes, është simbol i pastrimit etnik. I njëjti, përveç regjimit të atëhershëm serb, bënte unifikimin e botës demokratike kundër vuajtjes, holokaustit modern e keqtrajtimit mizor. Si mund ti duket ndokujt qesharake refugjati i Bllacës?! Deklarata të tilla plot urrejtje tregojnë për vullnetin e zi që dikush brenda politikëbërjes ka. Në një vend me pak përgjegjësi Qeveria do të bënte shkarkimin imediat të tij. Për atë hatër, është përfaqësues i Republikës së Kosovës që qeshë me historinë e zymtë të shqiptarëve! A ka më keq? Do të ndihesha i turpëruar për peshën e marres në vend të tyre.
Sa keq për gjithë këtë fotografi. Nuk di çfarë është më keq; mosrespektimi i Parlamentit, mosvënia e drejtësisë apo marrja e ligjit, bllokimi i rrugëve e bërja e ‘vigilantes’. Çfarë di është se këtij vendi i duhet një unitet, një gjuhë më ndryshe se kjo, e pamje më të bardha se këto. Kosovës i duhet një pushim, një frymë më e thellë, një monolog e një rrugë më e re. I dhimbshëm është fakti se në përvjetorin e 100-të të pavarësisë, trupat e shqiptarëve ende marrin gaz lotsjellës, shkopinj gome e gurë katrorë për çështje shtetërore. Shqiptarë, ne dimë më mirë se kaq; ne duhet të bëjmë më shumë se kaq. Mos lejoni egot e secilit të prishin kohezionin që patëm në vite kur nuk ishim të zot të vetës. Sot kur kemi bërë hapat e parë drejt mëvetësimit bëhuni më përgjegjës, bëhuni më shqiptarë. Sa keq për ne!
No comments:
Post a Comment