Letra nga limbo
KOHA DITORE, 13 JANAR 2012
Parametrat ekonomik të letrës së fundit të FMN-së për Kosovën paralajmërojnë transferimin gradual të krizës financiare në atë ekonomike e sociale
Një ditë para ndërrimit të moteve, Fondi Monetar Ndërkombëtar dha një letër vlerësuese për financat publike të vendit, në mes të cilave vihej dhe një parashikim i thuktë për ekonominë kosovare për vitin në vijim. Letra kalon nga lëvdatat për arritjen e kritereve të performancës së Marrëveshjes Monitoruese, e me këtë dhe dhënien e shpresës për rikthim në ku ishim gjatë 2010-ës (ani pse i humbëm dy vite), e deri tek paralajmërimet për restrikcione në shpenzime si parakusht për një qëndrueshmëri financiare për vitet në vijim. Një vështrim gjeneral i vlerësimeve të bën të kuptosh se kriza financiare kosovare gradualisht transformohet në atë ekonomike. Për një shpëtim financiar vendi do të duhet të sakrifikojë prosperitetin ekonomik, zhvillimin rajonal, reformat biznesore, shëndetësinë, arsimin e deri tek mundësitë për ndryshime e reforma thelbësore fiskale aq të nevojshme për Kosovën.
Letra fillon me një përmbledhje mbi degradimin e relacioneve me FMN-ën pas rritjes unilaterale të shpenzimeve në vitin 2011, duke ritheksuar edhe një herë natyrën joformale të marrëdhënieve në këtë periudhë. Për dallim nga letra e fundit, natyra joformale nuk vihet në fusnotë por në paragrafin e parë. Paragrafi i dytë vlerëson arritjen e kritereve të performancës nën programin monitorues, ndërkaq i treti rithekson dështimin e privatizimit të PTK-së si rezultat i aferave në qeverisje korporatave të asetit. Fondi këtu thekson se vendi ishte buzë shterjes së bilancit bankar, dhe me këtë rrezikshmërisë për likuiditet. “Nga mosprivatizimi i PTK-së dhe nga mosndërrimi i politikave, bilanci bankar (i Kosovës) do të shterej gati tërësisht në fund të vitit 2011. Për të parandaluar këtë shterje, është dashur të bëhen shkurtime buxhetore në vlerë gati prej 60 milion eurove” thuhej në këtë vlerësim. Shkurtimet e bëra ishin zbërthyer më pas në pikën 11, ku thuhej se 30 milion euro rrugë të planifikuara ishin ndërprerë, se 15 milionë ishin shkurtuar nga subvencionet e KEK-ut, 8 milionë të tjera në transfere dhe 7 milionë në shërbime.
Shkurtimet e bëra tregojnë mu për transferin e krizës financiare në atë ekonomike. Si rezultat i ngushtimit të financave publike u sakrifikuan rrugët rajonale, meqë ideja e ndërprerjes së autostradës nuk vinte në rend. Dhe mu këtu qëndron kostoja e një zhvillimi të pabalancuar rajonal, një nevojë ekonomike shumëherë më e lartë se investimi në një projekt të vetëm. Njëtrajtësisht, shkurtimet e subvencioneve në KEK janë burimet e ndërprerjeve të vazhdueshme në furnizim me energji, e të cilat për bizneset, sidomos prodhuese, bartin kosto enorme. Kujtoni se furnizimi me energji elektrike paraqet barrierën kryesore në të bërit biznes, së bashku me konkurrencën jo fer (informalitetin dhe evazionin fiskal) dhe koston e financimit (kreditë). Për më tepër, paralajmërimet në këtë letër se në vitin 2012 nuk do të ketë subvencionime për KEK-un, gjithmonë si rezultat i nevojës për shkurtime financiare, bëjnë hapjen e dyerve për rritje të çmimeve të energjisë elektrike. Pa subvencione KEK-u nuk mundet ti mbajë çmimet e tanishme të energjisë. Meqë nuk ka kapacitete ti mbledhë nga mospaguesit e energjisë ajo do ti rrisë çmimet për paguesit e rregullt meqë aty e ka më lehtë. Me fjalë të tjera, rrogat e rritura të mësimdhënësve, pas zhvlerësimit për gati 10% në vitin 2011, në vitin 2012 (pjesa e mbetur e rritjes) do të shkojë për pagesën e faturave më të shtrenjta të energjisë elektrike. Edhe një herë, transferim i krizës financiare në atë ekonomike e sociale.
Letra i vë theks të veçantë edhe privatizimit të PTK-së. FMN paralajmëron se “në rast të mungesës së progresit në privatizimin e PTK-së në muajt e parë të 2012-ës, masa të reja duhet të merren”. Natyrshëm se njëjtë si në vitin 2011, masat e reja nënkuptojnë shkurtime buxhetore. Shkurtimet e tilla, si vitin që shkoi, do të bëhen në projekte kapitale rajonale. Pra, për të përmbushur nevojat tona për një autostradë të shpejtë brenda tre viteve (në vend të një periudhe më të gjatë, pse jo gjashtë vjeçare), për ti përmbushur nevojat elektorale të pagave (në vend të rritjes graduale), ne do të heqim dorë nga të gjitha rrugët rajonale, nga të gjitha shërbimet cilësore publike, e deri tek sigurimet shëndetësore, reformat në arsim, dhe më e rëndësishmja reformat biznesore; edhe një herë, transferim i krizës financiare në atë ekonomike.
Se kriza merr transfer, bëhet e ditur dhe me parashikimet ekonomike, përtej atyre financiare që Fondi ka bërë në letër. Fillimisht thuhet se rritja për vitet vijuese do të reduktohet nga 5%, sa ishte parashikuar fillimisht, në 4%. Arsyetimi për një rritje më të ulët, sipas FMN-ës, është (qëllojani): “shkurtimet buxhetore”. Pra, meqë bëjmë shkurtime aty ku kemi pasur gjithmonë nevojë ne detyrohemi të shkurtojmë dhe rritjen tonë ekonomike. Rritja prej 4% nuk është as sa gjysma e asaj për të cilën kemi nevojë dhe as gjysma nga ajo çfarë kemi planifikuar në Bullgari. Rritja e tillë do të stagnojë dhe për së paku 3-4 vite numrin e të papunëve dhe nivelin e varfërisë. Pretendimet e Qeverisë se me privatizime të aseteve publike do të arrihet rritja e planifikuar (prej 8%) janë tërësisht të paqëndrueshme. Përderisa nuk kuptojmë se vetëm me stimulimin e sektorit privat, ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, dhe më e rëndësishmja atyre prodhuese, mund të kemi bumin e nevojshëm ekonomik, performanca jonë do të ketë parametra si këto.
Letra vë në pah dhe nevojat për disa restrikcione në vitin 2012, nga ku Ligji për Vlerat e Luftës, Sigurimet Shëndetësore dhe Autostrada e Shkupit mbajnë primatin. Për të parën thuhet se nuk do të ketë ndryshime. Paralajmërimet e fundit të veteranëve për protesta më zgjojnë kureshtjen se si do të përgjigjet Qeveria në kohë kur xhepat i ka të mbyllur. Le tu shpjegoj të njëjtëve prioritetet e saja. Për të dytën jepen pak shpresa, madje jo vetëm për këtë vit, por së paku deri në vitin 2014. Meqë sigurimet shëndetësore kërkojnë dhe disa vite kohë për funksionalizim të plotë, neve na bëhet e qartë se shëndetësinë do ta kemi kështu së paku deri në vitin 2020. Qartësia më e plotë tregohet për Autostradën e Shkupit. Thëniet se do të fillojmë këtë rrugë me çdo kusht janë zbutur tërësisht në letrën që kryeministri i dërgon shefes së FMN-ës. Kjo vetëm pasi që Fondi kishte kërcënuar me mbyllje të relacioneve tërësisht nëse e njëjta financohet paralelisht me Rrugën e Kombit. Për mendimin tim, është mjaft shqetësuese se sapo të përfundojmë një periudhë restriktive në financim e rrjedhimisht në zhvillim nga autostrada për Shqipëri, do të fillojmë një të re nga ajo për Shkup. Sikur nuk mblodhëm mend nga stagnimi i tanishëm dhe ai që na pret.
Goditje e rëndë ekonomike i jepet bizneseve nga ngurtësimi i normave të TVSH-së për disa vite. Shpresat tona se do të kemi shkallëzime në TVSH për prodhuesit vendor janë të shuara tani për tani. Fondi bën të qartë se në nevojë dëshpëruese për të mbledhë sa më shumë të hyra, vendi nuk guxon të reduktojë tatimet. Përkundrazi, nga Fondi kërkohet rritje të barrës fiskale aty ku ka mundësi. Ngurtësimi i reformave fiskale edhe një herë tregon për transferin e krizës nga financiare në atë ekonomike. Për të mbledhë të hyra, për ti shpëtuar moslikuiditetit financiar, Kosova do të sakrifikojë bash gjithçka.
E me nevojën më të madhe për të mbledhë tatime edhe më shumë nga paguesit e rregullt e jo nga zgjerimi i bazës tatimore, viti 2012 do të jetë edhe më i rëndë për bizneset kosovare. Simptomat e para të një krize ekonomike tanimë janë evidente. Treguesit e parë përmbledhës tregojnë për një rënie alarmante në ritmin e rritjes së tyre dhe për një stagnim të plotë në krijimin e vendeve të reja të punës. Një stagnimi të tillë i kontribuoj në masë të madhe presioni qeveritar për dënime e rëndesa në rrjedhë të parasë nga parapagimet fiskale (shtuar anomalive tjera eksizstuese si korrupsioni, energjia, financimi e informaliteti). Të njëjtit do të shkelen nga konkurrentët rajonal, për të përfunduar në fund në gjendje paaftësie konkurruese. E përderisa fokusi ynë zhvillimor ndalet në disa numra buxhetor e në disa shitje denigruese të aseteve për borxh e interesa personale, zhvillimi ekonomik mbetet jashtëzakonisht larg.
No comments:
Post a Comment