Letra nga limbo
KOHA DITORE, 6 JANAR 2012
Për Kosovën këtë vit asgjë nuk do të jetë më lehtë. Do të na zvogëlohen remitancat, investimet e huaja e donacionet nga një vit i rëndë evropian; të tria këto burime thelbësore të zhvillimit ekonomik kosovar. Me 4% rritje ekonomike ne nuk do të mund të akomodojmë as ata që për herë të parë futen në tregun e punës.
Kronika e parë e KTV-së në motin e ri krahas percepcioneve për një vit të plotë jepte dhe pritjet e kosovarëve për 2012-ën. Pothuajse të gjithë, i vjetër e i ri, zënin fjalët ‘më shumë punë’ e ‘më pak korrupsion’ në paraqitjet e tyre pakfjalëshe. Në fund të fundit, jo se pritej ndryshe. Ndërrimi i moteve jo se bën fillimin e rifreskimin drejt një epoke të re, është thjeshtë një ditë tjetër; prandaj brengat tona të një viti më parë (pra një dite më parë) janë e duhet të jenë të njëjta me ato të një viti më pas (pra një ditë më pas). Megjithatë, në mes të këtyre dy ditëve janë shpenzimet tona enorme në konsum ushqimor dhe mjete piroteknike ato që bëjnë namin. Festat tona periodike dy-tri ditore, si askund tjetër në botë, shënojnë rekorde në shpenzime familjare. Për një ekonomi prodhuese, rritja eksponenciale e konsumit, qoftë dhe për pak ditë, do të ishte mrekulli. Për një ekonomi tërësisht blerëse, i gjithë konsumi është eksport i parasë tek importuesit tanë.
Do të duhet një rishikim më i sheshtë i të dhënave të Doganave që publikohen disa javë më pas për të parë ndryshimet reale në konsum. Nuk di sa është i saktë pretendimi që më ra në vesh se vetëm nga shitja e mjeteve piroteknike, buxheti i vendit ka inkasuar rreth dy milionë euro; që do të bënte shitjen e tyre diku në vlerë prej dhjetë milionëve. Sidoqoftë, dy apo tre nuk ka rëndësi, rëndësi ka se kemi një tendencë disi të çuditshme në djegien e parave. Për më tepër, shpenzime si këto tregojnë se jemi shoqëri e orientuar drejt konsumit e shumë pak drejt investimit. Disa vite më parë kur hartoheshin strategjitë zhvillimore të Kosovës, thuhej se përparësi e padiskutueshme e jona është dëshira dhe motivi për të bërë biznes. Nuk kam se si të mos shpreh papajtueshmëri me këtë vlerësim. Nëse asgjë tjetër ne jemi veçse imitues të dobët të ideve dhe konsumues edhe më të dobët të produkteve. Dhe njëjtë sikurse ushqimi, dhe djegia e parasë në ‘petarda’ është eksportim i parasë me të madhe jashtë. Në vende normale, nuk janë të rralla politikat që orientojnë konsumin e qytetarëve të vet. Disa qeveri vendosi taksa ultra të larta duke i bërë kështu produktet të pashitura (rasti i duhanit e alkoolit në Britani të Madhe). Të tjerat vendosin thjeshtë kuotime. Në fund të fundit krismat e pakontrolluara jo vetëm që na bëjnë dëme ekonomike të panevojshme, por ato dhe prishin imazhin e një feste (meqë nuk lënë një të shkretë të ecë rehat) dhe në fund lënë me dhjetëra të gjymtuar nga pakujdesia në përdorim.
Për natyrën dhe stërzgjatjen e festimeve s’kam se si të mos shpreh refuzim. Prishtina dukej një fshat i vdekur përballë kryeqyteteve të rajonit. Mungesa e kreativitetit tonë për të bërë atraksion turistik, të paktën ndërshiptarë (meqë kaq mund të mbledhim një herë për njëherë), na lë me një grumbull njerëzish që në numërimin mbrapsht të motit të ri, hedhin valle shqipe nën tinguj të muzikës rok. Kosovarët nuk janë se s’dinë të mblidhen e shënojnë gëzim. Kujtoni koncertet e organizuara nga promovuesit privat që kanë mbledhë për mrekulli me mijëra njerëz vetëm këtë vit; madje pamjet e Prishtinës kishin marrë dhe televizionet evropiane. Është organizmi publik dhe njëherë ai që na dëshpëron. E kur jemi tek publikja, besoj se gjithë ata që kanë marrë mundin e të parit televizionin tonë publik kanë gjetur varfërinë e një spektakli ‘alla-mosvet’. Shembuj si këto duhet ti ngjallin averzion kosovarëve nga çdo gjë që është publike në vend. Në mini-modele si këto gjenden defektet reale të mospronësisë private. Ato vetëm zmadhohen me zmadhimin e modelit.
Edhe më e tepruar më duket praktika e zëvendësimit të festave në ditë pune. Kosova vazhdon të jetë i vetmi vend në Evropë që jep pushim shtesë nëse festa bie në vikend. Vendi i fundit evropian që kishte këtë praktikë ishte Shqipëria e cila jo më larg se dy vite më parë i dha fund një marrëzie të tillë. Me stërzgjatje si këto vetëm brenda një viti ne humbim mbi 10% të ditëve të punës; thuajse kemi bërë namin me punë. Për një vend me deficit serioz në punë e krijim të vlerës, tendenca për pushim është paradoksale. Fatmirësisht sektori privat po tregohet më restriktiv në dhënie të pushimeve duke treguar vlerë atëherë kur publiku (sektori) fle.
Për të ju kthyer thirrjeve kosovarëve në kronikën e KTV-së, lajmi i keq është se me trendet e deritanishme ekonomike në vend, me menaxhimin e varfër që kemi treguar nëpër vite, me krizën potenciale evropiane dhe me gjithë pesimizmin e treguar nëpër Evropë nga liderët shtetërorë gjatë urimeve vjetore, pritjet për punë në vitin 2012 janë hiç reale. Në ekonomi, për dallim nga çdo fushë tjetër, outputet korren shumë vite pas mbjelljes. Ne do të marrim sot atë çfarë kemi bërë dy-tre vite më parë, e do të mbjellim sot atë çfarë do marrim dy-tre vite më pas. Në tre vitet e fundit regresi ynë ka qenë evident. Ka qenë aq evident sa kemi tmerruar çdo krijues pune. Vendorët i kemi bërë të pakonkurrueshëm me një ambient fiskal jopromovues, me norma interesi më të larta se margjina e profitit, me monopole të vetëkrijuara e me barriera institucionale që nuk shteren asnjëherë. Të huajt i kemi larguar një herë e mirë. Kujtoni vetëm lajmin e disa ditëve më parë, kur një nga prodhuesit më të famshëm të veturave “Mercedes”, refuzoi ti shiste institucioneve kosovare. Arsyet e dhëna ishin puro korruptive. Rangimi ynë në Transparancy International për nivelin e korrupsionit kishte bërë vendin tonë një vend që as për të shitur nuk bën. Lajme të tilla nuk besoj se kanë shqetësuar dikë në politikëbërje, por kur një “Mercedes” refuzon Kosovën për të shitë, paramendoni sa larg mund të jetë për të investuar. E kur jemi kaq larg investimeve serioze, më ndryshe se faljet e pronave publike tek tyxharët orientalë, atëherë si mund të krijojmë vende të reja pune për kosovarët e kronikës së lajmeve?
Prandaj, për Kosovën këtë vit asgjë nuk do të jetë më lehtë. Për më tepër, do të na zvogëlohen remitancat, investimet e huaja e donacionet nga një vit i rëndë evropian; të tria këto burime thelbësore të zhvillimit ekonomik kosovar. Letra e fundit e FMN-se, në reflektim e sipër për ndryshimet ekonomike brenda dhe jashtë Kosovës, korrigjon rritjen ekonomike në jo më shumë se 4% për tre vitet e ardhshme. Ky numër është dy herë më i ulët se planifikimet e Qeverisë, dhe objektivi real për të krijuar vende pune. Me 4% rritje ne nuk do të mund të akomodojmë as ata që për herë të parë futen në tregun e punës. Për më tepër, këtë vit do të mbështetemi edhe një herë në shpenzime qeveritare si alternativë e vetme e rritjes ekonomike; e një mbështetje e tillë është dëshpëruese marrë parasysh paqëndrueshmërinë e një modeli të tillë zhvillimor. Në parametra si këto vendet e punës do të stagnojnë dhe më shumë, por jo dhe korrupsioni. Me nivelin e tanishëm të menaxhimit të parasë publike, hipershpenzimet do të jenë burim i keqpërdorimit të taksave kosovare. E në keqpërdorime si këto, me inpute të deritanishme, me outpute mercedesiane, Kosova gradualisht po largohet nga shpresa e saj për rimëkëmbje. Ritme si këto nuk krijojnë asnjëherë punë. Ato vetëm thellojnë krizën tonë.
No comments:
Post a Comment