Letra nga limbo
KOHA DITORE, 27 JANAR 2012
Mjeshtëria e sodit nuk është vetëm përmirësimi i relacioneve pavarësisht kostos, por përmirësimi i tyre nën ombrellën e të pabisedueshmes, të pafalshmes, të pakthyeshmes: shtetësisë
Këtë javë, në fjalimin e tij të tretë para ‘State of the Union’, presidenti amerikan Obama paralajmëroj themelimin e ‘Njësisë për Fuqizim Tregtar’, njësi kjo që do të merrej ekskluzivisht me identifikimin e pabarazive tregtare, vendosjen e marrëdhënieve reciproke e rrjedhimisht krijimin e rregullave të barabarta për kompanitë amerikane përballë tregjeve të huaja. “Nëse fusha e lojës është e barabartë, ju premtoj, Amerika do të fitojë gjithmonë” ishin fjalët e presidentit që këtë herë kishte marrë në dorë mashën e refleksionit ndaj politikave diskriminuese e jo të barabarta që qeveritë kineze e ruse u bënin bizneseve amerikane. Presidenti amerikan paralajmëronte as më shumë e as më pak e sa reciprocitet tregtar, madje për të bërë këtë kishte themeluar një trup të veçantë. Dhe në mbyllje të këtij njoftimi, duartrokitjet nga Dhoma e Përfaqësuesve (e dominuar nga opozitarë të presidentit, pra republikanë) ishin të pandalshme. Mbështetja për reciprocitet ishte e pakompromistë nga demokratë e republikanë, pushtetarë e opozitarë; të gjithë në fund rrihnin supet e tij. Kur Kuvendi i Republikës sime javë më parë morri vendimin për reciprocitet, në vend të duartrokitjeve e mbështetjes u dhanë deklaratat tërheqëse të votës; në vend të respektimit u ofrua zhvlerësimi, në vend të unifikimit u dha ndarja, fyerja e rrahja.
Evoluimi i idesë se reciprocitetit është disi unik në Kosovë nga vendet tjera, dhe mu ky dallim i jep peshë dhe më të madhe diskutimit kosovar. Në këtë diskutim janë vënë bast themelet e institucioneve, potencialet e bizneseve, dinjiteti i kosovarëve e vet perspektiva e shtetit më të ri Evropian. Kujtoni se kur Kuvendi i Republikës morri vendimin për barazi, përtej tendencës brutale për të paraqitur deputetët si të padijshëm në votim dhe rrjedhimisht tendencës për të bërë tërheqjen e votave, ishin disa nga ndërkombëtarët influencial në vend që na dhanë leksione disi amatoreske, tepër turpëruese e marrëzisht të ngutshme. Njëri na quajti fëmijë, e tjetri na tha se nuk duhet patjetër dëgjuar rekomandimet e një grumbulli njerëzisht që ‘rastësisht’ na paskan qëlluar të mblidhen aty. Fatmirësisht kjo e dyta nuk bëri bujë shumë, përndryshe, një diplomat perëndimor që zhvlerëson rolin e Parlamentit në një Republikë, ka pak gjasa të mbijetojë në çdo vend tjetër joballkanik. Por, parimisht, e përbashkëta e reagimeve ndërkombëtare në Kosovë ishte sulmi ndaj vet konceptit të marrëdhënieve reciproke me arsyetimin se Kosova dhe rajoni nuk kanë nevojë për, siç i quanin ata, ‘ecje mbrapa’. Nuk kam kuptuar ende lidhshmërinë mes reciprocitetit dhe ecjes mbrapa, por çfarë kuptoj është se Kosova as nuk e ka zbuluar e as nuk do të zbulojë konceptin e reciprocitetit shtetëror. Vendet mbarësisht themelohen mbi parimet e barazisë, ekuilibrit tregtar e të drejtës së lëvizjes; madje vet tregu i përbashkët evropian është i bazuar mu në masa të reciprocitetit në mes vendeve anëtare. Në marrëdhënie reciproke sot janë BE me SHBA, SHBA me Japoni, Japoni me BE, e BE me Rusi; sot gjithçka fillon e mbaron në marrëdhënie reciprokuese; ashtu siç tha e mendoj dhe vet presidenti Obama. Prandaj, gjithë ata që mendojnë se Kosova mund dhe të mos reciprokojë, le të binden një herë e mirë ndryshe: ne jo vetëm që duhet, por reciprocitetin e kemi dhe obligim kushtetues, moral e patriotik. Reciprociteti është shkronja e parë e abetares së marrëdhënieve shtetërore.
Kur zhvlerësimet për konceptin e reciprocitetit nuk pinë ujë, skena ju dha vendorëve. Filloi zhvlerësimi i argumenteve, fakteve e vet problemit të reciprocitetit tregtar. Fillimisht u tha se reciprociteti po zbatohet, se problemet janë inekzistente, e se ka përparim. Secili arsyetim ishte më i zi se tjetri. Së pari, për çdo kënd me pak fije interes për problematikën dhe me shumë pak dëshirë për tjetërsim, kosovarët nuk mund të përdornin identitetin e tyre gjatë kalimit në e nëpër Serbi. Për të bërë këtë ata duhej të hiqnin simbolet e shtetësisë (targat e veturave, lejet shtesë për pasaportë, si dhe lejet e vozitjes), emërtimet Republikë (në vulat doganore, në certifikatat e veterinarisë, e në dokumentet tjera përcjellëse) si dhe thirrjet e përfaqësimit institucional në rast të vizitave. Shto këtyre dhe pritjet e gjata e të mundimshme dhe ke një pasqyrë të reciprocitetit, sipas verizonit qeveriar. Për çudinë time më të madhe, një marrëdhënie e tillë në vend se të dënohej e rikuperohej, promovohej e plasohej si përparim. Kryenegociatorja me plot mburrje thoshte se në krahasim me disa vite më parë, kosovarët megjithatë lëvizin nëpër Serbi. Në një situatë të tillë, pra kur përmirësimi i marrëdhënieve tregtare me Serbinë ka për çmim heqjen e simboleve të shtetësisë, njëri pyet vetën se ku ishte kuptimi i vet ndarjes me Serbinë. Ne mund të kemi lëvizje të plotë me Serbinë po pranuam nënshtrimin politik ndaj tyre, madje para 99-ës kur nuk kishim Republikë e shtet nuk kishim as barriera, as kufi e as vonesa. Për çfarë bëmë luftë e shpallëm shtet, që ta zhbëjmë kur hasim në probleme si këto?! Mjeshtëria e sodit nuk është vetëm përmirësimi i relacioneve pavarësisht kostos, por përmirësimi i tyre nën ombrellën e të pabisedueshmes, të pafalshmes, të pakthyeshmes: shtetësisë!
Prandaj, kur promovuesit qeveritar, ministrat e zëvendësministrat në paraqitjen e tyre publike thonë me plot mburrje se Kosova tanimë ka reciprocitet me Serbinë, le të përgjigjen fillimisht në këto pyetje: a tjetërsohet identiteti i një banori të Republikës së Serbisë kur vjen në Kosovë, dhe a tjetërsohet identiteti i një banori të Kosovës kur kalon në Serbi? A bartin dokumentet serbe termin Republikë kur vijnë në Kosovë dhe a bartin dokumentet kosovare termin e njëjtë kur kalojnë në Serbi? A ka Kosova trajtim të njëjtë tregtar nga Serbia sikurse ka Serbia nga Kosova? Nëse përgjigjet në këto pyetje janë afirmative, atëherë diskutimi për reciprocitet do të mbyllet një herë e mirë. Por ama nëse është e kundërta, atëherë të mos flasim broçkulla; le të mblidhemi si amerikanët, evropianët, kinezët e rusët, e të reciprokojmë mu si shtet!
E vërteta e hidhur është se promovuesit qeveritare nuk janë aq naiv sa mos të dinë konceptin e barazisë. Por janë tendencat tjetërsuese për arsye që unë nuk mund ti kuptojë që po zënë vend. Besoj se keni dëgjuar tashmë klishenë ‘e barazisë në kamiona’ që aq shpesh zë fjalët e këtyre promovuesve. Nuk di nga lindi një ide e tillë, kush e tha i pari, apo a e tha ndokush, por për mendimin tim ‘barazia e kamionave’ është një farsë e prodhuar me qëllime kamofluese ndaj problematikës së vet reciprocitetit dhe e njëjta deri më tani është zënë në gojë vetëm nga qeveritarët e assesi nga përkrahësit e reciprocitetit. Nuk ka kërkuar asnjëherë njeri të barazojë hyrje daljet me Serbinë, e hiç se hiç me konceptin e barazimit të mjeteve transportuese. Pra edhe po të kërkonte dikush do ta bënte pak me më shumë sens. Kjo për dy arsye: e para, kamioni nuk është matës i vlerës se mallit, por çmimi, prandaj një kamion mund të bëj sa dhjetë e dhjetë sa një; dhe e dyta, po të donte dikush reciprocitet në vlerë do e bënte dhe me Maqedoninë e që është importuesi më i madh në Kosovë, madje më i madh se Serbia. Prandaj arsyet e reciprocitetit me Serbinë janë puro nën domenin e drejtësisë e trajtimit korrekt, dhe për hir të arsyeshmërisë e logjikës harrojeni idenë e vetprodhuar të ‘barazisë në kamiona’; fokusohuni në rregulla të njëjta tregtare, këtu e kemi hallin!
Edhe më skandaloze mu duk deklarimi i Ministrit të Diasporës se në gjithë këtë amulli, fajin për konsum e kanë vet kosovarët. Nuk di a mendoi i njëjti të arsyetojë jobarazinë dhe me këtë të amortizojë reciprocitetin, apo ishte një gafë e radhës dhe një argument tërësisht i parëndësishëm në këtë diskutim. Çfarë di është se në çdo vend normal të botës janë qeveritë ato që drejtojnë konsumin e qytetarëve të vet. Sikur ministri të ishte më pak i kujdesshëm dhe më tepër i interesuar me ndodhitë botërore do të kuptonte për relacionet e fundit të BE-së me Iranin dhe blerjen e naftës. Nga kjo javë BE, si përgjigje ndaj politikës agresive Iraniane ka vendosur të mos blejë as një pikë naftë nga ky i fundit, rrjedhimisht qytetarët e thjeshtë do të kenë një burim tjetër nafte. Por për qytetarët, në fund të fundit kur shkojnë tek furnizuesit e derivateve nuk ka fort dallim se blihet nafta iraniane, amerikane apo arabe; janë qeveritë e tyre ato që kanalizojnë burimet e konsumit. Prandaj, edhe po të ketë kërkesë për konsum, janë politikat shtetërore ato që orientojnë burimet e konsumit.
Dhe për fund, i gjithë koncepti i reciprocitetit mori rënien me vet zhvlerësimin e mocionit të parë dhe miratimin e një të riu. Për mendimin tim janë disa probleme serioze në këtë drejtim. E para, me mocionin e ri, zhvlerësohet kërkesa për barazi, pra promovohet jobarazia. E dyta, në marrëdhënie reciprokuese përgjegjësia nga Parlamenti kalon në Qeveri dhe rrjedhimisht amortizohet çfarëdo lloj mbikëqyrje në këtë drejtim. E treta, derisa mocioni thërret në reciprokim, validon antireciprocitetin duke pranuar marrëveshjet e Brukselit, e të cilat nuk janë asgjë tjetër veçse marrëveshje mbi marrëdhënie jo të barabarta. Janë mu këto marrëveshje që kërkojnë heqjen e termit Republikë për Kosovën, e mbajtjen e të njëjtës për Serbinë. Me fjalë tjera, mocioni i ri është një mishmash kundërthënës në vete, por që në fund, me dy konstatime të qarta bën thirrje për jobarazi; një duke zhvlerësuar të kaluarin dhe dy duke pranuar marrëveshjet e Brukselit. I njëjti është antikushtetues, antimoral dhe antipatriotik dhe si i tillë duhet të hidhet poshtë nga Gjykata Kushtetuese.