Sunday, 30 December 2012

GËZUAR, PËR KURRË MË KËSHTU



Letra nga limbo
Koha Ditore, 30 Dhjetor 2012 - Numri festiv

Viti që lamë pas them se do të mbahet mend si vit i rrënimit parlamentar, i zaptimit institucional, i degradimit të Republikës, i papërgjegjësisë qeverisëse, i stagnimit ekonomik e i regresit evropian; të gjitha këto të përcjella me skandale të njëpasnjëshme. E nëse më duhet të bëjë patjetër një urim, them ta gëzojmë për mote që nuk përngjajnë kurrë më kështu


E gjej vetën disi të zënë ngushtë sa herë përpiqem të bëj shkrimin e fundvitit. Në një aurë festive të shkruash për realitetin kosovar pa e sheqerosur fare atë është si të dërgosh një kartolinë urimi me tekst trishtues; oksimoronike pak a shumë. Thënë të drejtën, sa herë që mundohem të bëj një listë të sukseseve në Kosovë dëshpërohem jo vetëm nga “gjatësia” e listës por dhe nga përmbajtja shqetësuese e saj. Madje sfidoj këdo të bëjë një renditje me jo më shumë se pesë-gjashtë suksese mbresëlënëse të këtij viti. Për të ju lehtësuar punën konsideroni si ecje të suksesshme 1) përmbylljen e pavarësisë, 2) anëtarësimin në BERZH apo edhe 3) njohjen befasuese nga Pakistani pak ditë më parë – ndonëse që të tria bëhen me një asistencë esenciale të komunitetit ndërkombëtarë dhe pa shumë mund tonin.

E në një përmbledhje timen bukur gjenerale (sado të zymtë), viti që lamë pas them se do të mbahet mend si vit i rrënimit parlamentar, i zaptimit institucional, i degradimit të Republikës, i papërgjegjësisë qeverisëse, i stagnimit ekonomik e i regresit evropian; të gjitha këto të përcjella me skandale të njëpasnjëshme. Madje aq shumë skandale na u prodhuan për një vit sa që dikur evoluuam ndjenjën e imunitetit qytetar duke pranuar secilin më lehtë se tjetri.

Së pari, them se është vit i rrënimit parlamentar meqë këtë vit më shumë se kurrë na u bë e qartë se kemi një Parlament vetëm sa për sy e faqe sepse a) pranon të jetë ndërtuar me vota të vjedhura por megjithatë ndjen komfort të mbahet i gjallë si i tillë – pra ka mungesë substanciale të kurrizit e dinjitetit politik; b) për shkak të sjelljeve të mbrapshta politike nuk arrin për një vit të plotë të ndërtojë as edhe një reformë zgjedhore e kështu tu japë kosovarëve së paku institucione legjitime – sikur të bëhej fjalë për pagat e tyre kjo punë do të harrohej kaherë; c) prodhon rezoluta parlamentare që nuk arrin ti forcojë meqë nuk hesapohet fare nga Qeveria – siç ishte rasti me rezolutën për reciprocitet me Serbinë dhe rezolutën për kushtëzimin e bisedimeve me fatin e të zhdukurve; d) krijon mungesë kuorumi paradoksalisht nga shumica parlamentare sa herë që ka kërkesa prej agjendës parainstitucionale duke e bërë kështu veten të duket si një teatro provincial; dhe d) nuk arrin të mbrojë interesat më bazike të kosovarëve përballë ndërkombëtarëve që ndonjëherë edhe nuk i lejojnë deputetët të shkojnë (fjalë për fjalë) as në tualet.

Së dyti, them se është vit i zaptimit institucional meqë këtë vit më shumë se kurrë na u bë e qartë se Kosova udhëhiqet nga një strukturë mirë e organizuar parainstitucioanle e cila me emërimet politike e militante zapton, kontrollon, poshtëron e devalvon të gjitha institucionet quasi-të-pavarura  të cilat më pas a) nëpërmjet policisë shërbejnë dhunë selektive duke goditur turpshëm oponentë politikë e duke ledhatuar butësisht militantë partiak – siç ishte rasti i dhunës brutale në Merdare e i asaj në Prishtinë përkundër një palimi në autostradë për 100 vjetorin e pavarësisë; b) nëpërmjet sistemit të dirigjuar gjygjësorë burgosë e kërcënon së burgosuri këdo që nuk i shkon por shtati partisë por lë e ndihmon  të arratisen gjithë kriminelët partiak – siç ishte rasti i arratisjes flagrante xhabiriane dhe ai tre të ikurve të Bllacës, përkundër një mbikëqyrjeje policore; c) nëpërmjet kontrollit të prokurimit publik shpërndanë paranë publike tek bizneset që i financojnë ata me një të dhjetën e vlerës së tenderëve duke siguruar kështu vetëqëndrueshmëri me automatizëm – siç ishte rasti i 1.4 milionëve prej 14 milionëve ndër shumë afera të tjera; d) nëpërmjet televizionit publik shpërndanë propagandë duke i bërë lajmet e zeza të bardha e duke promovuar vlera zaptuese – siç ishte promovimi me ngulm i figurave partiake pa substancë, mostransmetimi i akteve anomalike qeverisëse apo dhe falsifikimi i raporteve ndërkombëtare; dhe e) nëpërmjet kontrollit të sistemit edukativ, shëndetësor, bordeve të ndërmarrjeve publike, agjencioneve e komisioneve tjera kontrollon punësimin për votuesit e militantë partiakë – siç ishte rasti i largimit të dy studenteve për të punësuar Kamishin, emërimi i nipit të Sylës për të menaxhuar Postën, rahatimi i dajës së mbetur keq të Grabovcit, e plot e plot të tjera.

Së treti, them se është vit i degradimit të Republikës meqë këtë vit më shumë se kurrë na u bë e qartë se procesin e ecjes së pavarur e kushtëzuam me pëlqimin e Serbisë sepse a) përkundër të gjitha gjasave faktorizuam fuqishëm shtetin serb në çështjet e brendshme të Kosovës dhe sot kërkesa ndërkombëtare për domosdoshmërinë e marrjes parasysh të mendimit serb për veriun e Kosovës është shumë e zakonshme - një vit më parë kjo gjë dukej sa e pamenduar aq edhe brutale; b) përkundër paralajmërimeve të njëpasnjëshme për një vit të tërë se nuk do të bëjmë një gjë të tillë, ne megjithatë kaluam nga një dialog teknik në një dialog politik pa plan e pa platformë duke treguar kështu se qëndrimet tona të vijës së kuqe janë të pavlera; c) krijuam një frankeshtajn IBM që se ka parë as edhe një shtet tjetër, meqë ka kontroll të dyfishtë, ka mungesë të simboleve shtetërore e ka supremaci të trupave ndërkombëtarë mbi ato vendore; dhe e) premtuam hapjen e Pakos së Ahtisaarit për rregullimin autonom të Veriut si pikë fillestare tonën kurdo që bisedimet të vazhdojmë.

Së katërti, them se është vit i papërgjegjësisë qeverisëse meqë këtë vit më shumë se kurrë na u bë e qartë se institucionet tona kanë mungesë serioze edhe të dijes por edhe të moralitetit politik në rast të mosdijes sepse a) japin përqeshje në vend të turpit në procese jotransparente e të parapërcaktuara politikisht  kur shesin ndërmarrje për vlera që nuk arsyetojnë as një të dhjetën e investimeve në to; b) japin përqeshje në vend të turpit  kur shpenzojnë pa fije përgjegjësie paranë publike në masën që një vizitë javore luksi e 50 zyrtarëve publik bën koston e 2500 pensioneve, 500 ndihmave sociale, 1100 pagave minimale e 82 vendeve të punës për një vit; c) japin përqeshje në vend të turpit  jo vetëm kur për hir të interesave vetanake favorizojnë me fuqi monopoliste bizneset që rrisin më pas çmimet apo dhe shkaktojnë evazion fiskal (rasti i bllokadës së çimentos) por japin përqeshje në vend të turpit edhe kur tregojnë dhëmbët ndaj shteteve mike e palohen ndaj atyre jo-mike duke dëshmuar kështu mungesën e palcës së mirëfilltë kurrizore në politikëbërje; d) japin përqeshje në vend të turpit  kur nuk guxojnë të distancohen nga gjithë ata kryetarë komunash, parlamentarë e zëvendësministra të shpallur fajtorë për vepra kriminale në vend e jashtë vendit – të cilët në fund të fundit janë zgjedhur, promovuar e mbrojtur mu nga ta; dhe e) japin përqeshje në vend të turpit kur pa brengën më të vogël gënjejnë – siç ishte rasti i tentim gënjeshtrës së plot 1.7 milionë kosovarëve rreth vërtetësisë së përgjimeve.

Së pesti, them se është vit i stagnimit ekonomik meqë këtë vit më shumë se kurrë na u bë e qartë se politikat e paditura qeveritare nuk kanë se si të prodhojnë mbarësi meqë a) përfunduam me rritje ekonomike prej vetëm 3.9% përkundër nevojës për 8-10% apo planifikimit vetanak prej 7%; b) përfunduam me thellim të deficiti tregtar për 6.4% pas rënieve të eksporteve për 18.4% e rritjes së importeve për 2.6% duke bërë kështu vendin tonë të eksportojë plot 2.5 miliardë euro para të thata çdo vit apo 100 milionë më shumë se që kishim eksportuar para një vit më parë; c) duke koncentruar gjithë energjinë qeverisëse vetëm në rangime simbolike por  jo edhe në esencë të problemeve, sektori privat përfundoj vitin duke mos krijuar vende të reja pune e duke mbajtur kështu papunësinë në plot 45% sa edhe ishte në fillim të vitit, e besa edhe një vit më parë, e edhe një vit tjetër para tij, e edhe më gjatë; c) për shkak të një ambienti plotësisht armiqësor ndaj të huajve, arritëm të frikësojmë çdo investitorë potencial duke përfunduar kështu vitin me rënie të investimeve të huaja për plot 54% krahasuar me një vit më parë, rënie kjo rekorde që nga paslufta; d) për shkak të rëndesave biznesore detyruam bizneset e futura në kredi drejt bankrotit, duke i rritur kështu kreditë e këqija për 10% më shumë se një vit më parë apo në nivel të gjithmbarshëm në 6.5%, gjithashtu numër rekord që nga paslufta; dhe e) për shkak se në luftë kundër korrupsionit ne zgjodhëm pallavrat e mbledhitë në vend të kazmës e punës, përfunduam vitin të ranguar njëjtë si një vit më parë me shtete si Mali, Bolivia e Gambia.

Së gjashti, them se është vit i regresit evropian meqë këtë vit më shumë se kurrë na u bë e qartë se për të bërë sado edhe një hap të vogël evropian e nëse asgjë tjetër së paku për të mos mbetur getoja e fundit evropiane në lëvizjen e lirë ne duhet që a) të ofrojmë evidencë e jo llafe në luftën ndaj hajnisë duke burgosur peshqit e mëdhenj e jo sardinat – pra përderisa të arratisurit ndihmohen të ikin, përderisa nuk përndjekim për nepotizëm ata që edhe të rakorduar publikisht janë, e përderisa rrimë indiferent kur na dalin në shesh skandalet e 10%-it, Evropën as me sy nuk mundemi me e pa; b) të largojmë një herë e mirë pretendimet fetishiste të disa deputetëve kundër medias e fjalës së lirë – siç ishte rasti me dy nenet famëkeqe të promovuara e të shtyra nga deputetë që mbajnë inat e ndjenja sadiste ndaj ish kolegëve të tyre, e kjo na kushton më pas me ecje evropiane të një mileti të tanë; c) të reformojnë në thelb administratën publike duke larguar parainstitucionalët nga çdo proces vendimmarrës, në vend të tyre të vendosim njerëz që i shërbejnë shtetit e jo partisë; dhe d) të heqim gjithë iluzionet propaganduese se me dorështrengime do të marrim udhën evropiane.


***

Pavarësisht një viti të rëndë, të mundimshëm e shpeshherë dhe mbytës, pavarësisht ikjes së një vitit të tanë në padobi sikurse edhe plot të tjerëve para këtij, pavarësisht gjithë skandaleve, regreseve e stagnimeve, do të ishte mëkat sikur në këto net festive të përmbyll shkrimin e fundit për këtë mot me kujtimet e zaptuesve, huliganëve politik e anomalikëve të tjerë parainstitcuionalë që pinë çdo pikë shprese e çdo pikë djerse të hekanakëve kosovarë. Në momente si këto, do të ishte mëkat po të mos kujtonim gjithë kosovarët tjerë që megjithatë ecën mbarë, punuan drejtë, e bënë mirë. Gjithë ata që nëpërmjet sjelljeve minimalisht qytetare por maksimalisht patriotike mbajtën gjallë e i dhanë frymë këtij vendi. Janë qytetarë të thjeshtë por shumë më me peshe, shumë më me vlerë e shumë më me potencial se çdo pretendues tjetër zotërues të gjithçkaje rreth tyre. Njerëzit si ta na bëjnë të shpresojmë se një ditë ky vend megjithatë do të shënojë një vit ku vendi do të proseprojë jo nën hijën e një viti të gabuar, por nën dritën e një viti që duam ta shohim prapë.

Prandaj Kosovë, gëzuar; gëzuar për mote më të mira e për kurrë më kështu!
  


Friday, 28 December 2012

LA FAMIGLIA



Letra nga limbo
KOHA DITORE, 28 DHJETOR 2012

Shprehja “familja është celula e shoqërisë” është aq e përdorur dhe e aq e shoshitur sa që është shndërruar në shprehje që nuk kërkon citim. Është përdorur nga Bibla e Kurani, filozofët si Malthusi, Hegeli apo Engelsi, psikiatristët si Laing e Reich, politikanët e më hershëm si Churchili, Thatcheri e Reagani, apo dhe këta të sodit si Obama, Merkeli e Kameruni. Madje është aq e shpeshtë e aq e përdorur sa që është thënë edhe nga Hitleri, Stalini e Kim Jong Il-i. Por të gjithë, ama bash të gjithë, e kanë përdorur atë në një kuptim të vetëm, se sjellja e mirë brenda familjes është vlerë e shoqërisë. Asnjëherë, asnjëri nga ta, nuk e ka përdorur atë në kuptimin se shfrytëzimi i shoqërisë për kujdesin e familjes është vlerë e mirë. Këtë e bëri vetëm shefi i shefave


Së pari familja – ishte komenti i një miku tim në Facebook. Ai po ironizonte me moton zgjedhore “Së pari Kosova” të partisë më të madhe në vend, e e cila nëpërmjet të shefit të saj parlamentar, i njohur ndryshe si “shef i shefave” po jepte arsyetimin prapa aferës skandaloze të përgjimeve. Tashti, në tri javë rresht heshtjeje njeriu parakupton në vete ardhjen e një rezoni e arsyetimi solid të konstruktuar me të gjitha mjeshtëritë parapolitike e që në vete përmbajnë pak devijim, pak zbutje, pak kërkimfalje e pak dredhi – siç e do zakoni në politikën pakurrizore. Por ama, që pas tri jave shoshitje mendimesh të dilte shefi i shefave bashkë me garniturën tjetër parapolitike e këshill-mediale me një konstatim sa amator aq edhe vetëvrasës, këtë nuk e kisha bërë hesap fare.

Shefi i shefave, në mbrojtje e arsyetim të nepotizmit të shfaqur gjatë rekordimeve, tendencën e rahatimit të dajës e kishte arsyetuar, besoni ose jo, me fjalët “ne si parti kujdesemi për familjen”, për të vazhduar më pas me një interpretim provincial “alla-gjivgjan” të shprehjes “familja është celula e shoqërisë”.

Nuk e kam shumë për zemër marrjen me dikë që bëhet i njohur me gafa e skandale, apo me dikë që punën më të madhe të vitit e ka treguar ta ketë një ahmaki skandaloze; të tillët nuk meritojnë kaq shumë vëmendje e lexuesit meritojnë dhe më pak torturë. Por ja që derivimi i një konstatimi të tillë tregon një mendësi. Kjo mendësi më pas tregon një udhë tipike të manipulimit, si formë standarde e qeverisjes; pra tregon një stil. E ky stil përfundimisht tregon dhe fatin e Kosovës, kasaphanën nëpër të cilën vendi po kalon dhe ardhmërinë e zymtë që e ka i njëjti para. Kjo e fundit duket shumë trishtuese!

***

Deklarata quasi-shfajësuese ka dy pjesë. E para ka të bëjë me rrëfimin, pra pranimin e aktit, ndërkaq e dyta ka të bëjë me fortifikimin, pra arsyetimin e aktit; që të dyja (në kontekstin e dhënë) janë skandaloze.

Së pari, është skandaloze meqë dikush me vetëdije të plotë pranon një vepër penale dhe prapë nuk kupton peshën e veprës. Të pranosh se ke shfrytëzuar pozitën publike për ti kryer favore familjes, pra të pranosh se organizimi partiak ka prioritet familjen e assesi shtetin apo të drejtën, barazinë e trajtimin korrekt qytetar, kalon çdo percepcion minimalisht normal e demokratik; është aq skandaloze sa që edhe fjala skandal do të befasohej me përmbajtjen e saj. Ka vetëm një organizëm që prioretizon familjen para gjithçkaje tjetër, e ky organizëm njihet si “mafia”. Madje definicioni shpjegues i fjalës “mafia” në fjalorin e Oxfordit duket kështu: “Secili grup, i njohur si “familje” apo “klan”, thirret në sovranitetin e një territori në të cilin ushtron kontrollin, reketimin e haraçin. Anëtarët e “familjes” e thërrasin veten “njerëz të ndershëm” ndonëse publiku ju referohet si “mafiozë”. E meqë jemi tek fjalori i Oxfordit, pak faqe më tutje, fjala “nepotizëm” shpjegohet kështu: “Nepotizmi është praktikë joligjore në mesin e atyre me fuqi apo influencë, në favor të familjarëve apo miqve, me theks të veçantë duke u siguruar atyre punë”.

Nëse nepotizmi qenka një vepër penale dhe i njëjti është pranuar të ketë ndodhur me arsyetimin se është prioritet i partisë, pra nëse kujdesi për familjen qenka thelbësor në shtetbërje, atëherë i bie se të vjedhësh për familje, të vrasësesh për familje, të dhunosh për familje, e të bësh çdo të zezë për familje, është vepër shumë normale, shumë e pritshme, shumë krenare. Sipas kësaj logjike, në emër të kujdesit për familjen është normale të rehatosh dajën në kurriz të një profesionisti të shkretë që nuk ka nip me influencë e që në fund dhe mbetet pa punë. Në të njëjtën logjikë është shumë normale të vjedhësh paratë e taksave të mësuesit (prandaj korrupsioni) apo të vrasësh një të shkretë tjetër (prandaj krimi). Përderisa prioritet është familja, çdo akt i mundshëm është normal.

Së dyti, reagimi është skandaloz meqë arsyetimi i dhënë për aktin është më skandaloz se vet akti. Të provoj të shpjegoj pse. Shprehja “familja është celula e shoqërisë” është aq e përdorur dhe e aq e shoshitur sa që është shndërruar në shprehje që nuk kërkon citim. Është përdorur nga Bibla e Kurani, filozofët si Malthusi, Hegeli apo Engelsi, psikiatristët si Laing e Reich, politikanët e më hershëm si Churchili, Thatcheri e Reagani, apo dhe këta të sodit si Obama, Merkeli e Kameruni. Madje është aq e shpeshtë e aq e përdorur sa që është thënë edhe nga Hitleri, Stalini e Kim Jong Il-i. Por të gjithë, ama bash të gjithë, e kanë përdorur atë në një kuptim të vetëm, se sjellja e mirë brenda familjes është vlerë e shoqërisë. Asnjëherë (“asteniherë” për ta kuptuar ky i yni), asnjëri nga ta, nuk e ka përdorur atë në kuptimin se shfrytëzimi i shoqërisë për kujdesin e familjes është vlerë e mirë. Këtë e bëri vetëm shefi i shefave; këtë mund ta dëgjosh vetëm tek ne.

***

Pavarësisht kësaj, mosdija megjithatë mbetet konsekuencë personale e dënimit intelektual të marrë që nga lindja. Shoqërore bëhet megjithatë reagimi i shtetit pas një mosdije të dëmshme. Kujtoj se nëpërmjet pranimit të aktit pranohet dhe konsekuenca e aktit. E nëse akti është ndërmarrje joligjore apo kriminale atëherë për çdo shtet me rend ligjor normal konsekuenca është prokuroria, gjykata dhe dënimi. Pra nëse nepotizmi është i ndaluar me ligj dhe i njëjti pranohet publikisht të ketë ndodhë, atëherë është e udhës që prokuroria të nisë një hetim që nuk do shumë mund meqë ka incizimin dhe ka pranimin.

Po ja që sikur nëpër filma, kur “La Famiglia” është në pyetje, prokuroria, gjykatat e i gjithë shteti janë në të verër, të shurdhë e memec. Janë kështu meqë është mu “familja” që pasi të ketë rehatuar gjithë dajallarët e tjerët edhe nëpër prokurori, edhe nëpër gjykata e edhe nëpër polici, mbanë vetën të sigurt e në rahati nga mosresponsiviteti i tyre. Në të njëjtin stil mosreagues shpëtuan edhe anëtarët e tjerë të “familjes” sa herë që ishin ngushtë. Kujtoj rastin e kryetarit të Kaçanikut i cili me duar në xhepa e këmishë tropikane “palma-palma” kishte lëshuar aeroportin e Prishtinës në pikë të ditës. Ishte mu “familja” që i kishte mundësuar atij udhëtim të rehatshëm. E është mu “familja” që nuk mundëson hetimin e atyre që ose ndihmuan ikjen ose lejuan ikjen. Është mjerisht e habitshme si nuk u morr në pyetje asnjë polic kufitar, asnjë përcjellës policor e asnjë asistues tjetër i arratisë.

“Familja” u kujdes edhe për ikjen tjetër të tre të dënuarve në rastin Bllaca. Të njëjtit, ndonëse nën mbikëqyrjen policore (e cila natyrisht se del të jetë pjesë e “familjes”) arritën të humbin nga faqja e dheut. Dje ishin sot nuk janë. E në Kosovë, ku edhe gjella e fqinjit dihet çfarë sasie kripe mbanë, duket pak e pakuptimtë ikja pa ditur kush kurrë asgjë. Dhe prapë është mu “familja” që nuk mundëson hetimin e atyre që ose ndihmuan ikjen ose lejuan ikjen.


 ***

Në Kosovë “familja” është sinonim i zaptimit të shtetit. Është gjendje ku shteti shihet pronë e partisë, e partia pronë e familjes; e cdo kush tjetër jashtë rrethit si ky është i pavlerë, i pa peshë, është “zagarë”. Ajo dallon nga “familjet” tjera që sot shpeshherë mund ti shohim në getot evropiane meqë është e legalizuar. Ajo sot madje pranohet e promovohet publikisht me naivitetin më të madh të mundshëm nga krijuesit, mbajtësit e promovuesit e saj. Naiviteti megjithatë nuk është brenga që duhet të ketë Kosova. Të tillë naivë do të kemi në mesin tonë gjithmonë.

Kosova duhet të brengoset për nivelin e durimit që ka, për prezencën e inferioritetit e për mungesën e guximit. Guximi ndonjëherë e kapërcen një gjeneratë të tërë njerëzish. Ata thjeshtë ndihen të paobliguar për të mbrojtur dinjitetin e vendit. Përkundër të kapërcyerve, cilado gjeneratë që e kthen guximin prapa në këtë vend do të ketë dhe çelësin e ecjes sonë të mbarë. Ata do të meritojnë gjithë lavdin. E deri atëherë, paçim mëshirën e La Famiglia-s!


Friday, 21 December 2012

PESË REKOMANDIME PËR IBM



Letra nga limbo
KOHA DITORE, 21 DHJETOR 2012

Institucionet tona duhet të insistojnë në pesë hapa kryesorë: 1) që i gjithë territori i Kosovës të trajtohet si zonë e unifikuar doganore; 2) që mos të lirohet asnjë grup etnik nga obligimet kushtetuese tatimore, hiç se hiç të përmenden llojet e maunave që mund të kalojnë pa doganë siç bëhet së fundi; 3) mbledhjen e të hyrave të mos e bëjë asnjë institucion tjetër përveç se Doganat e Republikës së Kosovës; 4) të gjithat të hyrat kufitare të përfundojnë vetëm në Buxhetin e Kosovës; dhe 5) shpërndarja e të hyrave nga Buxheti i Kosovës për Veriun të mos bëhet sipas ndonjë formule detyruese që mbështetet në burimin e të hyrave, por në bazë të politikave zhvillimore të Qeverisë. Mosbërja e njërit prej këtyre pesë hapave zhbën  dhe godet gjithë bazën Kushtetuese e ligjore të Kosovës si dhe e vet Pakon Ahtisaarit


I ndodhur në mes të skandaleve që nuk po ndalen asnjëherë, në pamundësi të absorbimit të dozës shokuese që na prodhohet herë prej njërit e herë prej tjetrit, i pahabitur tanimë nga çfarëdo që e nesërmja poltike mund të sjell, shpesh e gjej veten në pamundësi të rangimit të dëmeve që ky stil anti-qeverisës na i sjell. Shpesh nuk arrij të rendisë se çfarë është më skandaloze, më e turpshme e më e rëndë, një vjedhje prej 1.4 milionëve që nuk bën dorëheqjen e një ministri apo një ikje skandaloze nga Kosova e një ish-kryetari komune të dënuar me burg? Një nepotizëm i shfrenuar nga përgjimet që prapë kalon pa gjykim apo një gënjeshtër publike rreth përgjimit? E sapo ti afrohem listës së intensitevete të skandaleve del një tjetër xhabir-politikan që e “sjellë e pështjellë” gjithë mundin rangues duke prodhuar një tjetër skandal, diçka si ikja e tre të dënuarve përkundër të qenurit nën arrest shtëpiak e mosdhënia e përgjegjësisë prej askujt. Ky skandal më pas del se është edhe më i rëndë edhe më i mbrapshtë edhe më i turpshëm nga gjithë të tjerët. Shpesh mendojë se sikur skandalet të ishin produkte që mund të shiten e eksportohen jashtë vendit, besoni se Kosova sot do të kishte një suficit impresiv tregtar. Por ja që skandaleve hair kush nuk u sheh, e me to do të merremi vetëm ne të shkretit.

E meqenëse jam tek eksportet dhe relacionet me jashtë, nuk kam se si të mos përmend marrëveshjen e fundit për pikat kufitare/pikat administrative (varësisht se nga cila anë e kufirit je) dhe dy deklaratat kundërthënëse të dy kryeministrave që megjithatë nuk dinë për çfarë janë marrë vesh. Derisa i yni argumenton se më në fund i kemi dhënë përgjigje pjesërisht njërit prej problemeve thelbësore në vend, informalitetit nga Veriu, ai i palës serbe kërcënon me tërheqje nga bisedimet po u bë ashtu siç themi ne. Pra kemi një situatë me dy qëndrime që nuk durojnë njëri tjetrin.

Do të ishte fare i lehtë kuptimi i përmbajtjes së marrëveshjes sikur të kishte fillimisht një marrëveshje të shkruar, sikur e njëjta më pas të merrte pëlqimin e kosovarëve nëpërmjet Parlamentit (meqë supozohet se është ndërkombëtare) dhe sikur në fund të bëhej transparente për çdo palë me interes. Por ja që siç ndodhë shpeshherë me marrëveshjet që nuk i shkojnë në favor as të njërës e as të palës tjetër ato jo që nuk bëhen publike, por as nuk miratohen në Parlament e besa as nuk jepen në letër. E përderisa janë llafe e muhabete darkash të përcjella me verë të kuqe, Zoti e di se çfarë përmbajnë.

Patjetër që dua ti besoj Qeverisë sime, ndonëse e njëjta më ka dhënë çdo arsye për ti dyshuar kredibilitetin e reputacionin (kujto ndër të tjerash edhe gënjeshtrën pas përgjimeve); por them se nëse “parashikimet ogurzeza” e “paranojat destruktive” që dikush mund ti ketë janë të pavend, e nëse më në fund Kosova do të mbledhë të hyra doganore edhe nga Veriu, atëherë kosovarët duhet ti japin çdo kredit bartësve të këtij procesi; hallall ju qoftë. Por nëse pretendimet e palës serbe dalin si të sakta, e këto pretendime thonë se të hyrat në Veri nuk duhet të shkojnë tek institucionet e Kosovës por tek serbët e Veriut, atëherë ne kemi një problem esencial. Ky problem prekë Kushtetutën e Kosovës, Ligjet e Kosovës, Pakon e Ahtisaarit dhe në fund vet logjikën ekonomike e politike tonën.

E para, problemi prekë Kushtetutën e Kosovës meqë sipas Kapitullit 19, Nenit 119, Pikës 8, “Secili person është i obliguar të paguajë tatimet dhe kontributet e tjera të parapara me ligj”, prandaj çdo trajtim i dyfishtë i qytetarëve të Republikës së Kosovës e që në esencë ka faljen e lirimin në fjalë është trajtim anti-kushtetues. Në këtë vijë pretendimet e Daqiqit se serbët e Veriut lirohen nga obligimet doganore, po të ishin të vërteta do të ishin dhe anti-kushtetuese për ne. Të njëjtat ose bëjnë një marrëzi deklarative të “Sllobës së Vogël” që njihet për gafa si këto, ose bëjnë një shkelje të Kushtetutës nga të tanët. Dëshiroj të besoj se është e para.

E dyta, problemi prekë ligjet në fuqi, në rend të parë Kodin Doganor të Kosovës i cili e trajton territorin e Kosovës si një njësi doganore; Neni 3. Pika 1 thotë: “Legjislacioni doganor i Republikës se Kosovës do të zbatohet në mënyrë unike në tërë Kosovën”; pra me fjalë tjera me kornizën e tanishme ligjore trajtimi i dyfishtë për regjione të caktuara është anti-ligjor. Antiligjore do të jetë edhe mbledhja e të hyrave nga një institucion i tretë, siç edhe po përflitet nëpër korridoret e ndërkombëtarëve. Kjo palë e tretë sipas këtyre zërave do të ishte EULEX-i i cili pasi të ketë mbledhur të hyrat në vend të Doganës së Kosovës, do tua përcillte strukturave paralele në Veri. Përveç se Kosova ka më së paku nevojë për paralelizëm të ri, një ide e tillë them se është antiligjore meqë Neni 9, Pika 1 e Kodit Doganor thekson se “Dogana është i vetmi institucion në Kosovë, i cili ka kompetencë për të kryer detyra doganore dhe detyra tjera që i caktohen Doganës nga Qeveria e Kosovës” dhe se sipas Pikës 2 të po të njëjtit Nen “Të gjitha detyrimet doganore dhe taksat e mbledhura nga Dogana do të depozitohen në Buxhetin e Kosovës”. Pra ka vetëm një institucion dhe vetëm një destinacion ku duhet të përfundojnë të hyrat e mbledhura në 11 mijë kilometrat katrorë të Kosovës, dhe ky institucion është Dogana e ky destinacion është vetëm Buxheti i Kosovës.

E treta, duhet bërë të qartë se çfarëdo shpërndarje e të hyrave të mbledhura në Veri me ndonjë formulë parapërcaktuese për alokimin e tyre përveç se zhbën një mori ligjesh në Kosovë, zhbënë edhe vet Pakon e Ahtisaarit. Kujtoj se Aneksi 3 i Pakos së Ahtisaarit, që merret me decentralizimin, saktësisht Neni 8 që merret me Financat Lokale, në Pikën 2 thotë se “Komunat nuk do të vënë apo mbledhin tarifa doganore, tatime në të ardhura të personave fizikë dhe juridikë, TVSh-në dhe detyrimet e akcizës, tatime në kapital, përveç tatimit në pronën e paluajtshme që gjendet brenda komunës apo tarifa të tjera ekuvalente me detyrimet dhe tatimet e tilla”. Nuk di se çfarë mund të jetë më e qartë se kaq, madje më gjithë 24,349 fjalët e Pakos nuk gjendet as edhe një e vetme që definon trajtimin doganor të dyfishtë për çfarëdo komune apo për çfarëdo regjioni të Kosovës. Nëse kështu, atëherë pse të zhbëhet Pakoja?! Madje qëndrimi tolerant i yni që po na shfaqet së fundi edhe prej politikanëve vendorë sa më bëhet befasues aq edhe i frikshëm. Befasues meqë ne mbajmë qëndrime qysh në start tolerante (të cilat më pas duhet ti negociojmë) dhe i frikshëm meqë fotografia se si mund të përfundojë pakoja gjithëpërfshirëse kur të hapet duket mjaftë e zymtë. Ne duhet të insistojmë në mos hapje të pakos!

Por edhe sikur të kishte bazë kushtetuese, ligjore e mbikëqyrëse, nuk ka as edhe një arsye të vetme ekonomike për stimulim të konkurrencës së pabarabartë. Së pari, lirimi nga mospagesa, sikur të jetë i vërtetë, do të krijonte një zonë të lirë ekonomie. Për një Kosovë që ka probleme ashtu kështu serioze me mungesë të konkurrueshmërisë një hap i tillë do të nënkuptojë rritje të pabarazisë në trajtim; gjithmonë duke favorizuar bizneset në Veri në kurriz të atyre poshtë Ibrit. Kujtoj se vetëm në vitin 2012 konkurrenca e padrejtë është shfaqur si barrierë thelbësore në të bërit biznes, prandaj çdo ushqim i saj është ecje regresive. Së dyti, sikur serbet e Veriut të detyrohen të paguajnë  obligimet natyrore, por se të njëjtat nuk prekin buxhetin e Kosovës, pra me një formulë të proporcionalitet i kthehen prapë Veriut, atëherë ne përveç se kemi hapur Pakon edhe kemi filluar ndërtimin e themeleve të një autonomie financiare e cila lehtësisht mund të përfundojë në një autonomi e pavarësi kuvendare e shtetërore. E derisa hapja e Pakos humbë dhe shembë konceptin shtetndërtues të Kosovës, pavarësia financiare largon Veriun edhe më shumë nga Kosova.

Në vend të kësaj, institucionet tona duhet të insistojnë në pesë hapa kryesorë: 1) që i gjithë territori i Kosovës të trajtohet si zonë e unifikuar doganore; 2) që mos të lirohet asnjë grup etnik nga obligimet kushtetuese tatimore, hiç se hiç të përmenden llojet e maunave që mund të kalojnë pa doganë siç bëhet së fundi; 3) mbledhjen e të hyrave të mos e bëjë asnjë institucion tjetër përveç se Doganat e Republikës së Kosovës; 4) të gjithat të hyrat kufitare të përfundojnë vetëm në Buxhetin e Kosovës; dhe 5) shpërndarja e të hyrave nga Buxheti i Kosovës për Veriun të mos bëhet sipas ndonjë formule detyruese që mbështetet në burimin e të hyrave, por në bazë të politikave zhvillimore të Qeverisë. Mosbërja e njërit prej këtyre pesë hapave zhbën  dhe godet gjithë bazën Kushtetuese e ligjore të Kosovës e vet Pakon Ahtisaarit.