Sunday, 30 December 2012

GËZUAR, PËR KURRË MË KËSHTU



Letra nga limbo
Koha Ditore, 30 Dhjetor 2012 - Numri festiv

Viti që lamë pas them se do të mbahet mend si vit i rrënimit parlamentar, i zaptimit institucional, i degradimit të Republikës, i papërgjegjësisë qeverisëse, i stagnimit ekonomik e i regresit evropian; të gjitha këto të përcjella me skandale të njëpasnjëshme. E nëse më duhet të bëjë patjetër një urim, them ta gëzojmë për mote që nuk përngjajnë kurrë më kështu


E gjej vetën disi të zënë ngushtë sa herë përpiqem të bëj shkrimin e fundvitit. Në një aurë festive të shkruash për realitetin kosovar pa e sheqerosur fare atë është si të dërgosh një kartolinë urimi me tekst trishtues; oksimoronike pak a shumë. Thënë të drejtën, sa herë që mundohem të bëj një listë të sukseseve në Kosovë dëshpërohem jo vetëm nga “gjatësia” e listës por dhe nga përmbajtja shqetësuese e saj. Madje sfidoj këdo të bëjë një renditje me jo më shumë se pesë-gjashtë suksese mbresëlënëse të këtij viti. Për të ju lehtësuar punën konsideroni si ecje të suksesshme 1) përmbylljen e pavarësisë, 2) anëtarësimin në BERZH apo edhe 3) njohjen befasuese nga Pakistani pak ditë më parë – ndonëse që të tria bëhen me një asistencë esenciale të komunitetit ndërkombëtarë dhe pa shumë mund tonin.

E në një përmbledhje timen bukur gjenerale (sado të zymtë), viti që lamë pas them se do të mbahet mend si vit i rrënimit parlamentar, i zaptimit institucional, i degradimit të Republikës, i papërgjegjësisë qeverisëse, i stagnimit ekonomik e i regresit evropian; të gjitha këto të përcjella me skandale të njëpasnjëshme. Madje aq shumë skandale na u prodhuan për një vit sa që dikur evoluuam ndjenjën e imunitetit qytetar duke pranuar secilin më lehtë se tjetri.

Së pari, them se është vit i rrënimit parlamentar meqë këtë vit më shumë se kurrë na u bë e qartë se kemi një Parlament vetëm sa për sy e faqe sepse a) pranon të jetë ndërtuar me vota të vjedhura por megjithatë ndjen komfort të mbahet i gjallë si i tillë – pra ka mungesë substanciale të kurrizit e dinjitetit politik; b) për shkak të sjelljeve të mbrapshta politike nuk arrin për një vit të plotë të ndërtojë as edhe një reformë zgjedhore e kështu tu japë kosovarëve së paku institucione legjitime – sikur të bëhej fjalë për pagat e tyre kjo punë do të harrohej kaherë; c) prodhon rezoluta parlamentare që nuk arrin ti forcojë meqë nuk hesapohet fare nga Qeveria – siç ishte rasti me rezolutën për reciprocitet me Serbinë dhe rezolutën për kushtëzimin e bisedimeve me fatin e të zhdukurve; d) krijon mungesë kuorumi paradoksalisht nga shumica parlamentare sa herë që ka kërkesa prej agjendës parainstitucionale duke e bërë kështu veten të duket si një teatro provincial; dhe d) nuk arrin të mbrojë interesat më bazike të kosovarëve përballë ndërkombëtarëve që ndonjëherë edhe nuk i lejojnë deputetët të shkojnë (fjalë për fjalë) as në tualet.

Së dyti, them se është vit i zaptimit institucional meqë këtë vit më shumë se kurrë na u bë e qartë se Kosova udhëhiqet nga një strukturë mirë e organizuar parainstitucioanle e cila me emërimet politike e militante zapton, kontrollon, poshtëron e devalvon të gjitha institucionet quasi-të-pavarura  të cilat më pas a) nëpërmjet policisë shërbejnë dhunë selektive duke goditur turpshëm oponentë politikë e duke ledhatuar butësisht militantë partiak – siç ishte rasti i dhunës brutale në Merdare e i asaj në Prishtinë përkundër një palimi në autostradë për 100 vjetorin e pavarësisë; b) nëpërmjet sistemit të dirigjuar gjygjësorë burgosë e kërcënon së burgosuri këdo që nuk i shkon por shtati partisë por lë e ndihmon  të arratisen gjithë kriminelët partiak – siç ishte rasti i arratisjes flagrante xhabiriane dhe ai tre të ikurve të Bllacës, përkundër një mbikëqyrjeje policore; c) nëpërmjet kontrollit të prokurimit publik shpërndanë paranë publike tek bizneset që i financojnë ata me një të dhjetën e vlerës së tenderëve duke siguruar kështu vetëqëndrueshmëri me automatizëm – siç ishte rasti i 1.4 milionëve prej 14 milionëve ndër shumë afera të tjera; d) nëpërmjet televizionit publik shpërndanë propagandë duke i bërë lajmet e zeza të bardha e duke promovuar vlera zaptuese – siç ishte promovimi me ngulm i figurave partiake pa substancë, mostransmetimi i akteve anomalike qeverisëse apo dhe falsifikimi i raporteve ndërkombëtare; dhe e) nëpërmjet kontrollit të sistemit edukativ, shëndetësor, bordeve të ndërmarrjeve publike, agjencioneve e komisioneve tjera kontrollon punësimin për votuesit e militantë partiakë – siç ishte rasti i largimit të dy studenteve për të punësuar Kamishin, emërimi i nipit të Sylës për të menaxhuar Postën, rahatimi i dajës së mbetur keq të Grabovcit, e plot e plot të tjera.

Së treti, them se është vit i degradimit të Republikës meqë këtë vit më shumë se kurrë na u bë e qartë se procesin e ecjes së pavarur e kushtëzuam me pëlqimin e Serbisë sepse a) përkundër të gjitha gjasave faktorizuam fuqishëm shtetin serb në çështjet e brendshme të Kosovës dhe sot kërkesa ndërkombëtare për domosdoshmërinë e marrjes parasysh të mendimit serb për veriun e Kosovës është shumë e zakonshme - një vit më parë kjo gjë dukej sa e pamenduar aq edhe brutale; b) përkundër paralajmërimeve të njëpasnjëshme për një vit të tërë se nuk do të bëjmë një gjë të tillë, ne megjithatë kaluam nga një dialog teknik në një dialog politik pa plan e pa platformë duke treguar kështu se qëndrimet tona të vijës së kuqe janë të pavlera; c) krijuam një frankeshtajn IBM që se ka parë as edhe një shtet tjetër, meqë ka kontroll të dyfishtë, ka mungesë të simboleve shtetërore e ka supremaci të trupave ndërkombëtarë mbi ato vendore; dhe e) premtuam hapjen e Pakos së Ahtisaarit për rregullimin autonom të Veriut si pikë fillestare tonën kurdo që bisedimet të vazhdojmë.

Së katërti, them se është vit i papërgjegjësisë qeverisëse meqë këtë vit më shumë se kurrë na u bë e qartë se institucionet tona kanë mungesë serioze edhe të dijes por edhe të moralitetit politik në rast të mosdijes sepse a) japin përqeshje në vend të turpit në procese jotransparente e të parapërcaktuara politikisht  kur shesin ndërmarrje për vlera që nuk arsyetojnë as një të dhjetën e investimeve në to; b) japin përqeshje në vend të turpit  kur shpenzojnë pa fije përgjegjësie paranë publike në masën që një vizitë javore luksi e 50 zyrtarëve publik bën koston e 2500 pensioneve, 500 ndihmave sociale, 1100 pagave minimale e 82 vendeve të punës për një vit; c) japin përqeshje në vend të turpit  jo vetëm kur për hir të interesave vetanake favorizojnë me fuqi monopoliste bizneset që rrisin më pas çmimet apo dhe shkaktojnë evazion fiskal (rasti i bllokadës së çimentos) por japin përqeshje në vend të turpit edhe kur tregojnë dhëmbët ndaj shteteve mike e palohen ndaj atyre jo-mike duke dëshmuar kështu mungesën e palcës së mirëfilltë kurrizore në politikëbërje; d) japin përqeshje në vend të turpit  kur nuk guxojnë të distancohen nga gjithë ata kryetarë komunash, parlamentarë e zëvendësministra të shpallur fajtorë për vepra kriminale në vend e jashtë vendit – të cilët në fund të fundit janë zgjedhur, promovuar e mbrojtur mu nga ta; dhe e) japin përqeshje në vend të turpit kur pa brengën më të vogël gënjejnë – siç ishte rasti i tentim gënjeshtrës së plot 1.7 milionë kosovarëve rreth vërtetësisë së përgjimeve.

Së pesti, them se është vit i stagnimit ekonomik meqë këtë vit më shumë se kurrë na u bë e qartë se politikat e paditura qeveritare nuk kanë se si të prodhojnë mbarësi meqë a) përfunduam me rritje ekonomike prej vetëm 3.9% përkundër nevojës për 8-10% apo planifikimit vetanak prej 7%; b) përfunduam me thellim të deficiti tregtar për 6.4% pas rënieve të eksporteve për 18.4% e rritjes së importeve për 2.6% duke bërë kështu vendin tonë të eksportojë plot 2.5 miliardë euro para të thata çdo vit apo 100 milionë më shumë se që kishim eksportuar para një vit më parë; c) duke koncentruar gjithë energjinë qeverisëse vetëm në rangime simbolike por  jo edhe në esencë të problemeve, sektori privat përfundoj vitin duke mos krijuar vende të reja pune e duke mbajtur kështu papunësinë në plot 45% sa edhe ishte në fillim të vitit, e besa edhe një vit më parë, e edhe një vit tjetër para tij, e edhe më gjatë; c) për shkak të një ambienti plotësisht armiqësor ndaj të huajve, arritëm të frikësojmë çdo investitorë potencial duke përfunduar kështu vitin me rënie të investimeve të huaja për plot 54% krahasuar me një vit më parë, rënie kjo rekorde që nga paslufta; d) për shkak të rëndesave biznesore detyruam bizneset e futura në kredi drejt bankrotit, duke i rritur kështu kreditë e këqija për 10% më shumë se një vit më parë apo në nivel të gjithmbarshëm në 6.5%, gjithashtu numër rekord që nga paslufta; dhe e) për shkak se në luftë kundër korrupsionit ne zgjodhëm pallavrat e mbledhitë në vend të kazmës e punës, përfunduam vitin të ranguar njëjtë si një vit më parë me shtete si Mali, Bolivia e Gambia.

Së gjashti, them se është vit i regresit evropian meqë këtë vit më shumë se kurrë na u bë e qartë se për të bërë sado edhe një hap të vogël evropian e nëse asgjë tjetër së paku për të mos mbetur getoja e fundit evropiane në lëvizjen e lirë ne duhet që a) të ofrojmë evidencë e jo llafe në luftën ndaj hajnisë duke burgosur peshqit e mëdhenj e jo sardinat – pra përderisa të arratisurit ndihmohen të ikin, përderisa nuk përndjekim për nepotizëm ata që edhe të rakorduar publikisht janë, e përderisa rrimë indiferent kur na dalin në shesh skandalet e 10%-it, Evropën as me sy nuk mundemi me e pa; b) të largojmë një herë e mirë pretendimet fetishiste të disa deputetëve kundër medias e fjalës së lirë – siç ishte rasti me dy nenet famëkeqe të promovuara e të shtyra nga deputetë që mbajnë inat e ndjenja sadiste ndaj ish kolegëve të tyre, e kjo na kushton më pas me ecje evropiane të një mileti të tanë; c) të reformojnë në thelb administratën publike duke larguar parainstitucionalët nga çdo proces vendimmarrës, në vend të tyre të vendosim njerëz që i shërbejnë shtetit e jo partisë; dhe d) të heqim gjithë iluzionet propaganduese se me dorështrengime do të marrim udhën evropiane.


***

Pavarësisht një viti të rëndë, të mundimshëm e shpeshherë dhe mbytës, pavarësisht ikjes së një vitit të tanë në padobi sikurse edhe plot të tjerëve para këtij, pavarësisht gjithë skandaleve, regreseve e stagnimeve, do të ishte mëkat sikur në këto net festive të përmbyll shkrimin e fundit për këtë mot me kujtimet e zaptuesve, huliganëve politik e anomalikëve të tjerë parainstitcuionalë që pinë çdo pikë shprese e çdo pikë djerse të hekanakëve kosovarë. Në momente si këto, do të ishte mëkat po të mos kujtonim gjithë kosovarët tjerë që megjithatë ecën mbarë, punuan drejtë, e bënë mirë. Gjithë ata që nëpërmjet sjelljeve minimalisht qytetare por maksimalisht patriotike mbajtën gjallë e i dhanë frymë këtij vendi. Janë qytetarë të thjeshtë por shumë më me peshe, shumë më me vlerë e shumë më me potencial se çdo pretendues tjetër zotërues të gjithçkaje rreth tyre. Njerëzit si ta na bëjnë të shpresojmë se një ditë ky vend megjithatë do të shënojë një vit ku vendi do të proseprojë jo nën hijën e një viti të gabuar, por nën dritën e një viti që duam ta shohim prapë.

Prandaj Kosovë, gëzuar; gëzuar për mote më të mira e për kurrë më kështu!
  


No comments: