Letra nga limbo
KOHA DITORE, 16 Shtator 2011
KOHA DITORE, 16 Shtator 2011
Nëse Presidentja e vendit nënshkruan ligjin e aprovuar nga Parlamenti për menaxhimin e AKP-së, atëherë vendi, për herë të parë, legjitimon institucionalisht një haraç tipik, duke i dhënë kështu precedent edhe keqpërdorimeve tjera në çdo trup e institucion publik
Se ndërmarrjet dhe agjencionet publike në vend po thyejnë rekorde për së mbrapshti, kjo nuk bën habi. Se averzioni ynë ndaj gjithçkaje jo-private ka një burim të arsyeshëm, kjo shpjegohet. Se kufijtë e paradokseve të tilla vazhdojnë të legjitimohen, kjo po se po është risi. Në këtë risi nuk bën pjesë lista e famshme e të punësuarve në PTK, ku çdo politikan i madh e i vogël, kontribues e degradues i idealeve shtetndërtuese, kishte punësuar gratë, burrat, motrat, bijtë, vëllezërit e besa dhe motrat e grave – të gjithë në struktura menaxhuese pa fije kualifikimi e profesionalizmi. Paramendoni tash çfarë është rrethi i të punësuarve tjerë nga këta akraba politikanësh! Në risinë tonë nuk bën pjesë as punësimi familjar në Ministrinë e Integrimeve, e as paralajmërimi për “reciprocitet të njëanshëm”, term ky i ri i futur në fjalorin ekonomik kosovar. Risinë e bën Agjencioni Kosovar i Privatizimi, bartësi kryesor i shitjes së pasurisë, krijimit të 400-500 milionë eurove, e një sërë tregimesh tjera mbi korrupsion, keqpërdorim, mbipagesa, shpërblesa e Zoti e di çka, dhe mundësisë për ndarje të 5% të fondit të privatizimit për AKP-në me ligjin e ri. Një haraç tipik!
“Pesë përqind (5%) e të gjitha të hyrave të pranuara si rrjedhojë e çfarëdo shitje në të kaluarën apo të ardhmen, transferimit, privatizimit, likuidimit apo mënyrave tjera të zgjidhjes të cilësdo ndërmarrje apo pasurie, pavarësisht se a është bërë nga agjencia apo paraardhësja e saj, do të jetë tarifë administrative e Agjencisë për të mbuluar shpenzimet e veta të përgjithshme administrative dhe operative”. Është ky Neni 21, Pika 2, e Ligjit për Agjencinë Kosovare të Privatizimit. Këto rreshta nuk prodhojnë nevojën për reflektim të arsyeshëm, por në vend te saj, prodhojnë averzion dhe paradokse konsekutive të çdo gjëje publike në Kosovë. Paramendoni, AKP-së, me ligjin e ri i garantohen 5% e të hyrave të privatizimit të ndodhur kurdoherë në Kosovë. Nëse fondet e privatizimit arrijnë në fund të procesit 600 milionë euro, atëherë AKP-ja i merr hiq më pak se 30 milionë; dhe për çka? Për të mbuluar shpenzimet e saja administrative dhe operative, pra pagat e punëtorëve të saj, veturat hiperluksoze dhe bonuset tjera të fundviteve.
Kalimi i një ligji të tillë nga Parlamenti, ka qenë absurd. I kaluar në heshtje dhe pa shumë diskutim ai pret nënshkrimin e Presidentes. Një nënshkrim i dhënë do thoshte shkelje e rëndë e menaxhimit të drejtë të parasë dhe pasurisë publike për disa arsye. Së pari, AKP-ja me Nenin 20, të po të njëjtit ligj, ka të garantuara dhe mbuluara pagat dhe shpenzimet e stafit të vet. Agjencia financohet nga Buxheti i Konsoliduar i Kosovës si çdo agjencion tjetër publik, dhe e njëjta ka zero nevojë për fonde shtesë; sidomos kur pagat e menaxhmentit dhe stafit të saj janë disaherë mbi ato të nëpunësve tjerë publik. Për më tepër, fondet e shumta nga Komisioni Evropian e trupa tjerë ndërkombëtar me vite kanë mbushur llogarinë e AKP-së. E dyta, AKP duhet të kuptojë një herë e mirë se nuk është pronare e pasurisë së Kosovës, por menaxhuese e privatizimit të saj. Pronarë janë dhe do të vazhdojnë të mbesin kosovarët, të cilët me taksat e tyre tanimë kanë paguar dhe do të paguajnë AKP-në për menaxhimin e bërë; ani pse kanë marrë pak llogari për shpërndarjen e taksave të tyre (kujtoni raportet e auditorit). E treta, prej kur kemi filluar të paguajmë dy herë punën normale e të pritshme? Marrja e një përqindje nga pasuria e kosovarëve, në emër të një pune që paguhet paraprakisht nga taksapaguesit, është njëjtë sikur Qeveria e vendit të vendosë që mbi pagat e tyre të rregullta të marrë dhe 5% të Buxhetit të Kosovës. E katërta, çdo kompromis në këtë drejtim do të jetë një precedent për të gjitha agjencionet tjera publike. Nuk do të habitesha sikur nesër agjencioni për investime, komisioni i konkurrencës, rregullatori i energjetikës, e plot të tjera, të kërkojnë kompenzime shtesë për investimet e bëra, mundësimin e konkurrencës e rregullimin tregut energjetik. E katërta, sa është racionale dhënia e 20% të pasurisë së privatizuar punëtorëve që kanë ndihmuar në krijimin, ekzistencën dhe në fund shitjen e pasurisë në fjalë, kundrejt 5% të AKP-së? A nuk ka një disproporcion enorm në kontribut dhe shpërblim këtu? Prej kur kontributi dy vjeçar i punëtorëve të AKP-së arrin kontributin dyzet vjeçar të ish punëtorëve të ndërmarrjeve shoqërore? Dhe e fundit, a nuk janë 30 milionë shumë për të tërhequr vëmendjen e çdo vote në Parlament?
Nëse asgjë tjetër, për kualitetin e bërë deri më tani, për korrupsionin e zhvlerësimin e pasurisë publike të shkaktuar nga një menaxhim alla kaotik, “shpërblimi” i vetëm që duhet dhënë AKP-së dhe paraardhëses së saj, është ndjekja ligjore e gjenerimi i përgjegjësisë.
Turpi i ligjit nuk ndalon me kaq. AKP kërkon shpërblimin edhe për punën e bërë nga AKM-ja, meqë pjesa “pavarësisht se a është bërë nga agjencia apo paraardhësja e saj” tregon qartazi lakminë e paarsyeshme dhe irrituese të këtij agjencioni. Nuk di kush ka qenë ai talent që ka shkruar një kërkesë të tillë, por nëse pagesa e dyfishta ka një logjikë përtej racionales që unë shtrova, atëherë çfarë logjike të shëndoshë mund të gjejë njeriu për kompensimin e punës që nuk ka bërë? Kujtoni çmimin e paguar nga kosovarët për “punën” e bërë nga AKM-ja, ato pagat dhjetë herë më të mëdha se të Presidentit, ankesat për korrupsion nga palët pjesëmarrëse në privatizim, shitjet nën çmimin e tregut njerëzve të lidhur ngushtë me politikë, ndryshimin e veprimtarisë së pasurisë (nga toka bujqësore në komerciale), shpërblimet prej mijëra eurosh për stafin në emër të shuarjes së AKM-së, dhe në fund, si qershi në torte, djegia e dokumenteve dhe rekordeve financiare, ofertuese e regjistruese, sa për të humbur çdo gjurmë të mundshme në hesapet e kryera – vjedhje klasike, por me stil! Dhe tash, për të njëjtën punë ne duhet të paguajmë AKP-në?!
Ligji i tillë jo vetëm se prodhon një keqpërdorim të rëndë financiar, jo vetëm se përhapë pabarazi në trajtimin e kontributit të punëtorëve me shitësit e këtij kontributi, jo vetëm se thyen rregullat e menaxhimit të trupave publik, por në rend të parë është një haraç tipik i vënë nga AKP-ja ndaj pronarëve të kësaj pasurie: kosovarëve. Them se dimë më mirë se kaq. Ndonëse Parlamenti, si në plot raste të tjera, nuk po arrin të shtroj rezonin para interesave partiake, them se Presidentja ka në dorë fjalën e fundit. Përtej vizitave, mirëpritjeve e simbolikës së dhënë deri më tani, them se ajo duhet të vë një shenjë edhe në çështjet e brendshme të vendit, duke filluar mu nga mbrojtja e 30 milionëve të kosovarëve.
1 comment:
Te lumte Lumir per kete shkrim dhe shkrimet tjera reale,njerez te afte dhe te guximshem si ju i nevoiten Kosoves per tu qeverisur,suksese!
Post a Comment