Letra nga limbo
KOHA DITORE, 11 NËNTOR 2016
Mbi verdiktin e popullit
amerikan
-1-
Për shqiptarët kishte dy lajme. I pari, që politika
amerikane do të rikthehej në duart e administratës më të angazhuar në çështjen
e Kosovës – zgjedhjes së Clinton. E dyta, që politika amerikane do të kalonte në
duar të një paparashikueshmërie – zgjedhjes së Trump. Në mes të një lajmi që
sjellë siguri të garantuar dhe një lajmi tjetër që sillte paparashikueshmëri,
natyrisht që zgjedhja jonë shoqërore ishte me të parën. Do të duhej të ishte
gjithnjë. Zgjedhja jonë politike e publike do të duhej të mbante gjithmonë
neutralitet. Në fund të ditës, shtetet do të duhej të funksionojnë mbi parime
strategjike; e për të mos lënduar këto parime strategjike neutraliteti i
betejave të brendshme partiake është domosdoshmëri.
Shqetësimi mbi verdiktin e popullit amerikan nuk ishte
veç i Kosovës e veç i shqiptarëve. Shqetësimi mbi verdiktin Trump ishte i pjesë
më të madhe të botës perëndimore. I pjesës ku liritë individuale, aleancat
ushtarake e blloqet post-soviete kishin qëndruar mirë e bashkë për gati tri
dekada rresht. Këtë shqetësim e kishin shprehur medie, nobelistë, biznesmenë e
aktivistë të të drejtave të njeriut. Në jo pak raste edhe politikanë me
influencë e me përvojë mbresëlënëse.
Pra, shqiptarët e shqetësimi vijues pas, nuk dallojnë nga
popujt e shqetësimet e tjera në Perëndim. Janë shqetësime të njëjta, që –
sikurse në rastin e “Brexit” – ngrenë pyetje mbi çështjet e barazisë racore,
ksenofobisë, lirive fetare e deri tek përballja me vet të ligë.
-2-
Përjashto kopetë e mendimeve “facebookiane” tek ne, që, nën
“cingliminglat” e përzierjes së çajit rus politikën e një superfuqie e komentojnë
si meze tavoline, pjesa tjetër e botës normale e të përgjegjshme mëngjesin e
parë pas zgjedhjeve e kishte pritur në shumë shqetësim. Mediat më të mëdha botërore
kishin ngre panik. Tregjet financiare kishin reaguar me rekorde të ulëta – në nivele
sa të krizës financiare të fundit. NATO e mekanizmi përcjellës i saj ishte nën
alarm; festë ndërsa bëhej nga Putin. I pari kishte ofruar partneritet të ri.
Partneritet të kushtëzuar i kishte dhënë Gjermania, Franca e Britania; kushtëzimi
kishte të bënte me respektimin e drejtave bazike të njeriut. Për një natë,
komunikimi Evropë-Amerikë ishte bërë ndryshe. Dhe kjo mjafton për shqetësim.
Parashikueshmëria e qeverisjes së ardhshme është e
pamundur. Kjo sepse vet presidenti i ri gjatë gjithë kampanjës zgjedhore ishte
i paparashikueshëm. Në të vërtetë, po qëse implementohen të gjitha premtimet e
tij, për deportim të minoriteteve, ndërtim të murit me Meksikë, mosintervenim
ushtarak kur sulmohet një vend i NATO-s, rinegociim tregtar me Evropë e Azi,
mbyllje të kufinjëve për muslimanë, lidhje e re e miqësore me Putin, largim nga
rroli ndërkombëtar e ndryshim të politikave klimatike – atëherë secili njeri me
mendje të shëndoshë e të mbarë duhet të ketë shqetësim.
Poqëse premtimet e tij ishin pjesë e një karakteri garues
që për qëllim kishte veç përballjen me establishmentin politik, poqëse gjithçka
nga politika e tij e jashtme ishte llogaritje veç e thënë por e pamenduar mirë,
atëherë, ndoshta, në rastin më të mirë, mund të ketë një bashkërendim pa ndikim
(në rastin më të mirë pra) në rrjedhat e mëdha këndej – në Evropë – për katër
vjet rresht.
Pra në tavolinë janë fatet e vlerave të një uniteti perëndimorë
që kishte kulmuar me një bashkërendim ushtarak në NATO; janë fatet ekonomike të
tregtisë së lirë – konceptit ekonomik kryesor amerikan në pesëdhjetë vitet e
fundit; fatet e rolit amerikan nëpër botë, si sigurues e garantues i lriive;
dhe mbi të gjitha fati i formësimit të botës së re. Një “Brexit” dhe një Amerikë
me premtimet elektorale, i japin fund parimeve mbi të cilat rendi i ri botëror
ishte ndërtuar që nga rënia e komunizmit e këndej.
-3
Për shqiptarët e Kosovën në veçanti, reduktimi i rolit
amerikan në botë, çarjet eventuale në NATO, e rëndimi i relacioneve tregtare në
Evropë, s’kanë se si të janë të mira. Në të vërtetë, secila kohë e shpenzuar në
çështje si këto është humbje për ne. E mirë do të ishte forcimi i lidhjeve në
mes të SHBA-ve dhe Evropës e jo dobësimi i tyre. E mirë do të ishte zgjerimi i
NATO-s e insistimi për forcë ndaj secilit agresion të jashtëm – si një zë – e jo
kërkesa për pagesë në këmbim të mbrojtjes apo tërheqje nga përballja anti-Rusi.
Këto lëvizje, deri më tani, duken të largëta.
Mbi të gjitha, e mirë për Kosovën është fokusi në
regjion. Trump e politka e tij këtë fokus s’do ta kenë; të paktën në fillim të
mandatit. Sepse prioritet i qeverisë së tij do të jetë riformatizimi i tregtisë
me Azinë – në veçanti Kinën – si dhe fokusimi ekskluzivisht brenda SHBA-ve – për
zhvillim ekonomik nëpërmjet poltiikave proteksioniste. Një ripozicionim i tillë
do të thotë se regjioni do të mbetet në status-quo. Natyrisht se s’do të ketë
ndryshime radikale e pretendime territoriale; por do të ketë hapësirë për forca
të tjera, krtyesisht pro-ruse, për fuqizim.
Në esencë, s’pres ndryshime rrënjësore në politikat
amerikane përballe neve; hiç se hiç strategjike. Por pres, siç dhe argumentova
deri më tani, ndoshta më pak fokus; e ne kemi nevojë sot për fokus. Sepse
projekti shtet-ndërtues i yni është në ngecje.
Mbi të gjitha, në një notë të mirë, fati i rolit amerikan
në regjion do të varet edhe nga dy elemente shtesë. E para, nga ekipi i tij. Nëse
si Sekretar i Shtetet caktohet dikush si Senator Bob Corker – një emër i përflitur
me të madhe së fundmi, atëherë të rrimë të qetë. Senator Corker është një mik i
madh i Kosovës, avokues i avancimit të rajonit në Senat.
E dyta, nga lobi shqiptarë ne Amerikë. Në shtatëmbëdhjetë vitet e fundit, Kosova dhe Shqipëria kanë nënçmuar me të madhe shqiptarët lobues në Amerikë, të vetmit meritorë për aktualizimin e angazhimin individual të politikanëve amerikan në çështjen e Kosovës. Të tillët janë ndarë, përçarë, mosrespektuar e injoruar në plotni. Asnjë takim, mirënjohje, koordinim nga atëherë. E marrë përkrahja e tyre si e garantuar. Por s’është. Lobi shqiptar ka mundësi enrome të influencojë politikanët decisiv në SHBA që, në vijat kryesore integruese të ruhet, mbrohet e avancohet interesi ynë. Ky lob duhet të riaktivizohet sërish. Në kohë të paparashikueshmërisë – pavarësisht rezultateve të ardhme, shfrytëzimi i gjithë forcave tona është domosdoshmëri.
E dyta, nga lobi shqiptarë ne Amerikë. Në shtatëmbëdhjetë vitet e fundit, Kosova dhe Shqipëria kanë nënçmuar me të madhe shqiptarët lobues në Amerikë, të vetmit meritorë për aktualizimin e angazhimin individual të politikanëve amerikan në çështjen e Kosovës. Të tillët janë ndarë, përçarë, mosrespektuar e injoruar në plotni. Asnjë takim, mirënjohje, koordinim nga atëherë. E marrë përkrahja e tyre si e garantuar. Por s’është. Lobi shqiptar ka mundësi enrome të influencojë politikanët decisiv në SHBA që, në vijat kryesore integruese të ruhet, mbrohet e avancohet interesi ynë. Ky lob duhet të riaktivizohet sërish. Në kohë të paparashikueshmërisë – pavarësisht rezultateve të ardhme, shfrytëzimi i gjithë forcave tona është domosdoshmëri.
No comments:
Post a Comment