Letra nga limbo
KOHA DITORE 25 NËNTOR 2016
Një Kosovë tragjike e komike
-1-
Odat, janë bërë maskotat e zgjedhjeve të sivjetme në
Drenas; një tregues i fukarallëkut tonë intelektual e shoqëror që s’na lëshon
dot. Jo pse odat janë regresive si të tilla, përkundrazi, janë pasuri e shëndoshë
e trashëgimisë sonë, por se fushatat elektorale të tilla, që përjashtojnë gra,
vajza – e në secilën rrethanë dhe të rinj – shpërfaqin natyrën e marrjes së
vendimit për votim këndej – të gjithë në grup, me delegim. Jemi, sinqerisht,
larg shumë.
Por burrëria e zgjedhjeve të sivjetshme nuk është lajmi më
i keq. Lajmi më i keq është manipulimi me kandidatë; kandidimi, presioni, tërheqja
– e në fund mosaftësia për t’u tërhequr e kështu garimi me vetën por duke kërkuar
vota për të tjerë. Sado komike të duket një skenar i tillë, në vete mbërthen
tragjedinë më të rëndë që Kosova ka krijuar vet – kapjen. Sepse në kapje,
integriteti personal formësohet e trajtohet pa hesapuar fare konsekuencat
morale në shoqëri. Në kapje mund të bësh çfarë të duash, e në fund të
duartrokitesh si kloun – të mendosh se je hero.
-2-
Në të vërtetë tragjedi-komedi ishte edhe refuzimi i PDK-së
për të votuar buxhetin; dhe më pas ndryshim mendimi i tyre për të shkuar për
ani pse në buxhet s’ishte ndryshuar asgjë. Natyrisht se një akrobacion i tillë
politik ishte produkt i provokimit të zgjedhjeve. Në secilën rrethanë,
mosmiratimi i buxhetit do të nënkuptonte me automatizëm shkuarjen në zgjedhje –
është dispozitë ligjore e kushtetuese e jona kjo. Rrjedhimisht, nëse do të
kishte një gur mbështetës për në zgjedhje, atëherë i njëjtë do të niste nga
buxheti.
Të mbesim të qartë. Buxheti i sivjetmë është ndër më të mirët
që vendi ynë ka pasur nëpër vite. Nuk është më i miri i mundshmi, larg madje,
por është më i mirë se paraprakët shumë. Dhe kjo për dy arsye bazë. E para,
sepse vë kufizim në rritjen e pagave publike, një thes që rrjedhtë para
vazhdimisht. Një kufizim i tillë megjithatë tregon një pjekuri qeverisëse dhe
mosshfrytëzim të mjeteve financiare për popullizëm që kushton shumë. Dhe e
dyta, sepse vë refuzim në kompensimet e veteranëve.
Dhe listat e veteranëve, në vete janë tallëse publike
ndaj së cilës tallje kemi filluar të jemi dhe tolerantë. Përderisa ne flasim këtu,
në Kosovë janë bërë mbi 45 mijë përfitues në emër të veteranëve. Këta 45 mijë
veteranë fiktiv, do t’i kushtonin buxhetit të Kosovës, secilin vit, nga 100
deri në 110 milionë euro. Përgjatë gjithë kohëzgjatjes së jetës së tyre, këta
veteranë fiktivë do t’i kushtojnë vendit tonë nga 2 deri në 2.5 miliardë euro.
Dhe kjo është tragji-komedi serioze – e kushtueshme. Vendi ynë i varfër, do të
duhet të akomodojë akraba fiktiv e të rrejshëm, të odave e mahallave, shfrytëzues
të patakt të shtetit e të publikes – në kurriz të lënies anash të shëndetësisë
e spitaleve të tmerrshme, arsimimit analfabet e gjyqësisë së mjerë.
-3-
E gjyqësia – kjo e mjerë – bën tragjedinë më të rëndë tonën.
Këtu s’ka komedi. Fillimisht, sepse, veç në Kosovë, një kryeprokuror nën vëzhgim
prej 24 orëve nën orën e policisë, bëhet subjekt i një vjedhjeje. Për këtë,
kryeprokurori madje, akuzon për papërgjegjshmëri e implikim vet policinë. Sasia
e vjedhjes nuk ka hiç rëndësi, sa ka rëndësi mesazhi që i dërgohet sot një
kryeprokurori. Ky mesazh është i thjeshtë; se kryeprokuroi është pasigurtë edhe në shtëpinë e tij.
Kryeprokurori, ndërsa, duhet të kuptojë, se sa më parë që
nisë betejën me kapësit e shtetit, aq më parë do të jetë i lirë ai, ne e gjithë
të tjerët. Të kuptojë gjithashtu se në këtë përballje nuk mund të ketë
kompromis, sepse kompromisi do të nënkuptojë partneritet me të njëjtit që
s’respektojnë as të drejtën private në shtëpi e familje – për ta kufinj nuk ka.
Të kuptojë mbi të gjitha që s’është vetëm. Të mbushur me llafazanë avokatësh të
kriminelëve, hajnave e kapësve të tjerë që s’na lënë dritë televizive pa mbushur
me refrenet e tyre të zakonshme se “klienti im është i pafajshëm”, Kosova ka
nevojë megjithatë për një hero; të anës tjetër. Kosova ka nevojë për një
kryeprokuror që bën anën tjetër; që përndjekë kapës e hajna barabartë.
Derisa kjo s’të ndodhë, duhet pranuar se sistemi i drejtësi
ka humbur gjithë kredibilitetin këndej. Fillimisht për shkak të selektivitetit
të trajtimit të rasteve, e më pas edhe për shkak të papërgjegjshmërisë edhe në
shfaqjet më flagrante të tij. Pra ky sistem s’është më as i barabartë për të
gjithë e as i përgjegjshëm ndaj të gjithëve. Në rrethana si këto humbet dhe
besueshmëria në vet shtetin. Në gjithçka e çfardo që i njëjti prodhon. Mund të
jetë diçka e mirë, edhe sikurse buxheti, e të trajtohet me plot skepticizëm.
-4-
Epilog. Në kronikën sportive të një televizioni nacional,
shfaqeshin garimet për Kupën e Kosovës në futboll. Në një stadium të rrethuar
me shtëpi të papërfunduara jashtë, e me lloç më shumë se bari brenda, ndeshja
luhej në mes të Flamurtarit dhe Australisë. Ndeshja nuk ishte ndërkombëtare;
Australia ishte emri i një ekipi lokal në Kosovë. Kronika thoshte se loja ishte
ndërprerë për pak në minutën e 81-të. Kamera kapte një fëmijë 6-7 vjeç që në
gjithë lazdrimin e tij, po i binte duar e shqelma këmbëve – për aq sa mbërrinte
me shtatin e tij – gjyqtarit anësor në lojë. Të afërmit e tij, të grumbulluar prapa
telave mbrojtës, po shkriheshin në të qeshura e klithma. Fëmija u largua dikur,
u hodh mbi telat mbrojtës disi, nga një lojtar i Australisë.
Jemi larg.