Letra nga limbo
KOHA DITORE, 19 GUSHT 2016
Një
tregim mbi privilegjin e korruptimit; transformimin e korrupsionit e kapjes si
normë shoqërore; dhe martesën e paqëllimshme me ndërkombëtarët.
-1-
Kapja dhe
korrupsioni vazhdojnë të mbesin dy sëmundjet më kronike dhe më të kushtueshme
të vendit tonë; në veçanti të ardhmërisë së fëmijëve tanë. Në këtë shkrim, do
të provoj të rrumbullakojë tri shtyllat kryesore, që unë besoj, se sot përbëjnë
substancën e kapjes dhe korrupsionit. Nëpërmjet këtyre shtyllave do të provoj
të shpërfaq në formë të përmbledhur natyrnë, forcën dhe pasojat ekonomik e
shoqërore të kapjes dhe korrupsionit.
-2-
Në
shtyllën e parë – privilegjin e korruptimit – do të provoj të diskutojë mbi
konsekuencat dhe interferencën e kapjes e korrupsionit në ciklin e bizneseve,
dhe se si kjo interferencë ndikon jetën e një kosovari të ri; i cili, në
secilin përllogaritje del të jetë kryesisht i papunë.
Korrupsioni
këndej nuk është i zgjeruar, është i fokusuar. Të mos keqkuptohemi, korrupsioni
është me prezencë enorme, është i madh pra, por është i fokusuar. Një kosovar
mesatar ka pak gjasë të hasë në praktika korruptive, le të themi me forcat
policore në komunikacion, më mësues apo shërbyes civil të rendit të ulët. Do të
jetë shumë e zakonshme që një pjesë e kosovarëve kanë dhënë pak ose fare mjete
financiare për shërbime ditore. Por korrupsioni në Kosovë është i ndërlidhur me
vendimet e mëdha, të politikave të mëdha, tek politikanët e mëdhenj. Pra, është
i ndërlidhur në a) prokurim publik; dhe b) punësim publik. Zgjerimi i ndikimit
të tyre natyrisht se është i madh; porse burimi i nisjes së tyre është i
ngushtë.
Prokurimi
publik, apo paraja që tenderohet nga qeveria, përbën sot një të pestën e vlerës
së ekonomisë kosovare. Nga madhësia është njëri ndër faktorët më të mëdhenj
ekonomi, në mos faktori më i madh. Është pesë herë më i madh se investimet e
jashtme direkte; është pesë herë më i madh se donacionet që Kosova merr çdo
vjet nga jashtë. Është më i madh se sa remitencat – apo paratë – që kosovarët
marrin nga diaspora e tyre. Është 1 miliardë euro në vit, çdo vit; dhe është i
korruptuar.
Prokurimi
publik është burimi kryesor i trajtimit të pabarabartë të bizneseve; demotivues
i secilës nismë ndërmarrëse në vend, shkatërrues i konkurrencës – rrjedhimisht
shkaktar i papunësisë së të rinjve në vend. Shihni; sikur korrupsioni të ishte
rregull i njëjtë për të gjithë, do të thoshte se bërja e gjërave këndej,
përfshirë aktiviteteve biznesore, do të ishte më e kushtueshme – por më e
kushtueshme për të gjithë. Secili, në fund të ditës, do të merrte trajtim të
njëjtë; secili do të kishte fushë të njëjtë garimi.
Këtu, megjithatë,
kemi të bëjmë me “privilegjin e korruptimit”. Këtu, jo gjithkush mund të
korruptojë. Ka pra një garë para-konkurruese mbi të drejtën e korruptimit. Ata
që përfitojnë këtë privilegj konsiderohen me fat. Ata marrin të drejtën e
shfrytëzimit të xhepit prej 1 miliardë eurove në vit.
Dhe mu
për shkak të këtij fakti, një cikël disfunkcional i produktivitetit dhe
punësimit fillon. Shihni; një biznes normal, një biznes në pronësi të familjes
apo një ndërmarrës i rëndomtë, ka një logjikë biznesore shumë të thjeshtë. Do
të shesë, do t’i rrisë të ardhurat, do të bëj fitim, do të riinvestojë këtë
fitim në biznes dhe do të shtojë fuqinë punëtore për t’iu përgjigjur invesimit
të ri. Në gjithë këtë rrjedhë përfitojnë të gjithë. Një euro e shpenzuar nga
qeveria do t’i prekte të gjithë. Ndërmarrësin duke ja rritur vlerën e biznesit;
shoqërisë duke ja ulur papunësinë.
Në një
botë ku dominon “privilegji i korruptimit” gjërat nuk ndjekin një cikël të
tillë. Bizneset e privilegjuara nuk ndjekin këtë logjikë. Ata e dinë se
dritarja e mundësive të tyre, të marrjes së punëve nga qeveria pra, është e
kufizuar – është pra e hapur për një kohë shumë të shkurtë. Për t’iu përgjigjur
kësaj periudhe të shkurtë ata shkurtojnë dy fazat e fundit të operimit. Pra,
nuk riinvestojnë dhe nuk punësojnë. Për ta, e mjaftueshme mbetet rritja e
shitjeve dhe gjenerimi i fitimit – për aq kohë sa mbetet dritarja e hapur –
duke ditur gjithnjë se në mbylljen e parë të saj, janë bizneset e reja që i
zëvendësojnë ato.
Një
sjellje e tillë perverse e bizneseve ka bërë që kosovarët të mos marrin vlerë
për paranë e shpenzuar. Por mbi të gjitha, kanë bërë lindjen e një cikli të
përçuditshëm biznesor ku fati i bizneseve ndërlidhet me fatet e qeverive.
Kështu, bizneset më të mëdha në vend kanë cikël ekspansionist të ndërlidhur me
ciklet zgjedhore e të prezencës së qeverive. Mbi të gjitha, kanë numër qesharak
të të punësuarve për qarkullimin (tërësisht nga prokurimi publik pra) që këta
bëjnë.
-3-
Në
shtyllën e dytë – korrupsioni është normalja e re – do të provoj të diskutoj
mbi transformimin e së keqës në normë shoqërore, në diçka të pranueshme e
tolerueshme nga të gjithë. Pra, në njërën anë nga organizimit politike e
partiake, e në anën tjetër nga shoqëria në tërësi.
Partitë
politike, në masë të madhe, nuk bëjnë konkurrencë mbi luftën ndaj korrupsionit,
por bëjnë konkurrencë mbi luftën për korrupsion. Përfitimet e kapjes dhe
korrupsionit, të standardizuara e formësuara mirë, shërbejnë për këto parti si
karem i tërheqjes së mbështetësve e votuesve. Për partitë, plaçka përfundimtare
e bollshme, është material promovues i marrjes së mbështetjes. Për votuesit e
mbështetësit, ndërsa, partitë politike janë baste që – në rast të qëllimit –
japin rendiment të përfitimit personal.
Ky cikël,
ç’është e vërteta, tashmë është i formësuar mirë. Edhe në mes të votuesve
individual që për një vend pune të poseduar vazhdojnë votimin e kapjes; edhe në
mes të atyre që për një vend pune të premtuar kërkojnë vazhdimin e kapjes – nga
akterë të ri. Kapja, gjithsesi, në të dyja rastet është qëllimi. Ata që janë më
të zot grupizohen. E bëjnë këtë për të rritur Pazar. Prandaj ke sot gurpe
degësh e anëtarësish që ndryshojnë parti poltike në grup. Sepse është punë
pazari e rritje çmimi; është punë premtimi për përfitim. Dhe kjo kulturë
partiake, në masë të madhe pra, është bërë e zakonshme. Sot, një parti politike
e ka vështirë të fitojë po nuk ofroj në paketën e tërheqjes shpërblime si të
kapësve ekzistent.
Në një
pikë, përfituesit e sistemit krijojnë një shumicë të thjeshtë. Dhe është kjo
shumicë e thjeshtë që shpërfaqet si shkatërruese për shoqërinë. Pra,
praktikisht, në një sistem ku vota është e ndarë, kushdo që siguron primatin –
vendin e parë pra – pavarësisht madhësisë së këtij primati, merr të drejtën e
përfitimeve të bollshme. Siguron përfitim pra në tenderët publik, pagat publike
e privilegjet publike. Në Kosovë, ky primat është treguar të jetë në jo më
shumë se një të tretën e votave. E një e treta e votave është fare e lehtë për
t’u mbajtur në sistem. Në të vërtetë, është një e treta në Kosovë që mbahet në
sistem tash e sa kohë.
Por
ndoshta, dëmi më i amdh nuk është krijuar në transformimin e korrupsionit si
normë shoqërore brenda partive politike. Dëmi më i madh është krijuar në
pareakcionin e qytetarëve dhe pranimin e korrupsionit nga ta si normë
shoqërore.
Ne jemi
në mes të shpërthimit të skandalit më të madh të përgjimeve telefonike në vend.
Siç dhe kam argumentua më parë, ky skandal tregon përmasën shkatërruese të
korrupsionit dhe kapjes së shtetit tek ne. Skandali tregon se të gjitha pozitat
publike, filluar nga prokurorët publik, gjykatësit shkallës së parë e
deri tek ata të apeleve; pozitat në polici, hetuesi, në ndërmarrje publike –
sërish nga kryeshefët e deri tek rojtartët e godinave; pozitat e tjera në
agjenci, komisione, universitete, shkolla e trupa të pavarura; që të gjitha
janë pjesë e një organizimi parapolitik e parinstitucional që vepron drejt
kapjes së shtetit. Në këtë organizim parainstitcuional janë të përfshirë
figurat kryesore politike në vend. Dhe sërish, kur sekreti publik faktohet,
shoqëria jonë vazhdon të heshtë e mosreagoj. Një i ri apo e re, dëgjon se
secili përfitim publik është i parapërcaktuar, dhe kupton se në bisedat si këto
vidhet ardhmëria e tij, rrethit e vendit të tij, dhe sërish nuk reagon –
tregon, në masë të madhe, derexhenë e shoqërisë sonë.
-4-
Në
shtyllë e fundit – martesa me komunitetin ndërkombëtar – do të provoj të
elaboroj një bashkëjetesë të paqëllimshme por ekzistente në mes të
ndërkombëtarëve dhe klasës kapëse e korruptive në vend. Them e paqëlimshme
sepse do të ishte absurde e tërësiht jokorrekte të injorohen thirrjet e
ndërkombëtarëve për lufgtë ndaj korrupsionit. Vetëm ambasadori i SHBA-ve në
muajt e fundit ka bërë thirrje e mbështetje për luftë kudnër korrupsionit më
shumë se sa secili institucion tjetër në vend. Në të vërtetë, është vetëm falë
kërkesës së tij për hetime ndaj “Pronto II” që u aktivizua kryeprokurori i
shtetit pas konferencës së parë tërësisht amortizuese. Pra, pa një prezencë
ndërkombëtare, gjërat do të ishin shumë më keq.
Por
përtej qëllimeve e prezencës në fjalë, ka dhe një anë tjetër që shfrytëzohet
për së mbrapshti. Ka pra, një keqshfrytëzim të relacioneve zyrtare për
popullizëm publik e mbështetje publike. Për të qenë i qartë, korrupsioni në
Kosovë para se të jetë punë e ndërkombëtarëve është punë e jona; e shoqërisë
sonë. Por hierarkia e reagimeve nuk duhet t’i kursej të tjerët në listë.
Shihni,
për komunitetin ndërkombëtar, në listën e prioriteteve mbi Kosovën dhe
regjionin, gjendet stabiliteti politik. Gjëja e fundit që komuniteti i jashtëm
do të donte sërish të ndodhte në Kosovë e Ballkan është zjarri i 90-va që
kishte ngjarë këndej. Dhe në këtë ndjekje të prioriteteve të tyre, ata në masë
të madhe, kanë zgjedhur të bëjnë tregti me, siç i quajnë ata “delivery guys”.
Pra me individë e grupe që sigurojnë këtë stabilitet.
Ndodhë,
megjithatë, që këta individë që sigurojnë stabilitet, janë të njëjtit që
kërcënojnë me stabilitet – apo dhe, në paqëllimshmërinë e tyre për destablitet,
me politikat e tyre të kapjes krijojnë këtë destabilitet. Pra jostabiliteti i
tyre, i qëllimshëm, është përdorur nga të njëjtit si formë kërcënuese për të
mbetur në pushtet. Dhe këtu ndodhë kurthi i mbajtjes së tyre. Për të siguruar
një stabilitet rajonal, këta marrin të drejtën e kapjes që kishte ndodhur para
të gjitha misioneve ndërkombëtare në vend.
E
shtatëmbëdhjetë vjet më pas, ne dëgjojmë nga ndërkombëtarët se “secili popull
meriton qeverinë që ka”. Fillimisht, kam të vështirë të pajtohem me një thënie
të tillë. Personalisht mendoj se amerikanët s’meritojnë Donald Trump; e as britanikët
Boris Johnson. Në të vërtetë, as ne nuk meritojmë këta.
Dhe në
përpjekjen e vogël të një mase kritike për të transformuar këtë shoqëri, e për
të sjellë një qeverisje që meritohet njëmend nga Kosova e Majlindës, Ritës, e
Dua Lipës, martesa e paqëllimshme me komunitetin ndërkombëtar po bëhet e
dëmshme. Është jashtëzakonisht e dëmshme, për luftën ndaj kapjes, një fotografi
a takim me politikanët më të lartë nëpër botë. E njëjta fotografi e i njëjti
takim transformohen këndej, në mos në përkrahje, në mosreagueshmëria e
amortizim.
E
vërtetetë që institucionet e jashtme takojnë të deleguarit e qytetarëve; por
është aq e vërtetë se ky delegim nuk ka për të ndryshuar përderisa nuk
ndryshojmë ciklin e tanishëm. Prandaj, është esenciale që ndërkombëtarët të
dalin me emra konkret, të individëve që kanë kapur shtetin, me të cilët do të
refuzojnë bashkëpunim. Në mos qofshin këta më të lartit institucionalistë, do
të jenë më të fuqishmit në ciklin e zinxhirit politik të të mëdhenjve. Dobësimi
i këtyre lidhjeve forcon transformimin njëmendtë të Republikës.
No comments:
Post a Comment