Letra nga limbo
KOHA DITORE, 12 GUSHT 2016
Sepse, përtej secilës llogaritje të sëmurë partiake e politike këndej, përtej
secilës nevojë perverse për të sharë e ofenduar përfaqësimin tonë prej
Republike, ka vajza e djem, më të mirët nga ne, që do të bëjnë diçka që kapësit
në pushtet, llafazanët turbofolk e fashistët fqinj, s’kanë për të imagjinuar e
mundur asnjëherë – do t’i japin këtij shteti, të pavarur, dinjitet.
-1-
Në kohën e shpërfaqjes së anës së errët të kastës
para-politike që ka kapur secilën pjesë të publikes këndej; në kohën e apatisë
qytetare për reagueshmëri të çfarëdollojshme; në kohën e zymtësisë së përballjeve
të gërditshme e kokëngrirëse të partive politike kosovare, Majlinda Kelmendi i
dha këtij vendi, atë çfarë asnjëri nga këta nuk kishte bërë më parë, dinjitet.
Jehona e fitores së Majlindës, ishte, mesiguri, përtej
secilit parashikim që dikush mund të kishte bërë këndej. Sepse, në natën e parë
të fitores, mediat botërore kishin nisur të shpërfaqnin fotografinë e suksesit
së një vendi të vogël; i cili, nëpërmjet një sportiste të vetme, kundrejt të
gjitha gjasave, kishte marrë medalje olimpike në pjesëmarrjen e tij të pare.
Fjala “Kosovë” ishte ndër më të më përmendurat në rrjetet sociale po atë natë.
Një imazh i shkëlqyteshëm që po ekon edhe sot.
Ishte pjesëmarrja e parë çfarë kishte bërë Kosovën të jetë
në qendër të vëmendjes së këtij edicioni qysh në fillim. Parakalimi, madje, i
sportistëve kosovarë në ceremoninë hapëse ishte përcjellë me fokus të ndarë nga
të tjerët. Kishte, pra, një shenjë solidariteti ndaj një vendi që, për shumëkë,
i bëhej e padrejtë. Dhe në ditën e parë të të heqjes së kësaj padrejtësia,
Kosova kishte shpërthyer shpejtë; me medalje të partë. Është vërtetë, siç dhe e
kishin quajtur shumë, tregim përrallor.
-2-
Suksesi i Majlindës, dhe shtetit të Kosovës natyrisht, kishte
ngjallur një ndjenjë shpërthyese ndaj identitetit të Republikës. Besoj se janë
të shumtë kosovarë që kanë ndjerë me zemër e lot – siç dhe ndjeva unë – momentin
e ngritjes së flamurit e intonimit të himnit. Të të njëjtëve që këndej shpërfillen
jo pak nga llafazanë politikë e eurokrem patriotë.
Shihni, përtej diskutimeve mbi mënyrën e përcaktimit të
simboleve, ishte substanca e tregimit të tyre që jepte atë natë emocion. Dhe
substanca e këtij tregimi nuk kishte vetëm një kapitull, atë të fundit, të
dukjes së tyre. Substanca tejkalonte, natyrisht, aktin përfundimtarë; e stër-tejkalonte
madje. Sepse, momenti i ngritjes nuk ndërlidhej me proces dizajnimi flamujsh, as
me bukurinë e simbolit, por ndërlidhej me përpjekjen e Kosovës, e gjeneratave të
tëra, të familjeve, pleqve, burrave e grave kosovare për të pasur liri dhe
shtet; për të qenë me shtëpi tonën siç jemi sot. Kjo shtëpi është natyrisht
larg nga çfarë e kemi menduar, por ajo megjithatë mbetet shtëpi e jonë. S’do të
bëhet më e mirë po e përlyem atë.
Dhe shtëpi e jona, ky shtet i joni pra, i përpjekjeve të
mësuesve, bujqve, mjekëve, punëtorëve krahut, gazetarëve, intelektualëve e luftëtarëve
pra, po ngrihej atë natë nga Majlinda triumfalisht. Në atë qetësi e këndshmëri
intonuese të tingujve që identifokojnë çfarëdo që kemi mbërri sot, neve na
shfaqej në pak sekonda i gjithë rrugëtimi jonë shoqëror.
Këtë ndjenjë s’kanë se si ta kuptojnë folk-nacionalistët
e tanë, e as ardhacakët e llafazanët trushpëlarës nga Tirana. Nuk e kapin dot.
Nuk e kapin dot përpjekjen e një familje mesatare nga Kosova, që përtej skamjes
e frikës së pushtimit ndërton ëndrrën për pavarësi e shtet – për liri. Dhe ky
rrugëtim i tyre, atë natë, u shpërfaqej kosovarëve shpejtë, në pak sekonda, nëpërmjet
një flamuri dhe një himni. Ishte gëzim që meritonin gjithherë.
-3-
Idiotët llafazanë e turbofolk nuk e kuptojnë dot se
identiteti i Republikës së Kosovës është po aq shqiptarë sa gjithçka shqiptare
sot. Këta idiotë vënë dilema të përzgjedhjes në mes të “kosovarizmit” dhe “shqiptarizmit”,
në mes të flamurit të Republikës dhe atij Kombëtar. E bëjnë përballjen si
zgjedhore e jo komplementare. Thuajse Kosova nuk është e shqiptarëve; se
shqiptarët e e Kosovës që jetojnë në një shtet e organizmi të ndarë politik nga
shqiptarë te Shqipërisë janë më pak shqiptarë. Çfarë idiotizmi i pashoq. Idiotët
kështu e shohin këtë punë; pak nga padituria, shumë nga kompleksi për
protagonizëm. Çfarë idiotet mendojnë ka pak rëndësi. Do të zhbëhen nga dalë me
secilin triumf të më të mirëve të Republikës. Janë të humbur.
Çfarë s’po zhbëhet është kapja e korruptivëve që secilin
sukses tonin jashtë, e minusojnë brenda me skandale, regres e imazh tmerrues të
vendit tonë. Sukseset e Majlindës, të sportistëve të tjerë, të artistëve,
shkenctarëve e individëve të tjerë, do të duhej të ishin standard i zakonshëm.
Nëse asgjë tjetër, Kosova ka treguar potencial të jashtëzakonshëm që për kokë
banori të prodhojë suksese që krahasohen me pak kë. Në sport, pra, po japim
futbollistë, xhudistë e basketbollistë të niveleve triumfuese; në kinematografi
kemi arritur në “Oscar”; në muzikë ndërsa, po renditemi – në vazhdimësi madje – me talentet më të spikatura të kohës.
Këto s’janë pak. Një vend i vogël si ky i joni po i jep botës sport, art e
kulturë.
Triumfet e tyre pra, do të duhej të ishin pjesë e
zakonshme e jona. Por s’janë. Në vend të krijimit të pasuesve të tyre ne po
krijojmë kapës që punësohen nga partia në gjyqësi, prokurori, polici, mësimdhënie,
univeristet e shëndetësi. Po krijojmë analfabetë e injorantë me përgjegjësi.
-4-
Zhbërja e sa më parme e kapësve, do t’i hapë rrugë
forcimit e lartnimit ndërkombëtar të shtetit të panjohur të Kosovës. Do t’i
jepte shanse krijimit të një identiteti shqiptar nga Kosova, i cili, deshtën
apo s’deshtën kapësit, llafazanët idiotë e fashistët në Serbi, do të ketë
sukses; s’ka për të rënë.
Sepse, përtej secilës llogaritje të sëmurë partiake e
politike këndej, përtej secilës nevojë perverse për të sharë e ofenduar përfaqësimin
tonë prej Republike, ka vajza e djem, më të mirët nga ne, që do të bëjnë diçka
që kapësit në pushtet, llafazanët turbofolk e fashistët fqinj, s’kanë për të
imagjinuar e mundur asnjëherë – do t’i japin këtij shteti dinjitet.
Këta vajza e djem, më të mirët të Republikës, do t’i
tregojnë secilit turbofolk, kapës e hajn se çfarë do të thotë të duash a bësh për
atdheun. Do t’i tregojnë botës - dhe neve - anën tjetër të Kosovës; atë të
ndritshmën, më të mirën, atë që do të triumfojë këndej herët apo vonë. Do t’i
tregojnë fëmijëve tanë modelin e patriotëve modern; e prindërve tanë se
sakrifica e tyre për shtet e dinjitet ja ka vlejtë. Në fjalë të Majlindës, do t’i
tregojnë secilit se është nderë e privilegj, siç e kishte thënë kampionja vet “të
ngrisësh flamurin e himin e Republikës” nëpër botë.
No comments:
Post a Comment