Friday, 7 December 2012

ZËRAT E ZAPTIMIT



Letra nga limbo
KOHA DITORE, 7 DHJETOR 2012


Standardet shtet formuese të horr-bërjes, sjellje-pështjelljes, heshtje-qeshjes e para-institucionalizimit



Ka pothuajse dy vite që nëpërmjet kësaj kolumne mundohem të shpreh limboizmin në të cilin ka ngecur Kosova. Në gjithë këtë kohë provoj të zgjedh fjalë, shprehje e rreshta që ma paraqesin vendin përafërsisht siç është; i brishtë, i ligë, i zaptuar. Ironikisht për mua, tërë tendenca për të thënë diçka në dy vite u përmbledh mjeshtërisht (sado dhimbshëm e turpshëm) në jo më shumë se dy minuta zë të rekorduar të liderëve tanë e të rrjedhur në publik. Them se vetëm talenti i mbrapshtë mund të paraqesë fotografinë e rëndë të Kosovës në kaq pak minuta.

E pothuajse një jave pas që nga rrjedhjes së zërave unë ende mundohem të akomodojë befasinë jo ndaj natyrës së folësve, por të akomodojë befasinë ndaj befasisë sime; pse ende vazhdoj të befasohem?! Unë ende befasohem nga edukata e niveli i dijes së atyre që thirren se janë formues të shtetit; unë ende befasohem nga aftësia mbijetuese e të pangirëve që shkelin mbi çdo vlerë e sakrificë përfshirë edhe mbi ato që i sollën vet ata aty; unë ende befasohem me komfortin që zaptuesit kanë në relacion me qytetarët edhe kur bëhen horë e provojnë mashtrimin; dhe mbi të gjitha, unë ende befasohem me mpirjen indiferente që qytetarët kanë edhe atëherë kur me fatin e tyre e fëmijëve të tyre luajnë paskrupulltësisht naivët. Nuk ka vend për befasi, të gjithë si zaptuesit e si të zaptuarit meritojnë njëri tjetrin. Ata mjeshtërisht kanë gjetur dashurinë masterike në njëri-tjetrin. Ja u pafshin hairin për aq sa donë ta kenë kështu!

Pavarësisht kësaj, për ti dhënë një frymë analitike përtej befasisë që pak ka rëndësi, them se i gjithë skandalit ka katër hapa që tregojnë fotografinë e shtetësisë sonë. Ai fillon jo vetëm me përmbajtjen e bisedave telefonike, as me dy aktet pasuese që do ti shtjelloj më poshtë, por me preludin e gjithë kësaj storie, me vet idenë e përgjimeve. E para punës nuk më bëhet assesi komforte ideja se edhe burrështetasit e vendit tonë janë nën përgjime; ideja e një supremacie vëzhguese më zhbën ndjenjën e të qenit i pavarur e shtet. Në këtë frymë nëse dikush ka pyetur ndonjëherë se si mund të duket “presioni ndërkombëtar” nën të cilin Kosova me kosovarët sakrifikonte gjithçka e shpeshherë, ja ku e keni fotografinë ekzakte. Një grumbull liderësh të përgjuar që shkelin ligje, kërkojnë favore e Zoti e di çfarë bëjnë tjetër janë lehtë të shantazhuar e të dirigjuar për interesa të kujtdo në dispozicion të informacioneve. Për më tepër deklarata e EULEX-it se regjistrimet janë pjesë e një hetimi më ndjell dhe më tepër tmerr. Nëse liderët e këtij profili janë të inkriminuar në procese hetimore paramendoni tani kredibilitetin e proceseve jetike të vendit si negociatat, privatizimet apo shpenzimi i parasë publike. Paramendoni dhe më tepër kredibilitetin e institucioneve vendore të udhëhequr liderë të hetuar, të deputetëve të montuar me zor, të drejtorëve partiak, të bordeve politike e deri tek militantët e fundit ministror. Paramendoni kualitetin e Kosovës; paramendoni zaptimin, paramendoni derexhen tone!

Horr-bërja

Kur u shfaqën zërat e regjistruar në fillim shfaqa frikë, më pas refleksion, dikur dëshpërim e në fund revoltë. Gjithsesi të tërën e ngërtheva me shumë edukatë çfarë më së paku e kishin disa prej bashkëbiseduesve. Kjo mungesë e edukatës bazike që “sillet e pështillet” rreth “nënave”, “zagarllëkut” dhe “gjigavjes”, e kombinuar me një komunikim sa të varfër aq edhe disturbues ndjell dhe frikën time fillestare; frikë se kush i prinë sot Kosovës. Po ua lë lexuesve të bëjnë verdiktin e sigurisë së një shteti në duar të atillëve që flasin, mendojnë e sillen kështu. Ta vlerësojnë ata vet procesin e kalimit nga liderë sidokudo me pro-respekt që i ka pasur vendi dikur në të tillë që edhe votuesit e vet i shohin si “zagarë” të padurueshëm e që dinë tua “gjigavin” shpesh; marifet. Le ta shohin vetë ata se çfarë trajtimi potencialisht mund të marrin ata që nuk i votojnë ose që mendojnë ndryshe nga ta.

Gjuha në biseda individuale mund të shihet e pranohet edhe si “standard komunikues i zakonshëm”, siç e paraqiti brutalisht një deputet i partisë në pushtet arsyetimin mbi skandalin; ndonëse standarde të tilla nuk do të doja ti takoja në asnjë rreth mesatarisht intelektual e të hairit; lëre më në kokë të shtetit. Por përtej përgjegjësisë e horrit personal jo shumë mund të shtohet rreth gjuhës e kualitetit të komunikimit. Nëse asgjë tjetër horri i regjistrimeve godet më së shumti kryeministrin e vendit i cili pothuajse në tetë vitet e fundit duke qenë fjalë pak por përsëritës në skajshmëri e monotoni, është munduar të ndërtojë një imazh prej një intelektuali (anipse fallco) por që bën punë. Kosovarët duke ndërtuar gradualisht distancën me të mund dhe të kenë parafytyruar një burrështetas serioz i tipit idilik që vë parime e rregulla me mendësi afatgjate sa që edhe citatet në Akademinë e Shkencave nuk mund ti ngërthejnë e përshkruajnë mjaftueshëm, por e vërteta thënë si është, kthimi i tij në origjinë, në dikë që ka fjalor pak, respekt ndaj tjerëve dhe më pak, e vizion fare, është dëmi më i madh për investimin e tij kaq afatgjatë të bërë.

Sjellja-pështjellja

Derisa horr-bërja mund dhe të rrumbullakohet pa një konsekuencë e pa dhënie të përgjegjësisë, ani pse moralisht një kërkimfalje do të ishte e pritshme në çdo suazë normale, e dëmshme dhe e papranueshme është sjellja e Qeverisë dhe zyrtarëve pas daljes publike të zërave. Disi shkoj në harresë komunikata e menjëhershme e Qeverisë që thoshte mu kështu: “Qeveria e Republikës së Kosovës dënon ashpër aktin e publikimeve e përgjimeve të falsifikuara dhe joligjore, të bisedave telefonike, të cilat gjoja janë bërë ndërmjet zyrtarëve të lartë institucional”; duke vazhduar më tej me refrenin standard tanimë sa herë që bëjnë ahmaki politike, se ky është një akt që synon denigrimin dhe “de-ku-me-ditë-çka-imin” e figurave tona të shenjta.

Pra kemi një qëndrim zyrtar të organit ekzekutiv që i konsideron zërat e regjistruar si të “falsifikuar” dhe se “gjoja” na u paskan thënë nga liderët tanë. Tamam puna figurat tona të shenjta të shahen me “nanë”, të “rahatojnë e kënaqin media”, ti quajnë qytetarët e votuesit “zagarë”, të përbuzin ultë kryekuvendarin e familjen Jashari, të punësojnë “një dajë që ka mbetë keq” e ti raportojnë strukturave para-institucionale; tamam puna. Madje Qeveria paranojoj edhe më larg duke thënë se zërat e regjistruar mund të jenë bërë nga, siç thotë vet deklarata, “mekanizma të caktuar vendorë dhe disa ndërkombëtarë”. Pra sipas tyre vendorët e të huajt na qenkan mbledhë bashkë diku në një studio rekorduese për të vënë në funksion talentin e tyre të mbrapshtë e për të bërë zëra çoroditës herë të njërit e herë të tjetrit sa për ti keqshfaqur liderët sa më rëndë të jetë e mundshme. Kjo deklaratë e kjo mendësi po të mos ishte seriozisht tragjike do të ishte komedi e videokasetave të vitit të ri!

Por, siç edhe thonë vet protagonistët e regjistruar, se “unë jam ai që e sjell e pështjell”, deklarata në fjalë nuk është as më shumë e as më pak se sa një tentim sjellje-pështjellje nëpërmjet një qëndrimi që doli të jetë i rremë. Po mos të dilte EULEX të konfirmonte vërtetësinë e regjistrimeve, besoni se ne sot ende do ta kishim si valide e si të qenë një gënjeshtër zyrtare. E kur qytetarët, taksapaguesit, votuesit e indiferentët e tjerë trajtohen me gënjeshtra, paramendoni tash kredibilitetin e një qeverisje të tillë. Paramendoni sa deklarime e qëndrime të tilla do të jenë dhënë në të kaluarën e sa do të jepen në të ardhmen kur të njëjtit shohin se fjala e qëndrimi publik dhe zyrtar nuk kanë fare rëndësi. E për më tepër, paramendoni dëmin nga komforti që dikush mund të ketë edhe kur provoj të gënjejë. Dikur në këtë vend gënjeshtarët kanë pasur megjithatë një fije turpi. Vallë a na qenka manipulimi e stili “po e hëngre, e hëngre” vlera që kjo qeveri po tenton ta mbjellë?!

Heshtje-qeshja

Kur nuk ndezi deklarata mbi “konspiracionin internacionalo-vendor” anti-qeveritar, Qeveria, militant-qeveria e qatipët tjerë pro-qeveritarë, në vend të shpjegimit të skandalit dhe gënjeshtrës përcjellëse vendosën unanimisht, si të orkestruar, të kërkojnë kokën e atij dhe atyre që paskan shkelur privatësinë e i paskan bërë publike regjistrimet. Madje ishin aq të orkestruar e aq në nevojë për të shpërqendruar vëmendjen sa që opinion dhanë edhe deputetë që për herë të parë i sheh njeriu duke thënë diçka; ani pse nuk thonë asgjë. Dekurajuese dhe mbytëse ishte edhe qëndrimi i të rinjve brenda partisë më të madhe në vend, të cilët në vend se të tregojnë një copë uni e identiteti vetanak e të shfaqin kështu distancim fillimisht nga shefi parlamentarë i tyre e më pas dhe nga kolegët tjerë që i ofendojnë dikë si sekretarin e  partisë, zgjodhën ca heshtjen ca renditjen krah mbrojtjes së të pambrojturës. Ka thjeshtë disa momente përtej së cilës njeriu i denjë e me pak vetë-respekt e ngritë veten mbi çdo marrëzi tjetër. Mungesa e individualitetit edhe në qëndrime më bazike brenda partisë më të madhe në vend tregon edhe sa pak demokratike është e gjithë Kosova.

Ironikisht sa për të ilustruar mbytjen e shpresës ende pa filluar mirë, të renditur në gjithë këtë mobilizim ishin edhe deputetë të opozitës që veçse janë me një këmbë në Qeveri. Të paktën fjalëve bombastike se po sjellin ndryshimin me vete tu shtonin pak kurriz e qëndrime korrekte edhe në momente si këto, do të mjaftonte sa për treguar respekt e dinjitet ndaj qytetarëve e në fund për të dhënë pak shpresë se me të vërtetë hyrja e tyre do të bëjë ndryshimin. Vazhdimi i avazit të vjetër tregon intencat personale që secili prej tyre ka sa herë që mendojnë futjen në qeveri. Bërja njëjtë madje edhe në nivele degraduese si këto mbytë çfarëdo shprese ende pa filluar ajo mirë. E tmerrshme.

Sidoqoftë, për t’iu kthyer çështjes së privatësisë, meqë e kanë ngritur pozitë e gati-për tu bërë pozitë,  sado që njeriu mund të shpreh simpati për privatësinë e secilit, sado që njeriu mund të ketë dhe kuptim për nevojën e mbajtjes së disa gjërave thjeshtë personale, dalja e skandalit në shesh kërkon edhe prioritetizimin e trajtimit të çështjeve. Në këtë prioritetizim, privatësia më nuk prinë listën. Këtë listë e prinë substanca e diskutimit, çfarë ajo na thotë për funksionimin e shtetit, për strukturat para-institucionale e për mënyrën e zgjidhjes së problemeve më madhore të vendit nga liderët tanë. Nëse një deputet i popullit përgjohet duke rehatuar dajë, familjarë e akraba, prioritare më nuk është më privatësia e tij por nisja e hetimit kundër tij për shfrytëzimin e pozitës zyrtare për nepotizëm. Prioritare në raste të tilla është sundimi i ligjit dhe dhënia e përgjegjësisë për shkeljen e tij. Kur në Amerikë kishte shpërthyer skandali i “Watergate” askush nuk ishte marrë me privatësi por me subjektin e skandalit dhe mbajtjen e njerëzve përgjegjës, përfshirë dhe vet presidentin e shtetit.

Tek ne, në vend se mëngjesi të na gjejë me një sërë dorëheqjesh e largimesh të detyruara, përtej gënjeshtrës fillimisht, devijimit të diskursit më pas, u dha heshtja dhe qeshja nëpër korridoret e Parlamentit sa për ti treguar gjithë qytetarëve kosovarë se sa i bëjnë ata hesap. Me sjellje të tilla të papërgjegjshme të njëjtit tregojnë se nuk e kanë as edhe fijen më të vogël të brengës se çfarë mendojnë taksapaguesit e votuesit edhe kur bëjnë absurditete anti-ligjore, anti-morale e anti-shtetërore. Për sa ne dimë ata prapë mund të mburren se po e “sjellin e pështjellin”!

Para-institucionalizimi

Kostoja e vërtetë që buron nga regjistrimet tejkalon çdo brengë morale, ligjore e edukative. Minutat sado të pakta që janë, janë dhe shumë domethënëse për shpërshfaqjen e kostos reale që kërcënon shtetësinë tonë, koston e zaptimit të shtetit. E para, raportimi drejt strukturave para-institucionale siç ishte raporti për udhëheqësin e SHIK-ut (shërbim ky puro partiak) tregon për brishtësinë e institucioneve tona dhe për peshën e vendimeve potenciale nga to. Çdo vendim, çdo ide, çdo ecje duhet të raportohet tek një strukturë para-institucionale. E raportimi thënë shkurt kërkon edhe aprovim, edhe pëlqim edhe vizion se ka duhet shkuar. Kosova sot nuk udhëhiqet nga institucionet që na dalin si të qenë, por nga ato nën hije. Parlamenti, ministritë, gjykatat, institucionet edukative, shëndetësore, ushtarake, policore, shërbyese e komunale janë vetëm një farsë; janë dublerë të para-institucioneve dhe asgjë më shumë.

Para-institucionalizmi vërehet edhe në mosaftësinë e prokurorisë, gjykatave, policisë, agjencioneve kundër-korupcionit e një grumbull institucioneve tjera të ndërtuara kinse për mbrojtje të ligjshmërisë, që thjeshtë nuk guxojnë të merren me nepotizmin e shfaqur gjatë bisedave. E pakuptimshme se si nuk guxon asnjë trup të ngrijë zë e të marrë masa para një shkelje ligjore të dokumentuar botërisht. Njëjtë sikurse u pa në rastin e rrahjes së famshme në Kuvend kur hetuesia u përzu nga përfaqësues para-isntitucional, institucionet e rendit edhe në rastin e tanishëm janë dukshëm e keq të ngecur nën thembrën e para-institucioneve. Për institucionet legale para-institucionalizmi është thjeshtë i paprekshëm. Këtu ka më së paku shtet!

Para-institucionale është edhe caktimi i vendimeve të Kuvendit nga agjenda e skijimit të kryeministrit. Paramendoni tash nivelin e kualitetit të vendimeve kaq esenciale ekonomike për vendin, si rasti i shpenzimit të diku prej 1.5 miliardë eurove në nguti, sepse kryeministri ka parapërcaktuar ditët e skijimit. Ekstrapoloni këtë stil qeverisës në vendime madhore si privatizimet e tenderat multimiliardësh dhe keni fotografinë e përafërt se pse na shitet distribucioni për 26.3 milionë euro, pse Telekomi na shkon falë e pse paguajmë trefish rrugë më të shtrenjta.

Zaptimi nga para-institucionet na shfaqet edhe në caktimin e komisioneve përkatëse, siç është ai i zgjedhjes jo të njerëzve profesionalë e të ditur, por të militantëve e të dëgjuarve partiakë që dinë të “rahatojnë” e dinë të “kënaqin” ato media që nuk i shkojnë për shtati “mbretit”. Thënë të drejtën në këtë frymë janë akomoduar militantët tjerë nëpër të gjitha institucionet publike që kanë peshë. E akomodimi i këtyre njerëzve më pas bën kthimin e favoreve tek strukturat para-institucionale duke zaptuar kështu një shtet të tërë e duke mbajtur destruktivitetin në automatizëm gjallërues. Shembull i këtij automatizmi është rasti i rahatimit të analistit të përmendur në regjistrime e që na paraqitet si quasi-neutral por që rehatohet si kompensim për shërbimet servile të kryera ndaj partisë në pushtet.Njëjtë sikur ai ishte rehatuar kolegu i tij që sot drejton televizionin publik, televizion ky që më pas as që bën publike në lajmet qendrore skandalin më të madh publik në vend. E rahatimin e të dyve e bën prapë një ish-i-rahatuar.

E për më tepër, kur figurat tash të “rehatuara” e dikur të ardhura nga shoqëria civile e “pa-rahatuar” shiten kaq lehtë, sa dëshpëruese duket shpresa për një opozitë shoqërore ndaj fenomeneve thjeshtë destruktive. Heshtja e shoqërisë civile, e përcjellë me një indiferencë e mpirje të pashoq të qytetarëve ndaj rasteve edhe më absurde tregon për gjendjen e mjerueshme të këtij vendi si dhe për komfortin e zaptuesve në maje. Madje aq indiferent e aq të mpirë u dhanë kosovarët rreth skandalit saqë në fillim të shpërfaqjes së tij hezituan edhe në vërtetësinë e regjistrimeve. Jemi aq indiferentë e të painteresuar sa që verbohemi edhe para degradimeve më të hapura e besojmë edhe skenariot më të pabesueshëm vetëm që të mbajmë veten komfort pavarësisht kostos. E kostoja e komfortit tonë është ardhmëria jo më vetëm e jona por dhe e fëmijëve tanë. Kaq papërgjegjësi nuk kemi treguar asnjëherë më parë.



No comments: