Letra nga limbo
14 DHJETOR 2012
Nivel i hajnisë i shfaqur në një rangim mbarëbotëror e kredibil do të
tmerronte çdo politikan mesatar, çdo investitor potencial, çdo studiues serioz
e besa dhe çdo mik të vendit tonë që megjithatë mundohet të gjejë anët e mira
të ecjes sonë. Rangimi do të tmerronte bash secilin... natyrisht përveç fletorexhinjëve
e qatipëve tanë pro qeveritar që besoni ose jo edhe ngecjen tonë pak më mirë se
Etiopia e cofur urie e pak më keq se Tanzania e bananeve e shfaqën si ultra-pozitive
Nëse për diçka do të duhej të mbahej
mend kjo javë, paj përtej acarit të tmerrshëm, rrugëve e trotuareve të mbuluara
nga akulli e bora, befasisë tanimë standarde për mot në sezone dimri, mungesës
së energjisë elektrike edhe në prag të 2013-ës, e “imëtësirave” tjera si këto,
them se vend meritor do të zinte padyshim dhe korrupsioni. Jo pse ai u zhbë apo
u bë më shumë këtë javë; hajnia bashkëjeton me ne në plot pesëdhjetë e dy javë
të vitit me intensitet e ritëm të njëjtë, por se java që lamë pas pati katër
elemente të rishpërfaqejes deklarative të korrupsionit.
Deri sa të premten u publikua Indeksi i
Percepcionit mbi Korrupsionin nga Transparancy Internacional që na thoshte se
jemi mosvet e të mjerë, të dielën ishte dita kundër-korrupsionit që koincidoj të
jetë ditë pushimi sa për të simbolizuar angazhimin e Qeverisë sonë nëpër vite në
relacion me zhbërjen e korrupsionit; të hënën u shpërndanë çmime gazetarëve për
raportime ndaj korrupsionit si të vetmit që bëjnë diçka për të zbardhur marritë
anomalike në vend, e të martën në mbrëmje u dha deklarata e konkluzave të
BE-së e cila “sillej e pështillej” rreth
nevojës për evidencë të luftës ndaj korrupsionit sa për të na rikujtuar se me
pallavra e fjalime monotonike për anti-korrupsion mund të mashtrojmë veç vetën,
por assesi evropianët.
***
Për të filluar nga e para dhe më e rënda,
pra rangimi i Indeksit të Percepcionit mbi Korrupsionin, them se ishte e
dhimbshme të shihej se si Kosova ka ngecur në grupin e vendeve pak
diktatoriale, pak fukara, pak hajgare e shumë të mjera. Të ngujuar në vendin e
105, në rang të njëjtë me një shtet si Mali për shembull që është në gjendje
puçi ushtarak e lufte civile sot, e që blihet me 4-5 kompjuterë të një
politikani kosovar (paramendoni tash sa shtet serioz është bashkë-ranguesi ynë),
në rang të njëjtë me Bolivinë si një vend që pothuajse pafundësisht ka ngecur në
paqëndrueshmëri, krim e marrëzi, apo dhe në rang të njëjtë me Gambinë e
mini-diktatorit Yahya Jammeh, Kosova vazhdon të bëjë turpin evropian.
Ky nivel i hajnisë i shfaqur në një
rangim mbarëbotëror e kredibil do të tmerronte çdo politikan mesatar, çdo investitor potencial, çdo studiues serioz e
besa dhe çdo mik të vendit tonë që megjithatë mundohet të gjejë anët e mira të
ecjes sonë. Rangimi do të tmerronte çdokënd me pak ndjenjë normale të
percepcionit. Do të tmerronte bash secilin... natyrisht përveç fletorexhinjëve
e qatipëve tanë pro qeveritar që besoni ose jo edhe gjetjen tonë pak më mirë se
Etiopia e cofur urie e pak më keq se Tanzania e bananeve e shfaqën si pozitive.
Jo që pres më ndryshe nga ata që edhe sharjen me nënë e konsiderojnë standard
normal komunikimi, nepotizmin si praktikë e pritshme, zaptimin si output
korrekt e neve anormal se pse çuditemi. Të njëjtit nëpërmjet flijimit të vetës
për tallje publike bëjnë aktin e vetë-djegies, e vetë-djegia e tyre është haku
që i kanë borxh shefit për rahatimin e tyre paraprak.
Pavarësisht kësaj, për ti vënë një dozë
analize rangimit duhet kujtuar se Kosova në vitin 2010 kur edhe për herë të parë
filloi të matej niveli i percepcionit të korrupsionit tek ne, ishte ranguar në
vendin e 110-të, pothuajse në grup të njëjtë si me shtetet e sodit. Një vit më
vonë, si për inat të Qeverisë tanë që deklarativisht kishte shpallur “tolerancë
zero” ndaj korrupsionit, Kosova kishte humbur edhe dy vende të tjera në rangim
duke u radhitur në vendin e 112-të. Rangimi i tanishëm në vendin e 105 në vlerë
relative është përmirësim i vendndodhjes sonë në jo më shumë se pesë vende. Këtë
ecje prej pesë vendesh ne e kemi bërë besoni ose jo në plot 3 vite “tolerance
zero”. Kosova me këtë trend ka një ritëm prej 1.6 vendeve të përmirësuara në
vit, e që i bie se për të zhbërë korrupsionin e sjellë atë në nivel mesatar
evropian, diçka si Irlanda apo Qiproja (vendet 25 e 29), neve do të na duhen
diku rreth 45-50 vite. Progres se jo mahi.
***
Se pa luftë serioze ndaj hajnisë nuk ka
as fije shprese për progresin e Kosovës, u pa edhe nga konkluzionet e
Ministrave të Jashtëm të vendeve të BE-së. Pjesa e deklaratës për Kosovën
tregonte qartazi për secilin që do të sheh e dëgjojë mbarë se janë mu problemet
e brendshme në shtëpi që duhet zgjidhur para çfarëdo rrugëtimi evropian. Negociatat
e pakuptimta, duar-shtrëngimet me minidiplomatë evropianë apo dhe sakrificat
tjera në Veri nuk mund të eklipsojnë asnjëherë kushtet më bazike që duhet
plotësuar nga një shtet minimalisht normal, e që siç thuhen në deklaratën e
konkluzioneve janë evidenca për luftë ndaj korrupsionit e krimit të organizuar
(kujdes, evidencë jo pallavra), liria e të shprehurit si dhe reforma në
gjygjësor e administratë publike.
E para, kriteri i evidencës rreth
luftës së korrupsionit nënkupton që BE kërkon nga ne angazhim konkret për
kapjen dhe burgosjen e hajnave. Jo biçim tryeza të Qeverisë, as hajgare
komisione e këshilla të Presidentes sa për tu mbledhë si në të pame, hiç se hiç
fjalime monotonike e pallavra, por evidencë (lexo: burgosje, përndjekje, kapja
e peshqve të mëdhenj). E dyta, kriteri i reformës në administratë publike e
gjygjësor nënkupton se BE kërkon nga ne jo “rahatimin” e “një daje që m’ka metë
keq” as uzurpimin e institucioneve publike nga të dëgjueshmit e partisë,
militantë partiakë e gulçues të fushatave zgjedhore, por vendosjen e njerëzve
profesionistë që në vend të partisë i shërbejnë shtetit. E treta, kriteri i
lirisë së shprehjes nënkupton që BE kërkon nga ne jo angazhime të
ahmak-deputetëve që duan ti sjellin praktikat e Koresë së Veriut në Kosovë e
ndërtojnë ligje për mbylljen e gojës së mediave vetëm pse nuk i dëgjojnë
aventurat e tyre të gërditshme, as vendosjen e njerëzve të porositur në
komisione që i “kënaqin” mediat, por mozpërzierje të plotë në të drejtën për të
shprehur e menduar çfarëdo që ke në bark.
E përderisa (siç u pa edhe nga
përgjimet) ne bëjmë hajgare me vizitat tona në Bruksel, pra jemi atje sa për të
mos “hequr zahmet”, përderisa dostat na rrahin shpinën me fjalët se “tek’ je
kallxue dipllomat qitu” edhe kur nuk themi gjë, përderisa skandalet e
nepotizmit na shpërthejnë e ne zgjedhim zgërdhimin e indiferencën, përderisa
gjygjësori nuk guxon as të shikojë nga strukturat para-institucionale,
përderisa skandalet e 1.4 milionëve haraçi bëhen aq publike por pa fije
konsekuence e përderisa tallemi me milet siç dhe tallemi sot, e tëra çfarë mund
të bëjmë është vetëm mashtrimi i vetvetes, ngecja e sigurt dhe eventualisht
regresi; evropianët ka kohë që rruhen para nesh.
***
Lufta ndaj korrupsionit në çdo rrethanë
normale do të duhej të ishte vullnet i vetë-moralshëm nga çdokush që pretendon
të jetë i drejtë e minimalisht patriot. Por tani që na theksohet si parakusht për
perspektivën e nënshkrimit të marrëveshjes evropiane (vet marrëveshja është
larg) them se kosovarët dhe klasa e tyre politike nuk kanë fort zgjidhje përveç
se të zëvendësojnë retorikën e integrimit evropian me rezultate që shihen. Këto
rezultate nuk duhet të kërkohen tek gjykatat, të cilat do të marrin edhe disa
vite para se të funkcionalizohen e pastrohen mirë, e as nga misionet
ndërkombëtare që thënë të drejtën sot janë më tepër misione politike se sa
gjygjësore, por nga vet burimi i korrupsionit: vetvetja.
Pra në vend se udhëheqësit tanë të
bëjnë thirrjet standarde e të na tregojnë se si duken procedurat në letër e
ligj, në vend se të na bëjnë rrafsh e të
nxjerrin përparime edhe kur jemi në rang me vende hajgare, them se duhet të
bindin veten, pranojnë problemin e më pas ta rregullojnë atë. Pas bindjes së
vetes ata duhet të kuptojnë se pa prerjen e kanaleve të pasurimit të miqve të
tyre, financuesve të partive të tyre e gjithë rrjetit kriminal në vend që thanë
çdo cent të parasë publike nuk do të ketë as edhe një milimetër më shumë se
retorikë. Ata duhet të fillojnë nga shpërbërja e strukturës kontrolluese të
prokurimit publik që menaxhon me 25% të GDP-së kosovare në vit nëpërmjet tenderëve
(1 miliardë euro), nga dhënia e shembujve nëpërmjet arrestimeve serioze për
korrupsion e jo të mjeranëve me nga 20-30 euro, e deri tek dridhja serioze e
strukturave mafioze institucionale në vend. Lufta e korrupsionit nuk kërkon
mrekulli, kërkon vetëm vullnet politik. Institucionet tona duhet të tregojnë
përgjegjësi morale fillimisht kur shpërthejnë skandalet e milionave duke
kërkuar dorëheqje, e më pas dhe ndjekje ligjore drakonike kur përfundojnë ato.
Kosovarët në anën tjetër duhet të
shkrijnë indiferencën e tyre ndaj gjithë këtyre fenomeneve që na bënë gaz të
botës e që na shpërthejnë çdo herë e më shumë e çdo herë e më rëndë; madje do të
ishte e habitshme kalimi i një jave pa një aferë të rëndë korruptive e që prapë
se prapë kalon e pareflektuar thuajse nuk ndodhi fare. Qëndrimi ynë duarkryq jo
vetëm që fuqizon keqpërdoruesit të cilët nga heshtja jonë dhe marrin zemër, por
tregon dhe mungesë vetrespekti ndaj parasë tonë, taksave tona e në fund dhe
perspektivës sonë evropiane. Për sa i takon Evropës ne mund dhe të rrimë kështu
në pafundësi; me gjithë problemet e veta që ata sot kanë mashtrohemi po
shpresuam se zgjidhje vijnë nga jashtë. Problemet në shtëpi duhet zgjidhur vet
në të kundërtën raportet refuzuese e rangimet trishtuese do të bëhen të
zakonshme.
No comments:
Post a Comment