Letra nga limbo
KOHA DITORE, 9 NENTOR 2012
Politikat e tanishme buxhetore i shtynë kosovarët të shesin asetet që i
duan, të marrin borxhe që nuk mund ti arsyetojnë, për të mos jetësuar projekte
për të cilat kanë nevojë
Ka një temë ekonomike që merr vëmendjen
e gjerë në Kosovë e fatkeqësisht vëmendjen e vetme dhe kjo temë është buxheti i
shtetit. Të paktën nëpër këto vite shpenzimi i parasë publike është shfaqur si
qenësor në konsolidimin ekonomik të vendit, jo për nga outputi por gjithmonë
për nga pritja. E derisa outputet kanë qenë pak a shumë zhgënjyese, pritjet se
nesër megjithatë diçka do të ndryshojë kanë ruajtur një dozë optimizmi
pavarësisht outputeve.
Buxheti i aprovuar nga Qeveria, e që së
shpejti do të marrë dhe votën parlamentare, nëse asgjë tjetër ka shuar dhe
pritjet dhe outputet. Nëse do të mund të përmbledhja me pak fjalë shpenzimin e
planifikuar të parave të taksapaguesve atëherë do ta bëja nëpërmjet një
shprehje: status-quo. Buxheti për vitin 2013 është thjeshtë reflektim i
politikave të tanishme, derisa projeksionet për vitet 2014 e 2015 janë
ngurtësim i ecjes që ka pasur vendi në këto 4-5 vitet e fundit. Pra thënë
ndryshe, stadi i zhvillimit ekonomik të Kosovës do të jetë i njëjtë për të
paktën dhe 3 vitet e ardhshme.
Them kështu meqë numrat e vitit vijues
dhe atyre pas tij janë as më shumë e as më pak se sa një trend i numrave të
deritanishëm e që dorën në zemër nuk kanë qenë fare impresiv. Numrat e
prezantuar tregojnë se buxheti i vendit nuk parasheh as edhe një ndryshim në
politikëbërjen ekonomike dhe si rrjedhojë ecja jonë nuk do të prodhojë asnjë
efekt më ndryshe se çfarë kemi pasur deri tani. E ajo çfarë kemi pasur deri
tani është papunësi enorme, inflacion shkatërrues, deficit tregtar turpërues,
rritje ekonomike jo të mjaftueshme e zhvlerësim të aseteve publike për të
stabilizuar numrat.
Se qeveria nuk synon në asnjë formë përmirësimin
e deficitit tregtar vërehet dhe nga përbërja e të hyrave jo vetëm për vitin
2013, por dhe për dy vitet e ardhshme. Sipas draft-buxhetit të prezantuar
Kosova do të realizojë të hyra prej rreth 1.4 miliardë eurove në vitin 2013 e
gati 1.5 miliardë në vitin 2015. Pavarësisht kësaj, kontribuues kryesor në këto
të hyra do të vazhdojnë të jenë Doganat e Kosovës. Relacioni mes parave të
mbledhura në kufi me ato të mbledhura brenda (nga Administrata Tatimore e Kosovës)
është dhe do të mbetet në nivelin 75%-25%, në favor të kufitarëve. Pra thënë
ndryshe të paktën për tre vitet e ardhshme arka e shtetit do të mbijetojë vetëm
falë importeve enorme. Fatkeqësisht derisa arka e shtetit mbijeton kësisoj,
vendi do të vazhdojë të ngufatet nga rritjet e vazhdueshme të hendekut tregtar,
apo diferencës mes importeve dhe eksporteve. Shpëtimi i buxhetit bëhet vetëm
falë sakrificës ekonomike të vendit.
Edhe më e rëndë për tu pranuar do të
jetë ideja e mbledhjes së TVSH-së në kufi për plot vite të tjera. Kjo ngarkesë
e pakuptimtë fiskale që i vihet bizneseve ende pa filluar punën, ka qenë dhe
mbetet brenga e barriera thelbësore e bizneseve kosovare. Mu për shkak rëndesës
së tillë bizneset tona shpesh kanë humbur përparësitë konkurruese në rajon. E
humbja e konkurrueshmërisë në stadin e fundit na jep një deficit tregtar rritës
çfarë dhe kemi sot. Pra në një relacion të tillë shkak-pasojë, është mu shpërndarja
e parasë publike që pamundëson ndryshimin e strukturës mbledhëse të tatimeve, e
ky mosndryshim mbanë gjallë po të njëjtën shpërndarje. Është një cikël që duhet
ndërprerë por që nuk vetë-ndërpritet.
Në status-quo do të mbetet dhe lufta
ndaj informalitetit e evazionit fiskal, ushqyesit kryesor të konkurrencës së
pabarabartë në vend (e njëjta këtë vit është shfaqur si top barrierë e
ambientit biznesor). Po të ishte më
ndryshe të hyrat buxhetore nuk do të rriteshin në proporcion me inflacionin,
por në proporcion me luftën (e planifikuar) kundër evazionit e informalitetit.
Në mesatare vendi për tre vitet e ardhshme do ti rrisë të hyrat për jo më shumë
se 2 deri në 4%; e që thënë ndryshe do të përjetojë rritje të të hyrave vetëm
falë inflacionit në rajon nga ku importet bëhen më të shtrenjta dhe
rrjedhimisht paguajnë më shumë taksa kufitare. Kujtoj se Kosova sot, sipas
studimit të UNDP-së mbi sektorin privat, ka evazionin fiskal më të lartin të
regjistruar ndonjëherë në ndonjë shtet në tranzicion, plot 40% e shitjeve nuk
deklarohen për qëllime tatimore. Përveç kësaj, sipas krahasimit të të dhënave
të regjistrimit me të dhënat e Trustit Pensional, në një normë papunësie prej
44% vendi duhet të ketë informalitet të fuqisë punëtore (apo punëtorë të
paregjistruar) në nivel prej 100%. Pra është një ekonomi e tërë informale e
evazioniste e cila nuk pritet të targetohet të paktën deri në vitin 2015. Po të
kishte qenë ndryshe të hyrat buxhetore do të ishin shumëherë më të larta.
Për qytetarët është poashtu e rëndësishme
edhe kategoria e tantiemës apo e taksës në thëngjill. Kosovarët do të paguajnë
nga 22 milionë euro më shumë, çdo vit, për të mbuluar kështu fiskulturën
publike. Kjo taksë është futur këtë vit dhe është reflektuar menjëherë me
rritje të energjisë elektrike prej 8.9%. Pra 22 milionëshi është kosto e re e
vënë mbi xhepin e varfër të kosovarëve për të barazuar numrat deficitar në
buxhetin e shtetit.
Risi në buxhet të vendit është poashtu
heqja e dividentës për vitet në vijim. Kjo pasiqë buxheti i Kosovës presupozon
shitjen e PTK-së këtë vit dhe përmbylljen e transakcinit në vitin 2013. Kosova
për këto vite, e në pafundësi do të mbetet pa 45-50 milionë euro që i pranonte
nga PTK në formë të dividentës. Në vend të 45-50 milionëve për cdo vit, e në
pafundësi, vendi do ti marrë diku rreth 300 milionë (apo dividentën e 5-6
viteve) si të hyrë të njëhershme. Matematikë se jo mahi!
E deri sa të hyrat shënojnë status-quo,
në rritje megjithatë na shfaqen shpenzimet. Ato nga 1.524 miliardë në vitin
2012 bëhen në 1.666 miliardë në vitin 2015. Çuditërisht, në kohë të
superluskesve qeveritare, të superhargjimeve publike e supermarrëzive të zyrtarëve,
vetëm brenda vitit 2013 kategoria e mallrave dhe e shërbimeve do të rritet për
plot 10.3%; apo thënë në numra nga 205 milionë euro sa është sot do të bëhet
225 milionë euro në vitin vijues. Derisa qeveritë evropiane heqin të zinjtë e
ullirit për të gjetur sadopak hapësira buxhetore për kursime, sidomos në
kategori të mallrave e shërbimeve kjo e jona, si më e varfra e Evropës, i rritë
ato. Dora e lirë e fukarasë s’ka se si të mos na merr në qafë.
Derisa qeveria tregohet gjentile në
rritjen e luksit të vet, aspak e mençur nuk tregohet në krijimin e rezervave
shtetërore. Vendi do të ketë rezervë prej vetëm 4 milionë eurove deri në vitin
2015. Në numra e vlera si këto politikat e përmendura në kohë të krizave, siç
ishte rasti i çmimit të grurit e miellit, nuk do të kenë vend. Thënë të drejtën
vend në së paku tre vitet e ardhshme nuk do të kenë as politikat në shëndetësi
as në arsim e as ne ambient biznesor. Me shpërndarjen e tanishme buxhetore
Kosova për disa vite të mira do të mbetet ndër vendet e rralla në botë pa
sigurime shëndetësore. E me nivelin e tanishëm të shëndetësisë çfarëdo reforme
pa përkrahje financiare do të jetë thjeshtë e pamundur.
Në një përmbledhje të plotë është e
qartë se buxheti nuk lë vend për asnjë politikë tjetër që nuk është asfalt.
Investimet kapitale do të mbesin të njëjta në shumë deri në vitin 2015. Por ja
që prapë edhe për tre vite të plota ato do të orientohen në një projekt të
vetëm. Pra përtej përfundimit të autostradës për Shqipëri vendi do të shpenzojë
njëtrajtësisht në autostradën për Shkup. Prapë me të njëjtin stil, prapë me të
njëjtin intensitet e prapë me të njëjtin ngushtim. Sikur qeveria nuk morri
mësim nga shpenzimi i gjithë parave në një projekt, nga sakrifica e gjitha
politikave tjera për vite për një projekt, e nga kostoja oportune e një
koncentrimi në një projekt. Sikur nuk mësuam se është më e udhës, më efikase e
më e mençur që autostradat të ndërtohen me diçka si paratë e BERZH-it (ku anëtarësimi
pritet të ndodhë dita ditës falë lobimit enorm amerikan), që autostradat të mos
ndërtohen për pak vite por që ndërtimi i tyre të shpërndahet nëpër vite. Me
zgjatje të kohë kohës ndërtuese, autostradat nuk do të minonin orientimin në
prioritete tjera, sikurse është koncentrimi le të themi në ambient ligjor për
të ofruar siguri për bizneset, në lehtësira e reforma fiskale, në rritje të
kapaciteteve tatimore mbledhëse, në shëndetësi, në arsim, në konkurrueshmëri,
apo dhe në zhvillim të balancuar rajonal (nëpërmjet rrugëve). Si duket nuk
mësuam asgjë.
E me politika të tilla solo në asfalt,
padyshim se vendi nuk mund të prodhojë rritje ekonomike më të madhe se 3.9%, siç
edhe planifikohet në vet buxhetin e prezantuar. Kjo rritje është pothuajse 2
herë e gjysmë më e ulët se sa nevojat reale për Kosovën. Përveç kësaj me
anomalitë korruptive brenda shpenzimit të parasë publike, siç kam argumentuar
tanimë disa herë, rritja ekonomike e Kosovës nuk përkthehet dot në zhvillim
ekonomik. Është rritje e pasurisë së një grupi të ngushtë individësh, prandaj
dhe e njëjta nuk krijon vende të reja pune. E për tu kthyer prapë në ciklin
buxhet-biznese-rritje-punë-buxhet, politikat e asfaltit fatkeqësisht nuk
gjenerojnë as vende pune, brenga kjo kryesore e kosovarëve. Ato nuk gjenerojën
as prodhim, për të ulur deficitin tregtar (brengën e dytë kosovare) e as për të
ofruar mirëqenie me politika të edukimit e shëndetësisë (brenga e tretë
kosovare).
Thënë të drejtën ne kemi një buxhet që
nuk bën hesap brengat e kosovarëve. Është një buxhet i dhënë mbas kontratave të
majme me plot mundësi korruptive në to. Është një buxhet që ushqen një qeveri
të pasur të një populli të varfër. Është një buxhet luksi për qeveritarët në
kurriz të parasë që eventualisht do të mbetej në duar të bizneseve (për të
krijuar punë) – dhe kjo bën koston parësore e një qeverisje masive e të
ngufatjes së tregut të lirë. Pra ne kemi një politikë që merr paratë nga tregu,
të dedikuara për vende të reja pune, për tu krijuar komfort e luks zyrtarëve
publik, pasuri grupeve të korruptuara e fyerje taksapaguesve. Humb punë, krijo
luks.
Sa për të ngushëlluar veten, buxheti i
Kosovës me numrat e prezantuar do të ketë një stabilitet financiar. Kam
argumentuar në vazhdimësi se ne kemi tregtuar koston e një kapitullimi
financiar me një kapitullim ekonomik. Pra për të shpëtuar financiarisht ne kemi
sakrifikuar ekonomikisht (rritja e taksave, tantiemave, dënimeve, ulja e
investimeve rajonale, koncentrimi në projekte solo, zhvlerësimi i aseteve,
borxhet, e politika të ngjashme pa kthim e qartësi). Se a është apo jo një
politikë e tillë e mençur, pra sa ja vlen barra qiranë, them se kam argumentuar
tashmë mjaftë. Për të thjeshtëzuar gjithë muhabetin them se ne asnjëherë nuk
kemi bërë politika ekonomike për të kuptuar mirëfilli efektin shkak-pasojë. Pra
kuptueshmëria jonë rreth ekonomisë është rrumbullauar vetëm rreth numrave
buxhetorë pa hesapuar efektet e këtyre numrave. Ne thjeshtë nuk dimë të bëjmë
ekonomi.
Pavarësisht kësaj rreziku për deficite
të pambuluara në pasqyrat e prezantuara buxhetore është minimal. Jo pse kemi
gjeneruar të ardhura sa shpenzime, jo pse shpenzojmë sa krijojmë, por se do të
shesim e do të marrim borxh. Pra për të mbuluar deficitet buxhetore nëpër vite
që ky buxhet i krijon, vendi deri në vitin 2015 do të duhet të shesë PTK-në dhe
do të duhet të marrë borxh të brendshëm (nga letrat me vlerë) prej plot 400
milion eurove; së paku kështu thotë draft-buxheti (kredibilitetit e aftësia jonë
planifikuese është temë në vete).
Kujtoj se në vitin 2012 vendi ka
gjeneruar një deficit buxhetor prej plot 152 milionë eurove. Ky deficit është
mbuluar kryesisht nga kredia e FMN-së e marrë këtë vit. Në vitin 2013
shpenzimet buxhetore do të jenë më të mëdha se të hyrat buxhetore për plot 181
milionë euro. Në numra si këto vendi do të kishte jo më shumë se 20 milionë
euro në fundvit. Për ti ikur një ecje minimalisht të sigurt, buxheti planifikon
inkasimin e 326 milionëve nga privatizimi i PTK-së dhe Distribucionit (26
milionë për të dytën) si dhe marrjen e borxhit të brendshëm prej plot 80
milionëve vetëm gjatë vitit 2013. Pra me numrat e prezantuar në vitin vijues,
mbijetesa e buxhetit bëhet vetëm falë shitjeve e borxheve. Me shitje e borxhe si
këto bilanci bankar do të jetë 426 milionë euro; i mjaftueshëm për stabilitet
financiar. Në vitin 2014, për shkak se ne ende do të shpenzojmë më shumë se që
kemi, vendi do të regjistrojë deficitin më të lartë vjetor ndonjëherë, plot 243
milionë euro minus. Ky minus do të mbulohej eventualisht nga 100 milionë shtesë
borxh nga letrat me vlerë në atë vit. Në vitin 2015, vendi do të regjistrojë prapë
në deficit prej 181 milionëve, deficit ky që do të mbulohej edhe një herë nga
një borxh i ri prej plot 140 milionë eurove. Pra në katër vite ne do të
mbulojmë deficitet nga 400 milionë euro borxhe e 300 milionë të tjera
privatizime. Pyetja që duhet shtrohet është se sa kost-përfituese është një
menaxhim financiar si ky?
Ndonëse futja në borxhe është e lejuar ligjërisht
deri në 60% të GDP-së, kjo jo domosdoshmërish arsyeton rritjen e tyre; hiç se
hiç nëse kosto nga marrja e borxhit është më e lartë se sa përfitimi nga
investimi i tij. Borxhi ka kuptim vetëm po patëm kthim më të lartë nga
shpenzimi i tij. Por siç provova të argumentojë më lartë, politikat e tanishme
buxhetore i shtynë kosovarët të shesin asetet që i duan, të marrin borxhe që
nuk mund ti arsyetojnë, për të mos jetësuar projekte për të cilat kanë nevojë.
No comments:
Post a Comment