Thursday, 2 August 2012

PASOJAT E KATRAHURËS


Letra nga limbo
3 GUSHT 2012

Ashtu siç kisha parashikuar në fillimvit, Kosova për fat të keq po përjeton efektet e para të një kombinimi fatal në mes të krizës evropiane me një makromenaxhim ekonomik vendor tmerrësisht të gabuar. Raporti i BQK-së për tremujorin e parë tregon për rënie të remitancave, të investimeve të huaja direkte e të eksporteve, paralel me rritjen e kredive të këqija e të importeve


Po shikoja me shumë vëmendje numrat e prezantuar në raportin vjetor të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) e të ofruara para publikut këtë javë. Në tendencë për të kapur trendet ekonomike të vendit gjatë pak viteve të fundit përfundova në drejtime aspak shpresëdhënëse. Numrat makroekonomik ishin rrëqethës, por jo vetëm shkalla e tyre e cila tashmë ka kulmuar në pakuptimësi, por se trendi i këtyre numrave ishte shqetësues. Dhe në këto numra makroekonomik njeriu gjen dhe gjendjen e ngecjes sonë ekonomike. Për më tepër, mu në këta numra njeriu do të duhej të ndërtonte debate e diskutime për dalje nga kjo katrahurë. E tmerrshme se si nuk pat as edhe një reagim nga qeveria për të dhënë të paktën një mendim për regreset makroekonomike. Gjithë ata ministra, gjithë ata zëvendësministra, gjithë ata këshilltarë  me gjithë ato mëditje, e asnjëri të jap një mendim analitik ekonomik?! Ndonëse e kuptoj se një pjesë e madhe e tyre  nuk kanë si të japin mendim nga mungesa totale e haberit për ekonomiks, por parimisht me injorimin e problemeve makroekonomike nuk bëhet zgjidhja e tyre. Trishtuese se si pseudo-debatet ekonomike i bëjmë vetëm në kohë zgjedhjesh e në katër vite tjera kemi institucione me politika solo e të shurdhuara. Po mendoj, për të ndërtuar një zgjidhje ekonomike ne duhet domosdo të dalim jashtë kornizave financiare e buxhetore të cilat dhe janë ngufatëse e kufizuese në mendësi për dikë që pretendon se merr vesh ekonomi. E fatkeqësisht për ne, politikat qeveritare kanë injoruar në vazhdimësi nevojën për zgjidhje ekonomike; në vend të kësaj ekonomi për institucionet tona e ministrat tanë janë konsideruar politikat që sillen e pështillen rreth shpenzimit të një buxheti shtetëror që në esencë është një segment i kufizuar i financave publike. Kaq dinë.

Për një ekonomist me dije modeste, numrat e prezantuar në raportin vjetor të BQK-së japin jo vetëm pasqyrën reale të Kosovës, por edhe rrugëtimin tonë. Ti thuash një ekonomisti se vendi yt në vitin 2011 ka papunësi në regjion prej 40-45%, se norma e inflacionit është 7.1%, se deficiti tregtar është 2.2 miliardë euro e se vendi mbështetet kryesisht në shpenzime qeveritare, është si ti thuash se ne jemi në katrahurë. E po ti vësh në krahasim këta numra me vitet para 2011-ës me këto të tre mujorit të parë të 2012-ës, atëherë ti ke një trend, pra një ecje ekonomike. E mu kjo ecje ekonomike është larg prej të domosdoshmes së Kosovës e është shumë afër sakatimit sa herë që institucionet neglizhojnë konceptet bazë ekonomike. Në fund të fundit, thënë të drejtën ecja e këtyre numrave në vitin e shkuar, bashkë me këtë tremujor të parë është aspak befasuese, madje e parashikuar lehtësisht.

Për hir të diskutimit, e me shpresë se nuk do të bëj monotonin, dua të ritheksoj se modeli ekonomik i Kosovës është i paqëndrueshëm në tërësi. I paqëndrueshëm meqë mbështetet në shpenzime qeveritare, pra në paratë e buxhetit, mbështetet në remitanca, pra paratë e marra nga diaspora, dhe mbështetet në asistencën ndërkombëtare, pra ndihmat e shteteve të huaja. Në esencë janë këto tri burime që shkaktojnë zhvillimin ekonomik tonin. Por asnjëri nga këto burime nuk është sektori privat, e i cili në çdo rrethanë për një shtet normal do të duhej të ishte thjeshtë i pari e më i rëndësishmi. Mungesa e kontributit të sektorit privat në zhvillimin ekonomik është arsyeja kryesore prapa degradimit të numrave makroekonomik nëpër vite.

Po filloj nga e para, deficiti tregtar. Sipas raportit të BQK-së, Kosova në fund të viti 2011 kishte eksporteve në vlerë prej 316 milionë euro, ndërkohë në të njëjtën periudhë arrinte nivel të importeve në vlerë prej plot 2.5 miliardë eurosh. Pra thënë shkurt, kosovarët çdo vit të lumë i dërgojnë jashtë vendit 2.5 miliardë euro, në këmbim të mallrave e shërbimeve. Të njëjtit pranojnë vetëm 312 milionë euro për produktet dhe shërbimet që i shesin jashtë. Vënë në peshore të dy numrat, pra paranë që e japim jashtë, dhe atë që e marrim nga jashtë, na jepet deficiti tregtar (pra diferencë mes importeve dhe eksporteve) e që për Kosovën është plot 2.2 miliardë euro, më i larti i regjistruar ndonjëherë që nga paslufta. Vetëm në krahasim me vitin 2010 Kosova ka rritur deficitin tregtar për plot 17.5%. Sot, Kosova mbulon importet me eksporte në një shkallë modeste prej vetëm 12.6%.

Në vitin 2008, deficiti tregtar i Kosovës ka qenë jo më shumë se 1.7 miliardë euro. Në katër vite ecje, politikat e kësaj qeverie kanë bërë që Kosova të rrisë deficitin tregtar për plot gjysmë miliardi euro. Pra falë një makromenaxhimi ekonomik të bërë dosido në Kosovë, qeveria jonë ka bërë që sot kosovarët të largojnë mbi 500 milionë euro (brenda vitit) më shumë jashtë vendit se sa kishin larguar në vitin 2008 (e ky numër është në rritje). Pra çfarëdo vlere që krijojmë, çfarëdo pasurie që ndërtojmë, çfarëdo paraje që pranojmë, e qesim, hedhim e flakim jashtë. Mund të mburren e të thonë se kanë bërë punë, rrugë, shkolla, ujësjellësa e ku ta di unë, por ja që outputi final i politikës së tyre është një rëndesë e disbalancit më të rëndësishëm ekonomik, atij tregtar.

Pse ndodh kështu? Sepse politikat e njëjta institucionale kanë ngufatur sektorin privat. Thënë të drejtën ato janë rrumbullakuar vetëm dhe vetëm rreth asfaltit. JO se nuk duhet pasur rrugë, pro se koncentrimi i githë potencialit institucional vetëm në asfalt ka një kosto të rëndë oportune, qe që për hesapin tim buron mu në pamundëisnë e krijimit të një ambienti të qëndrueshëm për sektorin privat. Po të kishim një sektor privat të qëndrueshëm në vend, po të kishim biznese që krijojnë, prodhojnë e shërbejnë, paratë që kosovarët do ti shpenzonin jashtë, le të themi gjysmën e atyre 2.2 miliardë euro neto (meqë jo të gjitha do mund ti prodhojmë e shërbejmë) do të mund ti shpenzonin brenda. Me një injektim të miliardave vjetore në ekonomi, cikli i zhvillimit do të ishte i paparashikueshëm për së miri. Të njëjtat para do të mbesnin në vend, do të ushqenin vende të reja pune e do të krijonin vlerë, për tu rikthyer sërish në tregun e brendshëm. Me kaq potenciale në dorë ne do të rrisnim edhe fuqinë e bizneseve tona edhe konkurueshmërinë e tyre e në fund dhe potencialet eksportuese të tyre. Ato dikur jo vetëm se do të mbanin paranë e destinuar për jashtë brenda, por se me eksporte do të sillnin të tjera më shumë. Deficiti tregtar prej 2.2 miliardë eurosh sot duhet ti shërbejë edhe politikëbërjes si tregues se në këtë fazë të zhvillimit, angazhimi ynë nuk duhet të jetë domosdo vetëm në eksport. Ne kemi një treg plot 2.2 miliardësh brenda Kosovës që mbulohet nga jashtë. Thënë shkurt, potencialet eksportuese të Kosovës janë mu tek importet; pra vendi ka mundësi enorme të bëj zëvendësimin e importeve para rritjes së eksporteve. Në të dyja rastet do të zvogëlonte deficitin e papërballueshëm tregtar. Por me një model të tanishëm, ne jo vetëm se largojmë nga vendi çdo vlerë të krijuar, por se edhe paratë e marra nga remitancat e asistenca financiare shkojnë për konsum dhe jashtë.

Raporti i BQK-së jep të dhënat e reja edhe për gjysmën e parë të vitit 2012. Të njëjtat, siç parashihej në sa kohë, vazhdojnë një trend negativ. Kosova vazhdon të goditet nga sëmundjet e njëjta. Sipas raportit, deri në Prill të 2012-ës eksportet kanë shënuar një rënie vjetore prej gati 25% në krahasim me Prillin e vitit të kaluar. Në po të njëjtën periudhë, importet shënuan rritje prej 0.1%. Pra në terma gjeneralë, ekonomia e Kosovës e udhëhequr nga politika ad-hock edhe këtë vit do të thellojë deficitin tregtar. Kjo në vete është një trend shqetësues. Ne jo që kemi numra alarmant, por trendet e këtyre numrave tregojnë rëndesë në vend të përmirësimit.

Se Kosova po përballet me rëndesë të vazhdueshme ekonomike tregojnë edhe të dhënat mbi fluksin e remitancave. Vetëm për tremujorin e parë të 2012-ës, remitancat kanë shënuar një rënie vjetore prej 4.8%. Aspak e habitshme një trend i tillë marrë parasyh krizën evropiane. Thënë të drejtë drejtën asnjëra prej lëvizjeve në raport nuk është befasuese nisur nga anti-politikat e vazhdueshme qeveritare. Madje në një shkrim timin mu në këtë kolumnë më 6 Janar të këtij viti kisha parashikuar: “..për Kosovën këtë vit asgjë nuk do të jetë më lehtë. Do të na zvogëlohen remitancat, investimet e huaja e donacionet nga një vit i rëndë”. Për fat të keq pas rënies së remitancave, të dhënat po nga i njëjti tremujor tregojnë për rënie enorme të investimeve të jashtme. Vetëm për tre muajt e parë të këtij viti, investimet e huaja direkte kanë shënuar rënie prej gati 28%.

Dikush dhe mund të gjejë arsyen se regreset në fjalë janë si rezultat i krizës evropiane, por vet fakti se ne mbështetemi në ato tri burimet e paqëndrueshme ekonomike është shqetësues prej tolearancës dhe ekspozimit tonë kaq të hapur ndaj çdo krize; prandaj dhe burimet në fjalë janë të paqëndrueshme. Sikur ne sot të kishim një sektor të mirëfilltë privat, efektet e remitancave do të ishin më pak të ndjeshme. Sa për rënien e investimeve të huaja, ndonëse pjesërisht të njëjtat dhe ndikohen nga lëvizjet në eurozonë, është imperative të theksohet se ambienti i rënduar biznesor në vend, i mbytur nga korrupsioni, informaliteti e evazioni fiskal janë shkaqet kryesore për një rënie kaq drastike. Bizneset tona siç e kanë thënë vet shpeshherë, e janë injoruar dhe më shumë, nuk po arrijnë të performojnë dot. Se ambienti biznesor është në rëndesë e vështirësi tregojnë dhe të dhënat për normat e kredive të këqija, apo të atyre kredive që bizneset nuk arrin ti kthejnë, kryesisht për shkak të problemeve të mbijetesës në këtë soj ambienti. Derisa norma e kredive të këqija në vitin 2011 ishte 5.7%, këtë vit kjo normë është rritur në 6.5% apo për plot 14%. Një rritje kaq drastike në pak muaj tregon më së mirë se si i kanë punët bizneset tona.

Lajmi më i mirë në gjithë raportin e BQK-së ishte stabilizimi i normës së inflacionit. Derisa për vitin 2012 ne kishim inflacion prej afër 7.3%, këtë vit norma mesatare vjetore stabilizohet rreth 1.5%. të paktën rritja e mesatares së çmimeve do të ketë një ngadalësim. Një zvogëlim i inflacionit megjithatë, do të ndikojë mbledhjen e të hyrave doganore dhe eventualisht do të mund të shkaktojë probleme në buxhet, duke e detyruar me pas qeverinë të rrisë prapë tatimet, siç ishte rasti i taksës në thëngjill (prandaj dhe shtrenjtimi i energjisë elektrike) dhe tatimit në fitim për bizneset e vogla shërbyese. Të paktën të dhënat e pra të mekanizmave mbledhës tregojnë për një nënperformancë.

Në fund fare, për të rrumbullakuar gjithë këta indikatorë, rritja ekonomike e Kosovës do të jetë jo më shumë se 3.8%, apo gati dy herë e gjysmë më pak se sa realisht i nevojitet vendit për të akomoduar nevojat e punësimit. Meqë pjesa më e madhe e kësaj rritje buron nga shpenzimet qeveritare, themi se një rritje e tillë jo vetëm që është e paqëndrueshme (meqë nuk ka sektorin privat si shtytës të saj), por se me prezencën e korrupsionit dhe anomalive tjera në menaxhimin e parasë publike e njëjta është rritje e pasurisë së një grupi të marxhinalizuar dhe nuk përkthehet dot në zhvillim ekonomik. Aspak e habitshëm kur ministrat e qeverisë sonë merren me ndjekjen e interesave personale, me lojërat e monopoleve, faljes së aseteve në vend të shitjes e me fiskulltura financiare si deficitet e padurueshme buxhetore. Kosova fatkeqësisht edhe për një kohë të gjatë do të ketë politika që bëjnë katrahurë e jo zgjidhje dhe treguesit e sodit nuk janë asgjë më shumë se pasojë e kësaj katrahure.



No comments: