Friday, 24 February 2012

FUSNOTA DHE REGRESI NAIV


Letra nga limbo
KOHA DITORE, 24 SHKURT 2011


Kosova sot ka nevojë për shtet e unitet dhe nga këtu e tutje për ngritje të zërit ndaj një kompromisi kaq absurd. Po nuk u bëmë bashkë sot, Zoti na ndihmoftë nesër!


Të rënda duken orët e fundit për Kosovën. Vendi është në prag të një kompromisi të dhimbshëm i cili minon integritetin e deklaruar të pavarësisë gjithmonë në këmbim të pakove ende të paqarta dhe për më tepër ende të pagarantuara, e për mendimimin tim në krahasim me vetë koston e kompromisit tërësisht jopërfituese. Pranimi nga pala kosovare i rezolutës 1244 në emërtimin zyrtar të Kosovës është risi që nga shpallja e pavarësisë. Si asnjëherë më parë vendi pranon që natyra e statusit politik të ketë dykuptimësi. Nën frymën e paqartësive të prodhuara kohëve të fundit si rezultat i kompromiseve suksesive në Bruksel, nën frikën e një tjetërsimi statusor si rezultat i nevojës për të kënaqur apetitet e Serbisë, nën naivitetin e një politike afatshkurtër kosovare si rrjedhojë e mospasjes prioritet shtetndërtimin,  Kosova bën hapin e gabuar të radhës e i cili them se është bindshëm më i rëndë, bindshëm më i keq e bindshëm më i panevojshëm se hapat paraprak. Në momente si këto, njeriu pyet veten se si u katandisëm kaq keq katër vjet pas shpalljes së pavarësisë.

Besoj se është e drejtë të konstatohet se kompromise suksesive nga negociatat e Brukselit nuk i dhanë as edhe një të mirë Kosovës. Pothuajse një vit pas nisjes së tyre, sakrificat e bëra tërësisht në kurriz tonin tregojnë se ndërkombëtarët kanë zgjedhur strategjinë e dhënies së ‘karrotës’ për Serbinë dhe ‘shkopit’ për Kosovën. Kujtoni se negociatat në fjalë kanë zhveshur në tërësi vendin tonë nga elementet më parësore shtetndërtuese; ato pa të cilat shteti mbetet një copë territori i padefinuar, njëjtë si rastet e kontestuara të Palestinës, Tajvanit apo dhe Qipros Jugore. Për gjithë ata që hamenden, dyshohen apo edhe thirren në parime e suksese historike, negociatat dhe kompromiset e Brukselit i sollën Kosovës: a) me marrëveshjen mbi menaxhimin e integruar kufitar fillimisht heqjen e 'kufijve' ndaj Serbisë, në vend të tyre u vendosën 'pikëkalimet' pa simbole shtetërore; b) me marrëveshjen për tregti të lirë heqjen e termit 'Republika e Kosovës' në të gjitha dokumentet zyrtare shtetërore, në vend të saj u vendosi emri jopërcaktues statusor 'Kosovë'; dhe c) me marrëveshjen për përfaqësim rajonal heqjen e 'Pavarësisë së 17 Shkurtit', dhe vendosjen paralele të Rezolutës 1244. Në dialogun që filloi si teknik u humbën elementet shtetërore; fillimisht u humb kufiri, më pas Republika e tash në fund po na humbet pavarësia (të paktën të pakontestuara nga ne dhe ata që na njohën). Nëse para dialogut Kosova kishte kufi, Republikë e Pavarësi ndaj Serbisë, pas dialogut mbetet me asgjë më shumë se një territor pa kufi, pa Republikë dhe me një rezolutë me përcaktime tmerruese për Kosovën.

Them përcaktime tmerruese meqë janë dy pika në këtë rezolutë që bëjnë regresin politik të Kosovës. Për gjithë ata që kanë harruar, janë Pikat 4 dhe 11 të këtij dokumenti zyrtar që ofrojnë gjithçka përveç pavarësisë së vendit. Pika 4 e Rezolutës 1244 thotë se “Pas tërheqjes së forcave ushtarake dhe policore të Jugosllavisë, një numër i tyre do të kthehet më pas në Kosovë për të performuar funksionet e tyre.”;  ndërkaq Pika 11 e Rezolutës 1244 thotë se “Bashkësia ndërkombëtare do të ndërtojë një autonomi substanciale të vetë-qeverisjes në Kosovë sipas parimeve të Rambujesë.” Pra, sipas rezolutës 1244, sovraniteti territorial i Kosovës është qartësisht i kontestuar. Dhe janë mu këto dy pika që bëjnë rezistencën e pakompromistë të Serbisë, madje edhe vet gatishmërinë e saj për të sakrifikuar BE-në për këtë rezolutë.     

Me naivitetin më të madh, me paditurinë më absurde, me mosaftësinë parashikuese më tipike kosovare, përfaqësuesit tanë treguan një komfort anormal në pasjen e referencës tjetërsuese në statut për Kosovën, pra ndaj vet rezolutës 1244. Thënë të drejtën, njeriu do të ndjehej jashtëzakonisht restriktiv në momentin e parë që Serbia të ishte e gatshme të jap BE-në për 1244. Në momente kur ke pikë të njëjta me shtetin që ka pretendime territoriale ndaj teje, ndalu dhe ndez një dozë dyshimi, frike e alarmi; por assesi komforti çfarë të tanët dhanë. Të njëjtit arsyetuan vendimin e tyre si pjesë e një politike parimore. Çfarë broçkulla! Se sa parimore është politika jonë kuptohet lehtësisht nga dinamika e deklaratave që bëhen amorfe nga dita në ditë. Për të parë këtë amorfitet kujtoni deklaratat institucionale tonat në më pak se një muaj (po i krahasuam me vite habitemi tmerrësisht). Kur për herë të parë u përmend ideja e fusnotës, politikanët tanë thanë se bëhej fjalë për simbolikë dhe se simbolika shqetëson vetëm disfatistët. Kur më pas u përmend ideja e Rezolutës 1244, të njëjtit treguan se bëhej fjalë për një dokument të vdekur dhe se vetëm ata që si donë të mirën vendit do të pranonin një gjë të tillë. Kur në fund u pranua zgjidhja me rezolutë u tha se ky është një progres dhe çdo refuzues është antievropian dhe antiamerikan.

Janë dy tipare që derivojnë nga një diskurs i tillë. E para, është vet qëndrueshmëria në politikëbërje e cila nuk gjendet në konceptet tona dhe për një vend që thirret si shtet e bën politikë mahallash një diplomaci e tillë është e që në start e kapitulluar. Për më tepër indiferenca ndaj 1244 tregon se sa shkurtpamës jemi. Jo se Serbia do të sjell nesër forcat policore e ushtarake në Kosovë, jo se do të marim pasnesër autonomi substanciale, por në diplomaci serbët bënë të gjallë një rezolutë të vdekur dhe nëse asgjë tjetër dikur diku ngjallja e saj do të bën problemin tonë; në fund të fundit deri sa ne punojmë me fjalë, serbët punojnë me letra. E dyta, dhe po aq e rëndë është gjuha fyese e cila përdoret si argument në debat nga institucionet tona. Në vend se kryeministri të argumentojë idetë e tija, ani pse amorfe e të paqëndrueshme ai shanë e fyen kundërshtarët e idesë. Them se praktikë të njëjtë kryeministri kishte ndjekur në çdo politikë të tij që nga ardhja në pushtet. Kur ishim kundër kontratës hiper të shtrenjtë të autostradës kryeministri na quante anti-patriotë, kur ishim kundër humbjes së 150 milionëve ndihmave financiare na quante antishtet, tash kur jemi kundër kompromiseve kaq degraduese na quan antievropianë. Them se thirrjet e tilla janë më tepër tregues i një fukarallëku në fjalorin argumentues të tij se sa koncepte me ndonjë logjikë të shëndoshë. Një udhëheqës me kapacitete intelektuale, me vizion e me ide të qarta do të duhej të reflektonte në argumente për të mbrojtur idenë, apo dhe të refuzonte atë edhe me më shumë argumente. Sidoqoftë, legjitimimi dhe rikthimi i rezolutës 1244 është më tepër se ‘simbolikë’; është kthim i përmbajtjes derepublikuese të saj. Nëse anti-evropianizmi është anti-ushtri jugosllave e anti-autonomi substanciale, atëherë mallkuar qofsha po nuk u mburra me të! Për kryeministrin e Kosovës, sipas deklaratës së tij publike e në dëshprim për ti gjetur fije të mira rezolutës, 1244-shi garanton tërësinë territoriale të Kosovës. Unë them se e njëjta garanton tërësinë por nuk përcakton fatin e  tërësisë. Ne mund të kemi Kosovën si tërësi brenda Serbisë, brenda Shqipërisë e besa edhe brenda Tanguzisë, por ne jemi t ëinteresuar për një tërësi të pavarur dhe sovrane. Prandaj çdo referencë pozitive ndaj 1244-shit është absurde dhe naive. Kryeministër, Rezoluta 1244 është anti-pavarësi!

Refuzimi i 1244 nuk duhet të shihet si politkë anti-amerikane e anti-evropiane, por vetëm si një mjet diplomatik dhe mbrojtje e interesave shtetërore. Refuzimi duhet të shihet si presion në ndërrimin e politikës ndërkombëtare në relacion me kompromiset e Kosovës. Bëhet kështu meqë politika ndërkombëtarë evoluon ndaj ngjarjeve në rajon, ajo nuk mbetet statike në përjetësi. Kujtoni se miqtë tanë amerikanë në vitin 1997 nëpërmjet ambasadorit të atëhershëm Christopher Hill kishin propozuar autonomi substanciale në kuadër të Jugosllavisë. Me politikë të sodit ku gjithçka ndërkombëtare bën aminin tonë, autonomia do pranohej me krah të hapur. Megjithatë, ishte mu klasa jonë politike e kohës që me ngulm targetonte pavarësinë si kompromis të vetëm. Ngulmimi i tyre evoluoj në protektorat dhe përfundoj në pavarësi. Këtë ngulm kjo klasë politike sot nuk e ka!

Nuk e ka meqë nuk ka tagër të fuqisë së fjalës, përfaqëson pakicën shqiptare, nuk ka fuqi të legjitimitetit të korrektësisë së zgjedhjeve meqë vjen në pushtet pas një masakre zgjedhore, dhe nuk e ka fuqinë e ballafaqimit meqë me nivelin e tanishëm të korrupsionit, krimit të organizuar e informalitetit Zoti e di se çfarë mund të nxjerrë ne shesh refuzimi dhe prishja e tyre me konceptin edhe më të vogël ndërkombëtar. Pra, prioritet në këto dymbëdhjetë vitet e pasluftës, veçmas në katër vitet e pavarësisë nuk ka qenë asnjëherë shtetndërtimi; prioritet për Kosovën ka qenë pasurimi i shpejtë i politikanëve tanë. Sikur Kosova të kishte një shtet ligjor, një ekonomi të qëndrueshme, një stabilitet social, e një Qeveri kredibil, marrëdhëniet me BE-në do të vendoseshin vetvetiu dhe kompromiset e tilla as nuk do të ndodhnin. Nuk e humbim liberalizmin e vizave me BE meqë nuk na njeh Serbia; e humbim meqë nuk kemi shtet ligjor por kemi plot krim, vjedhje e dallavere. E deri sa ne kemi humbur konceptin e shtetndërtimit, Serbia ka bërë konceptin e kthimit në Kosovë. Hendikepin e Kosovës, Serbia nuk e ka. Kompromiset në kurriz të saj nuk bëhen dot. Nuk bëhen dot meqë në dymbëdhjetë vitet e shkuara, shteti që dha gjenocidin e fundit evropian arriti që përkundër gjithë gjasave minore nga një agresor të shndërrohet në marrës i shpërblimeve, madje shumë më parë se shqiptarët (në Kosovë e Shqipëri) të marrë statusin e kandidatit në Evropë. Kështu ndodh kur të tanët bëjnë pasurimin e familjeve, e të tyret pasurimin e shtetit. Kësaj i thënë diplomaci e shtet!

Në fund fare, përtej sakrificës së Kosovës dhe shpërblimit të Serbisë, përtej një triumfi të diplomacisë serbe përball asaj sonës, përtej një moskreativiteti në fusnotë, kostoja e vërtetë e Kosovës është ecja me një avaz të turpshëm, jounitar e aspak të qëndrueshëm. Fatkeqësisht të gjitha kompromiset kosovare vijnë pas një sërë sakrificash të dhëna nga Kosova. Për atë hatër le ti shpjegojë dikush udhëheqjes sonë politike se Kosova nuk i ka borxh Serbisë; se Kosova Serbisë i ka dhen dymbëdhjetë mijë të vrarë, dy mijë të tjerë të zhdukur, pajtueshmëri e falje për krime, e pakicës së tyre të drejta që as edhe vendi më demokratik në botë si ka. Le tu shpjegojë dikush se kompromiset e Kosovës kanë marrë fund me Planin e Ahtisarit e nëse asgjë tjetër në borxh është e mbetur mu Serbia. Nëse duhet të bisedojë, merremi vesh e shtrengojmë duar, le ta bëjmë për të zhdukurit tanë, për dëmet ekonomike, për fondet e plaçkitura pensionale, për problemet në tregti, energjetikë e telekomunikacion; por asesi për shtetësinë tonë!

Për më tepër, hendikepuese për Kosovën është fakti se për herë të parë në historinë tonë moderne, vendi hyn pa kompromis e unitet në koncesione afatgjata që prekin themelet e shtetit. Në mungesë të unitetit them se vendi nuk e  ka luksin e përçarjeve të tilla, por edhe më pak të ecjes pa unitet. Rrjedhimisht organizimi i një referendumi për një çështje kaq jetike do të ishte element bazik i demokracisë. Le të dalë pozita me shpjegimet e veta mbi përfitimet që na vijnë, njëjtë le të dalë dhe opozita me idetë e saj. Në fund, le të vendosë kosovari për idenë e pasjes ose jo të 1244-shit edhe një herë në statutin e tyre politik. Nga demokracia nuk duhet frikësuar askush. E nëse më pyesni mua, them se për Kosovën shumëherë është më e rëndësishme mënyra e pjesëmarrjes se sa vet pjesëmarrja. Po të donim liberalizm vizash e bëjmë që sot; vetëm pranojmë integritetin e Serbisë mbi ne dhe çështja është e zgjidhur dhe e mbyllur. Prandaj është esenciale për vendin që të mos trajtohet si një copë toke në ecjen e tij evropiane por të merret si shtet i pavarur, sovran dhe me gjithë ato parashtesat që kryeministri ja vë në paraqitjet recituese publike. Në të kundërtën, trajtimet gjysmake e me dykuptimësi nuk paguhen me asgjë; as me integrim Evropian, as me kontrata tregtish e as me lëvizje pa viza. Kosova sot ka nevojë për shtet e unitet dhe nga këtu e tutje për ngritje të zërit ndaj një kompromisi kaq absurd. Po nuk u bëmë bashkë sot, Zoti na ndihmoftë nesër!









No comments: