Friday, 10 February 2012

SHTETI NË RËNIE TË LIRË


Letra nga limbo
KOHA DITORE, 10 SHKURT 2012

Kur bora, spiunazhi, derepublikmi e statusi special bëhen bashkë


Ishte kjo një javë me plot të zeza, me lajme nga më të rënda, me trukime vëmendjeje e me shpresa dhe më të zymta. Deri sa Janari na dha mosreciprocitet, dhunë policore, tjetërsim të rolit të Kuvendit, antikushtetueshmëri në Prizren, e zhbërje të identitetit, Shkurti në më pak se dhjetë ditë na dha frikë nga vëzhguesit ilegal, fusnota për derepublikim, e pretendime për status të veçantë për Veri. Ecje regresive si këto humbin gjithë shpresat për një rimëkëmbje të mirëfilltë kosovare.

E në gjithë këtë amulli, skam se si të mos përmend pasivitetin e Kosovës në menaxhimin e motit. Jo për të ndalë borën e qiellit, jo për të shkrirë ngricat e pullazeve, por për të shpallë gjendje të jashtëzakonshme kur një e treta e vendit është tmerrësisht e mbyllur, ndarë e izoluar nga rrjedhat minimale të jetës. Nëse në kushte klimatike rekorde në dekada reagueshmëria jonë është indiferente, pyes vetën se në çfarë kohe do të reagojmë eventualisht? Një kronikë televizive më dha një përshtypje mbresëlënëse për një helikopter të shtetit fqinj maqedon që po shpërndante ushqim në Kosovë tek disa fshatra kufitare ku bora arrinte tre metërshin. Mesiguri piloti kishte ndjerë keqardhje për të harruarit kosovar. E njëjta kronikë më dekurajoj për aftësinë e institucioneve tona për të mbrojtur të paktën ato zona të mbyllura. Kujtoj se të njëjtat institucione kishin shpërndarë ndihma mijëra euroshe për tërmetet në Haiti e vërshimet në Pakistan, por ja që kur taksapaguesit e tyre u mbyllën, u deshën plot dy javë për të dëgjuar reagimin e parë e për të ngritur gatishmërinë shtetërore; ndihmat nuk erdhën asnjëherë. Një vend normal do të nxirrte ushtri, polici, zjarrfikës e vullnetarë në rrugë për të kaluar një gjendje kaq emergjente. Edhe më pak mbresëlënëse ishte humanizmi i vet kosovarëve dhe gatishmëria vullnetare për të dalë në ndihmë. Besoj se të shumtë janë poseduesit e mjeteve të rënda që preferojnë ti mbajnë garazhet e mbushura plot me makineri para ndihmës elementare ndaj bashkëqytetarëve. Kjo vecse tregon pritjet tona tërësisht të orientuara nga shteti. E kur ke shtet të ligë ke dhe outpute mosvet!

Sidoqoftë, lajmin e zi nuk e bën bora e as kapitullimi ynë si shoqëri e shtet për të adresuar probleme të tilla. Lajmi i zi vjen nga një deputet i veshur zi që ngatërroi keq rolin e tij, të Parlamentit dhe për më tepër kohën e dhënies së sihariqit. Në përgjigje të pyetjeve për takime të fshehta institucionale mes dy përfaqësuesve shtetëror, deputeti i veshur në zi dha kundërpyetje për takime individuale. Si taksapagues i pagës së tij, vozitësit së tij, derivateve të veturës së tij, mëditjeve të tij e nesër dhe pensionit të tij, bëj pyetjen më bazike: çfarë i hynë në punë një punonjësi publik jeta private e një kosovari? Për më tepër, çfarë më hynë në punë, mua, familjes, shtetit e kombit takimet individuale (kujdes, jo shtetërore) të një njeriu? Dhe më e rëndësishmja, si mund të dijë një deputet për kohën, rrethanat dhe përmbajtjen e takimeve të një qytetari të Kosovës? Deputeti ynë, me mburrje plot, por pa e kuptuar naivitetin e patetizmin që rezonte në publik, bënte thirrje për hetime të prokurorisë se një kosovar qenka takuar me një qytetar të një kombësie tjetër. Thirrje të tilla të ju them të drejtën shoh vetëm në rekorde naziste kur takimet me hebrenj ishin të ndaluara e të dënuara. Deputeti nuk do të dijë, ose (sipas të gjitha gjasave) nuk di që takimi me një njeri të kombësisë serbe nuk është krim, as subjekt hetuesie nga prokuroria e edhe më pak pikë interesi për kosovarët. Por skandali më i madh, tmerri më i rëndë, e frika më e zymtë vjen nga ideja se sot çdokush, kudo, e në çdo kohë mund të jetë subjekt i vëzhgimeve ilegale partiake, se grupacionet sekrete informative partiake janë ende funksionale në Kosovë dhe për më tepër se ato tashmë janë të shkrira brenda institucioneve të Republikës. Për të mos mjaftuar gafa e një deputeti, mbështetja ju dha edhe nga grupi parlamentar dhe në fund nga vet partia.

Nuk besoj të kenë menduar fuqinë dhe masën e bumerangut promovuesit e  tillë. Të paktën matematika që do të duhej të kishin bërë domosdo do të ishte më thelbësore e qenësore se kjo që pranuan. Dhanë një skandal spiunazhi, një thatësi në përmbajtje, një argument tërësisht irrelevant për çështje nacionale dhe morën unifikim të opozitës, shoqërisë civile e çdo kujt me pak interes për Kosovën. Por e vërteta e hidhur, dëmi i vetëm ndaj vendit është se në kohën kur neve na cenohet botërisht integriteti territorial, kur propozimet serbe ndërtojnë minishtete në shtetin e fundit Evropian, në kohë kur vendi është i përçarë e ndarë sa s’bëhet më, partia më e madhe në vend merret me suxhukun në bagazhin e një kosovari.

Dhe kjo kohë e sodit bën të zezën e mbyllur të vendit. Kosova vazhdon të jetë objekt sakrifice për Serbinë. Të gjendur para një presioni kohor për të shtyrë fqinjin tonë verior në BE, ndërkombëtarët (e besa dhe tanët) vazhdojnë të na marrin si të marrë, të paditur e jorefuzues. Fillimisht, na u tha se praktikat e heqjes së Republikës nga takimet ndërshtetërore janë të zakonshme për shumicën e vendeve evropiane. Thënë të drejtën jo se është më ndryshe; heqja e emërtimeve të tilla bëhet për arsye logjike se tabela e emërtimit në tavolinë nuk ka nevojë të mbajë gjithë emrin kushtetues të një shteti. Por ja që e njëjta tabelë vendoset gjithmonë në takime ku pjesëmarrësit nuk kanë pretendime tjetërsuese ndaj të tjerëve (pra takime miqësore) dhe për më tepër në tavolina të tilla çdonjëri ka trajtim të barabartë. Sikur Kosova do të ketë trajtim të barabartë dhe emërtim të njëjtë me gjithë pjesëmarrësit, mospasja e Republikës nuk bën as brengën më të vogël tonën. Por, nëse heqja e Republikës do të thotë satisfakcion i pretendimeve territoriale të një shteti tjetër, atëherë themi se paralelizmi i derepublkikimit në emërtim është tërësisht irrelevant dhe i pavend; atëherë themi faleminderit por jo faleminderit!

Edhe më të rënda duken pritjet e ndërkombëtarëve për një ofertë kosovare përtej kornizave të Pakos së Ahtisarit, madje insistimi i tyre për të mos pasur emërtim të veçantë për këtë ofertë më bënë të kuptojë se interesi i tyre është më tepër në kamuflim të përmbajtjes se sa në të vërtetën e përmbajtjes. Sidoqoftë, thirrjet se ne duhet të kemi nj kundërpërgjigje ndaj shteti serb nuk janë asgjë tjetër veçse validim i rolit të Serbisë në punët e brendshme të Kosovës. Në momente të tilla, njeriu pyet vetën se cilin shtet përfaqësojnë këta të huaj? Nëse përfaqësojnë shtetet që kanë pranuar shtetin tim me kufijtë e integritetin e tanishëm territorial, atëherë për çfarë roli serb është fjala? Për më tepër, pse shteti im i pranuar në këtë kornizë, duhet ti marrë parasysh propozimet e një Presidenti të huaj?

Për të siguruar ofertën tonë të njëjtit kushtëzuan heqjen e mbikëqyrjen e pavarësisë me miratimin e ligjeve paushall. Ndonëse heqja e mbikëqyrjes është lajm i mirë, ani pse heqja nuk bëhet e plotë, askush nuk di se çfarë përmbajtje do të kenë këto ligje. Takimet urgjente të kryeministrit me spektrin e gjerë politik më bëjnë të kuptojnë se ato janë gjithçka përveçse të mira. Më besoni, po të ishin lajme të mira kryeministri do bënte spote televizive për përmbushjen e dëshirave të jetës së tij. Pra, takimet partiake bëhen në kërkim të unifikimit nacional për një gjendje të rëndë që na pret. Unifikimi nuk do të kishte asgjë të keqe po të bëhej me qëllim të arritjes së një qëllimi të mirë shtetëror, por ja që tendenca për unifikim bëhet për të arritur deri tek një qëllim që tanimë është parapërcaktuar. Dhe ky qëllim i parapërcaktuar është asgjë më shumë e asgjë më pak se statusi special i Veriut. Pozitës i nevojitet thjeshte një unifikim për të ndarë fajin. Do ti shoh si naive partitë opozitare që do të mbështesin një proces të tillë. Në gjithë këtë amulli është vet pozita që ka vënë vendin në telashe. Unifikimi opozitar do të jepte një zhvlerësim të të gjitha kompromiseve jolegjitime e antikushtetuese të bëra deri më tani. Në fund të fundit, me nomenklaturën e tanishme Parlamentare shumica shqiptare nuk ka folur ende!

Në të gjitha rastet një gjë bëhet kristal e qartë. Kosova nuk ka tokë për të falë. Ne mund të kemi një klasë politike që ka një bisht të nxënë ngushtë, dhe për të ruajtur pozicionin e vet pushtetarësh është në gjendje të bëjë kompromise tjetërsuese, derepublikuese, e dhënie statutesh speciale, por ja që vullneti i kosovarëve të vërtetë mban emër tjetër. Çfarëdo zgjidhje politike për Kosovën, në kohë kur menduam se shterëm nevojën e diskutimeve për status, do të hapë rrugë për kompromise dhe më të mëdha. Në gjithë këtë tregim, në fund të fundit, janë shqiptarët që kanë ende hak për të marrë.


(Autori është kolumnist i rregullt i ‘Kohës Ditore’)






No comments: