Letra nga limbo
KOHA DITORE, 3 SHKURT 2012
Vet ideja e të pasurit një fusnotë në emërtimin shtetëror është frikësuese e trishtuese për gatishmërinë dhe tolerancën tonë ndaj zhbërjes eventuale të Republikës
Po shprehja habi e hidhërim mes miqve kur këtë javë lexoja rreshtat e një gazete ditore. Rreshtat më thonin se lehtësuesi i dialogut Robert Kuper paralajmëronte arritjen e një marrëveshje e cila do të jetë e dhimbshme për të dyja palët. Habi meqë nuk kuptoja nevojën e të pasurit dhimbshmëri për Kosovën e aq më pak kur kjo dhimbshmëri vinte pothuajse katër vite pas shpalljes së pavarësisë dhe njohjes së saj nga pothuajse gjysma e botës; e hidhërim meqë edhe më pak pranoja evoluimin e fshehtë të një dialogu teknik në politik, ani pse gjatë gjithë kohës na është thënë se ekipi nuk ka tagër të negocionte për çështje nacionale. Republika megjithatë është çështje nacionale!
Proklamimet e të pasurit një fusnotë në emrin e Kosovës më bënë ti shihja marrëveshjet paraprake si të një “rëndësie kikiriku”. Përballë pranimit të dyshimit në status, pikat e përbashkëta kufitare, vulat doganore e diplomat shkollore dukeshin fëmijërore. Jo që janë! Në çdo vend me pak dinjitet, në çdo Qeveri me pak vullnet, në çdo milet me më shumë apetit për përgjegjësi, zhbërja e Republikës në vula doganore, në dokumentet e certifikimit e në ato të udhëtimit do të thoshte ngopje përtej ngopjes. Kompromiset e tilla do merrnin dorëheqje, përgjegjësi nacionale e alarmim parlamentar. Në çdo vend si Kosova, ku e mbrapshta fund nuk ka, nga një marrëveshje e hirtë kalohet në të zezë. Dhe në fund, çdo kush që shpreh një fije brenge për zhbërje kaq të panevojshme e kaq të pakuptueshme, etiketohet si injorant, i paditur dhe disfatist.
Triumfuesit tanë, të gjithëdijshmit tanë, forca jonë e vetme e dijes, konsideruan (një) praktikën e tjetërsimit të emrit si një rast të zakonshëm në kontestet moderne ndërshtetërore; (dy) konsideruan se problemet e Serbisë janë dhe tonat e se ato duhet ndarë; (dhe tre), konsideruan se përfaqësimi rajonal, pa marrë parasysh mënyrën se si bëhet, është esencial. Çfarë gabimi! E para, përmendja e shpeshtë e praktikës së Maqedonisë është o amatore, o naive, o të dyja; si do qoftë në të gjitha rastet është e pavend, e pakuptimtë dhe irrelevante. Kjo sepse kontesti i Maqedonisë me Greqinë nuk bëhej asnjëherë për statusin e të parës, por për emërtimin e saj. Kur kryenegociatorja Tahiri thotë se Maqedonia ndërroj emrin dhe nuk humbi statusin, harron të përmend, apo nuk di e do të përmendë (pavarësisht përvojës 20 vjeçare e shkollës së Harvardit) se Maqedonia humbi mu atë që pranoj të ndërroj dhe se në asnjë mënyrë humbja e statusit nuk ka qenë subjekt i kontestit grek. Të thuash se një vend pranoj dyshim në emër e nuk humbi statusin është njëjtë si të thuash se i njëjti pranoj dyshim në emër po nuk humbi, le të themi (diçka palidhje) kualifikimin në Kampionat Botëror; dy gjëra tërësisht jo të lidhura. Tek rasti i Kosovës fusnota vë në dyshim edhe emrin, edhe definimin politik të vendit, edhe statusin, e edhe kushtetutën; prandaj ngjashmëritë mes Kosovës dhe Maqedonisë janë inekzitente.
Dhe kjo na sjell tek pika e dytë, ndarja e problemeve me Serbinë. Mospjesëmarrja e saj në takime rajonale është problem dhe paranojë e gjithkujt veçse e Kosovës. Pse u dashka që ne të akomodojmë problemet e dikujt tjetër? Për të pajtuar Serbinë të ulet në tavolinë me ne dhe me fqinjët tjerë, ne jemi të gatshëm të pranojmë kushte, regrese politike, e zhvlerësime në emërtime. Vendet rajonale ka kohë që kanë treguar afirmim drejt statusit tonë si shtet i pavarur, si Republikë dhe në nismat rajonale them se jemi mjaft mirë; por jo mirë edhe për Serbinë. Ngurtësimi serb ndaj statusit tonë bënte mospjesëmarrjen e tyre në takime, prandaj nëse ka pasur një nevojë për zgjidhje ajo është dashur të burojë nga ndërrimet në mendësi tek Serbia e jo në natyrën e prezantimit kosovar. Po sikur nesër Serbia të pranojë pjesëmarrjen në takime vetëm atëherë kur përfaqësuesit e Kosovës të kenë veshje të zeza, frizurë të bardhë apo çorape kafe, ai i bie kjo se duhet të mbajmë nga një notë në kraharor, flokë e këmbë ku thuhet se ngjyrat tona nuk përcaktojnë pëlqimin e të tjerëve?! Ne as duhet të kërkojmë fusnotë për Serbinë, as duhet ti vëmë fusnotë emrit tonë, ne thjeshtë duhet marrë pjesë si shtet, me Republikë e pa dyshime e dykuptimësi. Kosova po ecën mirë (ani pse ngadalë) drejt njohjeve ndërkombëtare. Është Serbia që në anën tjetër ka ngutinë e anëtarësimit në BE e për ku pa marrëveshje fqinjësore nuk ka çfarë lypë.
Dyshimi i statusit me një fusnotë na sjell te pika e tretë, se pjesëmarrja rajonale është mbizotëruese ndaj mënyrës se si merret pjesë. Pra për Qeverinë është më me rëndësi pjesëmarrja dosido se sa emri e forma që ne kemi në atë pjesëmarrje. Kosova po mos të ishte Republikë e pavarur kaherë do të merrte pjesë në këso tryeza takimesh (si pjesë e Serbisë). Është mu mëvetësia jonë që na jep probleme me disa vende aty këtu, por zgjidhja e këtyre problemeve nuk do të thotë jo-mëvetësi. Nëse pranojmë fusnotën, atëherë për herë të parë që nga shpallja e pavarësisë ne pranojmë se statusi jonë mund edhe të dyshohet. Madje deklarimet e kryenegociatores se ne duhet të reflektojmë në realitetin e mohuesve të pavarësisë janë tepër shqetësuese e alarmante. Që kur ne pranojmë hipokrizinë e një vendi jo mik si realiteti ndaj të cilit duhet domosdo reflektuar me sakrificë? Realitet është edhe tendenca territoriale e Serbisë ndaj Kosovës, por a i bie kjo se ne duhet të reflektojmë e sakrifikojmë për këtë tendencë? Kosova duhet të bëjë mu të kundërtën, të mos reflektojë sakrificë në pretendime të tilla. Kosova duhet të ofrojë mbrojtje, forcë e ngurtësim në qëndrimet e veta derisa çdo vend tjetër ndërron mendje. Kohërat e marrëveshjeve të dhimbshme janë të shkuara.
Në mbrojte të fusnotës thirrej dhe kryeministri. Ai i referohej Kushtetutës së Kosovës si mbrojtëse të Republikës. I njëjti duhet të dijë se Kushtetuta është dokument i rregullimit të brendshëm, dhe nëse ne nesër pranojmë dyshimin në dokumente zyrtare ndërkombëtarë atëherë ja pafshim hairin. Kushtetutë për kushtetutë ka dhe Serbia ku konsideron Kosovën si pjesë të saj. E njëjta kushtetutë e i njëjti shtet është i pranuar mbarësisht, por sa valide mund të jetë një dokument i tillë përballë dokumenteve ndërkombëtare?
Pavarësisht gjithë kësaj, në gjithë këtë amulli shoh një pikë drite. Për ironinë më të madhe kjo dritë vjen nga refuzimi potencial i Serbisë për tu marrë vesh. Dhe kjo për faktin që Serbia nuk pranon as dyshimin pa vendosjen eksplicite të termit rezolutë 1244. Me fjalë të tjera, nëse ne i shpëtojmë dyshimit atëherë e bëjmë këtë meqë pala serbe kërkon më shumë se kaq; jo pse neve na u kujtua dëmi i zhbërjes. Dhe në këtë vijë janë dhe deklarimet e reja të Qeverisë sonë se nuk do të hiqet termi Republikë, ani pse një javë më parë kryenegociatorja ishte mjaft komforte në heqjen e Republikës gjatë intervistës për ‘Kohën Ditore’ dhe synim të vetëm kishte heqjen e ‘1244-shit’. Një kërcim kaq madhor në qëndrim brenda një jave vjen eksluzivisht nga të kuptuarit se Serbia nuk pranon as ofertën tonë pa Republikë. Pavarësisht arsyet, me po aq hov ne duhet të reagojmë edhe për vet idenë e fusnotës meqë me apo pa Republikë fusnota vë dyshim ndaj statusit e shtetit. Nëse në të kundërtën dikush pranon përfaqësimin shtetëror kundër përcaktimeve tona Kushtetuese atëherë them se vendi duhet të ngrihet në alarm. Opozita duhet të unifikohet e zhbëjë ndasitë për të provuar fillimisht Parlamentin e më pas Gjykatën Kushtetuese. Para një “triumfi” me fusnotë “disfata” pa fusnotë ka gjithmonë primatin e prioriteteve. Në fjalë të Mark Twain “patriotizmi modern, patriotizmi i vërtetë, patriotizmi racional është mbështetja juaj ndaj vendit gjatë gjithë kohës, por ndaj qeverisë vetëm atëherë kur e meriton”. Derepublikimi nuk meriton përkrahje!
No comments:
Post a Comment