LETRA NGA LIMBO
KOHA DITORE, 17 SHKURT 2011
Një vështrim në retrovizor
Katër vjet shtet gjysmak, katër vjet zhbërje të një ëndrre para pavarësuese, katër vjet kthim në realitet të hidhur, zbutje në eufori e përballje me halle, katër vjet rëndesë, stagnim e paqartësi për themelet e Republikës, katër vjet ecje mbrapshtë në sytë e botës, katër vjet ditë të pa shpresë për më të varfrit e Evropës, e net fantastik për më të pasurit e politikës, katër vjet në limbo; ky është bilanci i shtetit tënd dhe timit katër vjet pas mëvetësimit. Jo se e menduam kështu, jo se e pritëm kaq rëndë, jo se e merituam kaq keq.
Kosova e juaj, e imja, dhe e atyre qe nuk janë më për të, vazhdon të mbetet një vend i regreseve, i kompromiseve, sakrificës, skamjes, migrimit, krimit, korrupsionit, informalitetit e dhunës. Kosova jonë është vendi ku fqinji sillet si në shtëpi, ku aspiratat tjetërsuese ndaj vendit na shprehen mu në sy e ne qeshim si të marrë, ku barrikadat udhëhiqen nga të njëjtit që i takojmë e përqafojmë në tavolinë, ku deklarimet pretenduese territoriale na jepen nga zemra e vendit nga Presidentë që ende nuk kanë kërkuar falje për dhjetëmijë të vrarë, ku Republika na tjetërsohet me simbole nacionaliste të atyre që na shkelën dymbëdhjetë vjet më parë, ku fusnotat pranohen lehtësisht mbi emrin kushtetues pa brengën më të ultë, ku referendumet dënohen por nuk ndalohen nga institucionet shtetërore thuajse të njëjtat janë organizata të të drejtave të njeriut e jo institucione të ruajtjes së rendit e integritetit territorial, ku dhimbshmëria për Serbinë bën sakrificën e të pasakrifikueshmes; ku statusi special bëhet një opsion ndërkombëtar; Kosova është vend ku jepet gjithçka e nuk merret asgjë. Katër vjet sakrificë mbi pavarësinë!
Kosova është vend ku ambasadorët na i quajnë përfaqësuesit e popullit si fëmijë të lazdruar e të paditur sa për të na treguar se s’na bëjnë hesap si shtet, ku na thonë se bën pa Republikë e pa reciprocitet ani pse të njëjtat nuk vlejnë për asnjë vend e shtet, ku Presidenti anonim zgjidhet me zarf si të jetë një lojë e kuponave shpërblyes, ku votohet 140% e ku dënimi i vjedhjes së votës është më i ulët se një tiketë trafiku, ku mocionet e drejta të Parlamentit merren si rekomandime e ku mocionet e jobarazisë bëhen obligative, ku ligjet përkthehen e votohen në paketë, ku shumica 90% shqiptare mbetet një minoritet në Parlament, ku qytetet marrin pushtet fetar, ku shërbimet partiake bëjnë institucionet e vëzhgojnë cdo qytetar. Katër vjet rrënim të demokracisë!
Në katër vite shtet stagnimet e regreset ekonomike kanë bërë përditshmërinë tonë. Katër vite më parë ne kishim 40% të papunë e 18% në varfëri, katër vite më pas jemi në po të njëjtin stad (UNDP). Njëqind eurot e katër viteve më parë sot bëjnë më pak se shtatëdhjetë si rezultat i një inflacioni të shkaktuar kryesisht nga politikat e gabuara fiskale e shpenzuese të parasë publike (Enti i Statistikave). Katër vite më parë ne kishim një deficit tregtar (diferencën mes eksportit dhe importit) jo më të madh se 1.5 miliardë, katër vite më pas ky deficit arrin në 2.2 miliardë (Doganat e Kosovës). Katër vite më parë ne qëndronim në vendin e 112 në rangimin e ambientit biznesor, katër vite më pas ne jemi në vendin e 119 (Banka Botërore). Katër vite më parë niveli i korrupsionit shënonte vendin e 110-të, katër vite më pas shënon të 112-in (Transparancy International). Katër vite më parë normat e interesit arrinin në mesatare 13.9%, katër vite më pas plot 14.6% (Banka Qendrore). Në katër vite të plota të gjithë treguesit makroekonomik kanë shënuar rëndesë; papunësia, varfëria, inflacioni, deficiti tregtar, ambienti biznesor, niveli i korrupsionit, kosto e kapitalit janë bërë më keq! Katër vjet ekonomi regresive.
Katër vite më parë e gjithë bota shihte me plot simpati shtetin më të ri, katër vjet më pas të njëjtit kanë plot neveri për krimin tonë, për korrupsionin tonë, për paaftësinë tonë për të dashtë shtet. Katër vjet më parë liderët botërorë vizitonin zyret e institucioneve tona për të shprehur admirim për aspiratat tona, katër vjet më pas të njëjtit vizitojnë korridoret e aeroporteve për të na thënë se jemi shumë larg. Katër vjet më parë dyert e institucioneve financiare ndërkombëtare u hapën për ne, katër vjet më pas me njërën nga to regresuam nga marrëdhëniet kontraktuale në monitoruese. Katër vjet më parë gazetat ndërkombëtare, ato që bëjnë tavolinat e çdo familje perëndimore, në ballinat e tyre mbanin simbolin Newborn (i porsalindur), katër vjet më pas mbajnë Thugocracy (banditokraci). Katër vjet më parë investitorë e donatorë me plot vullnet shihnin nga Kosova, katër vjet më pas të njëjtit dalin me deklarata se ikja e tyre nga këtu bëhet vetëm për shkak të korrupcionit. Të paktën katër vjet më parë institucionet mund të blinin Mercedes, katër vjet më pas i njëjti as nuk na shet! Katër vjet imazh tmerrues jashtë.
Kosova jonë vazhdon të jetë një shtet ku një ministër blenë veturë sa një mijë pensione, ku mëditjet e përfaqësuesve publik kalojnë rrogën mesatare mujore, ku humben 150 milionë euro e thuhet se është bërë progres, ku autostradat paguhen me çmime tre herë më të larta se të tregut e ku kontrata sa një e katërta e prodhimit vendor mbahet sekret, ku ndërmarrjet publike bëjnë punësimin e motrave, vëllezërve, grave e kushërinjve të politikanëve e ku fëmijët e tyre bëhen drejtorë departamentesh ministrore. Vetëm në Kosovë politikanët me punë publike bëhen milionerë, e prokuroria flenë kur secili nga anëtarët e familjes së tyre ka një biznes në emrin e vet. Vetëm në Kosovë hapen ministri për të akomoduar ndjekësit e karriges, e ndahen anëtarët e bordeve publike me marrëveshje koalicionesh. Vetëm në Kosovë një ndërmarrje publike zhvlerësohet dyfish për katër vjet (PTK), një tjetër amortizohet po aq në po kaq vjet (KEK). Vetëm në Kosovë dështimi i privatizimit të ndërmarrjes publike për shkak të korrupsionit vlerësohet si sukses! Katër vjet zhvlerësim e keqpërdorim i pasurisë e parasë publike.
Katër vite më parë ne kishim një shpresë disi më ndryshe, kishim një ëndërr për një tokë të falur nga Zoti, ruajtur nga të parët, trashëguar nga të tanët, e që na u njoh nga të huajt si e jona. Kishim shpresë se tani kur shteti u bë i yni paradokset e treguara nga stagnimi nëntë vjeçar do të merrnin fund, se motivi i shtetbërjes do të mundte neglizhencën e parazitizmin, se dashuria ndaj vendit, popullit e ardhmërisë do të prodhonte patriotizmin e nevojshëm për të mbytur egot korruptive që na kishin zënë frymën nëpër vite. Katër vite më parë ne kishim një ëndërr. Katër vite më pas ëndrra është e humbur. Ecjet tona vjetore duken ndonjëherë të parëndësishme, por kur të njëjtat bëhen bashkë atëherë njeriu kupton se ka humbur plot vjet në një ecje mbrapshtë. Lajmi i hidhur është se do të duhen edhe po aq vite për tu kthyer aty ku kemi qenë njëherë. Potencialet e paspavarësisë, vëmendja ndërkombëtare, ndërtimi i mirëfilltë i shtetit e mundësitë ekonomike nuk do të kthehen asnjëherë tek ne. Ne thjeshtë kemi humbur një kohë. Megjithatë, çfarë ne ende kemi, është shpresa dhe vullneti jonë për të krijuar një masë kritike e cila di ti thotë jo atyre që në zare e luajnë fatin tonë. Kosovë, urime ditëlindjen e katërt.
No comments:
Post a Comment