Friday, 25 November 2011

SHTETI I VOGËL, SHERRIN E MADH

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 25 NENTOR 2011


Tregimi për tregtinë e lirë, arkat fiskale e mëditjet qeveritare

Janë bërë pothuajse katër muaj që nga shkelja unilaterale e marrëveshjes së tregtisë së lirë nga ana e Maqedonisë. Mielli i destinuar në tregun maqedon nga një prodhues kosovar vazhdon të kthehet prapa. Pa as një paralajmërim, pa asnjë zhurmë, pa asnjë arsyetim, shteti maqedon me komfortin më të madh e brengën më të vogël na bëri një trajtim përbuzës: shkeli tinëzisht një marrëveshje ndërshtetërore. E bëri meqë në periudhën e ngritjes së prodhimit vendor të miellit, ndalesa e padrejtë e konkurrencës nga jashtë do të përmirësonte dukshëm kapacitetet e bizneseve të tyre. Në një vend normal, me institucione normale, me pak dinjitet ndaj shtetit e me më shumë vullnet ndaj biznesit, reagimi ynë do të kishte qenë i shpejtë, politikisht korrekt dhe në fund me output maestral. Ndoshta jo me shumë zhurmë, ndoshta pa vëmendje mediale, ndoshta pa spektakël mbledhjesh qeveritare por me një vendim një paragrafësh, me nja katër-pesë rreshta, do të duhej të vinte një masë reciprociteti; jo vetëm në miell por në të gjitha produktet maqedone. Ja bëjmë tregti të plotë e si duhet, ja hiq!  Në një vend anormal, me institucione anormale, shkelje e përbuzje të tilla u kaluan vetëm me paralajmërime. I sakatuam me paralajmërime sa që një ditë do të na marrin “seriozisht”. Ministria e Tregtisë e Industrisë paralajmëroj shtetin fqinj se do të marrë masa; kabineti qeveritar as që gjeti luksin e diskutimit të tillë.  

Maqedonia do të hapë kufijtë për miellin kosovar. Por kjo vetëm pasi kërkesa sezonale të ketë përfunduar, vetëm pasi kompanive eksportuese kosovare tu ketë bërë dëme të parikuperueshme, e vetëm pasi bizneset e tyre pas një vere pa konkurrencë do të kërkojnë shtyrjen me këto tonat. Alamet politike. E të tanët, në vend se ti mbrojnë eksportuesit ashtu kështu të pakët gjejnë kohë për paralajmërime. Ore të shkretë, po çfarë pune më të mençur kemi se ti mbrojmë të tanët? Çfarë mund të jetë më urgjente se sa reciprokimi me çdo shtet që guxon të mendoj të shkelë marrëveshjet tona. Po pse i paralajmërojmë kur nuk na paralajmëruan? Po të ishim ndonjë shtet i madh, me mekanizma të shumtë, ku fleksibiliteti i vendimeve bëhet i pamundur, ku duhet mbledhë Kongres e Senat me qindra anëtarë për të marrë një vendim reciprok, ndoshta dhe reagimet e vonuara në çështjet tregtare do të merrnin kohë. Por një shtet i vogël si ky i yni, ka arsyen më të pakët të reagojë me vonesë. Në fund të fundit nuk ka punë më të mençur se kjo. 

Deri sa tolerojmë çdo kënd të hunit e të konopit të na trajtojë me përbuzje, ndoshta dhe meritojmë. Pas Serbisë, Bosnjës e Maqedonisë nesër Mali i Zi e pse jo dhe Shqipëria do të bëjnë njëjtë. Mosaftësia jonë për të reaguar nuk bën lajm të ri. Ne njëjtë po sillemi qe sa muaj në relacion me Serbin. Madje themi se kemi reciprocitet ani pse targat, lejet, pasaportat e dokumentet biznesore (ama bash të gjitha përveç vulave doganore) na refuzohen në grup. Ne u kënaqëm sa festuam dhe e quajtëm festë pranimin e vulave doganore nga serbët, thuajse u liruam nga një ngarkesë që s’bartej dot. Madje kompelksuam dhe fjalorët e zinj të Oxfordit në definimin e fjalës reciprocitet duke i dhënë asaj një kuptim alla “qysh kem qejf”. Për nevojë të promovuesve të reciprociteti tregtar, tregtia nuk bëhet me vula doganore, po bëhet me automjete transporti (që kanë nevoje targa), me vozitës (që kanë nevojë për leje vozitje, leje identifikimi e pasaportë), e me dokumente përcjellëse (certifikata të origjinës, certifikata sanitare apo dokumente tjera fiskale). Tash, nëse asnjë nga këto dokumente nuk pranohet nga qeveria serbe, e të gjitha serbe pranohen nga ne, ku shohim reciprocitet?!

***

Sherri i madh i shtetit të vogël nuk mbaroj vetëm në relacionet tregtare. Sa për të mos mjaftuar mosmbrojtja e atyre për të cilët thirren se duhet mbrojtur, vendi po i jep dhe një goditje tjetër bizneseve brenda. Paralajmërimet se kostot e kontrollit teknik të arkave fiskale do të mbërrijë në hiç më pak se 200 euro, të bëjnë të mendosh për skajshmërinë e paskrupullt të trajtimit mizor ndaj të vetmëve që mund të na nxjerrin nga ky pus problemesh, bizneset. Nuk arrij të kuptoj ende se si një kontroll makine llogaritëse 25 centimerëshe bën dhjetë herë më shumë se një kontroll teknik i një veture?! Pavarësisht kësaj, ngarkesa financiare si këto jo vetëm se rrisin cimet e të gjitha produkteve në vend, por çdo biznes kosovar bëhet dukshëm më pak konkurrues se ai rajonal. Të njëjtit ashtu kështu janë në disavantazh me ngarkesat e shumta fiskale, me normat e larta të interesit, me mospagesën e obligimeve qeveritare për projektet enderore (ky fenomen i ri), me problemet e ngushtimit të bazës tatimore e me dënime te rrepta për hir të arkëtimit të paarsyeshëm të të hyrave buxhetore. Them i paarsyeshëm meqë Qeveria në vend se të zgjerojë bazën tatimore zgjeron barrën në bizneset ekzistuese duke i rënduar të njëjtit në pafundësi.

Kujtoni se vetëm 13 mijë nga 65 mijë biznese kosovare janë fiskalizuar deri më sot. Shumica prej tyre janë hallxhinjë që nuk kanë relacione me politikbërësit tanë. Zbatuesit e projektit as nuk guxuan tu afroheshin naftarëve të cilët sot përbëjnë bizneset me qarkullimin më të lartë në vend; e domosdoshmërisht me evazionin më të lartë fiskal. Është lufta ndaj informalitetit nevoja emergjente e këtij vendi e jo trajtimi mizor i paguesve të rregullt. Në një ambient të tillë ku trajtimi bëhet sipas tekeve, konkurrenca e padrejtë bëhet ferr i ambientit biznesor. Në një ambient të tillë janë bizneset jo-efiçente ato që mbijetojnë. Mbështetja e bizneseve jo-efiçente, pra domosdo me kualitet më të ulët, jo vetëm që na ofron paaftësi konkurruese në rajon por dhe na lë me një motor të prishur zhvillimor ku vlerat e shtuara të tyre nuk riinvestohen, por thjeshtë shpërlahen. Dhe mu këtu hyn në punë vërejtja e fundit e Raportit të Progresit se rritja ekonomike në vend nuk krijon vende të reja pune e zbutje të varfërisë; se krijimi i vlerës së re lokalizohet në biznese me mutacione në qëllime të ekzistencës. Qëllimi i bizneseve të trajtuara me favore nuk është rritja, as zgjerimi, as punësimi, por shfrytëzimi i shpejtë i kaosit tranzitor.

Bizneset kosovare kanë çdo arsye të refuzojnë pagesa të tilla enorme për hir të pasurimit të grupeve të caktuara interesash. Një refuzim grupor do të ngriste vëmendjen. Në anën tjetër, licencuesit e ofruesit të arkave fiskale duhet të liberalizojnë tregun në tansi. Me vetëm dy ndërmarrje që ofrojnë e servisojnë arka fiskale, anomali si këto vetëm se do të shtohen.
***
E nëse pyesni veten se ku shkojnë paratë e bizneseve kosovare, lexoni kostot e delegacionit kosovar në bisedime dhe mëditjet e tyre. Kryenegociatorja jo vetëm se kishte marrë një mëhallë njerëzish në bisedime, por të njëjtit, sipas ligjeve në fuqi, kishin lluksin e pagesave ditore sa paga mesatare mujore në vend; një ditë e zyrtarit sa një muaj e një kosovari mesatar – shtet se jo mahi! Ata nuk kanë se si të mos luten për zgjatje të vizitave të tilla në pafundësi.

Të marrësh mëditje sa paga mesatare në vend është fyerje e mundit të taksapaguesve, shpërdorim klasik i fuqisë së shtetit e përdhunim i nevojave sociale e zhvillimore. Praktikat e tilla hiper-shpenzuese kanë qenë në vazhdimësi; në fund e kanë të rregulluar me ligj. Pak nga kosovarët kanë kuptuar ndonjëherë se lluksi i të qenit zyrtar publik nuk qëndron në pagë, por në mëditjet që këta marrin sa herë që dalin jashtë Kosovës, madje edhe po shkuan në Tiranë e Shkup. Një qëndrim dy javor i një zyrtarit sjell dy-trefishin e pagës së tij. Po a nuk bën pjesë dhe udhëtimi zyrtar në përshkrimin e punës së tyre? Pse po u dashka të mbi-paguhen për punën që bëjnë? Paramendoni, dje, sot e edhe nesër, edhe zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Jashtme, të cilët marrin paga të rregullta mu për punë (pra dhe vizita) të jashtme (meqë këtë punë kanë) marrin mëditje shtesë në çdo udhëtim të tyre.

Mëditjet përbëjnë vetëm një kosto të keqpërdorimit të fuqisë publike. Këto as që krahasohen me kostot multimilionëshe të aferave korruptive e as me shpenzimet tjera 300 milionëshe në mallra e shërbime. Por të njëjtat janë shembulli më tipik se me sa pak mërzi hesapohen taksapaguesit kosovarë. E vërteta e vetme është se zyrtarët tanë i kushtojnë vendit shumë, madje përtej çdo standardi evropian. Paraja publike në Kosovë shfrytëzohet pa fije dhimbje; mu sikur të jetë e huaja. Një shtet i vogël me kaq shumë sherre nuk ka se si të mos prodhojë status-quo në punësim e rëndesë në varfërim. Përderisa marrim para prej bizneseve, të cilët në rastin më optimal do të krijon vende pune, dhe u japim këto para zyrtarëve për të shëtitë sa për të rritur mëditje, vozitë vetura luksoze çdo i dyti sa për të çrregulluar çdo komunikacion ku ata pretojnë të presin (madje dhe zyrtarët më bazik), për darka e dreka edhe familjare, për qera në objekte dhe më familjare;  ky vend i shkretë ka pak gjasa të jap një lajmë të mirë. E përderisa dhe ne s’kemi durim aty ku duhet, e kemi aty ku s’duhet, mirë na bëjnë. 

(Autori, Drejtor Ekzekutiv i Institutit Riinvest, është kolumnist i rregullt i Kohës Ditore. Qëndrimet janë personale)

No comments: