Friday, 18 November 2011

KUJDES ME VETERANËT


Letra nga limbo
KOHA DITORE, 18 NENTOR 2011

Janë mu rekomandimet e Fondit ato që mbrojnë interesat e veteranëve nëpërmjet parandalimit të zmadhimit të listave përfituese dhe me ketë ndarjes së tallit disproporcionalisht

Çarjet e para nga ngufatja financiare që i kemi bërë vetes me shpenzime të pakontrolluara veçse kanë filluar. Ngrirja e shpërndarjes së parasë në pak asfalt e jo më shumë po jep pritshëm defektet e para financiare. Kornizat e vëna buxhetore kanë ngurtësuar për tash e mot mundësinë për adresimin e nevojave më thelbësore të vendit. Përjashto shëndetësinë, arsimin, zhvillimin rajonal, sektorin privat apo dhe pensionet të cilat për së paku një gjysmë dekade nuk do të adresohen fare, korniza e paraparë buxhetore ka lënë në harresë edhe një varg problemesh e sfidash me rrezik të lartë të jostabilitetit social. Tashti, sa herë që Qeveria kupton se ka ‘harruar’ përfshirjen e ndonjërës prej këtyre sfidave, dyert e zgjidhjeve do të jenë të mbyllura. Me të njëjtin stil po trajtohet dhe çështja e veteranëve të luftës.
Letra e Fondit Monetar Ndërkombëtar e bërë publike nga java që shkoi, me rreshtat e saj të pakët por shumë domethënës, po i bie kambanave të alarmit. Në këtë letër Fondi bën të qartë se “revizionet në drejtim të ligjit për rregullimin e përfitimeve të kategorive të luftës janë të domosdoshme” dhe se “ato duhet vënë në vijë me zotimet e bëra nën letrën e qëllimeve të Programit Monitorues nga Stafi”. Pra janë dy elemente thelbësore në këtë konstatim: një, ligji ka nevojë për ndryshime dhe dy, këto ndryshime duhet të jenë në pajtueshmëri me një marrëveshje të pranuar paraprakisht nga dy palët.
Për të qartësuar qëndrimin e Fondit, kujtoni se në Korrik të këtij viti Qeveria jonë kishte akorduar po me FMN-ën përmbajtjen e Ligjit mbi Vlerat e Luftës. Si shpërblim për akomodomin të qëndrimeve të dyanshme, FMN kishte premtuar fillimisht monitorimin financiar në nivel stafi, dhe nëse hapat e Qeverisë do ishin të sigurta, pra nëse marrëveshjet si këto për veteranët (dhe për autostradë të Shkupit, dhe për paga, dhe për PTK) respektohen në plotni, atëherë në Korrik të 2012-ës do të nënshkruhej një program i ri përfitues financiar (i njëjtë me atë që një herë kishim humbur në fund të vitit 2010). Sipas akordimit në fjalë Kosova kishte jo më shumë se 12-13 mijë përfitues në emër të vlerave të luftës. Ligji megjithatë, para se të dërgohej për lexim të dytë në Parlament, kishte pësuar hiç më pak se 45 amandamentime; një masakër ndryshimesh. Ndryshimet e reja binin përfitues të rinj, kategori të reja, e me këtë dhe ngarkesë të re financiare. Ligji me ndryshime të reja kishte hapë dyer që veteran i luftës të thirret kushdo që vjen nga një regjion më i dalluar lufte. Thënë shkurt e shqip, me ligjin e amandamentuar Kosova mund ti kishte hiç më pak se 40.000 veteranë.
Tashti, dorën në zemër, sikur ky vend i shkretë ti kishte 40.000 kokë burrash në luftë jo më shumë se me nga një çekiç a kazmë në dorë, pale më me pushkë, kufirin verior do ta kishim diku në Hungari e Rumani, e jo në Ibër! Po aq burra as menduar për luftë nuk kanë e lëre më ta bëjnë atë. Pavarësisht kësaj, praktikat e ndërtimit të ligjeve pa analizë financiare, pra prurja e ligjit pa llogaritje të kostos së tij, janë anomali sado interesante aq dhe aventureske e me kosto tërësisht të paparashikuara; kështu nuk bëhet kanuni i mëhallës e lëre më një ligj për mbrojtjen e interesave të një shtrese të shkelur e stërshkelur. Vërejtjet e Fondit na kujtojnë edhe një herë se pse ky vend duhet të përkojë hap për hapi me rekomandimet e tyre, meqë sa herë që marrim një iniciativë më ndryshe bëjmë një sherr diku.
FMN nëpërmjet letrës i bën me dije vendimmarrësve tanë se për të aprovuar ligjin në fjalë fillimisht duhet të bëjë regjistrimin e përfituesve, pra duhet të dijë një herë e mirë sa luftëtarë Kosova ka pasur gjatë luftës së fundit. Më pas të njëjtit duhet hesapuar vlerën e mjeteve që vendi mund të ndajë për këtë kategori; e që sot, marrë restrikcionet financiare kjo vlerë nuk mund të jetë dhe aq impresive. Në fund, këtë vlerë të përgjithshme buxhetore duhet ndarë me numrin e përfituesve të evidentuar, për të përfunduar kështu me pensionin mesatar për një veteran. Por nëse Qeveria dërgon në Parlament ligjin që vë kornizat përfituese financiare, pra përcakton vlerën mujore të një veterani, vë dhe vijat gjenerale se kush mund të futet si veteran, pa ditur saktë se sa veteranë ka, atëherë e njëjta dërgesë jo vetëm se do na lërë pa marrëveshje me Fond po dhe pa fonde për veteranët e vërtetë.
Qeveria për herë të parë do të duhet të ndajë shapin prej sheqeri mu në oborr të saj. Këtë herë i gjendur para interesave të njerëzve që ai thirret se përfaqëson, pra krahun e luftës, kryeministri i vendit ka pak gjasa të vijë me ndonjë alternativë brilante. Madje për të janë dy: o të aprovojë Ligjin pa amendamentet e bëra dhe me këtë pa adresimin e kërkesave për të cilën veteranët mbajtën grevë disa javore, o të aprovojë atë me gjithë ndryshimet por me kosto shtesë. Në të parën ai prishë punë me veteranë; në të dytën me FMN. Deri sa prishja me veteranë do të thotë humbje e votave dhe me probabilitetin më të madh një sërë protestash e pakënaqësish në rrugë, prishja e dytë me Fondin do të thotë fund i përkrahjes ndërkombëtare për të. Deri sa me të parën kontrolli i zinxhirit të protestave do të bëhej i pamundur, me të dytën do të humbeshin edhe 92 milionë kredi të tjera. Në të dy rastet dëmet janë mbarësore.
Së pari, ne nuk mund e nuk duhet lënë veteranët tanë pa një përkrahje financiare; dhënia e një pensioni lëmoshë sot është më së paku çfarë ne mund të bëjmë për ta. Por, së dyti, ne nuk mund e as nuk duhet të shpërblejmë me paratë e taksapaguesve dostat e haverat e çdokujt që mendon se i takon krahut të luftës. Për më tepër, nëse ne sot ndërtojmë një ligj pa një përkufizim të qartë të përfituesve, atëherë ne i lëmë në dorë secilit vendimmarrës nesër të blejë vota me pensione të përjetshme sa herë që ka nevojë për to; e tëra çfarë duhet të bëjnë është shtypja e një librezë lufte. Prandaj është e udhës që në pajtueshmëri me regjistrat e luftës, në harmoni me një logjikë të shëndoshë, nën ombrellën e mundësive financiare, të bëhet një listë e saktë e përfituesve, pra veteranëve, dhe me këtë një shumë finale e kontributit buxhetor vjetor. Vetëm atëherë ne do mund të dimë koston reale të ligjit të ri dhe implikimet e tij në shpenzimet buxhetore.
Për të gjetur një mburojë, Qeveria do të arsyetojë vetën para luftëtarëve se është presioni nga Fondi Monetar ai që ndalon zemërgjerësinë e tyre. Veteranët një mbrojtje të tillë duhet ta marrin me plot rezervë. Janë mu rekomandimet e Fondit ato që mbrojnë interesat e veteranëve nëpërmjet parandalimit të zmadhimit të listave përfituese dhe me ketë ndarjes së tallit disproporcionalisht. Në çdo rast ndryshe, zmadhimi i listave humb dhe kuptimin e vet ligjit; të njëjtin e bën financiarisht të paimplementueshëm.




No comments: