Friday, 11 November 2011

PËRHAJR AUTOSTRADA

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 11.11.2011

Mbi 133 vjet sakrifice që nga vizionet rilindëse të Lidhjes, nuk mund e nuk duhet të vihen në peshore të njëjtë me paratë e një gjenerate. Kush jemi ne të mos sakrifikojmë? Megjithatë, do të ishte po aq naive pranimi i shablloneve destruktive nën ombrellën patriotike
Nesër do të përurohen kilometrat e parë të autostradës Vërmicë-Merdare. Do të renditen politikanë, deputetë, ministra, këshilltarë, vendorë e ndërkombëtarë, për të prerë shiritat e rrugës më të kushtueshme të ndërtuar ndonjëherë në Kosovë. Është paksa inferiore ideja se jemi të vetmit në Evropë që i gëzohemi asfaltit; madje batutat për një të moshuar që diku në Kosovë rreh asfaltin në pabesi se si nuk është shkrirë në diell, tashmë kanë zënë vend. Gëzimi për asfalt tregon nivelin e zhvillimit tonë. Paramendoni një lajm në Angli, Gjermani, Francë, ose Çeki, Hungari e Rumani, apo dhe në Kroaci e Slloveni ku përurimi i asfaltit bëhet festë. Festë u quajt prerja e shirit të 39 kilometrave të parë nga kryeministri jonë. Pavarësisht kësaj, simpatia e kosovarëve për rrugën e kombit do të jetë enorme. Ata që do të kalojnë nëpër të do të lumturojnë iniciatorët. Asfalti i ri, vijat e ndritshme, tabelat e bukura, shpejtësia e komforti në vozitje ,do bëjnë magji. Euforia e kosovarëve është e pritshme; kështu sillemi për pak ditë deri sa të na bëhet bajat. Them simpati meqë i gjithë projekti qëndron prapa petkut patriotik. Lidhja me Shqipërinë, dalja në det, kyçja në korridore ndërkombëtarë, ka qenë dhe është ëndrra ultime e shqiptarëve. Madje, për të akomoduar dhe ‘pacifistët’ kosovarë, kryeministri me mjeshtëri i dha rrugës emrin e  kundërshtarit të tij më të madh, presidentit të ndjerë, Dr. Rugovës.
Do të ishte paranojake, absurde e patetike kundërshtimi i një lidhshmërie kombëtare. Në patriotizëm fillon, zhvillohet e përfundon i gjithë argumenti rreth autosdradës miliardëshe. Mbi 133 vjet sakrifice nga vizionet rilindëse të Lidhjes, nuk mund e nuk duhet të vihen në peshore të njëjtë me paratë e një gjenerate. Kush jemi ne të mos sakrifikojmë? Megjithatë, do të ishte po aq naive pranimi i shablloneve destruktive nën ombrellën patriotike. Në fjalë të presidentit Regan, patriotizmi buron dhe në zërat që sfidojnë vet shtetin mu gjatë akteve patriotike. Thënë këtë, prapa patriotizmit të autostradës bashkëjeton shkelja më madhore e shpenzimit të parasë së taksapaguesit, rrezikshmëria e stabilitetit financiar, mos-transparenca, inferioriteti, mungesa e kreativitetit analitik, e disbalanci zhvillimor.
***
Thënë të drejtën, pjesën më të madhe të barrës patriotike e ka bartur në supet e veta kryeministri i tanishëm i Shqipërisë Berisha, si iniciator, dhe qytetarët e tij si financues. Ishte sakrifica e tij dhe qytetarëve të tij që zhbënë mundin 12 orësh nëpër malësinë shqiptare për të lidhë Kosovën me Shqipëri. Hapja e dy tuneleve 5 kilometërshe, rrafshimi i alpeve shqiptare, shtrimi i katër korsive deri në Vërmicë kishte bërë tanimë lidhjen. Kosova kontribuon shumë pak në këtë lidhshmëri. Në fund të fundit rrafshina kosovare ka qenë problem minimal krahasuar me pengesat gjigante përtej kufirit. Megjithatë, për të sforcuar lidhjen, për të mos quar mundin e shqiptarëve të Shqipërisë posht e kot, shqiptarët e Kosovës është dashtë të ofrojnë me po aq zell një rrugë të njëjtë. Rruga nuk bën dyshimin e as nevoja për të. Kostoja e saj, koha e ndërtimit e mundësitë e lëna anash bëjnë këtë dyshim.
Pak nga kosovarët do të kuptojnë se nën çdo kilometër të autostradës që kalojnë shtrihen 10 milionë euro të tyre. Po të ecin në këmbë i bie se në çdo hap që bëjnë (në çdo metër), Qeveria e tyre të ketë dhënë 10.000 euro. Pak nga kosovarët barazojnë bukurinë me paratë që paguajnë. Me një miliardë euro shpenzime nuk do të habitesha sikur 70 kilometra rrugë të ‘shtroheshin në dukat’. Patjetër se do të duket bukur e mirë, se asfalti do të jetë i drejtë, se tabelat do të ndriçojnë; për atë hatër janë plot një miliardë euro! Një llogaritje krahasuese me vendet e rajonit të bën të kuptosh se vendi po paguan për një rrugë pa tunele, pa ura e vetëm asfalt, dyfishin e kostove në rajon, katërfishin e asaj evropiane. Mungesa e vullnetit për të publikuar kontratën nën arsye banale të interesave biznesore (praktikë kjo e panjohur në Evropë) shtojnë dyshimet për mbi-vlerësimin e kostove reale. Kontrata e rrjedhur nga Qeveria dhe e publikuar nga Vetëvendosja, tregon për çmime enorme, për favorizime të pakuptueshme kompanisë punëkryese dhe pa fije kufizimi financiar në të. Për më tepër, mungesa e kompanisë vlerësuese për pothuajse dy vite ka lënë punëkryerësin të bëjë ama bash çfarë të dojë. Një vend që renditet i 110-ti në rangimin për korrupsion, ku gjithçka publike përdhunohet, ku pasurimi i politikanëve ka rritje eksponenciale, ofron të gjitha mundësitë për dyshime korruptive në një projekt kaq madhor. Madje, për mendimin tim, janë mu këto afera korruptive që bëjnë koston e udhës së kombit kaq të pakuptueshme dhe kontratën e nënshkruar kaq sekrete. Një qeverisje me më pak korrupsion do të nxirrte domosdo çmime më të favorshme e nxjerrja e çmimeve më të favorshme do të fascilitonte publikimin e kontratës e jo fshehjen e saj. Kontrata nuk fshihet se ka sekrete biznesore; fshihet se ka çmime të pakuptueshme.
Edhe më e rëndë bëhet pajtueshmëria në shabllon kur e gjithë aventura niset pa fije analize kost-benefit. Analiza e vetme e bërë publikë është për nja 3000-3500 të punësuar për tre vite dhe për disa speca të Krushës që shkurtojnë rrugën për 40 minuta. Personalisht do të isha shumë restriktiv sikur ti shpenzoja 1000 euro me kaq pa-planifikim, e lëre më 1 miliardë. Qeveria nuk ka arritur asnjëherë të llogarisë koston oportune të një euro të investuar në autostradë përballë alternativave në ndërtimin e rrugëve rajonale. Madje, sa herë që ka synuar të analizojë atë e ka bërë përballë alternativës së mospasjes së saj: a më mirë me të a pa të? Analiza të tilla të të paditurish bëhen sa për sy e faqe; gjithsesi më mirë me të se pa të. Projektet nuk krahasohen kundrejt të thatës, por me reflektime në para të dhëna përballë mundësive alternative, çmimin e ulët më të mundshëm përballë kualitetit më të lartë, si dhe me potencialin e një vendi për të bërë diçka.
***
Pak nga kosovarët do të kuptojnë se përveç  mosinvestimeve në çdo projekt tjetër kapital të mundshëm (vetëm 9 milion rrugë të reja deri në 2014), ata duhet të shesin për nguti e borxh asetet e tyre, duke filluar nga PTK-ja. Edhe më pak kuptojnë se menjëherë pas përfundimit të kësaj autostrade do të fillojë e reja për Shkup me kosto po aq sa kjo; pra dhe 6 vjet të tjera pa rrugë rajonale; pa rrugë për Pejë, pa rrugë për Mitrovicë, pa rrugë për Gjilan. Edhe më i dhimbshëm bëhet fakti se Kosova po përfundon rrugët e veta pa shfrytëzimin e asnjë centi nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Serbia, Maqedonia, Mali i Zi, Kroacia e Sllovenia kanë ndërtuar qindra kilometra rrugë me para të kësaj banke zhvillimore. Mungesa e kreativitetit tonë ka limituar alternativat financuese duke u mbështetur vetëm në taksat e kosovarëve. Për çfarë e gjithë kjo nguti?! Autostrada e kombit me një planifikim e analizë më të mirë ka mund të ndërtohet edhe pa shitjen e domosdoshme e për nguti të PTK-së, pa kufizime në rrugë rajonale e pa rrezik në stabilitetin financiar; sikur të kishim vetëm më tepër kreativitet në shfrytëzimin e fondeve financuese. Ngutja nuk vjen nga patriotizmi i atyre që rrënojnë në vazhdimësi pronën e pasurinë publike. Ngutja vjen nga apetitet korruptive për të marrë sa më shumë gjatë kohës së janë në pushtet.
Kryeministri i vendit do të lexojë nesër fjalime ku i fton ‘kundërshtarët’, ‘zhurmuesit’ e ‘apatriotët’ të vizitojnë udhën për të parë mrekullinë e Zotit vet. Fjalimet do të jenë kopje të kryeministrit Berisha, ashtu siç kanë qenë deri më tani. Ky i yni po bën një imitim paksa të dobët meqë i mungon karizma dhe simpatia që barten me fjalët e Berishës. Çfarë është më patriotike: mos-keqpërdorimi apo krijimi i idhjeve nacionale? A mund të bëhen të dyja? Kosovarët kanë shumë vend për të treguar patriotizëm. Patriotizëm është edhe lufta ndaj korrupsionit, edhe mosvjedhja e shtetit, edhe puna, edhe kërkesa për transparencë, analizë e llogaridhënie kur shpenzohen një miliardë euro.  Avazet e rrugëve nacionale pa të drejtë pyetje e kritike nuk janë avaze patriotike, janë thjeshtë ombrella kamufluese. Në fund fare, me gjithë të mirat e gjithë të këqijat, Kosova më në fund po lidhet me Shqipëri. Ani pse me kurriz të thyer, ani pse pa punë, ani pse pa vizion, përhajr ju qoftë autostrada.

No comments: