Letra nga limbo
KOHA DITORE, 4 NENTOR 2011
Të numërosh defektet e planifikimit financiar të Kosovës do të duhen javë e muaj. Ato përbëjnë një mal problemesh e një fushë të mbjellë me barrë e borxhe për gjenerata të tëra
“I krehur e kurdisur mirë, Ministri i Financave pas konsultimeve të shpeshta me biznese, partnerë e shoqëri civile, komform planeve zhvillimore e kornizave financiare, në përputhje me nevojat ekonomike e sociale të vendit, prezantoi më në fund buxhetin e shumëpritur, atë të rritjes e zhvillimit ekonomik.” Rreshta si këto do ti shkruaj mesiguri mbas nja njëzet viteve. E vërteta e hidhur është se përveç krehjes e kurdisjes as edhe një fakt tjetër nuk bëhet më i pavërtetë. Buxheti, siç është bërë praktikë tanimë, nuk u ndërtua me ndonjë konsultë jashtë ofiçinave partiake, nuk u përputh me as edhe një plan të vetëm, e hiq se hiq nuk adresoj ndonjë nevojë zhvillimore. Buxheti i Republikës së Kosovës dha fakte trishtuese mbi ecjen tonë, rrënimin ekonomik e financiar të vendit. I njëjti tregoj për padëgjueshmërinë e turpshme të vendimmarrësve tanë ndaj vërejtjeve ndërkombëtare e vendore. Kjo kryeneçësi tipike e një të padituri në fund do të rrënojë gjithçka që kemi shpresuar ndonjëherë të ndërtojmë; do të shpëtojnë vetëm këta politikanë që tanimë me paratë e më të varfërve të Evropës kanë blerë biletën e ikjes.
Të numërosh defektet e planifikimit financiar të Kosovës do të duhen javë e muaj. Ato përbëjnë një mal problemesh e një fushë të mbjellë me barrë e borxhe për gjenerata të tëra. Buxheti i vitit 2012, me gjithë planifikimet për dy vitet e ardhshme, tregon për fillimin e një epoke të re për kosovarët, atë të futjes në borxhe; dhe kjo vetëm pasi të kemi shterë bilancin bankar e të kemi shitur gjithë asetet publike në kohën më të papërshtatshme të mundshme. Ai tregon gjithashtu se nuk kemi aftësi planifikuese madje si asnjëherë më parë kemi devijim enorm në planifikim, dhe për më tepër çdo politikë financiare vihet mbi çfarëdo planifikimi paraprak madje të bërë hiç më larg se katër-pesë muaj më parë.
Dështimi i 2011-ës
Le të fillojmë nga e para, mungesës së aftësisë planifikuese. Me buxhetin e vitit 2012, Qeveria e Kosovës për herë të parë pranon mosmarrjen e asistencës financiare nga FMN dhe Banka Botërore si dhe ndihmën e Komisionit Evropian. Në buxhetin e vitit 2011 Qeveria kishte planifikuar të pranojë 50 milionë donacione nga BE-ja dhe 94 milionë kredi të buta nga FMN dhe Banka Botërore. Ajo kishte planifikuar gjithashtu dhe 20 milion të tjera donacione nga Banka Botërore. Me pasqyrat e prezantuara për vitin 2012, rreshtat e të hyrave të realizuara nga këto kategori (përveç 20 milionëve të BB-së) shënojnë vlerë zero. Madje, në Ligjin për Buxhet të 2011, dhe Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve për 2012-2014, Kosova planifikonte të merrte dhe 50 milionë të tjera nga Komisioni Evropian në vitin 2012. Në buxhetin e ri ato nuk figurojnë askund. Kreditë e buta dhe donacionet, ashtu siç kishim argumentuar në vazhdimësi, u humbën për shkak të mosmarrëveshjes me FMN. Thënë këtë, Kosova ka humbur plot 137 milionë euro për vitin 2011 dhe 50 milionë të tjera për vitin 2012; ajo ka arritur me mrekulli të rikuperojë vetëm 20 milionët e Bankës Botërore.
Mungesa e aftësisë planifikuese vazhdon dhe në rastin e privatizimit të PTK-së, të hyrat e së cilës nuk u realizuan asnjëherë. Ato 300 milionët natyrshëm figurojnë si zero për vitin 2011, duke quar kështu mossaktësinë në plot 447 milionë euro vetëm për vitin 2011. Pra, rreth 30% e të hyrave të planifikuara nuk do të realizohen në këtë vit. Ky numër është rekord në parashikimet financiare të vendit. Ne nëpër vite kemi humbur sensin e planifikimit në vazhdimësi por, çdo keqpërputhje nuk ka kaluar asnjëherë përmasën njëshifrore.
Dhe mu mbi këtë bazë viheshin argumentet tona refuzuese për buxhetin e vitit 2011. Të hyrat për mbulimin e deficitit buxhetor nuk ishin asnjëherë të sigurta. Në rast të mosrealizimit (siç ndodhi tani) ato do të lindnin nevojën e shfrytëzimit të bilancit bankar apo parasë së grumbulluar nëpër vite. Kjo para në fillimvit nuk ishte më e madhe se 224 milionë euro. Realisht, në një skenar të tillë, Kosova do të përfundonte vitin me jo më shumë se 20 milionë euro, një rekord i ulët i likuiditetit dhe pasigurisë financiare. Parashikimet qeveritare planifikojnë që me 31 Dhjetor të këtij viti, Kosova në rastin më optimist të ketë 100 milionë euro në bilancin bankar. Ministri i Financave me plot zell u mundua ta paraqesë këtë si fitore epike të Qeverisë së tij, ani pse ja kishte ‘huqur’ për 447 milionë; analizat e paralajmërimet tona sipas ministrit kishin “dështuar”. Por si u bë që të ja ‘huqim’ parashikimeve për 80 milionë? Nuk ja kemi ‘huqur’ fare. Qeveria kur kuptoi se nuk ka para në fund vit vendosi të bëjë shkurtimet më të fshehta të mundshme. Shkurtimet u bënë pa shumë zë, pa shumë vëmendje dhe pa shumë diskutim. Po të merrni pasqyrat e buxhetit 2011 në fillimvit dhe ti krahasoni ato me ato të sodit e kuptoni burimin e shkurtimeve financiare. Qeveria ka zvogëluar kredinë e planifikuar për KEK-un për hiç më pak se 15 milionë euro. KEK-u i gjendur në shërbim të plotë të Qeverisë as nuk bëri zë për shkurtimin e 30% të buxhetit të planifikuar (gjithsej 45 milionë). Nëse pyesni vetën se pse këto ditë nuk kemi rrymë dhe se pse papritmas na u kthyen vitet e pasluftës, përgjigja është në projekt-buxhetin e këtij viti; KEK-u nuk ka para për të blerë rrymë. Ato nuk ju dhanë asnjëherë nga Qeveria. Shkurtimi i dytë, dhe më i madh, u bë në investimet kapitale. Në fillimvit ishin planifikuar të bëhen plot 572 milionë euro investime kapitale, në fundvit janë bërë vetëm 535 milionë; pra një diferencë prej 37 milionëve. Edhe një herë, për të arritur ato 100 milionë në fund të vitit, Qeveria ndërpreu një sërë investimesh kapitale në rrugë e infrastrukturë.
Thënë të drejtën vendimmarrësit tanë kanë mundur të kursejnë plot 1.4 miliardët e buxhetit sikur të mos jepnin paga, bënin investime a kryenin obligime të tjera financiare ndaj bizneseve private e publike. Por ja që kostoja e veprimeve të tilla është shumëfish më e lartë. Humbjet nga mungesa e energjisë elektrike (për biznese dhe familje) janë shumëfish më enorme se sa dhënia e 15 milionëve kredi. Mosndërtimi i rrugëve regjionale dhe rrugëve të reja bëhet dhe më paradoksal marrë parasysh nevojën për infrastrukturë dhe zhvillim regjional. Koncentrimi i gjithë investimeve kapitale në vetëm një asfalt në autostradë të kombit është tek i panevojshëm. Edhe më i dëmshëm bëhet vonimi i pagesave për bizneset. Asociacionet dhe odat e bizneseve në Kosovë kanë ngritur së fundi një alarm të ri. Qeveria e Kosovës, njëri ndër punëdhënësit më të mëdhenj në vend, nuk po i paguan borxhet ndaj tyre. Për bizneset e rënduara në likuiditet financiar kjo do të thotë futje në borxhe të reja (kredi bankare) apo në rastin më ekstrem dhe mbyllje e tyre. Edhe më i rëndë bëhet haraçi tatimor apo detyrimi tashmë i zakonshëm për të parapaguar tatimet. Të gjitha këto rëndesa kanë në fund një rezultat. Ky rezultat mban emrin e rritjes së papunësisë, mbylljes së bizneseve dhe së fundi rritjes së çmimeve (gati dy herë më shumë se sa në rajon). Prandaj mosshpërndarja e mjeteve financiare nga buxheti i Kosovës nuk është kursim por burim i kostove më pak të vërejtëshme por gjithsesi më të larta dhe domosdo më gjithëpërfshirëse.
Mirë se vini borxhe
Njëjtë sikur në vitin paraprak, viti 2012 planifikon gjenerim të shpenzimeve përtej kapaciteteve të të hyrave. Kjo ecje është vazhdimësi e trendeve shpenzuese përtej kapaciteteve gjeneruese të nisura nga Qeveria Thaçi 1. Për më pak se katër vite, Kosova ka kaluar nga një suficit prej 7.2 (në relacion me GDP) në deficit prej mbi 3.5%. Thënë shkurt, Qeveria e kryeministrit Thaçi gjatë mandatit të kaluar dhe deri në përfundim të mandatit të tanishëm do të ketë një bilanc trishtues financiar. Kur kryeministri Thaçi ka marrë pushtetin, arka e shtetit kishte 407 milionë euro të kursyera nga Qeveritë paraprake (nuk arsyetohet këtu mosaftësia e tyre për ti shpenzuar paratë në kohë të nevojave enorme për vendin). Sipas planifikimeve buxhetore, në fund të mandatit të kryeministrit, Qeveria do ti ketë shpenzuar gjithë 407 milionët e mbledhur, do ti ketë shitur gjithë ndërmarrjet publike, dhe do ta ketë futur vendin në një borxh prej plot 400 milionë eurove shtesë; dhe gjithë kjo nën supozimin e fortë se do të marrim ndihma financiare nga FMN. Me fjalë tjera, Qeveria Thaçi 1 dhe 2 do të shpenzojë plot 800 milionë euro më shumë se sa ka gjeruar të hyra, plus do të lë obligime afatgjate meqë mbulimi i obligimeve të tanishme bëhet me të hyra të njëhershme. Dhe mu këtu fillon e mbaron kritika ndaj një stili të tillë financiar. Nuk kontestohet asnjëherë nevoja për shpenzime, sidomos kur Kosova ka pafundësi në kërkesa. Por çdo shpenzim duhet të bazohet në gjenerim. Çdo gjenerim duhet të bazohet jo në rritje të tatimeve, jo në rritje të borxheve, asesi në shitje të aseteve publike, por vetëm dhe vetëm në performancë më të mirë të ekonomisë. Një përmirësim i tillë do të rriste dhe të hyrat tatimore por dhe aftësinë tonë për të marrë borxhe që mund ta kthejmë. Me performancën e tanishme, ne mund vetëm të marrim borxhe por asesi ti kthejmë ato.
Dhe mu gjenerimi i borxheve bën risinë në gjithë këtë fotografi. Hiq kreditë e buta prej 100 milionëve nga FMN dhe Banka Botërore, Kosova do të fillojë për herë të parë epokën e borxhit të brendshëm. Për këtë garant i del Trusti i famshëm pensional. Me planifikimet e reja buxhetore, Kosova do të marrë borxh të brendshëm nga Trusti dhe burimet tjera financuese plot 300 milionë euro. Këto nuk janë para që falen, nuk janë kredi të buta, por para që duhet kthyer Qeveria e parë pas kësaj të tanishme. Futja e borxheve të brendshme është faza e parë e destruktivitetit financiar. Më pas do të fillojnë ato të jashtme (me norma interesi enorme), paratë e privatizimit, e fondet tjera të kreditore për ndërmarrjet publike; dhe e gjithë kjo për të ndërtuar dy asfalte, një për Vërmicë një për Shkup. Do të hamë asfalt në 2014.
Relacioni me FMN
Janë dy pika esenciale që shënojnë relacionin e ri me Fondin (shih pikën 15 të Deklaratës Përmbyllëse). E para ka të bëjë me bilancin bankar që duhet të jetë jo më i ulët se 300 milionë. Me të drejtë dikush mund të pyes se pse Kosova këtë vit megjithatë do të ketë 100 milionë në bilanc bankar e jo 300 siç kërkohet nga Fondi. Ata që njohin praktiktat e financave ndërkombëtare e dinë se kriteret e performancës (në këtë rast bilanci bankar) mund të mosplotësohen ndonjëherë. Në raste të tilla vendi anëtar (në këtë rast Kosova) kërkon një “waiver”, apo një shtytje të obligimit përmbushës për një periudhë të kufizuar kohore, jo më shumë se një vit. Kosova këtë vit ka kërkuar një “waiver” me premtimin se në fund të vitit bilanci do ti ketë gjithsesi 300 milionë; pra thënë shkurt, Kosova ka blerë kohë.
Për të realizuar këtë objektiv, vendi duhet të shesë domosdo PTK-në gjatë vitit 2012. Dhe këtu prapë futemi në tregimin e njëjtë se vendi duhet të shesë për borxh e për nguti dhe se një shitje e tillë domosdo humb vlerën e asetit publik. Përveç kësaj, shitja e PTK-së mbetet e pasigurt për të njëjtat arsyet e këtij viti. Me sa seriozitet kemi dëgjuar qeveritarët tanë të shprehin bindjen e tyre se privatizimi do të ndodhë gjithsesi; për të kuptuar në fund sa shumë kanë gabuar. Me aq seriozitet do ti dëgjojmë dhe këtë vit. Për më tepër, është indijuese fakti i tendencës për klandestim të shitjes së PTK-së. Ligji për Buxhet 2012 nuk përmend askund shitjen e asetit. Qeveria shpreson të llogarisë në votimin e parlamentit të vitit të kaluar. Mos të harrojmë se vitin e kaluar Parlamenti ka votuar shitjen e PTK-së vetëm për vitin 2011, prandaj llogaritja e shitjes së saj në vitin 2012 kërkon një procedurë të re votimi. Heqja e nenit që shpjegon privatizimin e PTK-së është bërë në mënyrë dinake por maestrale (për së mbrapshti) nga Qeveria.
Mbështetja financiare nga Fondi çalon dukshëm edhe në kohën e arritjes së ndihmave. Nuk ka gjasë teorike që 92 milionët e planifikuar të arrijnë të tëra gjatë vitit 2012. Kujtoni se inspektimi i parë do të bëhet në Nëntor të këtij viti, për të matur seriozitetin e financave të Kosovës. Fondi ka ende rezerva se Qeveria mund të realizojë numrat e paraqitur për këtë vit prandaj pret fundin e vitit. Në skenarin më optimist vizita e dytë do të bëhet në Mars ndërkaq aprovimi i ndihmës në Korrik. Thënë këtë, vetëm në gjysmëvit do të mund të vijë kësti i parë nga Fondi. Në fund të vitit 2012, Kosova në rastin më optimist, do të marrë vetëm gjysmën e 92 milionëshit të planifikuar. Themi optimist meqë ka një thes kërkesash që Qeveria duhet ti përmbushë para se të nënshkruajë ndonjë marrëveshje formale me FMN.
Diskutim koti
Në fund fare, argumentet e mësipërme japin qartazi fotografinë e njëjtë të vitit të kaluar. Edhe këtë vit, njëjtë sikur në vitin e kaluar, ne planifikojmë të mbështetemi tërësisht në të hyra të paqëndrueshme. Këto të hyra përbëjnë marrëveshjen e re me FMN, shitjen e PTK-së dhe së fundi, borxhin e brendshëm nga Trusti Pensional. Vitin e kaluar të gjitha burimet e njëhershme dështuan. Shpreh bindjen e fortë se në 2012 do të kemi replikim të praktikës së fundit; vetëm se këtë herë, nuk ka më rezerve buxhetore për të na nxjerrë nga lloçi. Edhe më i rëndë bëhet pranimi i faktit se ne nuk mërzitemi për planifikime e strategji. Jo vetëm se humbim në numra sa një e treta e të hyrave, por Projekt-Buxheti i 2012-ës është në kundërshti të plotë me Kornizën Afatmesme që e kemi aprovuar hiç më larg se 5 muaj më parë. I njëjti është në kundërshtim edhe me strategjinë e famshme të Banskos të hartuar poashtu 5-6 muaj më parë. Derisa në Bullgari planifikuam rritje ekonomike prej 8-10%, në Prishtinë themi se Kosova deri në 2014-ën do të ketë rritje jo më të madhe se 5%. Pra, parashikimi i Qeverisë është se Kosova do të ketë rritje ekonomike prej 5 ose 6 ose 7 ose 8 ose 9 ose 10%. Alamet parashikimi; futja kot.
Nuk besoj se Parlamenti i vendit do të ketë forcë e fuqi të kthej prapa këtë buxhet hajmedet. Do ta votojnë njëjtë sikur herën e fundit prandaj diskutimet si këto bëhen kot së koti. Për më tepër, Qeveria e vendit nuk do të impresionohet as me këta numra borxhesh, do të kërkojë dhe më shumë. Sapo ka filluar të sprehë shpatën për fondin e privatizimit dhe borxheve të reja për autostradën e Shkupit. Kur të përfundojë mandat, ajo do të na lë me borxhe, pa asete, me deficite e pa mbulesë. Do të na lë me plot asfalt por me numra të njëjtë të papunësisë e varfërisë. Në fund të fundit ato nuk ndërrojnë asnjëherë.
No comments:
Post a Comment