Friday, 26 August 2011

KOKTEJ SKANDALESH

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 26 GUSHT 2011

Tregimi për ndotjen toksike, pastrimin historik e pasurimin e shpejtë publik

Nuk besoj të ketë pasur ndonjëherë periudhë kohore kur vendi mbijeton në vazhdimësi nga një skandal në tjetrin. Është e çuditshme se si prodhojmë kaq shumë defekte për potencialin tonë të ulët. Po të kishte një matje të relacionit skandal për madhësi vendi, bindshëm do i prinim rangimit. Në më pak se dhjetë ditë, tre lajme më morën vëmendjen. Në këto tre lajme nuk bënin pjesë emërimet e fundit joprofesionale të zëvendësministrave (sa për të devalvuar komplet pozitën e zëvendësiministrit), as deklarimet e nguta se gjoja pas reciprocitetit tanimë vendi është në lulëzim ekonomik, e as pushimet e stërzgjatura të politikëbërësve kur vendi ishte nën zullumin terrorist.
Në vend të këtyre, unë zgjedh tre skandale, për mendimin tim dhe më të rënda. I pari shprehte shqetësimin e ndotjes më alarmante në Evropë nga Ferronikeli; i dyti mbi kërkesën (dhe pranimin) absurd për pastrim, rishikim e ndryshim të historisë; derisa i fundit mbi pasanikët tanë të PTK-së, të cilët përkundër rënies në fitime vazhdojnë me komfortin më të mirë të rrisin beneficionet personale. Derisa disa nga lajmet morën bujë, të tjerat mbetën nën hije. E përbashkëta e këtyre lajmeve është se ato thjeshtë përbëjnë një koktej skandalesh që nuk janë asgjë tjetër veçse zëvendësues të koktejeve të mëparshme, e paralajmëruese të atyre në të ardhmen; fundja kjo është ecja jonë.
***
Ditë më parë, Koha Ditore botoj dy pjesët e një shkrimi hulumtues të gazetarit izraelit Uri Blau “Vrima e zezë izraelite në Kosovë”, shkrim i botuar fillimisht në Izrael. Pjesët paraqisnin fakte sa trishtuese aq dhe alarmante mbi nivelin e helmimeve toksike që fabrika e Ferronikelit lëshonte në Kosovë. Ajo çfarë quhej nga Blau “katastrofë ambientale” shpërbëhej në tregues neglizhence, injorimi e mbylljeje nga një investitor i huaj. Jo vetëm se indikatorët helmues arrinin katërfishin e kufijve të lejuar, se mbetjet e rënda toksike nuk futeshin nën dhe (siç kërkohej me ligj), se investitori nuk kishte tymtarë me filtra, por se uji i kontaminuar e i konsumuar nga banorët e Drenasit domosdo shkaktonte sëmundje kanceri, probleme fertiliteti, pengesa në frymëmarrje e sëmundje të tjera; thënë shkurt, sipas Blau, kjo fabrikë po i dërgonte drenasit drejt e në vdekje.
Në çdo vend normal, me pak dinjitet e kujdes, një lajm i tillë do të dridhte ministri, qeveri e parlamente; media e shoqëri civile; të rinj e të vjetër; e në fund vet banorët e shkretë të Drenasit. Në vendin tim pa kurrfarë kujdesi e hiç ma shumë dinjitet, me banorë të lënë jetim e ministri në pushim (më shumë se në punë), lajmi përveç se mbuloj faqet e Kohës u kalua pa brengën më të vogël. As edhe një diskutim, brengë apo zë nuk u bë, shfaq apo ngrit. Banorët e Drenasit vazhduan të flenë të qetë, e të tjerët besoj se as që janë lodhur të mësojnë më shumë. Sikur me qëllim po pa dije, shkrimi më shqetësues në kohët e fundit u harrua.
Ata djemtë e Ministrisë së Ambientit, ministri e zëvendësministri, as që e panë të udhës të japin një fije mendje mbi këtë punë. Në vend të saj, me heshtje si kjo, na dhanë çdo arsye të mundshme mbi nevojën e mbylljes së Ministrisë më palidhje, më pasive e më parelevante në vend; të pavyeshëm në skajshmëri. Ministria e Tregtisë dhe Industrisë në anën tjetër, përgjegjëse për licencimin e Ferronikelit, as që mori rrugë e mund për të verifikuar thëniet e gazetarit; kanë punë më të mençur se sa helmimi i kosovarëve. Ndërkaq, Ministria e Zhvillimit Ekonomik, si gjithnjë, as që ka ide se çfarë po ngjanë. Thënë shkurt, një Qeveri e tërë as që u mërzit për shkeljen më flagrante në gjithë Evropën.
Nuk besoj se do mund gjetja e zgjidhjes. Një seriozitet dhe përgjegjësi humane e të zgjedhurve tanë do të shmangte çfarëdo dyshimi mbi pasojat e një investimi alla mesjetar. Investimet dhe investitorët e jashtëm janë esencial për Kosovën. Vendi ynë nuk ka dhe nuk do të ketë asnjëherë kapital të mjaftueshëm vetanak të gjenerojë zhvillim. Por, çdo prurje, çdo investim e çdo punë e bërë në Kosovë nuk duhet të ketë eksternalitete që në rastin më bazik cenojnë jetën dhe kualitetin e jetesës së kosovarëve. Është absurde, është e papranueshme është e turpshme toleranca në këtë drejtim. Për mendimin tim, ka dy shpjegime prapa komfortit tonë: o kemi institucione totalisht të papërgjegjshme, o dikush diku ka mbushë xhepat plot për të mbyllë sytë. Në të dy rastet heshtja është krim dhe meriton trajtim të tillë.

***
Skandali i dytë shpërtheu me vizitën e  ministrit turk të arsimit i cili fillimisht kërkoj “korrigjim” e më pas “pastrim” të historisë tonë. Sipas ministrit turk, historia jonë na qenka me defekte dhe e pasaktë. Reagimet plotësisht legjitime të kosovarëve u morën më tepër me kërkesën e ministrit. Thënë të drejtën nuk më habitë shumë tendenca turke; në fund të fundit a nuk është puna e tyre që të përmirësohet imazhi turk?! Them se e tmerrshme e brengosëse është deklarimi e tendenca e ministrit tonë të arsimit, i cili jo vetëm që afirmoj e pranoj një kërkesë të tillë, por se me zellin më të madh na tha se ndryshimet tanimë janë bërë. Sa për të mos mjaftuar kjo, çdo kundërshtues vendor u quajt si zhurmues (fjalor ky tipik i Qeverisë së tanishme – të gjithë e kopjojnë shefin).
Flaka Surroi, në shkrimin e kësaj jave, argumentoj me plot arsyeshmëri se çdo ndryshim, për shtim apo për heqje (nëse duhet bërë) të fragmenteve historike, duhet të fillojë nga vet turqit si dhe të vendoset mbi parimet e fakteve e hulumtimeve të thella, si ato të Malcolm-it e jo me deklarata politike e “vëllazërore” të ministrave. Besoj se historia, si çdo shkencë tjetër, ndërton shtyllat e saja në hulumtime të bazuara shkencore, fakte e prova të argumentuara, e që në relacionin tonë me Turqinë thënë të drejtën dëshmojnë mu të kundërtën – është Turqia ajo që duhet të korrigjojë historinë e saj në relacion me shqiptarët. Çdo nguti e politikëbërësve tanë tregon amatorizëm tipik dhe nënshtrim të pakuptimtë ndaj çdokujt që nuk është i yni.
Mbi të gjitha, kam përshtypjen se komforti i ministrit turk për të shtruar kërkesa absurde buron nga hiperprezenca turke në Kosovë, e cila për së keqi u drejtua nga vizionet politike tona. Kujtoni prezencën turke në aeroport, në shpenzimet qeveritare miliardëshe (autostrada e tanishme për Shqipëri, e sipas të gjitha gjasave dhe kjo e ardhmja për Shkup), në edukim, sistem bankar, tregti, potencialisht në energjetikë, e pse jo në një të ardhme edhe në sferën ushtarake (paralajmërimet e kalimit të kampit Bondsteel-it nën ushtrinë turke). Filozofia politike kosovare është duke fryrë  në plotni drejt Ankarasë, përkundër nevojës tonë ultime për udhëtim perëndimor.
***
Skandali i fundit u dha me raportin financiar të PTK-së, nga ku njeriu gjen njëmijë e një arsye për averzion ndaj pronës publike dhe përdhunimit të saj nga militantë partiak. Paramendoni një ndërmarrje që përkundër rënies në fitime, në vlerë e efiçencë vendos të shpërblej menaxhuesit e saj me bonuse enorme (përmbi pagave po ashtu enorme). Për çka shpërblehen këta zotërinj?! Për uljen e profitabilitetit? Për zhvlerësimin e të pazhvlerësueshmes? Apo për korrupsionin, nepotizmin, mbipunësimin, jo-efiçencën e anomali si këto? Edhe më i dhimbshëm bëhet fakti se një keqmenaxhim si ky do të kalojë pa asnjë therrë në këmbë.
Kolegu im, ekonomisti Alban Hashani, muaj më parë në një punim kishte propozuar ndërlidhshmërinë ligjore të ndërmarrjeve publike me përkrahjen politike. Besoj se kështu dhe duhet bërë. Deri sa sot kemi një kontroll politik prapa perdeve, e kemi thuajse asgjë për të ndaluar këtë kontroll, të paktën ta legjitimojmë e rrjedhimisht marrim dhe përgjegjësi për anomali si këto. Them se përgjegjësia e ndërmarrjeve publike duhet të kalojë në ministritë përkatëse; Kosova nuk është pjekur ende të ketë borde të pavarura e menaxhim autonom nga ndikimet politike. Një skandal si ky, po të kishte lidhshmëri, do të kishte dhe adresë përgjegjësie: Qeverinë. Ashtu siç është tani, secili militant që ka fatin të jetë në borde publike (lexo politike), merr timonin e parave të majme për ti ndarë ato për veti e miqtë e vet (po ashtu militantë). A ka fyerje më të madhe se një sjellje e tillë parazitare në kurriz të varfërimit më të rëndë evropian?

No comments: