Letra nga limbo
KOHA DITORE, 19 GUSHT 2011
Prapa një deficiti enorm tregtar qëndrojnë marrëdhëniet e pabarabarta të Kosovës me rajon, anomalitë e vetëprodhuara institucionale, si dhe kreativiteti i varfër i bizneseve tona që preferojnë imitimin në vend të origjinalitetit
Javën që shkoi, Banka Qendrore në raportin e sajë të gjysmëvitit dha figurat aspak të hijshme por shumë të pritura të një disbalanci enorm tregtar të Kosovës. Për gjashtë muajt e parë të vitit, Kosova importonte diku rreth 925 milion euro më shumë se që eksportonte. Pritshëm, deri në fund të vitit, vlera e deficitit tregtar do të arrinte më së paku në 2 miliardë euro, e që mesatarisht i bie se çdo kosovar i largon një mijë euro në vit para të gatshme. Natyrshëm, në këmbim marrim produkte e shërbime që si krijojmë vet dot.
Fillimisht, kam përshtypjen se raporti i BQK-së përmbante të dhëna interesante por gjithashtu edhe një hendikep të dukshëm të analizave të pastra ekonomike. Përveç llogaritjeve të përqindjeve, të ngjashme me ato se eksporti na është rritur për 18% e se importi për 16%, njeriu gjen pak rrjedhshmëri ekonomike e analitike në të dhënat e prezantuara. Përveç kësaj, interesi tek politikëbërësit për numrat makroekonomik të vendit ishte pothuajse nul. Në vende tjera një raport i prezantuar nga Banka Qendrore do të dridhte tregje, bënte lajme e diskutime nga çdo i dyti që ka pak fill për ekonomi.
Pavarësisht kësaj, numëruesi i përbashkët i shqetësimeve të ngritura në raport ishte mosaftësia e vendit për të krijuar vlerë. Rritjet inkurajuese të eksportit në gjysmëvit zbeheshin nga struktura e tyre; ne në parim shesim hekur dhe materiale të ngjashme hekurishtesh. Rritjet në import në anën tjetër buronin nga paralajmërimet e shumëhershme mbi reciprocitetin ndaj Serbisë, nga ku tregtarët kosovarë kishin marrë sinjale të bollshme për mbushjen e stoqeve për kohë si sot. Në gjithë këtë fotografi, disbalanci i lartë tregtar duhet ti shërbejë vendit për një konkludim të thjeshte: ne jo domosdoshmërisht duhet të targetojmë rritjen e eksportit. Në vend të kësaj, bizneset kosovare kanë një kërkesë brilante brenda në vend. Rrjedhimisht, mbulimi i kësaj kërkese, pra zëvendësimi i importit, bën punë po aq sa edhe rritja e eksportit; në mos më shumë.
Por pse bizneset tona nuk po arrijnë të marrin veten? Së pari, kreativiteti i tyre është imobil. Ndërmarrësit tanë kanë mungesë serioze të origjinalitetit; preferojnë imitimin. Çdo ide afatshkurtër që bartë në vete një ekspansion të papritur shumëfishohet nga të tjerët duke koncentruar kështu kapitalin në një sferë të ngushtë e shumë konkurrenciale, e që në fund del se nuk ka qenë edhe aq gjeniale. Një varfërim në ide patjetër se jep produkte të varfra, produkte që më pas kanë gjasën e një topi bore në ferr të përfundojnë në familjet kosovare. Së dyti, fuqia punëtore e tyre është pak e përdorshme. Le të jemi të sinqertë me vetën. Në institucionet edukative ne prodhojmë fuqi gjysmake, shkollat trajnuese janë inferiore në peshën që kanë, deri sa investimet në trajnime nga ndërmarrësit shihen më tepër si shpenzim se sa kosto me një kthim. Kujtoni se një biznes kosovar investon në trajnimin e stafit të tij tetë herë më pak së një biznes rajonal. Së treti, dhe e fundit në grupin e faktorëve të brendshëm, rritja e bizneseve ka një kufi të parakohshëm. Po të shikojmë me kujdes trendin e rritjes së bizneseve tona, shumica e tyre përfundojnë diku në kufirin e kapaciteteve të pronarit të tyre. Kosovarët tregojnë ende konzervatizëm ndaj ndarjes së pronësisë nga menaxhmenti; e ndjenjë biznesin si jo të vetin po e larguan nga kontrolli i tyre apo i familjes. Për të qenë më kredibil e më të qëndrueshëm në treg, një biznes kam përshtypjen se duhet të rritet shumëherë më tepër se vizioni, aftësia e tuxharrllëkut, apo dhe kapitali i themeluesit të tij. Bizneset si Apple, Microsoft e Facbook, do të ishin sot biznese provinciale sikur Jobs, Gates apo Zuckerberg të refuzonin prurje mbi ta në menaxhment, kapital e ide. Paramendoni sa reale mund të jetë një ndërmarrës kosovar që vullnetarisht largon veten nga menaxhimi dhe kontrolli i kompanisë?!
Luksoze duken hendikepet e ndërmarrësve tanë po ti pasqyrojmë me ambientin ku ata duhet të operojnë. Një ekonomi e rënduar me parametra makroekonomik, me barriera nga më laramanet, me korrupsion e burokraci të pashtershme, e me mbrojtje të investimeve shterpe, do të rrihte mirë edhe bizneset më të parrahura. Përveç normave të larta të interesit (që nuk arsyetohen asesi), barrierave institucionale (që vazhdojnë të rriten), konkurencës jo fer e informalitetit (që stimulohen në vend se të luftohen), pra përveç argumenteve të tjerrura e stërtjerrura mbarësisht, në relacion me tregtinë e bilancin tregtar, bizneset tona kanë pasur gjithnjë një brengë shtesë: ato në vazhdimësi janë trajtuar si jetime. Kujtoni se para reciprocitetet, vite më parë, në mungesë të tregtisë së lirë për Kosovën, konkurrimi në tregjet rajonale ka qenë hipotetik. Në një disbalanc të tillë natyrshëm se rritja potenciale është kanalizuar tek bizneset rajonale e që tash janë mbretërit e Ballkanit.
Përveç kësaj, Kosova nuk ka pasur asnjëherë problem reciprociteti vetëm me Serbinë; thënë të drejtën edhe sot e kësaj dite ka me të gjitha vendet. Ai me Serbinë ka qenë më evidenti dhe njëkohësisht më i rëndi, prandaj ka merituar adresim të shpejtë. Me po aq vendosshmëri vendi duhet të trajtojë pabarazitë tjera që nuk lejojnë zhvillimin e tregtisë së lirë në rajon për kosovaret. Them për kosovarët meqë për të tjerët në relacion me neve gjithçka është brilante. Së pari, shumica e produkteve të importuara në Kosovë janë produkte ushqimore, ose të ngjashme. Pjesa më e madhe e tyre subvencionohet nga qeveritë përkatëse. Në rregullat e tregtisë së lirë, përfshirë dhe CEFTA-n apo gjithë ato marrëveshje tregtare bilaterale që vendi ka pasur ndonjëherë, një produkt i subvencionuar nuk guxon të përfshihet si i lirë e trajtohet në tarifën zero. Kjo për një arsye të thjeshtë. Një bujk kosovar, ose një përpunues ushqimi, kur fillon konkurrencën nuk e fillon me mendje se duhet të shtyhet e grithet me qeveritë rajonale, por me bizneset e tyre. Futja e hundëve e qeverive nëpërmjet subvencioneve do të thotë, ashtu siç parashihet në marrëveshjet tona, se produkti final merr një trajtim krejtësisht tjetër nga ai i lirë. Mosaftësia jonë për të për të identifikuar këto produkte të subvencionuara, nuk duhet të shërbej si pretekst i mosbërjes. Në vend të saj them se përmirësimi i kualitetit të informacioneve që doganat tona marrin dhe aftësisë identifikuese të origjinës së produktit duhet të jetë objektiv i politikëbërësve.
Vënia e rregullave të barabarta të lojës është vetëm hapi i parë në përmirësimin e klimës për bizneset që operojnë në Kosovë (qoftë me kapital vendor apo të huaj). Po zgjidhëm njëherë relacionet e tregtisë së lirë me rajon, nëpërmjet reciprocitetit që kërkon lirinë në vend të mbylljes, po shuam barrierat institucionale që i prodhojmë vet, po rritëm kreativitetin e kualitetin e ndërmarrësve vendor, them se kemi mundësi më reale të balancojmë të pabalancueshmen (në rritje). Në të kundërtën, Kosova do të vazhdojë të jetë një vend që konsumon e konsumon, pa krijuar as edhe vlerën më simbolike. Në këtë kontekst, boshllëku që krijojmë na mbulohet nga shpenzimet e qeverisë, nga ndihmat financiare apo nga paratë e mërgimtarëve; asnjëra e qëndrueshme.
No comments:
Post a Comment