Letra nga limbo
KOHA DITORE 5 GUSHT 2011
KOHA DITORE 5 GUSHT 2011
Struktura tregtare e Kosovës mund të ndryshoj rrënjësisht në varësi nga alternativat që vendi vendos të ndjekë në pak muaj
Dy javë pas vënies së drejtësisë në relacionet tregtare me Serbinë, vendi dhe punditët eko-politikë kanë filluar të shtrojnë dukshëm bindjen e një mëvetësie ekonomike nga, deri dje, importuesi më i madh i Kosovës. Ndonëse një qëndrueshmëri e tillë është inkurajuese, refleksionet eventuale në vend mund të vijnë (nëse vijnë) tek pas sezoneve të bollshmërisë; atëherë muskujt tregtar dhe prodhues të vendit mbesin pa steroidë. Them nëse vijnë meqë struktura tregtare e Kosovës mund të ndryshoj rrënjësisht në varësi nga alternativat që vendi vendos të ndjekë në pak muaj, prandaj parashikueshmëria është bukur e turbullt. Këto alternativa promovojnë varietete nga ai i gjenerimit të prodhimit të brendshëm (e me këtë dhe zëvendësim afatgjatë të importit), në ndërrim të mirëpritësve të parave tona, e deri në kthim të gjendjes së mëparshme (ri-varësi nga Serbia).
Në gjithë këtë aventurë, reagimet e kosovarëve deri më tani, me të drejtë, kanë qenë jo-ekonomike. Ato para së gjithash ishin emocionale dhe patriotike, duke u reflektuar përfundimisht në konsum. Përtej matematikës së numrave, vlerave të fitimeve apo humbjeve financiare, njeriu mbështet preferencat dhe sjelljet e veta në elemente morale, të drejtësisë e krenarisë. Nëse ndjenja dhe tendenca e një vendi ndaj nesh ishte dhe është armiqësore, destruktive e inferiore, them se kosovarët kanë legjitimitet të paktën moral të reflektojnë njëjtë. Ky legjitimitet nuk bëhet me djegie e shkelmime të produkteve dhe flamujve serb. Një dëshpërim dhe patetizëm i tillë tregon varfërinë e rezonit tonë. Them varfërim të rezonit meqë ata që djegin e shqelmojnë flakë zjarri harrojnë se konsumi i produkteve serbe nuk është në biskotat e famshme “Plazma” e as në ndonjë pije alkoolike, por në grurin nga Vojvodina që se mbjellim dot, në vajin e sheqerin që e konsumojmë me bollëk, apo dhe energjinë elektrike që bën dritat e darkës së importuar. Rrjedhimisht, bojkotimi i produkteve serbe është sfidë shumherë më e madhe se ideja jonë e varfër. Ai kërkon o zëvendësimin o prodhimin e produkteve më bazike tona.
***
Për të vënë tregimin drejt, në mungesë të frymës së lirisë së të bërit, shitjes e blerjes, nuk ka e nuk mund të ketë fitues. Është mashtrim epik bindja se vendi fiton nga mbylljet tregtare. Kosova nuk do të mund asnjëherë të prodhojë e krijojë produkte e shërbime sa gjeneron kërkesë, prandaj blerja e tyre është më parë domosdoshmëri se sa zgjedhje. Megjithatë fitues nuk ka as në trajtim të pabarabartë. Rrjedhimisht, mbyllja dhe bojkoti si outpute mbarë-destruktive, ironikisht bëhen çelës të hapjes e të konsumit. Presionet nga humbjet do të ofrojnë domosdo zgjidhje. Them se presioni që po krijohet, e që do të shtohet në vazhdimësi, anon më tepër në Serbi. E një ndërrim në qëndrimin serb do të thotë dhe përfundim i bllokadës së dyanshme ekonomike e me këtë dhe përfundim i mundësisë për të dënuar agresion serb ndaj nesh.
Një vështrim i lehtë në kronologjinë e ngjarjeve në Serbi të bën të kuptosh panikun dhe presionin e krijuar atje. Nuk besoj se do shumë mend e mund kthimi i komenteve në drejtim të zyrtarëve të llastuar serb, megjithatë sjellja e tyre na jep një ide të përafërt për reagimin serb në të ardhmen e afërt. Së pari, Kosova për Serbinë është ndër tregjet më jetike. Është afër, ka kosto të ulët plasimi dhe ka kërkesë të vazhdueshme. Kosova rangohet e katërta për nga vlera totale e eksportit serb; e para për kokë banori. Italia me 60 milionë banorë importon nga Serbia pak më pak se dyfishi i asaj që importohet në Kosovë brenda një viti (400 milionë). Humbja e këtyre milionave për një vend që ka deficit të rënduar tregtar është vetë-destruktive. Së dyti, pritjet se vendimi kosovar është një eksperiment që do të vdes nga presioni ndërkombëtar (siç pretendonte fillimisht presidenti Tadiq), ishin në korrelacion negativ me ditët e reciprocitetit. Madje, intervenimi i fundit në veri them se ka shuar ato tani. Edhe më të pakta janë bërë shpresat e opinonistëve serb se Kosova nëpërmjet ngritjes së çmimeve do të futej në një ultimatum ekonomik, nga ku dorëzimi do të ngjallte nevojën për zmbrapsje. Thënë të drejtën, sado që e dhimbshme dhe e vërtetë mund të ishte rritja potenciale e çmimeve, Kosova kishte luksin e përballimit. Fillimisht, të shtyrë nga nevoja për të vënë drejtësi, kosovarët kanë satisfakcion më të lartë nga mos-konsumi se sa nga pagesa e çmimeve më të ulëta. Më pas, ka tre muaj që bizneset kosovare janë paralajmëruar për reciprocitet. Të njëjtit kanë mbushur stoqet me produkte serbe, prandaj tregu është i ngirë së paku deri në dimër. Përveç kësaj, produktet serbe nuk janë të pazëvendësueshme. Ato nuk janë produkte monopoliste meqë nomenklatura e tyre është kryesisht ushqimore. Serbia nuk ka qenë dhe nuk është prodhuesi i vetëm i ushqimit në rajon. Vendet si Maqedonia, Bullgaria e Kroacia zënë vend lehtësisht. Të dhënat e Doganës madje shënojnë rritje të importit edhe në relacione krejtësisht të reja, si ato me Indonezi, Hong-Kong e Kinë. Shto kësaj nivelin më të lartë të prodhueshmërisë të Kosovës gjatë verës dhe ke një fotografi të qartë prapa stagnimeve në çmime. Thënë shkurt, tregu bën dhe ka bërë zgjidhje.
***
Nëse presioni është në Serbi, dorëzimi eventual serb e me këtë edhe hapja e tregtisë do të vijë më shpejtë se që presim. Deri atëherë ne duhet të kujdesemi për detyrat e shtëpisë. Fillimisht, vendi duhet të tregojë seriozitet në reciprocitet duke parandaluar prurjen e çdo produkti serb në Kosovë. Bizneset serbe mund të provojnë plasimin e produkteve nëpërmjet bizneseve rajonale jo-serbe, por çdo aftësi identifikuese e jona në këtë drejtim është jetike për të mbajtur presionin si të tillë (për këtë vendi në dorë ka “rregullën e origjinës”). Përveç kësaj, Kosova konsiderohet si e tëra territor doganor, prandaj çdo produkt i gjetur në raftet e bizneseve të papërgjegjshme, që nuk respektojnë vendimet e shtetit, duhet të konfiskohet e përcillet me dënime enorme (ja një rast legjitim për të mbushur deficitin).
Në frymë të njëjtë, pavarësisht moraliteteve ose jo në bojkotim, unë argumentoj në favor të reciprocitetit në sjellje përtej liberalizmit eventual të tregut. Produktet “made in Kosova” nuk kanë as gjasën më të vogël të shiten në Serbi edhe në rastin e hapjes së barabartë të kufijve. Njëjtë besoj se kosovarët, sidomos tash, kanë çdo arsye të reflektojnë bojkot. I njëjti të paktën penalizon tendencën agresive dhe invazioniste të një vendi ndaj nesh.
Bojkoti, megjithatë, nuk do të thotë ndalim konsumi. Zgjedhjet tona mund dhe të orientohen në prodhimin e brendshëm. Kjo nëse përmbushen dy kushte parësore. E para, bizneset vendore, nëse kanë dije e vullnet, në vend të përfitimeve afatshkurta të krizave (profiterët e konflikteve) duhet të tregojnë vizion e synojnë marrjen e tregut; madje edhe në operime humbëse. Bërja e konsumatorit për vete është kreativiteti më brilant që vendorët mund të ofrojnë. Një objektiv i tillë kërkon përmirësim në kualitet, imazh e servisim, elemente këto dukshëm në mungesë tek tanët. E dyta, nëse Qeveria ka menduar ndonjëherë të promovojë seriozisht prodhimin vendor, përtej poenave politik, tash është koha të heq barrierat e veta fiskale e të fascilitojë gjenerimin e kapitalit. Ulja e taksave në derivate, lëndë të parë e teknologji për çdo output kosovar, bashkë me revitalizimin e menjëhershëm të vijave të veçanta kreditore duhet të prodhojnë formulë suksesi. Një subvencionim i tillë politik (kurrsesi financiar) mund të jap outputet e veta para liberalizimit.
E nëse bizneset tona nuk arrijnë të zëvendësojnë importin, nëse kosovarët nuk arrijnë të ndërrojnë sjelljet e tyre anti-vendore, nëse presion serb nuk bën hapje, them se vendi duhet ti paraprijë dimrit e ofertës së pakët në dimër që shpeshherë ka thyer kurrizin e stër-thyer të kosovarëve me çmime enorme. Në një skenar të tillë paraprijës, ndërrimi i furnitorëve tanë është më e pakta çfarë vendi duhet të bëjë. Ndonëse nuk pres që Qeveria të bëj zgjidhjen e tregjeve për bizneset, them se fuqia dhe miqësia e Kosovës me vende prodhuese të fuqishme duhet të shërbejë si lehtësues i lidhjeve të reja për to. Çfarë pres megjithatë, është reagim suksesiv të Qeverisë me politika promovuse të vlerës së shtuar nga vendorët. Qeveria duhet të kuptojë se reciprociteti është vetëm fillimi i një hallke vendimesh.
No comments:
Post a Comment