Letra nga limbo
KOHA DITORE 12 GUSHT 2011
Marrëveshja e re legjitimon Serbinë si palë pjesëmarrëse në punët e brendshme të Kosovës, mbyllë kufijtë në vend të reciprocitetit, vë status-quo kur na duhet progres, na detyron të negociojmë territor kur na është pranuar mbarësisht dhe përfundimisht amortizon çdo fuqi tonën në Veri
E tmerrshme dukej Londra këtë javë. Fotografitë e një nate pas rebelimit në lagjen veriore Tottenham ishin trishtuese; ato ngjallnin frikë, keqardhje e mosbesim për një vend me kaq rregull e rend. Ndërtesa të djegura, qendra të vjedhura, banesa të thyera e vetura në hi e prush, bënin Londrën si një zonë lufte. Grupe banditësh, kriminelësh, e tinejxherësh me fytyra të mbuluara e shkopinj në dorë po bënin rregullin e rendin. Në gjithë këtë amulli, reagimi britanik ishte i shpejtë. Prapa një uniteti të paparë që nga sulmet terroriste të 2005-ës, vinin pushimet e ndërprera nga të gjithë politikanët, e mobilizimet enorme të forcave të rendit. Deklarata e parë e kryeministrit britanik ishte sa e thjeshte aq edhe përshkruese për hapat në vijim: “banditët do të ndjenjë fuqinë e ligjit”. Ai ju shpalli luftë dhe zero kompromis nëpërmjet vendosjes në rrugë të 16.000 policëve. Për më pak se dy net u arrestuan 525 rebelë, rrugët u hapën e gjykatat mbetën me plot punë.
Pak javë më parë, disa mijëra kilometra më në lindje, njëjtë si në Britani, grupe kriminale e vandale të maskuara e me armë në dorë, kishin bllokuar rrugë, djegë kufij e sulmuar forca të rendit. Vendi im i vogël, me polici speciale pa asnjë mjet special, me gjykata funksionale pa mundësi funksionimi, me politikanë në pushime pa luks pushimi, kishte vënë vetën në pozicion pa zgjedhje në mes fuqisë së ligjit dhe bisedimeve; në të vërtetë ishte bërë një spektator. Kosova gjatë gjithë javës po linte një forcë ushtarake (që nuk e njeh si vend) të vë vulën dhe peshën e fuqisë së ligjit në një të tretën e territorit të saj. E kur lë dikë që për synim ka stabilitetin, e jo domosdo vënien e rendit (pra shtetit), të kryej punët e shtëpisë, outputet janë pritshëm më të pakta se çfarë mund ti marrësh vet. Në emër të stabilitetit u dha një marrëveshje “remi”, produkt i së cilës ishte status-quo-ja deri në bisedat e ardhshme. Replikimet e deklaratave në mbledhje qeveritare, tryeza e parlament se “rebelët do të ndjenjë fuqinë e ligjit” u bënë të thata. Ajo shpresë e pakët e jona se vendi do të vë rregull e ligj, ashtu siç na është garantuar me Kushtetutën e njohur mbarësisht, u shua.
Nga marrëveshja e re njeriu nxjerr disa observime. Fillimisht, do të ishte bajat sugjerimi se jemi më keq që kemi qenë para 25 Korrikut, por edhe më bajat do të ishte besimi se situata e re prek për së afërmi idenë e Kosovës si një territor unik. Deri sa para intervenimit kishim EULEX-in dhe me këtë hapje të kufijve për kontrabandë, sot kemi një forcë ushtarake dhe zonë të bllokuar për çdo lëvizje. Megjithatë, deri sa më parë kishim një kufi, dhe një mundësi për të vënë doganier e policë kufitar, pra vënë shtet, sot një mundësi e tillë na zhbëhet pa aprovimin e palëve të përfshira (KFOR dhe Serbi). Mungesa e doganierëve dhe policëve kufitar është tregues i mungesës së vet shtetit.
Së dyti, pas prezencës konstante në bisedime të përfaqësueseve nga Beogradi (e jo atyre lokal), Serbia për herë të parë që nga shpallja e pavarësisë, legjitimohet si palë negociuse dhe vendimmarrëse për veriun e vendit nga aleanca ushtarake dhe Bashkimi Evropian. Kam frikën se mosaftësia jonë për të zgjidhë çështjet vet si dhe paarsyeshmëria e asnjanësve në proces, ka larguar veriun e vendit nga duart tona të paktën ashtu siç kemi pretenduar ta kemi një herë e përgjithmonë. Rikonfigurimi i ngjarjeve në veri do të vë temën e ndarjes apo autonomisë substanciale në tryezë të bisedimeve, kurdo që ato vazhdojnë.
Së treti, marrëveshje e re me KFOR-in mund të japë një produkt që i përngjanë reciprocitetit ekonomik, por në thelb është një rezultat që rastësisht ngjanë me objektivin tonë për reciprocitet. Kujtoni se KFOR ka shpallë kufirin verior si zonë të ndaluar ushtarake, por marrëveshja mund të jetojë deri sa të ketë jo-stabilitet. Kurdoherë që ndonjë ushtarak konstaton se siguria është rikthyer në Veri, pra në çdo skenar më ndryshe nga ai sot, vendimi për bllokim reciprok bëhet jovalid dhe rrjedhimisht humbës për ne. Njëkohësisht, masa e njëjtë ka vënë bllokadë të plotë ndaj çdo produkti jo-serb që ka përdorur kanalet veriore për tregun tonë. Të gjitha produktet sllovene, kroate, e gjermane do të marrin trajtim të njëjtë me ato serbe (e për ne më pak taksa); e që thënë të drejtën nuk ka qenë asnjëherë qëllimi ynë.
Së katërti, ndonëse nuk pretendoj që Kosova ka fuqinë britanike, them se toleranca jonë ndaj mos-kontrollit, anarkisë dhe rebelimit ka vënë një referencë të re në veri të vendit. Që nga nënshkrimi i marrëveshjes së re me KFOR-in, dhe rrjedhimisht palën serbe, ne u kemi thënë kriminelëve se sa herë që prishet rahatia e tyre anarkike, e kontrabandës apo tendencës për terrorizëm, mund të bllokojnë rrugë, të djegin kufij, të vrasin policë, dhe prapë do të kenë fuqi negociuese e trajtim të palës. Kjo do të ketë një kosto sa herë mendojmë (nëse mendojmë) të vëmë rregull në veri.
Së pesti, Serbia edhe një herë përdor magjinë e shpikjes të letrës së re nëpërmjet krijimit të problemit, zgjidhjes së tij dhe më pas marrjes së kreditit. Ideja se serbët e veriut kanë opinione ndryshe nga Beogradi dhe se vetëm angazhimi i pro-perëndimorëve si Tadiq (përballë radikalëve të Koshtunicës) bën zgjidhjen, është sa ironike aq dhe paradoksale. Është po e njëjta qeveri që vuri serbët në rrugë, udhëhoqi e organizoi trazirat. Është po e njëjta qeveri që në plot vite financon dhe mbështet po të njëjtit rebelë. Vetëm se tash, në përfundim të krejt kësaj aventure, Tadiq do të marr rrahje të shpinës në shenjë përkrahje për zgjidhjen e problemit (të vetëkrijuar) nga çdo i dyti ndërkombëtar. Politikë se jo mahi.
Së gjashti, përderisa vendi ka në trup një plagë si veriu, shpresat për investime të jashtme dhe rigjenerim ekonomik janë të pakta, në mos inekzistente. Ngjarjet e fundit, sa herë që ato do të përsëritën, do të bëjnë (për së keqi) ballinat e lajmeve ndërkombëtare, ashtu siç bënë këtë herë. Prandaj shpejtimi i zgjidhjes (jo kompromisit) është esencial për ne.
Së shtati , ka një trubulencë enorme në mesazhet e dërguara nga bashkësia ndërkombëtare. Derisa Kosova vazhdon të marrë përkrahjen amerikane, në diplomaci dhe forca ushtarake (kontrolli në Pikën 31), laramania nga Brukseli nuk ka të ndalur. Deri sa diplomatët e BE-së bëjnë thirrje për kompromise, Ministrat e Jashtëm të fuqive më të mëdha evropiane (Angli dhe Gjermani) bëjnë thirrje për sovranitet të Kosovës. Një sinjal i tillë duhet ti shërbejë vendimmarrësve tanë si nevojë për seleksionim të kërkesave ndërkombëtare, pra refuzim sa herë që preket sovraniteti.
Dhe e fundit, çdo besim se puna jonë ka përfunduar, me Plan A, B apo C, është devijim nga qëllimi primar i yni për kontroll në gjithë vendin. Deklarimi i fitoreve për mbledhje të poenave politik është varfërim i qëllimeve të përbashkëta dhe unifikimit magjik të prodhuar në kohë të fundit. Marrëveshja e re legjitimon Serbinë si palë pjesëmarrëse në punët e brendshme të Kosovës, mbyllë kufijtë në vend të reciprocitetit, vë status-quo kur na duhet progres, na detyron të negociojmë territor kur na është pranuar mbarësisht dhe përfundimisht amortizon çdo fuqi tonën në Veri. Kjo më së paku është fitore.
No comments:
Post a Comment