Wednesday 29 June 2011

ZERO LUFTË E TOLERANCË PLOT

Pavarësisht deklarimeve më tepër mbrojtëse se sa racionale, e vërteta e hidhur është se Kosova në vete bartë njërin nga problemet më frenuese në ecjen e saj. Paraja e mbledhur nga djersa e taksapaguesve më të varfër evropian, abuzohet me zotësinë më moderne të politikëbërësve më të pasur evropian
 

Jo fort larg nga sot, jo fort më mirë se tash, ardhja e raporteve ndërkombëtare pritej me deklarime afirmative dhe shprehje që sinjalizonin rangimin e problemit më mirë se më parë; të paktën kështu prodhohej suksesi. Kur raportet regresive u shpeshtuan e ashpërsuan, paraqitja ranguese më nuk kishte kuptim. Në vend të saj u zgjodh transformimi dhe glorifikimi i të patransformueshmës dhe të paglorifikueshmës; si në rastin me Fondin. Tani kur puna e Qeverisë merr vlerësim e zakonshëm vjetor, e kur raportet vijnë një nga një (secili më i zi se tjetri), reagimet e çfarëdoshme për to kanë marrë dheun. Mesiguri se e tëra çfarë do pranojnë këto konstatime regresive si përgjigje do jenë ato vizitat e zakonshme në autostradë ose darkat e reja me mësues, sa për të treguar kështu varfërinë e argumenteve të mbetura për degradimin e prodhuar në vazhdimësi.

 
Këtë javë Transparancy International dha të pritshëm, se lufta e proklamuar për zero tolerancë ndaj korrupsionit në të vërtetë ishte përkthim abuziv i një mendimi të kamufluar të një lufte zero e tolerance të bollshme. Thënë të drejtën, kur lexon njeriu raporte si këto të Transparancy International çon mendjen në deklarimet suksesive hiper-vetë-lavdëruese si ato të ministrave për punën njëqind ditëshe dhe pyet vetën se si të paktën dhe njëri nga ta nuk ngriti problemin e korrupsionit si të qenë. 

Sipas raportit të ri, të publikuar mu në ballë të faqes më të lexueshme e referueshme për korrupsion, vendi ynë ishte fabrikë korruptive me anomali institucionale nga më të ligat që nxisnin vjedhjen e çdo paraje të marrë si publike.  Sipas raportit, Kosova në vete mbante ligjet më të arsyeshme, më të pavarura, më funksionale e më evropiane të mundshme, në letër! Zbatimi i tyre ishte tmerr. Korrupsioni thuhej se buronte nga prokurimi publik e se ndikimi politik në këtë sistem prokurimi ishte enorm. As më  pak i ndikuar nuk ishte as  sistemi gjygjësor, ai i cili të paktën në parim do të duhej të barte luftën kundër korrupsionit. Në fjalë të pakta, sipas Transparancy International, ndikimi politik jo vetëm se prodhonte korrupsionin më të lartë evropian (dhe më gjerë) nëpërmjet një sistemi të brishtë prokurimi por se i njëjti ndikonte dhe shpresën e fundit për të ndalë atë, gjygjësorin. 

Këtë javë, dalja e raportit u asociua me protestën e parë në vend kundër korrupsionit. Përgjigja e Qeverisë ishte sa irracionale aq dhe injorante. Së pari, vendimmarrësit tanë u ndien të fyer nga kërkesa për të ndalë një fenomen që ata në rend të parë nuk është dashtë ta krijojnë asnjëherë, korrupsionin. Nëse janë fyer se korrupsioni atashohet me institucionet publike them të rishikojnë faktet dhe një herë meqë i njëjti nuk prodhohet në rrugë, as tek bizneset private, as në familjet tona por mu tek ta dhe nga ta. E nëse janë fyer nga shpikja e korrupsionit, pra mohojnë ekzistencën e tij, them të shikojnë raportet e Bankës Botërore, Komisionit Evropian apo vet rangimin në Transparancy International ku vendit i jepet një ulëse “meritore” në mesin e vendeve më të korruptuara. E nëse nuk binden as nga raportet, le të zbresin kate më poshtë, aty patjetër se e gjejnë.

Së dyti, ata ofruan idenë e “catch me if you can” apo “më kap nëse mundesh” duke rekomanduar se po gjetët rastësisht hajninë dërgojeni në prokurori. Besoj se konkludimi nga raporti është përgjigja më kuptimplote ndaj një retorike të tillë. Them se po të kishim një gjygjësor të pandikuar, pra të kundërtën e asaj që e thotë raporti, dhe po të kishim një korrupsion të prodhuar jashtë ofiçinave qeveritare, marrja me gjygjësor do të ishte fare e lehtë dhe plotësisht e pritshme. Por nëse ky i fundit është mashë e atyre që bëjnë korrupsion, marrja e drejtësisë është më e vështirë se fitimi i lotarisë nacionale. Të argumentosh një të bëmë tek ata që bënë bëmën është njëjtë si të kërkosh drejtësi pse je rrahur nga ai që të rrah.

Pavarësisht deklarimeve më tepër mbrojtëse se sa racionale, e vërteta e hidhur është se Kosova në vete bartë njërin nga problemet më frenuese në ecjen e saj. Korrupsioni prodhohet nga pothuajse çdo euro e tenderuar dhe e menaxhuar nga sistemi publik. Paraja e mbledhur nga djersa e taksapaguesve më të varfër evropian, abuzohet me zotësinë më moderne të politikëbërësve më të pasur evropian.  Them moderne meqë sistemi i keqpërdorimit të parasë publike në vend është aq i përsosur sa që me mekanizmat e sodit dhe me vullnetin e treguar politik, shuarja e tij bëhet objektiv utopik.

Në një sistem të tillë ku çdo gjë publike tjetërsohet në xhepat e grupeve të lidhura ngushtë me vendimmarrësit, gjetja e fijes së lëmshit rrënon dhe gjahtarët më agresiv të prokurorisë. Procesi korruptiv shkon pak a shumë kështu. Së pari, ata që kanë pak fuqi vendimmarrëse mbi cilëndo euro publike shtynë miqtë e tyre të themelojnë biznese të reja fantome. Shihni listën e tenderëve në tri vitet e fundit dhe kuptoni se si (e sa) biznese të posa-themeluara marrin tenderë.  Natyrshëm ekzistenca e këtyre bizneseve “shumë shpejt për tu bërë milionerë” nuk atashon as në formën më të thjeshtë dhënësit e punëve; ato nuk bartin emrat e tyre e as te familjarëve të tyre. Më pas, bizneset fantome duke pasur eksluzivitetin e marrjes së punës ndërtojnë konzorciume me bizneset që realisht ose janë të denja për të dhënë punën e kërkuar ose janë prapë miq e financues të vendimmarrësve. Nëse gjatë proceseve tenderuese, rastësisht ndonjë biznes tjetër bëhet më i lirë, miqtë vendimmarrës kujdesen të bëjnë anulimin madje dhe për arsye nga më absurdet. Përfundimi i punës prodhon shpërblimin. Për mendimin tim ky shpërblim hap një pistë fluide të shpëlarjes së parasë, pistë ku Administrata Tatimore do të duhej ti kapte shpëlarësit një nga një me shumë lehtësi; po të donte.

Të tjerët që kanë më pak kreativitet dhe më pak dëshirë për të lëmshuar vjedhjen e parasë publike, bëhen më të drejtë duke dhënë punë miqve apo familjeve pa brengën më të vogël. Më pak e mundimshme bëhet dhe marrja e përqindjes fikse, pa mërzitur shumë se kush kryen punët. E kur mos-mërzitja arrin kulmin atëherë shkohet me tenderët njëburimorë.

Një zinxhir i tillë korruptim jep disa kosto ekonomike për vendin. Përtej arsyeve morale, etike e të së drejtës një abuzim i tillë për zhvillimin ekonomik do të thotë ngufatje e perspektivës dhe përjetim i asaj që ne kemi sot. Do të thotë se përveç se humbim në efiçencën e shfrytëzimit të parasë publike ne dhe ngrisim biznese joadekuate për të bërë punë duke rrënuar e dënuar ato që o janë më të lirë o janë më të mirë. Përveç kësaj, një euro e tillë e determinuar për shpëlarje domosdoshmërish kërkon largimin nga vendi duke tharë kështu një treg tmerrësisht të tharë nga paraja e gatshme. E në fund, outputi final na bëhet një rrugë që duhet rishtruar, apo një shkollë që duhet rindërtuar. Thënë të drejtën pasja e diçkaje të prekshme është luks në një sistem të tillë. Në të shumtën projektet e tenderuara as që bëhen ndonjëherë. Për këtë kujdesen bizneset mbikëqyrëse që prapë na dalin miq të miqve.

Në fund fare them se  korrupsioni i dëshmuar ose jo vazhdon të mbytë zhvillimin e të ngritë pasurinë e egove nga më të tmerrshmet. Besoj se apetitet korruptive nuk do të kenë fund asnjëherë. Në anën tjetër shpresa e fundit e kosovarëve, EULEX, është në gjumë të thellë dhe preferon të zgjedhë raste gjygjësore të protestueseve para korrupsionit më masiv në Evropë. Në një rend të tillë, ku krijuesi i problemit dhe ndjekësi i tij bëhen nga e njëjta regji, shpresa për luftë të plotë e tolerancë zero mbetet vetëm shpresë.

KOHA DITORE, 24 QERSHOR 2011
LETRA NGA LIMBO

No comments: