Saturday, 18 June 2011

MANUAL MBI VETËZHVLERËSIMIN


Në kohë kur pritjet tona nga pazari i PTK-së do të duhej të ishin profit maksimizuese ne kemi bërë çdo të zezë të mundshme për të marrë mu të kundërtën

Stoke-on-Trent është një qytezë e vogël britaneze që në listën e famshmërisë së saj ka shumë pak për tu mburrë. Poçarët, nofka që ata mbajnë, sa herë që pyetën për tiparet dalluese të vendit të tyre me gojë plot e vullnet të pafund të tregojnë se Stoke në njërën nga rrugicat e saj mbanë shtëpinë ku u rrit Robbie Williams, se bir i tyre ishte Sir Stanley Matthews, një nga futbollistët më të famshëm anglez, se Phil Taylor 13 herë kampion botëror në pikado jeton ende aty, dhe se babai i kitaristit Slash të Guns N’ Roses, vinte mu nga Stoke. Me përshkrime si këto përfundon pak a shumë mburrja e tyre; për të kaluar natyrshëm në humorin tipik britanik dhe një thënie si “...paj, ne gjithashtu fundosëm të pafundosshmën!”. Me sa duket, kapiteni i Titanikut ishte nga Stoke-on-Trent.
Kam përshtypjen se nga kjo javë, kosovarët dhe poçarët kanë diçka të përbashkët: të dy kanë bërë të pamundurën. Derisa fundosja e Titanikut me të vërtetë ishte mjeshtri, të tanët këtë javë kanë kompleksuar mjeshtërinë e fundosjes së të pafundosshmes, duke i dhënë fund manualit jo fort të përdorshëm: “Si të zhvlerësohet një aset jozhvlerësues”. Lajmet e fundit për aktakuzat e ngritura në PTK na kujtuan edhe një herë se sa shumë e sa fort kemi rrjepë vlerën reale të asetit dhe se sa të mjerë po tregohemi në shitje. Në kohë kur pritjet tona nga pazari i PTK-së do të duhej të ishin profit maksimizuese ne kemi bërë çdo të zezë të mundshme për të marrë mu të kundërtën; madje pa bërë na ka mbetur vetëm djegia dhe shembja e objekteve në pronësi të Postës dhe me këtë e sjellim vlerën e saj në nul. Në një vend normal, me pritje dhe tendenca normale, privatizimi do të ndalej të nesërmen e ngritjes së akuzave. Në një vend jonormal, me pritje dhe tendenca jonormale, privatizimi do të vazhdonte me arsyetimin se vlera caktohet nga tregu; pa u brengosur shumë se çka i japim tregut.
***
Le ta themi se tregimi i PTK-së është pak a shumë kështu. Një i varfër vendos ta shesë traktorin që ka trashëguar nga i ati. Jo se traktori bën shumë para po të largohej nga i gjori fshat, por se në fshat ka vetëm dy traktorë dhe aq me vlerë bëhen të dy këta kur jepen me qera sa s’bëhet më. Në fund të fundit janë vetëm dy, e bujq e tokë për të livruar ka sa të duash. Ideja e të bërit para aq lehtë merrte vëmendjen e të pasurve nga qyteti që me ngulm tash donin të blinin traktorin, ta riparonin aty këtu, ta ngjyrosnin, ndërronin vajin po dhe shoferin e më pas ta jepnin me qera më mirë, më lirë e më shpesh. Në kohë kur të pasurit pazaronin me të varfrin, ky i shkreti vendos të luaj bixhoz, e humb paratë që kishte mbledhur për dymbëdhjetë vite. Madje kur kushërinjtë e tij kuptuan për vesin e bixhozit, ia ndalën të shkretit edhe paratë që i çonin nga jashtë. I shtyrë në borxh deri në fyt, i varfëri ynë po bëhej dhe më i varfër. E në kohë kur duhej zgjedhë një nga dy blerësit, ai, në vend se ta ngjyroste vet traktorin, ndërronte vet vajin,  riparonte vet aty këtu ndonjë defekt, e kështu ta rriste çmimin, vendosi të përplasej me gjithë traktor në mur! Kur e pyetën pse, tha se nuk ka shumë rëndësi se në fund çmimi caktohet në Pazar; ani çka se këtë herë po jepte një traktor të bërë llom.
Aseti ynë publik kishte ndjekë rrugën më vetëzhvlerësuese të mundshme që kur u dha ideja e parë mbi privatizimin e tij. Kujtoj se para idesë për privatizim, PTK kishte një plan strategjik mjaft inkurajues. Në këtë plan thuhej se aseti do të rriste investimet me qëllim të rritjes së vlerës, e pjesë e këtyre investimeve ishte dhe sistemi i ri i faturimit, participimi në operatorin e katërt në Shqipëri (30 milionë), shtrirja e fijeve optike në gjithë Kosovën (80 milionë), futja e gjeneratës së tretë të telefonisë mobile 3G apo dhe themelimi i kompanisë virtuale Dardafone (sot Z-Mobile) me pronësi shumicë (75%) në duar të PTK-së. Në rrjedhë me këto investime, planifikohej dhe shtimi i stafit.
Deri sa paratë e dedikuar për faturim dhe fije optike u morën nga Qeveria për të mbuluar kosto të veturave, telefonave e vizitave jashtë, ato të operatorit të katërt në Shqipëri nuk u dhanë kurrë, duke reduktuar marrëveshjen iniciale nga 30% pronësi në vetëm 3%; ideja e 3G ishte luks. Mos realizimi i këtyre projekteve investive ishte vetëm fillimi. Ajo çfarë mori vëmendjen më shumë ishte kontrata tërësisht e pafavorshme dhe e rinegociuar që PTK kishte bërë me Dardafone e që në thelb kishte rrënuar pjesëmarrjen e aksioneve të PTK-së nga 78% në 22%. Asokohe një grup ekspertësh brenda PTK-së kishte kundërshtuar nëpërmjet një raporti ndërlidhjen e një kontrate të tillë. Rekomandimi i tyre ishte si vijon: “Në mënyrë unike, Grupi vendos: Oferta finale e Dardafon LLC, e datës 8.10.2008, me përqindje 22 % (PTK), - 78 % (Dardafon), nuk ka arsyeshmëri strategjike, e aq më pak komerciale për PTK-në nga arsyet e prezantuara në këtë raport”. Raporti i dërguar në Bord ishte refuzuar. Një pazar i tillë, ashiqare i pafavorshëm, ishte përkrahur nga Qeveria. Sot kur flluska shpërthej dhe aktakuzat u ngritën, gjithsecili mundohet të amortizojë prezencën e vet në këtë proces që mban erë të rëndë korrupsioni. E vërteta e hidhur është se një vetëzhvelrësim i tillë ndodhte në sytë e Qeverisë dhe jo vetëm aq. Kjo e fundit kishte përkrahur publikisht kontratën në fjalë.    

***
Problemi i vetëzhvlerësimit të PTK-së, nuk buron vetëm nga lidhja e marrëveshjeve të pafavorshme ose nga ngrirja e të gjitha investimeve, por dhe nga implementimi parcial i planit strategjik. Deri sa çdo investim i ri kishte marrë dritë të kuqe nga Qeveria, punësimi që duhej të shoqëronte investimet e reja nuk ishte ndalë asnjëherë. Thënë shkurt, derisa PTK po vetëzhvlerësohej, ajo po merrte në vetë punëtorë të rinj. PTK nga viti 2007 deri në vitin 2009, ka shënuar rënie drastike në të hyra për 22%, megjithatë për të njëjtën periudhë ky aset ka rritë shpenzimet e stafit për 33%. Një logjikë e shëndoshë të thotë se kur punët shkojnë keq në një kompani ajo nuk rritë stafin dhe shpenzimet, por bën mu të kundërtën.
Vazhdimi i privatizimit të PTK-së me këtë trend do të jetë vetëm një sekuencë e re e gabimeve suksesive të bëra në relacion të këtij aseti. Kosova nuk ka nevojë të zbulojë ujin e ngrohtë. Nëse asgjë tjetër ne duhet vetëm të ndjekim praktikat e vendeve të rajonit. Përjashto Shqipërinë, çdo vend rajonal para privatizimit kishte bërë rritjen e vlerës së asetit nëpërmjet përmirësimit të performancës. Qeveria turke, gjatë privatizimit të Telekomit Turk për një periudhë katër vjeçare kishte bërë reforma substanciale në menaxhim duke dyfishuar numrin e shërbimeve, rritur shfrytëzuesit për 10% e zvogëluar stafin për 22%, për të përfunduar kështu në rritje të profitit vjetor për 13%. Qeveria serbe përveç ristrukturimeve masive kishte vënë një siguresë në marrjen e vlerës, atë pragun e famshëm minimal prej 1.4 miliardëve; e meqë nuk janë në nguti shitja mund të ndodhë vetëm kur të jetë e bollshme.  
Ndërprerja e privatizimit, ndryshimi i rezonit prapa shitjes (pra jo për borxh), rritja e performancës nëpërmjet një menaxhmenti profesional, ulja e shpenzimeve në staf si dhe rritja e shërbimeve për një milionë përdoruesit e saj do ti jepnin tregut një ndërmarrje shumë herë më të pëlqyeshme dhe më atraktive, jo vetëm financiarisht por dhe strategjikisht. Me ecjen e tanishme, me destruktivitetin e ofruar kam përshtypjen se Qeveria nuk ka për qëllim nxjerrjen e më të mirës nga PTK, por mu të kundërtën, një zhvlerësim më të madh ndoshta për hir të pazareve private tashmë të akorduara.
KOHA DITORE, 17 QERSHOR 2011
LETRA NGA LIMBO

No comments: