Saturday, 11 June 2011

REGRESI, TJETËRSIMI DHE SHPRESA E FUNDIT (2)

Tendenca për amortizim, tjetërsim dhe glorifikim të një humbjeje kaq evidente, është tregues se vendi o nuk e din ende se sa rëndë e thellë është futur, o e din se e ka gabim por ka shpresë në injorancën dhe neglizhencën e interesimit nga mileti

Javën e kaluar argumentova se Kosova është në nokdaun dhe se relacioni i ri me FMN ndoshta është  goditja më e rëndë ekonomike që vendi ka marrë që nga viti 1999. Dhe mu ashtu si një boksier pas nokdaunit që bën lëvizje të çrregulluara në kërkim të mbështetjes në litar, në shpresë të peshqirit të bardhë apo në dëgjim të fishkëllimës së gongut, edhe Kosova kam përshtypjen se po shfaqet e çekuilibruar, në mëshirë të ad-hock-izmit e në pritje të një fundi fatal. Deri sa bastet e këtij boks-meçi favorizojnë goditjen e fundit, atë të nokautit, boksieri ynë i trullosur nga tronditja e marrë vazhdon të besojë se është në avantazh.  Them se ky boksier duhet të ulet në këndin e tij, të marrë vetën, të dëgjojë këshillat e trajnerit dhe ndoshta, po them ndoshta, në rastin më optimist të jap një kthim triumfal.
Në përshkrimin psikologjik mbi llojet e personaliteteve, njerëzit grupohen në katër shtylla: ata që dinë se dinë, ata që dinë se nuk dinë, ata që nuk dinë se dinë dhe ata që nuk dinë se nuk dinë. Natyrshëm më të papërdorshmit dhe më të rëndit janë këta të fundit, kjo për një arsye të thjeshtë. Kur ke punë me ta, fillimisht duhet tu shpjegosh se idetë e tyre janë të gabuara e më pas ti bindësh për zgjidhjet alternative; pra duhet të bësh punë të dyfishtë. Tendencat për amortizim, tjetërsim dhe glorifikim të një humbjeje kaq evidente, është tregues se vendi o nuk e din ende se sa rëndë e thellë është futur, o e din se e ka gabim por ka shpresë në injorancën dhe neglizhencën e interesimit nga mileti. Them se kosovarët nuk janë injorantë të paditur dhe se trajtime të tilla fyese na marrin në qafë dhe neve dhe promovuesit e tyre. Them gjithashtu se është e kotë të merresh me shpjegime për një fakt kaq të hapur. Ndoshta në vete njeriu dhe shpreh brengë mbi idenë se kur poltikëbërësit kanë këso tendence kamufluese ndaj nj procesi tejet transparent, paramendo çfarë tendence kanë ndaj proceseve më pak të hapura, si ajo e Kontratës së Autostradës, tenderëve njëburimorë apo dhe më keq, dialogëve mbi fatin e vet shtetit. Sidoqoftë, është vonë për pishman. Paratë janë humbur, marrëveshja është vënë në regres e me këtë dhe një sërë procesesh tjera eko-politike. Çfarë tash?
Fillimisht, jo i gjithë procesi marrëveshës me Fondi ka përfunduar. Të gjithë ata që mendojnë se kalimi regresiv në një marrëveshje monitoruese është lajm i keq, kam frikë se do të dëshpërohen dhe më shumë kur të kuptojnë se Kosova jonë teknikisht nuk ka të aprovuar as edhe Programin Monitorues. Më lejoni të shpjegoj pse. Vizita e fundit e Fondit ishte vëzhgim nën qëllimet e përcaktuara nga Neni 4 i Kodit të FMN-ës. Sipas Nenit 4, vendet anëtare duhet të bashkëpunojnë në plotësi me qëllimet e FMN-ës. Për Kosovën një inspektim i tillë është dashur të ngjajë para anëtarësimit, por për shkak të nevojës për futjen e Kosovës sa më shpejtë në Fond, gjithmonë falë mbështetjes nga miqtë që së fundi i dëshpëruam, neve na u ishte mundësuar një kalim i procedurave dhe futje në marrëdhënie kontraktuare edhe pa vëzhgimin e paraparë me Nenin 4. Gjatë inspektimit të fundit, nën ombrellën e këtij neni, Fondi ka konstatuar mospërfilljen me rekomandimet e tyre dhe ka ofruar, assesi aprovuar, një Program Monitorimi. Aprovimi i tij zyrtar duhet të marrë vulën nga Menaxhmenti i FMN-ës për të qenë i plotfuqishëm. Por sa jemi të siguritë se do të marrim një aprovim të tillë?
Kujtoj se në të gjitha praktikat e Fondit, një vend para se të nënshkruaj një program, qoftë monitorues qoftë përfitues, duhet ti përmbushë disa “akte paraprake”. Herën e kaluar kur nënshkruam marrëveshjen përfituese në vitin 2010, ne u dashtë si kusht për nënshkrim, ti plotësojmë gjashtë të tilla, ndër të cilat dalloj 1) aprovimin e ligjit të Bankës Qëndrore bazuar në rekomandimet e FMN-ës, 2) Aprovimi i Rishikimit Buxhetor nga Parlamenti i vendit, 3) ai i premtimit të mos gjenerimit të shpenzimeve të reja gjatë vitit 2010, 4) inkasomi i 300 milionëve nga shitja e PTK-ës, dhe dy aktesh tjera më pak të rëndësishme. Plotësimi i këtyre kushteve apo garancia për plotësimin e  tyre (si në rastin e PTK-ës) gjatë Korrikut 2010 kishte marrë izën e Fondit.
Këtë vit, nënshkrimi i programit monitorues pritshëm do të ketë “akte paraprake” apo kushte që në rastin më optimist duhet të përmbushen para Korrikut të këtij viti, kur edhe mbahet Mbledhja e Bordit Ekzekutiv të Fondit. Sipas letrës së javës së kaluar të lëshuar nga Fondi këto kushte duken mjaft të rënda. Pika 19 e “Deklaratës Përfundimtare” të javës së kaluar jep një ide rreth këtyre akteve e të cilat lidhen me Ligjin e Veteranëve, Ligjin e të Burgosurve Politik dhe Autostradën Prishtinë Shkup. Pa definimin e numrit të saktë të përfituesve nga ligjet e përmendura, pa një qartësim të saktë të financimit të autostradës së re, procedimet e çfarëdoshme do të thotë humbje edhe e marrëveshjes monitoruese, e me këtë dhe të mundësisë që vitin e ardhshëm të kthehemi në rrugë të mbarë e të marrim asistencën e re për vitin 2012. Definimi i përfitueseve në anën tjetër, që prodhon barrë financiare të papërballueshme  për xhepin e Kosovës, do të jetë në kundërshti të plotë me synimet monitoruese të Fondit. Qeveria si duket këtë verë duhet të zgjedh në mes dy zjarresh.
Zgjidhjet duken mjaftë të kufizuara sidomos kur i referohemi Pikës 15 të “Deklaratës Përfundimtare” të Fondit e cila kërkon që bilanci bankar në fund të vitit duhet të jetë 300 milionë euro. Mosrespektimi i këtij kriteri kuantitativ është rishkelje e marrëdhënieve monitoruese me Fondin Monetar dhe si e tillë rrezikon ri-themelimin e marrëveshjes përfituese Stand-By në vitin vijues. Por në anën tjetër shpenzimet buxhetore janë të kontraktuara tashmë dhe shkurtimi i tyre këtë vit është pothuajse i pamundur. Deficiti prej 224 milionëve kërkon financim. Një alternativë ekstreme e sponsorizuar tashmë nga Qeveria është ajo e shfrytëzimit të bilancit bankar (244 milionët e grumbulluar në 12 vitet e shkuara), ani pse Fondi na ka thënë qartë se kjo punë nuk bën. Mos dëgjueshmëria e vazhdueshme ndaj FMN-ës do të jetë sa brengosëse aq edhe e mbrapshtë. Për vitin 2012 Qeveria llogaritë në paratë e gjeneruara nga PTK. Për më tutje nuk ka menduar fare.
Një alternativë kaq ekstreme shpenzuese kam frikë se na lë të gjithëve tërësisht jo-likuid. Alternativa tjetër po aq ekstreme por konzervative është shkurtimet të mëdha buxhetore ose rritjet tatimore. E para do të shkaktonte një sërë protestash masive deri sa e fundit do të ishte kapaku i fundit të një vendit në fund. Them se një mes i artë duhet të jetë diku. Për të gjetur këtë mes, them të shkojmë në Rumani, që dikur kishte një situatë surrogate me ne. Në pamundësi të financimit të një rruge multi-miliardëshe (të ndërtuar gjithashtu nga Bektel-Enka), Qeveria e re e kryeministrit Tariceanu, kishte zgjedhe një praktikë më pak të zakonshme: lutjen. Tariceanu kërkonte një marrëveshje gjentile me Bektel-in për të programuar afatin e pagesës nëpër vite, gjithmonë për ti ikur kolapsit potencial financiar. Orientimet strategjike të Bektel-it dhe vullneti i tyre për të qenë prezent në vendin rumun kishin zgjidhur çështjen e  likuiditetit. Them të provojmë dhe ne; në fund të fundit ka gjasa shumë reale që në një periudhë afat-mesme Bektel-Enka të fillojë rindërtimin e autostradës së re Prishtinë-Shkup. Një relacion i tillë gjentil është përfitues për dy palët.
Shkurtimet tjera buxhetore duhet të fillojnë nga absurdet e shumta, ndoshta dhe nga reduktimi i numrit të madh të Ministrive që shpenzojnë e shpenzojnë, pagat e deputetëve, veturat e administratës publike, telefonat e të gjitha ato kontributet ditore që një zyrtar publik i merr kur shkon jashtë, e që janë shumë-herë më të larta se të vendeve të rajonit. Luftimi më serioz ndaj korrupsionit, ndëshkimi i evazionistëve (jo haraçi ndaj bizneseve të rregullta), targetimi i Veriut dhe gjithë atij informalitetit atje mund të jenë disa burime serioze financimi.
Në kohë si këto kur jemi të zënë ngushtë, kam bindjen se një koncensuz në Parlamentin e vendit gjatë rishikimit të gjysmëvitit duhet të jetë pikënisja e rikuperimit. Ndonëse, thënë të drejtën, në një vend si Kosova të kesh pritje se Parlamenti di dhe mund ti thotë Qeverisë jo, është më tepër një ëndërr e bukur se sa një akt real. Por nëse pamaturia jonë zë vend mbi çfarëdo shkëndije të mençurisë, atëherë them se nokauti ynë do të jetë më i shpejtë se qe presim.

KOHA DITORA, 1O QERSHOR 2011
LETRA NGA LIMBO

No comments: