Riprogramimi i marrëveshjes dhe kalimi i saj në një ligë më inferiore është humbje e ndihmave fiannciare, rrezikim i proceseve integruese e tmerrim i investitorëve potencial. Fatkeqësisht, për mendimin tim, ky është vetëm fillimi i një krize që unë dhe ju nuk e kemi parë ndonjëherë
E tmerrshmja ndodhi, Kosova është në nokdaun! Shpresa e fundit se Qeveria do të mblidhte vetën dhe rikuperonte gabimet euforike elektorale u shua në letrën e kësaj jave të dhënë nga Fondi Monetar Ndërkombëtar. Alarmet e pafund që i bëmë morën vesh të shurdhër, skenariot e krizave potenciale u injoruan, e pritjet pesimiste, për të keqën tonë, morën vend. Fondi nga kjo javë kalon Kosovën nga “Stand By Arrangement” në “Staff Monitored Program” e që thënë shkurt e shqip është kalim nga një marrëveshje përfituese në një program monitorimi e supervizimi në kërkim të përmbushjes së standardeve. Është shkuarje një hap prapa në një grumbull procesesh ekonomike e politike të vendit. Është humbje e milionave, humbje e hapit integrues e humbje e perspektivës ekonomike për disa vite. Është makthi ynë i ri.
Për të gjithë ata që kanë dije modeste në strukturën e programeve të FMN-ës, përshkrimi duket kështu. “Stand By Arrangement” është formë e financimit të vendeve me qëllim të kalimit të problemeve afatshkurta mbi bilancet financiare. Krijuar më 1952, ky program shërben kryesisht për ekonomitë emergjente, si kjo e jona, dhe në të shumtën e rasteve ka norma interesi simbolike. Kosova kishte nënshkruar një program të tillë vitin e kaluar dhe për kthim u ishin garantuar 110 milionë euro vetëm për vitin 2011. Programi në fjalë për domosdoshmëri ka kontrolle të vazhdueshme mjaft strikte. Kosova duhej ti kalonte katër, por ja që nuk bëri asnjë. Mu ky lëshim për faktet e stër-argumentuara deri më tani, bëri që vendi të rinegocionte programin, e ri-negocijimi pritshëm çalonte në hipershpenzimet e planifikuara, për të përfunduar kështu në një nivel më të ulët marrëdhëniesh me Fondin të njohur si “Staff Monitored Program”. Ky program monitorues, sipas letrës që FMN ka bërë publike është “marrëveshje joformale” pra joobligaitve dhe njëkohësisht “nuk përmban asnjë kontribut financiar”, pra humbë ndihmat e Kosovës. I njëjti u ofrohet vendeve që janë pjesë e FMN-ës por për shkak të mosmarrëveshjeve eventuale nuk përfitojnë financiarisht nga Fondi. Ideja prapa programeve të tilla është aftësimi i vendeve nëpërmjet përcjelljes së rregullave strikte e vlerësimeve periodike, për të arritur kështu qëndrueshmëri financiare. Të njëjtit u ofrohen vendeve kryesisht problematike. Sa për ilustrim, programe si këto kanë vendet si Zimbabve, Svaziland e Kongo.
Riprogramimi i marrëveshjes dhe kalimi i saj në një ligë më inferiore, për Kosovën, është hapje e derës për disa humbje të panevojshme e të paimagjinueshme jo më shumë se një vit më parë. Thënë të drejtën, nuk kam as idenë më të vogël se si arritëm këtu pa na shtyrë kush, por ja që amatorllëku ndonjëherë për sherr bën të pamundurën. Humbja e parë, dhe më imediatja, është ajo e ndihmës financiare për këtë vit, e që në buxhetin e miratuar përkthehet në plot 156 milionë euro. Në kohë kur ndërtojmë rrugë, rrisim paga, shesim pasurinë për borxh, në kohë kur papunësia dhe varfëria na prenë atë copë perspektive të mbetur mes nesh, në kohë kur kosovarët na vdesin në spitalet e rrënuara, fëmijët na mbesin analfabet, të miturit na punojnë e pensionistët merren të qenë si për lëmoshë, në kohë si këto, ato 156 milionë janë vezë të arta për ne, janë para që bëjnë zgjidhje. Ti humbasësh ato sot është një aventurë adoleshente e Qeverisë, një neglizhencë sa e pashpirt aq edhe e turpshme, një pamaturi absolute që nuk ka se si të mos na ri-thyejë kurrizin tashmë të thyer e stër-thyer. Jo se nuk i paralajmëruam poltikëbërësit tanë. U thamë se si azgan ndaj Fondit nuk shkohet, se i njëjti nuk jep pesë pare për ne, se ecja e tyre nëpër vijat e ekstremit na rrëzon e na kushton.
Ky kushtim na sjell te humbja e dytë, integrimin tonë në proceset stabilizuese dhe evropiane. Të kesh inflacion lidhjesh me Fondin është rrënim i çdo shprese afatshkurtre për integrim në një sërë organizmash ndërkombëtarë, nga të cilët, për mendimin tim, më i rëndësishmi është ai i Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Në vend se të gjenerojmë lidhje institucionale që na mundësojnë kredimarrje afatgjate e përkrahje ultime në synimet tona rindërtuese, ne shkëpusim rrugëtimin tonë në ecjen më të mirë, dhe jo vetëm kaq, largojmë vetën për vite të tëra. Madje kam përshtypjen se Raporti i Progresit tanimë është duke mprehë penën për të mbushur faqet e tija me kritika të pafund në ecjen tonë drejt familjes evropiane; me të cilën ecje e kemi gojën plot, por mundin e angazhimin askund.
Vendi ynë sot shihet si i paqëndrueshëm, i pasigurt dhe definitivisht i pabesë meqë ndërron marrëveshjet ndërkombëtare pa brengën më të vogël. Ky sllallom i yni me financa publike, me institucione financiare e aleanca tjera integruese ka koston e tretë, atë të largimit të çdo investitori të huaj. Nuk ka bir nëne që sot mund të sjell një investitor serioz, ama serioz e jo asi tyxhar oriental e ekzibicionistë biznesi, në Kosovën që nga Fondi Monetar është vënë në regres. Një paqëndrueshmëri financiare nënkupton rrezik e rëndesë në ambientin biznesor, pasiguri në të bërit biznes e në mbrojtjen e kapitalit; ky një tmerr i prodhuar nga paaftësia, kryeneçësia dhe ngutia jonë.
Dhe çka tash? Përveç se kemi humbur 156 milionë, se jemi larguar nga proceset tjera integruese, e se kemi tmerruar çdo investitor të huaj, ne kemi vënë buxhetin dhe paranë tonë në ekstremin më të thellë të saj; dhe mu këtu fillon dominoja e rrezikshmërisë së pafund. Buxheti i vendit këtë vit planifikon të ketë një deficit prej 220 milionësh e i cili këtë herë do të financohet nga bilanci jonë bankar, apo paraja e grumbulluar në dymbëdhjetë vitet e fundit e që është diku rreth 244 milionë euro. Me fjalë të tjera, Kosova me 31 Dhjetor të 2011-ës mund të jetë vendi më jo-likuid me më pak para në thesar se një bankë komerciale. Në vitin 2012, deficiti i ri do të mbulohet vetëm nga shitja e Telekomit të vendit e një vit më pas, kur arka të jetë tharë, kur asetet të jenë shitë, ne do të mbesim të zhveshur përball çdo deficiti vijues. Nisja e projekteve të reja do të jetë një luks e shkurtimet buxhetore domosdoshmëri jo e zgjedhjes sonë por e imponimeve ndërkombëtare.
Habitem për së keqi kur Qeveria e prirë nga kryeministri dhe një grumbull përcjellësish që s’kan idenë se çfarë thonë mundohen të lulojnë letrën e re kur eksplicizmi i Fondit nuk jep as të voglën mëdyshje. Duken patetik; ndoshta dhe se kanë kuptuar letrën e shkruar në gjuhën angleze. Të njëjtin mundohen të thonë se nuk jemi përjashtuar nga Fondi, po ani çka që kemi humbur një marrëveshje financiare dhe kemi kaluar në një program monitorues, e ani çka që nga një marrëveshje formale kemi kaluar në një joformale pa ndihma. Kur do ta kuptojnë se Fondi nuk përjashton asnjëherë; o të jep kredi o nuk të jep, e ne kemi zgjedhë të fundit. Do të habitem edhe më shumë nëse Parlamenti dhe Presidenca nuk thirrin seanca të jashtëzakonshme për të arsyetuar dëmtimin e proceseve integruese, rrezikshmërinë e vënë ndaj investitorëve të huaj dhe humbjen e milionave këtë vit. Jo se mund ti kthejmë ato tani. Është tepër vonë. Sikur Parlamenti të dëgjonte argumentimet dhe kritikat e bëra muaj më parë neve sot do flinim më rehat. Por ja që i njëjti pat një vizion partiak para atij nacional dhe çdo dorë e ngritur për të aprovuar buxhetin e këtij viti merrte me vete kosto enorme. Kosova këtë javë ka bërë një hap të madh prapa, e fatkeqësisht, për mendimin tim, ky është vetëm fillimi i një krize që unë dhe ju nuk e kemi parë ndonjëherë.
KOHA DITORE, 3 QERSHOR 2011
LETRA NGA LIMBO
LETRA NGA LIMBO
No comments:
Post a Comment