Monday, 15 May 2017

FUNDI I PRITUR, FILLIMI I FRIKSHËM

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 12 MAJ 2017

Dy vite e gjysmë më pas, siç dhe pritej pra, bashkëjetesa me shkaktarët kryesorë të kapjes e regresit tonë del të jetë krejt e keqllogaritur. Sepse, në këtë keqllogaritje, kapësit kthehen në habitatin e tyre origjinal, përvetësues, pengues, të frikshëm dhe, fatkeqësisht, më të fortë se gjithherë.



-1-

E pritshme, krejt e pritshme, ishte skena shpërbërëse e koalicionit LDK-PDK. Njëjtë sikurse kishte nisur, pa stil e pa parim, njëjtë po përfundonte – edhe pa stil edhe pa parim. Në të vërtetë, njëjtë dhe kishte funksionuar për këto 900 ditë. Qeveria ishte e ndarë, partnerët provokues ndaj tjetrit, afrimi ishte krejt artificial. Artificiale ishte dhe mbrojtja e tij sa herë që ajo bëhej nga eksponentë përfitues të dyja palëve. Si artificial që ishte, s’kishte si të ecte e përfundonte ndryshe.

Besimi se kapja menaxhohet duke iu bashkuar kapjes, ishte gjithmonë frazë arsyetuese për një politikë pa parime shumë; s’kishte ndonjë sens as për ata që e thonin edhe më pak për ata që e dëgjonin. Dy vite e gjysmë më pas, siç dhe pritej pra, bashkëjetesa me shkaktarët kryesorë të kapjes e regresit tonë del të jetë krejt e keqllogaritur. Sepse, në këtë keqllogaritje, kapësit kthehen në habitatin e tyre origjinal, përfitues, pengues, të frikshëm dhe, fatkeqësisht, më të fortë se gjithherë.

Kujtoni vitin 2014 për të kujtuar gjendjen në të cilën klani i SHIK-ut ishte në vend. Unifikimi opozitar i kishte lënë ata me dy ulëse. Të parën, të zaptuar nga më e moshuara në Parlament; të dytën nga një interpretues skandaloz i parimit të shumicës parlamentare në Gjykatën Kushtetuese. Ndonëse shërbimi i të dyve ndaj partisë e kapjes mund të jetë harruar, dëmi i shkaktuar që nga atëherë do të na ndjekë për një kohë të gjatë. Dhe kapësit, nga dy ulëse të zaptuara, po kthehen në një skenarë mirë të planifikuar edhe me President edhe me Kryeministër – me më shumë pushtet.

-2-

Dy vjet kohë, i kisha dhënë kësaj qeverisje, si parashikim të parë, në emisionin e parë të Rubikonit për vitin 2015. Për katër muaj shtyrje më shumë – thuajse nuk ishin këto të fundit gjithsesi – koalicioni i panatyrshëm, kishte pasur jetë. Parashikimi i pothuajse secilit kosovar, në grup të të cilëve bëja pjesë dhe unë, ishte fare i thjeshtë. Në fund të ditës, nuk është shkencë raketore gjetja se me PDK-në s’mund të ketë bashkëjetesë të gjatë. S’ka pasur askush asnjëherë. Në të vërtetë, në të gjitha bashkëqeverisjet e tyre, asnjë mandat, as edhe një, ska përfunduar i tëri. Ky madje, është më i shkurti. Kushdo që s’ka parë një skenar të tillë, sinqerisht s’meriton asnjë ditë në politikë.

Skenari i planifikuar e implementuar me përpikëri llogariste që, nëpërmjet shkurtpamësisë së partnerëve, kapësit të merrnin postin e Presidentit; të transformonin më pas partinë, dhe në momentin e parë të konsolidimit të lidershipit të ri, të kërkonin mandat të ri për këtë lidership të ri. I gjithë ky proces do t’i linte rivalët e saj të ndarë e përçarë, dhe me një faturë publike shumë vështirë të rekuperueshme në zgjedhjet e ardhshme – që janë këto tani.

Kështu, bashkudhëtuesi i tyre i deritanishëm, LDK pra, gjendet në një përballje pa municion. Për më tepër, e njëjta gjendet në vrobullën e zierjes së brendshme; të ridefinimit e ripozicionimit pas gjithë konsumit të deritanishëm me kapës. E gjithë kjo, në një afat krejt të shkurtër parazgjedhor. Në betejën e jashtme, ndërsa, ata kanë kundërshtarët e njëjtë, me mekanizma kapës të njëjtë. Me media, biznese e propagandë të tërë në qafë të tyre.

Dhe kjo përpjekje ridefinuese e tyre është e vështirë. Ajo, në raste prodhon edhe situata komike sikurse kjo e fundit që në gjithë pafuqinë reaguse refuzon njohjen e Presidentit. Përveçse është e vonshme shumë, është edhe e pavlerë – e pa potencë. E kohës e me vlerë do të ishte dëgjimi i këshillave në kohën e zgjedhjes së tij.

-3-

Kundërshtari tjetër i kapësve, po aq serioz, “Lëvizja Vetëvendosje” nuk ka arritur asnjëherë të kanalizojë gjithë pakënaqësinë publike në frymë opozitare. Mund të ketë bërë mjaftueshëm për të mbetur forca kryesore opozitare në vend; por ç’i duhet opozita më shumë kur kapësit zgjerojnë edhe më tepër pozitën kapëse të tyre.

E “fillimi i ri” me kapësit e vjetër, tash është krejt i frikshëm. Sepse, në të gjitha gjasat e mundshme, të një koalicioni të gjerë me parti që refuzojnë vijat e kuqe, kapja do të zgjerohet edhe më shumë.

Ka veç një zgjidhje përballë parandalimit të një vazhdimësie të tillë. E para, që LDK të unifikojë veten e pranojë me përgjegjësi dështimin e bashkëjetesës me kapësit. Mbi këtë pranim, të reflektojë e hapë veten. E dyta, që “Lëvizja Vetëvendosje” të kapërcejë mbi ecjen solo të saj, për të ndërtuar një front të përbashkët anti-SHIK me këdo që përfundimisht rreshtohet në këtë drejtim.

Sepse fronti SHIK do të mbijetojë. Do të mbijetojë për aq sa ka njerëz pa idel e pa bindje që i bashkohen të njëjtit për pak privilegj. Të tillë do të ketë përherë. Do të mbijetojë deri sa ka mekanzima mirë te themeluara të propagandës, fuqisë financiare e kërcënimit. Si i tillë do ta ketë jetën e gjatë. E përderisa forcat e mbara në Kosovë s'bëhen bashkë kundër SHIK-ut por flirtojnë me të, kapja e plaçka do të mbijetojnë për shumë vjet. Kanë kohë të përdorin e djegin secilin partner - siç e dogjën këtë herë, edhe para saj, edhe shpeshherë deri më tash. Është koha e fundit për shpëtim të Republikës. Gjithcka tjetër nën të, ka fare pak rëndësi.



Monday, 8 May 2017

VLIMI BALLKANIK DHE MENÇURIA JONË

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 5 MAJ 2017


Izolimi ynë përballë provokimeve e përplasjeve rajonale është i pamundur. Por është shumë e mundur të sillemi mençur sa për të mos bërë asist në një eskalim të tillë. Mos të harrojmë; pjesa më e madhe e provokimeve ruse bëhet për qëllim të nxitjes reaguese të shqiptarëve. Tendencave ruse i duhet e i mungon veç një reagim zinxhiror. Dhe vetëm një komb ka mundësi të japë këtë reagim prej zinxhiri – janë pikërisht shqiptarët pra.

-1-

Një vlim Ballkanik që po ngjanë – e do të ngjajë edhe për një kohë të gjatë – është pikërisht çfarë ishte paraparë në profecinë e një BE-je që zgjerimin e saj nuk e ka më prioritet. Në momentin e parë që ky zgjerim është ngrirë e vënë në rend të dytë, kanë nisë çarjet e një harte me fushëbeteja gjithandej.

Çarja më e madhe, tani për tani, ndodhë në Maqedoni; dhe të njëjtës provohet t’i jepet karakter etnik. Problemet ndëretnike në Maqedoni janë evidente. Maqedonia sot është shteti me albanofobinë më të institucionalizuar se secili shtet tjetër në rajon. Por pavarësisht të gjithave, përplasja atje është shumë më e gjerë sesa veçse etnike. Sepse edhe vet shqiptarët e diskriminuar në Maqedoni janë në aleancë me një pjesë të maqedonasve etnik. Pra betejën me pushtetin paradiktatorial e kanë të përbashkët.

Në prapaskenë të nismës destabilizuese në Maqedoni është ballafaqimi i Rusisë me Perëndim. Në të vërtetë, ky ballafaqim është i njëanshëm tani për tani, meqë Perëndimi ka kohë që është shndërruar në vëzhgues pa ndonjë ide se si duhet nxjerrë gjithë Ballkanin nga një rrugë qorre si kjo. Dhe do të mbetet vëzhgues përderisa nuk vendosë të trajtojë Ballkanin në nivelet më të larta politike të saj, shumë më të larta se sa diplomatë të niveleve të mesme.

Në një vështrim më të gjerë e në një hapësirë kohore pak më të gjatë, ka një patern të shënuar me konsistencë. Lodhja evropiane me Ballkanin Perëndimor, pak për shkak të rritjes së tendencave joliberale atje, e shumë për shkak të burokracisë së stër-rritur në Bruksel, ka krijuar një hapësirë të re për politikën ruse. Politika ruse, ndërsa, nuk ka pretendime që Ballkanin Perëndimor ta përdorë si potencial për inkuadrim nëpër klubet e veta. Si një ishull i rrethuar me vende të NATO-s e të BE-së, një pretendim i tillë do të ishte, edhe për standardet e Putin, çmenduri. Rusia ka një mision krejt më të thjeshtë. Në thelb, misioni kërkon krijimin e trazirave – nën pretekstet e llojllojshme – trazira që më pas mbajnë të zënë e në telashe gjithë Perëndimin. Kjo do t’i jepte Rusisë kohë e hapësirë të zgjerojë influencën e  vet rreth zonave gjeostrategjike të saj; në Ukrainë e Gjerogji në radhë të parë, në Siri e Lindje të Mesme më pas.

Sepse, në secilën llogaritje të mundshme, një konflikt i ri në mes të Evropës, do të vinte në prapaskenë të gjitha konfliktet në periferi të saj. Do t’i jepte Rusisë frymëmarrjen e kërkuar kaherë.

-2-

Në paternin e tillë, Rusia ka përdorur e provon të përdorë skenarë të llojllojshëm por që në thelb kanë për lëndë të parë ndasitë etnike. Në fakt, skenari i Maqedonisë ishte replikim i përpiktë i skenarit të dështuar në Mal të Zi. Atje, në komplotin e dështuar që rezultojë me mbi 30 arrestime të paramilitarëve serb e rus, shkalla e intervenimit të paraparë ishte shumë më e lartë. Mesiguri për shkak të leximit se për të ngjallur konflikt në një vend para-anëtar i NATO-s do të duhej vrasje – deri tek ajo e Kryeministrit. Në Maqedoni, ky skenar duhej të kishte më pak forcë. Sepse gjasat e përplasjes etnike në Maqedoni janë shumë më reale se sa në Mal të Zi. Pra, në skenarin destabilizues, do të mjaftonte një ndezje më e lehtë, pa armë të rënda sikurse në Mal të Zi, për të përshkallëzuar në konflikt gjithë territorial. Ndezja, për fat të mirë tonin, nuk ndodhi.

Në skenarin rus ishte dhe provokimi i Serbisë në Veri të Kosovës. Treni, fillimisht, më pas muri, kërkonin mu këtë eskalim. Ishte dashtë intervenim i nivelit më të lartë politik në BE, intervenim që mbërrinte deri tek kancelaria Merkel, për të parandaluar një konflikt të tmerrshëm ballkanas.

Por provokimi i Serbisë nuk ndalet me kaq. Në të vërtetë, Serbia është vazhdimisht duke shtyrë tensionet ndëretnike në Ballkan. Edhe tek politika e fletarresteve, edhe tek politika e reagimit ndaj ngjarjeve në Shkup, edhe tek politika e proklamimit të Shqipërisë së Madhe – deklaratat zyrtare në Serbi janë në vijë të plotë me ato të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë. Janë në sinkronzim perfekt në ton, përmbajtje madje edhe në kohë të publikimeve. Një dualizim i tillë jep prapaskenën e qartë të koordinuesve.

Deri më tani, dhe mesiguri si ruajte e letrës së fundit, nuk është përdorur vetëm Bosnja e Hercegovina; atje gjasat për përplasje ndëretnike janë shumë më të mëdha se sa në Maqedoni. Influenca biznesore ruse është po ashtu më e theksuar, e ndikimi i Perëndimit edhe më i ndarë.

Çfarë s’bën kuptim në gjithë këtë skenar është vlimi që ndodhë në Tiranë. Ndoshta shqiptarët atje po i bëjnë një asist vullnetar e pa vetëdije qëllimeve destabilizuese ruse. Por, gjithsesi, destabiliteti në një vend të NATO-s, edhe po të jetë i tillë, është më pak i dëmshëm se sa në vendet e tjera ballkanase.

-3-

Në një vlim të tillë është e pamundur të mos kontaminohemi dhe ne. Natyrisht se do të ndikohen investimet tona, stabiliteti ynë, projeksioni i Kosovës – çfarëdo qoftë ai. Në fund të ditës para forcave të mëdha integruese, ne shihemi krejt si një rajon.

Pra izolimi ynë është i pamundur. Por është shumë e mundur të sillemi mençur sa për të mos bërë asist në një eskalim të tillë. Mos të harrojmë; pjesa më e madhe e provokimeve ruse bëhet për qëllim të nxitjes reaguese të shqiptarëve. Tendencave ruse i duhet e i mungon veç një reagim zinxhiror. Dhe vetëm një komb ka mundësi të japë këtë reagim prej zinxhiri – janë pikërisht shqiptarët pra. Rusia e di mirë se një eskalim në Maqedoni, nuk mund t’i mbajë inferiorë shqiptarët në Kosovë e Shqipëri. E di se një përplasje në Veri nuk do të izolojë reagimin e shqiptarëve të tjerë njëtrajtësisht. Mbi të gjitha e di se shqiptarët s’mund t’i ketë aleatë asnjëherë, prandaj i ka në thelb të provokimeve të para.

Shqiptarët në Kosovë duhet të tregohen më të maturit. Dhe maturia kërkon bërjen e dy hapave të mençur shumë. Hapi i parë ka të bëjë me shmangien e secilit konflikt ndërpartiak në vend. Në këtë fazë na duhet me finesë të kalojmë dallimet rreth demarkacionit sepse janë krejt të parëndësishme përballë forcës provokuese që kemi përpara. Në një lojë më të mirë politike, dallimet e demarkacionit do të jepnin dhe liberalizim – pra në hap më tutje drejt evropianizimit. Por po që s’morrëm liberalizim, është e domosdoshme që së paku të mos bëjmë destabilizim. Një përplasje ndërshqiptare, sikurse ajo e viteve 2015 e 2016, do të krijonte hapësirë e shkas për një seri provokimesh në Veri. Sot, mrekullisht, kur gjithë regjioni është në vlim, Kosova është krejt në qetësi. Tjetër çka që qetësia jonë ka të bëjë me mos bërjen e asgjëje. Pra jemi të qetë sepse s’bëjmë gjë; por megjithatë s’jemi në vlim.

Hapi i dytë, ka të bëjë me ndërtimin e aleancave pro-perëndimore në Ballkan. Pra shqiptarët e Kosovës, pasi të kenë zgjedhur problemet e veta, duhet të presin – madje dhe kërkojnë – zgjidhjen e problemeve të shqiptarëve në Shqipëri. Së bashku, më pas, do të duhej të ndërtonim aleancë me qeverinë në Mal të Zi dhe me qeverinë e re në Maqedoni. Këtë aleancë të re duhet ta promovojmë në Perëndim si forcë garantuese e shpërfilljes ruse në rajon; dhe mbi të gjitha, si forcë shumë etnike ballkanase. Një aleancë e tillë do të vinte Serbinë në presion e Rusinë pa faktor destabilizues në Ballkan.