Friday 4 June 2010

Çfarë zhvillimi?!





Banka Botërore na thotë se të paktën për një dekadë të tërë ne do të jemi më të varfrit e më të papunët në Evropë. Grupi Ndërkombëtar i Krizave na kujton se kemi koncept plotësisht të gabuar të zhvillimit ekonomik. FMN i bën krasitje buxhetit të ligë tonit për të treguar sa të paaftë jemi në menaxhim të parasë. Departamenti për Politika të Jashtme vë në pah informalitetin dhe strukturat paralele që mbysin ekonominë. Doing Business na vendos në rang të njëjtë me Iranin, Venezuelën e Afganistanin ndërkaq Raporti i Progresit ringjall ethet e korrupsionit si virus ekonomik i krijuar në laboratorët tonë. Dhe ne prapë kemi guximin të flasim e mburremi për zhvillim ekonomik? Çfarë zhvillimi?!

Nuk më brengosin aq edhe paraqitjet përsëritëse që ndoshta për një adikt televiziv edhe mund të kryejnë punë. Më brengos e vërteta prapa këtyre paraqitjeve. Nëse këto deklarime bëhen për të mbrojtur vendimet e marra atëherë le të mbetet kjo pjesë e debateve ekonomike dhe atyre deklaratave patetike, por që prapa skenës konfrontuese vazhdohet me punë. Por nëse ata me të vërtetë i besojnë fjalëve të veta atëherë ne kemi para vetës një mision të pamundur: të bindim të paditurit që të dinë, e kur të dinë të vënë në pah ato kapacitete modeste për të bërë një progres. Nuk ka humbje më të madhe nëse me bindje punohet në drejtim të gabuar. Do të duhet më pas kohë për të rikuperuar pozicionin e tanishëm, gjithmonë të vënë në një pozicion konkurrues rajonal.

Le të nisemi nga e para, ajo rritja e famshme ekonomike. Për një ekonomist, numrat shpesh janë desindikativ. Për shembull, në vitin 2001, Kosova kishte rritjen më të lartë ekonomike në botë, madje edhe Kina që po përjetonte bumin më të madh ekonomik kishte mbetur e dyta. Për një ekonomist dhe numërator me dije themelore është e qartë se në një bazë të ulët ekonomike, rritja është fare e lehtë, për mos të thënë se stagnimi ose degradimi ekonomik është mjeshtri e mbrapshtë por prapë e veçantë. Me bazën e tanishme ekonomike të Kosovës, rritja e bërë është po aq simbolike sa që vënë në kontekst konkurrues, vendit fqinj do ti duhej një e katërta e rritjes tonë për të mbetur në pozicion të njëjtë në vitin vijues me neve. Prandaj kur themi se kemi rritje më të madhe në rajon, le ti shtojmë kësaj mburrjeje edhe faktin se përkthyer në standard të jetesës ne kemi mbetur po aq mbrapa me fqinjët tonë malazez, maqedon, shqiptar e serb; por ja që humbëm një vit të tërë.

Kur jemi te standardi i jetesës, ekonomistët e njëjtë e dinë se një rritje ekonomike e shoqëruar me një stagnim ose përkeqësim në varfëri dhe papunësi do të thotë asgjë. Nëse nga kushtimisht tre banorë njërit i është dyfishuar pasuria e dy të tjerët kanë mbetur me standardin e njëjtë të jetës, konkluzionet janë të qarta për një keqefikasitet të sistemit dhe zhvillimit ekonomik, me fjalë të tjera paraja ose është në duar të gabuara ose alokohet tek një grup i ngushtë interesi.

Por le të themi se rritja ekonomike përfaqëson zhvillim ekonomik. Le të themi se shoqërohet me shpërndarje të njëjtë. Madje le të themi se edhe do të kemi 6% rritje si asnjëherë më parë që nga 2001, ndonëse me shkurtimet e fundit buxhetore dyshoj në një arritje të tillë. Le ta përkthejmë tani këtë rritje në një fjalor më të thjeshtë. Kosova ka një strukturë ekskluzivisht të re demografike që prodhon në vazhdimësi fuqi punëtore. Deficiti i punëdhënies në Kosovë sillet diku në rreth 25.000 të papunë. Një pjesë e këtyre numrave amortizohen nga tregu i edukimit dhe nga migrimet eventuale megjithatë me rritjet e tanishme ekonomike ne fatkeqësisht vazhdojmë të kemi ose stagnim ose rëndesë të papunësisë. Për vite me rrallë ne këmi patur një stagnim ose rëndese meqë mbajtja konstante e normës së papunësisë në 35-40% në 5 vitet e fundit, përkthyer në banorë, gjithmonë duke marrë parasysh normën rritëse të popullsisë, do të thotë se në numra kemi rritje të të papunëve. Mbi të gjitha, është plotësisht e qartë se çdo rritje ekonomike nën 7% do të rëndonte edhe më tepër nivelin e papunësisë, gjithmonë duke i mbajtur faktorët tjerë konstant. Pra, me një rritje ekonomike prej 6%, karshi treguesve tjerë demografik, të papunëve u shtohen diku rreth 4000-5000 kosovarë në vit.

Duke rikujtuar edhe një hërë raportin e Bankës Botërore, si dhe duke rinënvizuar edhe një herë se Kosova nuk është një garë me një kali, pra bën konkurrencë, shtynë e lufton ekonomikisht me gjithë vendit e rajonit, kjo rritje jo që paraqet një avancim të pozitës tonë në rajon, por më tepër rëndon pozicionin tonë. Për këtë është përkujdesur edhe parashikimi i Bankës Botërore që shkurt e thjeshtë thotë se për 10 vitet e ardhshme për të mos mbetur të fundit në zhvillimin tonë ekonomik, ne duhet të thyejmë një rekord botëror, e të kemi një rritje prej 10%. Në 2010 do të kemi 6%, një vit shkoi huq, 9 të tjerë kanë mbetur. Për më tepër, për të ulur nivelin e papunësisë në 20%, Kosova duhet të ketë një rritje ekonomike rreth 12% për 10 vitet e ardhshme. Tani kur vendi ynë po realizon gjysmën e rritjes së nevojshme ne po e dyfishojmë kohën për realizimin e këtij objektivi.

Raporti i Progresit, vitin e kaluar pat ritheksuar se përderisa sektori publik dhe donacionet vazhdojnë të jetë forcë motorike e zhvillimit ekonomik, vendi ynë është një letër që mund të rrënohet ekonomikisht shumë lehtë. Por cfarë po bëjmë ne për të ndryshuar këtë gjendje? Është imperative që Kosova të zhvillojë një bazë të shëndoshë ekonomike dhe ligjore që vendin tonë do ta bënte kandidat serioz për integrim evropian. Dhe kjo mund të arrihet vetëm në një mënyrë – me ekonomi të lirë, e pangulfatur nga interferencat nga shteti, dhe e udhëhequr nga një sektor privat konkurrues që gjeneron vende të reja të punës dhe mirëqenie për gjithë kosovarët. Zhviillimi ekonomik i Kosovës eshtë çështje e besimit mbi ndërmarrëisnë, mbi sektorin privat. Shteti, nuk duhet e as nuk mundet të kontrollojë sektorin privat.

Deri sa ne po flasim këtu për rëndësinë e sektorit privat, Kosova vazhdon të jetë e ranguar në vendin e 113 nga 183 vende të botës sa i përket kushteve për zhvillimin e bizneseve. Para Kosovës renditen të gjitha vendet rajonale, ndërkaq ne gjendemi në zonë të njëjtë me vendet si: Uganda, Bangladeshi dhe Guatemala, vende këto të zhytura në varfëri, papunësi dhe kriza sociale. Për më tepër, Kosova është në 10 vendet e fundit sa i përket mbrojtjes së investitorëve, në të njëjtin grup me Afganistanin, Venezuelën dhe Xhibutin. Paramendoni, edhe Irani është vend më i sigurt për investitorët se sa Kosova. Shtroj pyetjen këtu se sa reale janë thirrjet për investime në Kosovë, kur janë plot 170 vende tjera që e bëjnë këtë më mirë se ne? Çfarë potencialisht i shkon në mend një investitorit për Kosovën kur sheh këto rangime?

Nëse dikush ndonjëherë mendon të matë suksesin ekonomik të vendit tonë, mos ta bëjë duke krahasuar atë me të kaluarën tonë të zymtë e të hidhur. Le ta vë në kontekst rajonal e le të bën matjen e termeve si: papunësi, varfëri, korrupsion, ligj. Le të mos bëjmë lojë numrash se dukemi aq patetik e qesharak.

Në fund, le të përkthejmë edhe një herë marrëveshjen e FMN-së me Kosovën që u dha si një lajm i mirë e i një suksesi të politikës ekonomike tonën. Kë po mundohen të mashtrojnë. FMN, me një kërcënim të prerë e të qartë, ka kërkuar nga institucionet tona të shkurtojnë shpenzimet në të gjitha nivelet, përfshirë këtu edhe investimet kapitale. Ndonëse kjo mund të duket një fjali e rëndomtë ekonomike, efektet do ti shohim në vitet në vijim, kur fjalë për fjalë të ngrirë financiarisht neve do të na lindin kërkesat sociale. Le të shohim si do të reagojnë institucionet tona kur do të kërkohet rritja e premtuar e pagave, ose kur në mungesë të të gjitha atyre investimeve kapitale përgjigja do të jetë nuk kemi para. Ndërhyrjet e FMN-së në asnjë vend nuk janë parë si storie e suksesit. Ato tregojnë për një situatë emergjente financiare dhe paqëndrueshmëri buxhetore. Si arritëm ti përkthejmë këto fakte në sukses?

Koha Ditore 04.06.2010

No comments: