Wednesday, 16 June 2010

Mes dy zjarresh


Ka plot shtatë vjet që nuk mbeti kush pa kërkuar kthimin e parave të privatizimit. Arsyet ishin të shumta, por përgjigjet nuk u dhanë kurrë. Sot fotografia jonë ka një pamje tjetër dhe të paktën është thyer tabuja e plot 450 milionë eurove (në kesh) të fondit të privatizimit. Pa dashur të ndërhyj në shfaqjen mjaft atraktive korresponduese në mes protagonistëve të parasë në fjalë, më lejoni të jap argumentet pro dhe contra mbi arsyen se ku duhet të jetë fati i asaj pasurie aq të nevojshme financiare për vendin tonë.

Pro

E para, paratë e privatizimit janë të kosovarëve. Besoj se është e tepërt të shpjegohet se prona publike është ndërtuar nga NE (e assesi ndryshe) dhe se NE (e assesi ndryshe) jemi trashëgimtarët e vetëm (e assesi ndryshe) të kësaj pasurie. Si të tillë, kemi çdo të drejtë ligjore dhe morale të thirremi si titullarë dhe rrjedhimisht të vendosim se a dëshirojmë t’i mbajmë këto para jashtë për norma qesharake interesi, t’i kthejmë për të blerë atë infuzionin ekonomik që na hap sytë, ose në fund të fundit t’i djegim se janë tonat e kështu na do qejfi. Me rëndësi është të shkruhet e thuhet diku se kosovarët janë të zotët e kësaj paraje.

E dyta, nëse kosovarët janë të zotët e këtyre parave, atëherë qeveria e tyre (këtu lidhem vetëm me konceptin e fjalës e kurrsesi me atë çfarë ne njohim si qeveri) është zëri i vetëm politik dhe vendimmarrës i qytetarëve. Qeveria ka autorizimin e plotë me çdo ligj e kushtetutë moderne, madje edhe me ligjet e Ghengis Kahn-it të flasë në emër të qytetarëve të saj, e t’i përdorë këto fonde ama bash “si të dojë”.

E treta, privatizimi është i financuar kryesisht nga investitorët vendorë. Fatkeqësisht ne nuk arritëm të tërheqim as të paktën një emër që njihet përtej Kukësit, Zveçanit, Kullës e Shkupit. Dhe këta investitorë modestë vendorë u dashtë të sigurojnë ato 450 milionë nga kreditë e ofruara nga oligopoli bankar i Kosovës, e që ky i fundit kishte huazuar këto para nga depozitat e pjesës tjetër të kosovarëve.
Thënë shkurt, privatizimi ishte financuar tërësisht nga tregu kosovar në kurriz të tharjes masive të parasë së gatshme. Sot shtatë vite kosovarët janë dëshmitarë të magjisë së keshit, bizneset pjesëmarrës në një zinxhir të borxheve, e gjithë të tjerët humbës. Prandaj kthimi i kësaj shume të parasë së gatshme në treg nuk do të ishte ndonjë punë kush e di se çka, do të ishte një kthim në një gjendje normale ku tregut i kthehet ajo çfarë i është marrë. Nuk besoj se ka një ekonomist që kundërshton një fakt të tillë.

E katërta, zërat mbi një kontekst mbi pronësinë e këtij fondi nga trashëgimtarët e ish-Jugosllavisë janë të njëanshme, të palogjikshme dhe rrjedhimisht të paqëndrueshme. Kjo për dy arsye. Me ligjin e privatizimit, asnjë ndërmarrje nga vendet e ish-Jugosllavisë që thirret në pronësinë e ndërmarrjeve kosovare nuk ka të drejtë të kërkojë para nga privatizimi i një ndërmarrjeje tjetër. Krejt çfarë një ndërmarrje mund të kërkojë është shuma e plotë e privatizimit të asaj ndërmarrjeje. Kontekstet e tanishme janë për një vlerë të 20% të ndërmarrjeve të privatizuara.

Pra edhe në skenarin më të keq për Kosovën, sikur të gjitha paratë e privatizimit mund të jepen në favor të këtyre kërkuesve, rreth 370 milionë euro mbesin të paprekura dhe mund të shfrytëzohen qysh tani. Argumenti i dytë lidhet me idenë e reciprocitetit. Nëse një ndërmarrje shoqërore kosovare nuk ka pasur të drejtë të kërkojë trashëgiminë e parave nga privatizimi i ndërmarrjeve shoqërore të ish-Jugosllavisë, atëherë me çfarë logjike këto të fundit kanë të drejtë të kërkojnë hise në të tonat? Absurde.

E pesta, nëse patjetër është dashur të mbahen këto para jashtë, se nuk mundemi ose nuk duhet të mendojmë ndryshe, shtroj pyetjen se pse është zgjedhur aranzhimi më i pafavorshëm financiar. Ka plot e plot alternativa financiarisht më atraktive sot në tregjet financiare (madje edhe tek bankat komerciale në Kosovë) se sa investimi simbolik i tanishëm, alternativa këto që sjellin interes më të lartë, fitim më të lartë, e fundi i fundit satisfaksion më të madh për ne: pronarët e këtyre parave; të paktën të mos merremi si budallenj.

E gjashta, sinjali që i dërgohet një investitori të huaj kur paratë tona nuk guxojmë ti investojmë në shtëpinë tonë, është një kosto jashtëzakonisht e lartë dhe e panevojshme për kosovarët. Me çfarë guximi një i huaj do të hynte në tregun tonë të vockël kur ne i japim çdo arsye të mundshme se paratë e tij janë të pasigurta. Çfarë është racionalja pas thirrjeve për investimeve të jashtme pas këtij argumenti?


Contra

E para dhe e fundit, me nivelin e tanishëm korruptiv në Qeverinë e Kosovës, ku paraja publike shihet si pronë e babës nga bijtë e pafund, me pasigurinë e ofruar për të menaxhuar me 450 milionë euro, me mungesë të një transparence dhe debati se ku duhet të vendoseshin këto para, është imperative që ky fond të mbetet sa më larg qeveritarëve. Në të kundërtën, qytetarët e Kosovës, pronarët e vetëm të këtyre parave, nuk do të shohin as një cent të vetëm. Pikë.

Ju bëni matematikën.


No comments: