Bazuar në përvojat e vendeve tjera amnestitë fiskale mund të vlerësohen të suksesshme ose jo vetëm nëse merren parasysh edhe efektet afatgjata të tyre. Evidenca empirike tregon se treguesit e parë të faljeve mund të jenë inkurajues, megjithatë janë politikat qeveritare post-amnestuese që realisht ndikojnë në nivelin e evazionit fiskal. Deri sa shenjat e para të programit amnestues në Kosovë janë mjaft dekurajuese, pritjet për hapat e mëtutjeshëm janë të mëdha. Duke njohur sistemin fiskal në Kosovë arsyeshmëria e programit amnestues është mjaft larg.
Amnestia fiskale ndonëse praktikë e re, në literaturën fiskale zë vend mjaft kundërthënës. Në njërën anë faljet fiskale në afat të shkurtë mund të rrisin inkasimin e të hyrave nga tatimet me kosto mjaft të ulët dhe njëkohësisht i risjellë evazionistët në “rrugë të mbarë”. Kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme sidomos në rastet kur subjektet e caktuara pa ndonjë qëllim evaziv nuk deklarojnë të hyrat reale. Në anën tjetër faljet fiskale japin efekte mjaft negative në afat të gjatë nëpërmjet dekurajimit të taksapaguesve të rregullt nga trajtimi jo i barabartë si dhe dhënies së sinjaleve se ka evazion të lartë në vend e që rrjedhimisht nxitë sjelljet oportunistike të subjekteve të ndryshme.
Përkundër këtyre fakteve, në 30 vitet e fundit programet kombëtare për amnesti kanë ndodhur praktikisht në pothuajse çdo vend të botës. Në vitin 2001 në Itali u aplikua programi “falja fiskale” që për më pak se katër muaj arriti rezultate marramendëse duke inkasuar hiq më pak se 1.4 miliardë euro (ose 0.4% të hyrave totale nga tatimet). Asokohe, qeveria italiane aplikoj tatim prej 2.5% në 56 miliardë euro të deklaruara gjatë periudhës së amnestisë. Në SHBA që nga viti 1982 janë bërë mbi 60 amnesti fiskale nëpërmjet programeve që nuk dallonin shumë nga ato evropiane. Të hyrat e mbledhura si rezultat i amnestisë nuk kanë kaluar asnjëherë 2.6% të të hyrave totale nga tatimet, ndërkaq në disa raste kanë shënuar edhe rritje mjaft të ulët me vetëm 0.008% duke vënë në dyshim koston oportune të një vendimi të tillë.
Sot, është e pranueshme të thuhet se amnestia fiskale është një praktikë e zakonshme. Megjithatë, edhe pse e zakonshme në disa vende, opinioni gjeneral i njohësve të kësaj lëmie është se këto programe sjellin rezultate pozitive afatshkurta në kurriz të një kostoje që mund të rrezikojë sistemin fiskal seriozisht. Për më tepër rëndesa e programeve të tilla është dukshëm më e theksuar në vendet që kanë probleme me evazion fiskal dhe nivel të ulët të participimit vullnetar nga tatimpaguesit. Rekomandimet e këtyre vështrimeve janë se karshi dilemës për apo kundër amnestisë fiskale është ekonomikisht e arsyeshme të kundërshtohet. Madje disa vështrime rekomandojnë zhvillimin e amnestive jo më tepër se një herë për një gjeneratë të tërë. Si do që të jetë, nuk është aspak befasuese fakti se Qeveritë kanë gjithmonë preferenca ndaj politikave afatshkurta duke injoruar kështu efektet reale të tyre. Nuk janë politikat afatgjate që sigurojnë votën e qytetarëve por janë zgjidhjet fragmentare dhe ad-hock që janë të prekshme për votuesit dhe të preferuara për Qeveritë. Amnestitë fiskale në të shumtën e rasteve kanë dhënë tregues inkurajues në të hyrat buxhetore duke i ofruar fonde shtesë por edhe të dhëna statistikore me të cilat mund të mburren qeveritë.
Por rasti i Kosovës nuk është i njëjtë. Për të parë dallimin e efekteve amnestive në vendin tonë nga praktikat tjera duhet kuptuar fillimisht idenë origjinale pas faljeve fiskale. Mbledhja e tatimeve ndërtohet mbi dy parime: zbatimin e ligjit dhe kontributin vullnetar të qytetarëve. Parimi i parë është thelbësor në funksionimin e çdo sistemi fiskal. Po të funksiononte ligji në ekstremet pozitive askush nuk do të mërzitej me gatishmërinë vullnetare të qytetarëve meqë mundësitë për të zgjedhur se a duhet të deklarojmë tatime apo jo nuk do të ishin fare. Parimi i dytë ndërkaq është më tepër i ndërtuar në besimin se në mungesë të zbatimit të ligjit është disponimi vullnetar i qytetarëve që mbulon humbjet. Me fjalë të tjera, qytetarët vullnetarisht do të bëjnë deklarimin e çdo lloj pasurie e që më pas do të tatimohej.
Ndonëse duket paradoksale për vendin tonë dhe për të gjitha vendet tjera që kanë ngjashmëri me proceset në të cilat ne kalojmë, në sistemet moderne ideja e vullnetarizmit në politikat fiskale është mjaft e shprehur. Pikërisht mbi këtë perspektivë është e ndërtuar edhe programi i amnestisë fiskale. Qëllimi i vetëm i amnestive është ti nxisë subjektet e caktuara, qoftë individë apo biznese, të bëjnë deklarimin vullnetar të të hyrave në këmbim të faljeve të ndëshkimeve. Shpeshherë ndëshkimet bëhen të tepruara duke i bërë pritjet për shlyerjen e tyre mjaft joreale. Në një model ideal, qeveria do të përfitonte fonde shtesë, do të zbuste evazionin fiskal dhe përfundimisht do të përmirësonte disponimin e këtyre subjekteve për të qenë pjesë konstruktive e shoqërisë. Në një model ideal, subjektet do të përfitonin mundësinë e artë për të përmirësuar lëshimet e mëhershme, do të shmangin humbjet potenciale dhe definitivisht të sigurta nga penalizimet fiskale. Megjithatë modelet e tilla duken më tepër utopike në vendet si Kosova. Duken utopike për faktin se disponimi vullnetar i bizneseve është jashtëzakonisht i ulët, ashtu siç pritet të jetë në vendet e tranzicionit dhe në anën tjetër elasticiteti i vendimeve fiskale të bizneseve konstruktive është jashtëzakonisht i madh. Me fjalë të tjera, është shume vështirë të bindësh një biznes të deklarojë të hyrat vullnetarisht derisa merr shumë pak kohë të bindësh një biznes deklarues të bëjë të kundërtën. Ndonëse nuk targetohet asnjëherë arritja e sukseseve të njëjta me vendet që kanë sisteme shumë më të qëndrueshme fiskale, të paktën është e pritshme që faljet fiskale të sjellin beneficione afatshkurta më të mëdha ose të barabarta me humbjet potenciale afatgjate.
Por çfarë e bën një amnesti fiskale të suksesshme për Kosovën? Janë tri kritere universale e lehtë të matshme: reagimi i bizneseve që në të kaluarën kanë qenë evazionistë dhe tani kanë një rast të ri, reagimi i bizneseve që në të kaluarën kanë bërë deklarime të rregullta dhe vazhdojnë të bëjnë, dhe përfundimisht suksesi i masave qeveritare pas përfundimit të periudhës amnestuese.
Së pari, një amnesti fiskale mund të konsiderohet e suksesshme nëse të hyrat e inkasuara nga Administarta Tatimore gjatë periudhës së faljes përbëjnë një shume të konsiderueshme në raport me të hyrat totale brenda një viti fiskal. Në vendet me evazion të lartë siç është Kosova pritjet janë që amnestia të shtojë së paku rreth 1-2% të të hyrave totale. Në të kundërtën kostoja e një programi të tillë do të jetë shume më e lartë si rezultat i efekteve tjera afatgjate. Edhe pse është ende herët të gjykohet vlera e të hyrave si rezultat i faljeve në Kosovë, duke njohur sistemin fiskal si dhe sjelljet e bizneseve tona është pak e pritshme që reagueshmëria të jetë në nivelet e dëshiruara.
Së dyti, gjithmonë duke u thirrur në studime empirike mbi amnestitë fiskale, vendimi për një program të tillë shkakton frustrim tek opinioni i gjërë. Fillmisht qytetarët e shohin faljen si dështim të funksionimit të sistemit në kohë dhe rrjedhimisht ata nuk dëshirojnë ti “shpërblejnë” evazionistët duke i falur ata. Aspak më tolerantë nuk janë as bizneset dhe subjektet tjera si deklarues të rregullt të tatimeve. Mesazhi që këto programe dërgojnë tek ata është se kontributi i tyre në kohë, i rregullt, konstruktiv dhe para së gjithash moral ndoshta ka qenë “i gabuar” meqë në një të ardhme ata do të kishin mundësi të dytë. Nuk duhet harruar faktin se nga spektri i konkurencës fer, faljet e tilla favorizojnë bizneset që paraprakisht kanë qenë të favorizuara nga defektet e sistemit fiskal në Kosovë, prandaj amnestitë fiskale sado që mund të jenë efektive, realisht janë kundër parimeve të ekonomisë së lirë dhe të barabartë të tregut.
Së fundi, evidenca empirike mbi amnestitë fiskale për 47 raste nëpër botë tregon se procesi i tillë është efektiv vetëm nëse qeveria shtrëngon dhëmbët menjëherë pas përfundimit të periudhës së faljes. Të gjitha ato subjekte që kanë pasur rastin për një fillim të ri dhe nuk e kanë shfrytëzuar, duhet të përjashtohen nga çdo trajtim i butë. Qeveritë duhet të japin shembull se toleranca e tyre ndaj evazionistëve ka një fund dhe se amnestia ishte mundësia e fundit e tyre për ti shpëtuar denimeve kaherë të merituara. Skeptikët e amnestisë fiskale në Kosovë janë mjaft kurrioz me hapat e mëtutjeshëm që Qeveria jonë do të marrë në drejtim të vendosshmërisë në zbatimin e ligjit dhe trajtimin e barabartë të taksapaguesve. Në fund të fundit asnjë program, asnjë Qeveri dhe asnjë Administratë Tatimore nuk mund të ndikojë drejtpërsëdrejti në disponimin dhe gatishmërinë vullnetare të bizneseve gjatë periudhës se faljes, por ato mund të sanksionojnë ato subjekte që nuk e kanë shfrytëzuar këtë mundësi. Gjithashtu këto institucione duhet të jenë kategorike në mos përsëritjen e shpeshtë të faljeve në të kundërtën çdo program amnestues nëpërmjet efekteve të inercionit do të dekurajonte tatimpaguesit e rregullt.
Ndoshta duhet të praktikohet në Kosovë që para çdo programi apo sub-politike fiskale të bëhet paraprakisht një analizë mbi benefitet dhe kostot potenciale. Vetëm atëherë mund të minimizojmë riskun dhe të thirremi se idetë e tilla kanë qenë të suksesshme. Për ideatorët e sidomos përkrahësit oportunistë të politikave të tilla fragmentare gjendet një sfidë e madhe për të dokumentuar arsyeshmërinë dhe rezultatet e programit amnestues me tregues të matshëm e jo nëpërmjet deklarimeve të ngutshme. Për bizneset e ndershme që ndihen të tradhtuar nga diskriminimi i bërë, atraktiviteti ashtu i ulët për të qenë pjesë konstruktive e këtij sistemi është testuar, ndërkaq për bizneset që kanë një mundësi të re për të filluar nga e para si rezultat i trajtimit të dyfishtë mos bashkëpunimi në këtë fazë do të thotë injorim i hapur i gatishmërisë së mirë të administratës tatimore dhe Qeverisë.
Për të tjerët, shenjat e para të programit janë mjaft dekurajuese. Përgjigja e bizneseve të cilave “i’u është shtrirë dora” është injoruese dhe aspak e kënaqshme. Administrata Tatimore jep vazhdimisht të dhëna mjaft të ulëta mbi inkasim. Ndoshta këto biznese ende nuk janë zgjuar apo nuk dëshirojnë të zgjohen nga komforti që i u është dhënë me vite. Në anën tjetër reagimi i pjesës tjetër të bizneseve është kundërshtues ndaj pabarazisë në trajtim fiskal. Për më tepër, nuk do të ishte befasuese fare reagimi evaziv i këtyre bizneseve të shëndosha në një të ardhme të afërt pikërisht për shkak të një trajtimi të tillë. Një program amnestues mund të quhet i suksesshëm vetëm dhe vetëm nëse ka patur kosto më të ulët se përfitime eventuale, në të kundërtën do të marrë një vend në sirtarin e politikave të gabuara fiskale në vend. Me ritmin e deritanishëm, me pritjet mbi zhvillimet në këtë drejtim dhe mbështetur nga simptomat e vendeve që kanë pasur reagim të ulët imediat, Kosova do ta ketë mjaft vështirë të mburret me një program të tillë.
Koha Ditore, 2008