Wednesday, 17 October 2007

Kur evazioni bëhet normë shoqërore



Për të kuptuar se sa tolerant ndaj evazionit janë kosovarët merreni një shembull nga përditshmëria jonë. Sa prej nesh kërkojnë faturë pasi të kenë një kafe në ndonjërën prej kafiterive tona, sa prej nesh kërkojnë biletë parkingu, faturë nga taksi ose faturë nga shumë shërbimet e produktet që ne konsumojmë brenda një dite?



Për një joekonomist, roli fiskal i shtetit është një formulë e thjeshtë matematikore që në njërën anë të barazimit ka mbledhjen e tatimeve dhe në anën tjetër ka shpërndarjen e buxhetit të krijuar nga këto tatime për prioritetet e caktuara nga politikat e institucioneve udhëheqëse. Sekreti i funksionimit efikas të këtij barazimi qëndron në mjeshtërinë e mbledhjes dhe shpërndarjes së fondeve/tatimeve. Ndonjëherë mbledhja e mjaftueshme e tatimeve bëhet e vështirë duke disbalancuar kështu barazimin në fjalë (aspak më e lehtë nuk është as shpërndarja). Vështirësitë lindin nga faktorë të shumtë, por vetëm njëri është decisiv: zbatimi i ligjit. Sikur zbatimi i ligjit në Kosovë në mbledhjen e tatimeve do të ishte i kënaqshëm (thuhet i kënaqshëm meqë as shtetet moderne nuk kanë efikasitet të plotë anti-evaziv) çështjet e kulturës dhe përgjegjësisë së qytetarëve ndaj shtetit nuk do të ishin relevante aspak. Në një rast të tillë hipotetik, çdo taksapagues do të përballej me një situatë ku pagesa e tatimeve nuk do të ishte çështje preferencash por thjesht një akt i kryer.

Thuhet se tatimet janë të pashmangshme, megjithatë përgjatë historisë së tatimeve njeriu ishte i prirë ti shmangej atyre nëpërmjet formave ilegale. Sot individët, firmat dhe entitetet tjera paraqesin raporte të pandershme duke deklaruar të ardhura, profite dhe përfitime më të pakta. Evazioni fiskal (ikja nga tatimet) është krim në të gjitha vendet e botës, me përjashtim të Zvicrës e cila çështjet e evazionit fiskal nuk i zgjedh në gjykatat për krim. Dënimet nga veprimet e tilla ilegale janë të njëjta me krimet tjera (merreni shembull Al Kaponen, i cili përkundër reputacionit që kishte në mungesën e fakteve për vrasje ishte i dënuar nën akuzën e evazionit fiskal). Shtetet moderne i kanë shpallur luftë dukurive evazive që prej kohësh, por në këtë luftë qeveritë moderne llogarisin në kulturën dhe shprehitë fiskale të qytetarëve të tyre. Monitorimi i të gjitha transaksioneve financiare në shoqëri nga administrata tatimore është i pamundur por edhe sikur një gjë e tillë të ishte teknikisht e realizueshme, kostot e një monitorimi të tillë do të ishin enorme dhe rrjedhimisht të paarsyeshme. Aty ku ligji nuk mund të veprojë, pritjet orientohen drejt vullnetit të lirë të qytetarëve për të paguar tatime. Përballë pyetjes se çfarë është vullneti i lirë kosovarëve për të paguar tatime do të gjeni përgjigje mjaft dëshpëruese.

Anarko-kapitalistët besojnë në eliminimin e rolit të shtetit në të gjitha sferat e jetës. Ata besojnë në ekstremin e ekonomisë së lirë si bazë për shoqëri të lirë, e refuzojnë shtetin mbi bazën se shtetet janë entitete agresive që grabisin pasurinë e qytetarëve kryesisht nëpërmjet tatimeve, iniciojnë kontroll në resurset e prodhimit, përdorin forcën detyruese në dobi të disa individëve apo bizneseve, krijojnë monopole dhe kufizojnë tregtinë. Pavarësisht përshtypjeve që një kosovar mund të ketë për një model të shtetit, idetë anarko-kapitaliste duken më tepër si një aventurë filozofike se sa ide me sens. Për të kuptuar seriozitetin e problemit shoqëror që kemi ndoshta duhet kuptuar se sa në të vërtetë janë veprimet e kosovarëve anarko-kapitaliste? Ndonëse jo me vetëdije të plotë, veprimet dhe toleranca evazive e çdo kosovari janë në princip kundër qëllimit të ekzistencës së shtetit. Sado që e dhimbshme mund të tingëllojë, përgjegjësia fiskale e kosovarëve ndaj shtetit konsiderohet të jetë mjaft e ulët. Evazioni fiskal është shndërruar në një normë shoqërore dhe kur një dukuri shndërrohet në një normë të tillë atëherë ç’bërja e saj mund të duket si një proces i gjatë dhe i mundimshëm, por para së gjithash duhet të bëhet. Ndoshta një shikim historik i relacionit kosovar-shtet mund të jap përgjigje dhe njëkohësisht arsyeshmëri në mungesën e ndjenjës si pjesë integrale nga të dy agjentët. Historikisht shteti dhe kosovarët kanë qenë në dy anë të polarizimeve, për një arsye të thjeshtë: shteti nuk ishte i tyre. Por tash kur ne kemi një shtet dhe dëshirojmë të besojmë se për aq sa kemi shtet do të kemi edhe institucione që do të punojë për nevojat reale tona, atëherë shprehitë evazive nuk do të gjejnë asnjë arsyeshmëri dhe atyre duhet shpallur luftë me të gjitha mekanizmat penalizues.

Për të kuptuar se sa tolerant ndaj evazionit janë kosovarët merreni një shembull nga përditshmëria jonë. Sa prej nesh kërkojnë faturë pasi të kenë një kafe në ndonjërën prej kafiterive tona, sa prej nesh kërkojnë biletë parkingu, faturë nga taksi ose faturë nga shumë shërbimet e produktet që ne konsumojmë brenda një dite? Janë pikërisht këto shprehi të pafalshme të kosovarëve që ndihmojnë zhvillimin e evazionit dhe ngurtësimin tij si normë shoqërore. Pas luftës së fundit, ne kishim rastin e njëjtë me pagesën e energjisë elektrike, kur konsiderohej se pagesa e saj nuk bëhej nga pjesa më e madhe e shoqërisë dhe ky percepcion shndërroi dukurinë e mospagesës në një akt shumë normal, për të mos thënë se ata që paguanin energjinë elektrike vullnetarisht nuk kuptoheshin nga të tjerët. Po të njëjtin fenomen sot kemi edhe me evazionin fiskal. Me mosmarrjen e një fature, sado e vogël të jetë vlera e saj, i jepet mundësi ofruesit të shërbimit apo produktit të fsheh dukshëm të hyrat dhe fitimet, mbi bazën e të cilave do të përcaktohej shuma e obligimit tatimor e që më pas, nën supozimin e një shpërndarje efektive dhe të drejtë, do të përdorej për prioritetet e taksapaguesit.

Në anën tjetër do të ishte e mbarë të bëhet pyetja për bizneset që vazhdimisht ankohen për politika të gabuara fiskale nga qeveritë e mëparshme (jo për të luajtur rolin e avokatit mbrojtës të qeverive) se sa prej tyre i regjistrojnë shërbimet apo prodhimet e tyre? Sa kanë të drejtë morale të kërkojnë përmirësime fiskale kur pikërisht bizneset janë evazionistët më të mëdhenj në vend. Dukshëm të ndihmuar nga shprehia e tolerancës mbi evazionin nga çdo qytetar në Kosovë bizneset mund të ndihen mjaft me fat për ambientin tolerant ku ata operojnë. Për të kompletuar fotografinë e evazionit fiskal, janë edhe lëshimet e bëra nga administratorët tatimorë që në presupozimin normal duhej të korrigjonin këtë entropi të sistemit. Kosova pas Moldavisë ka numrin më të vogël të administratorëve tatimorë në 1000 banorë në tërë Evropën. Megjithatë ky fakt dhe ideja se pagat e tyre janë të ulëta nuk arsyetojnë mosparaqitjen e drejtë e veprimeve evazive qoftë nga bizneset apo qytetarët nga administratorët tatimorë. Në këtë trekëndësh ku qytetarët, bizneset dhe administratorët tatimorë janë të verbër, është shoqëria kosovare humbësja më e madhe. Kur japonezët po rindërtonin sistemin e  tyre fiskal gjatë viteve të 60-ta dhe 70-ta ata filluan një kampanjë agresive mbi edukimi fiskal, madje kulturën fiskale e kishin paraparë në të gjitha insituticonet edukative të nivelit të ulët. Nxënësve në ato shkolla u përsëritej vazhdimisht se një ndër arsyet kryesore pse ata duhej të zhvillonim mësimin në kushtet jo të mira ishte se prindërit e tyre nuk paguanin tatime. Rëndësia e përmbushjes së obligimit primar të çdo qytetari theksohej qysh në bazat e para të çdo edukimi. Nuk do habi fakti që sot 99% e japonezëve përmbushin obligimet fiskale ndaj shtetit.    

Të ndërrosh një normë shoqërore, në këtë rast shprehinë e ikjes së tatimeve, është një sfidë mjaft e rëndë për çdo institucion qeveritar. Aplikimi i denjë i ligjit është faktori thelbësor por jo i vetëm në luftimin e kësaj dukurie. Nëse shoqëria jonë dëshiron të bëjë një akt patriotik për këtë shtet atëherë le të fillojmë nga eliminimi i dukurive negative brenda secilit prej nesh. Le të fillojmë të ndihemi dhe të sillemi si kontribuues në ndërtimin e këtij shteti edhe nëpërmjet përmbushjes së obligimeve tona qytetare. Le ti shpallim luftë edhe ne evazionit fiskal dhe ngurtësisë së tij si normë shoqërore pavarësisht nga veprimet dhe politikat fiskale të institucioneve qeverisëse. Të ndihmosh ndërtimin modern të Kosovës është akti më i lartë qytetar i çdo kosovari. Në fund të fundit ishim ne që krijuam këtë cikël negativ prandaj është përgjegjësi e jona ta çrrënjosim atë. Le të krijojmë shprehi të reja me krijimin e shtetit të ri.


Koha Ditore, 2007