Vendi ynë, që për herë të fundit ka ridizajnuar sistemin fiskal në vitin 1999 dhe njëkohësisht ka kaluar pothuajse një dekadë të tërë në përpjekje për ta komplikuar edhe më tej, mund të vijë shumë shpejtë në pikën kur ndërrimi radikal i këtyre politikave nuk është zgjedhje por nevojë.
Objektivat kryesore që duhet të definojnë debatin mbi reformat fiskale, mund të artikulohen në tre fusha kryesore: thjeshtësimi i tatimeve, efikasiteti i politikave fiskale dhe drejtësia që sigurohet nga implementimi i këtyre politikave. Intensiteti dhe pesha e këtyre tre komponentëve varet kryesisht prej karakteristikave dhe nevojave të tregjeve. Nën sistemin e tanishëm fiskal në Kosovë, të tri këto objektiva duken të paarritshme. Sot ne mund të thuhet se sistemi jonë nuk është as i thjeshtë, as efikas e fatkeqësisht as i drejtë. Afërsisht njëmbëdhjetë vite pas mbarimit të luftës, në Kosovë vazhdimisht dëgjohen zëra për reforma fiskale. Tendencat paradoksale qëndrojnë në faktin se ende pa u ndërtuar mirë sistemi i ri fiskal, thirrjet për reforma bëhen edhe më të fuqishme. Ndër propozimet e shumta që u dëgjuan e vazhdojnë të dëgjohen më së paku ju dha vend sistemit proporcional të tatimeve, botërisht i njohur si “flat tax”. Dallimi i këtij sistemi nga ai çfarë tani kemi, në princip është se të gjitha subjektet qofshin ata individë, biznese individuale, korporata, të gjitha grupet e njerëzve të ndarë sipas të ardhurave, të pasur apo të varfër, do ti nënshtroheshin një norme të njëjtë tatimi për të gjitha llojet e tatimeve qofshin në konsum, të ardhura apo fitim. Ultra përkrahësit e pakët të kësaj ideje listuan një sërë përparësish që do të lindin në periudha të caktuara kohore për vendin tonë dhe të gjitha këto përparësi mundësonin arritjen e objektivave që reformat e suksesshme fiskale do të arrinin: thjeshtësinë, efikasitetin dhe drejtësinë.
Kosova, në fund të fundit nuk do të ishte vendi i parë që do të adaptonte një sistem të tillë, i cili padyshim në vendet e tranzicionit e në veçanti në vendet e Evropës Qendrore dhe Juglindore u tregua thjeshtë produktiv. Ishte Hong Kongu nga vendet e para që qysh në vitin 1947 vendosi sistemin e tatimeve proporcionale prej 16%. Vendet Baltike si Estonia, Lituania dhe Letonia kanë pasur tatime proporcionale prej 24%, 23% dhe 25% që nga mesi i viteve të 90-ta, të pasuara nga Rusia dhe Ukraina me 15% respektivisht 13% në fillim të shekullit 21. Sllovakia është një ndër vendet e rralla që ka aplikuar sistemin proporcional në të gjitha tatimet (në tatime në të ardhura, korporata dhe TVSH) prej 19%. Vendet si Rumania, Sllovenia, Maqedonia, Mali i Zi, Serbia, Polonia, Hungaria, Bullgaria dhe Shqipëria (10% nga viti 2008) janë shtetet e fundit që aplikojnë sistemin proporcional, ndërkaq Çekia dhe Greqia janë vendet e radhës që pritet të adoptojnë një sistem të tillë. Mësimet e nxjerra nga këto vende ishin se tatimet u bënë më të lehta dhe më lehtë u administruan, kishte më pak motiv për subjektet për evazion, dhe në fund pati stimulim impresiv të zhvillimit ekonomik. Tatimet proporcionale u treguan aq të suksesshme sa që debate të shumta sot e kësaj dite vazhdojnë të zhvillohen në SHBA dhe Britani për aplikimin e tatimeve proporcionale në këto vende.
Thjeshtësia
Sa më i komplikuar të jetë sistemi fiskal në vend aq më tepër i jepet motiv qeverisë për komplikime të tjera, deri në masën kur komplikimet arrijnë limitin e arsyeshmërisë dhe reformat fiskale në drejtim të thjeshtëzimit të tyre janë të domosdoshme. Kosova, që për herë të fundit ka ridizajnuar sistemin fiskal në vitin 1999 dhe njëkohësisht ka kaluar pothuajse një dekadë të tërë në përpjekje për ta komplikuar edhe më tej, mund të vijë shumë shpejtë në pikën kur ndërrimi radikal i këtyre politikave nuk është zgjedhje por nevojë.
Nëse i hedhim një vështrim të lehtë sistemit ekzistues fiskal atëherë fotografia e bërë do të përmbajë procedura të shumta, ligje dhe dokumentacione që rrallëherë mund të kuptohen, administratë tatimore plotësisht injorante ndaj evazionit fiskal, transaksione në kesh e kurrë të regjistruara, frymë rezistuese e pothuajse çdo qytetari ndaj mekanizmave fiskale, për të mos filluar fare me anën distributive të sistemit meqë do të bënte mbledhjen e tatimeve të dukej mjaftë mirë. Megjithatë, ajo për çfarë qytetarët, bizneset, administratorët tatimorë madje edhe vet politikbërësit pajtohen është se sistemi fiskal në Kosovë është thellë i komplikuar. Pajtimi rreth kësaj çështje vjen çuditërisht nga opinionet tërësisht kontradiktore të tyre. Kosovarët thonë se nuk kanë fare ide se subjekt të të cilit tatim janë për të mos përmendur fare format e pagesës dhe si duhet bërë ato, bizneset kosovare ankohen në mënyrën e pagesave të tatimeve specifike e me theks të veçantë në tatimet mbi konsum, administratorët tatimorë arsyetohen se nuk kanë kapacitete të mjaftueshme humane, monetare dhe fizike për të monitoruar transaksionet e një sistemi aq të komplikuar dhe në fund institucionet qeveritare vazhdimisht përsëritin faktin se nuk kanë administratorë tatimor të aftë për këtë sistem fiskal të komplikuar. Në këtë sferë të ideve që në pah nxjerr komplikueshmërinë e sistemit lind pyetja se pse vazhdohet me një sistem të tillë?
Sistemi proporcional që eventualisht do të zëvendësonte sistemin e tanishëm fiskal në Kosovë, të tre llojeve të normave tatimore, qindra zbritjeve, beneficioneve, përjashtimeve, ligjeve, urdhëresave, formularëve, etj, do të sillte me vete thjeshtësinë. Thjeshtësia nuk përfshinë vetëm konceptimin e sistemit fiskal por gjithashtu edhe shpenzimet e implementimit të tij. Sistemi fiskal i Kosovës jo që konceptualisht është i pakuptueshëm, madje edhe për profesionistët e tatimeve, por sjell me vete edhe shpenzime të mëdha për implementim. Ndonjëherë këto shpenzime të implementimit të janë aq të mëdha sa që implementimi nuk ndodh fare, duke rezultuar kështu në evazion të lartë fiskal në vend. Sa më i thjeshtë të jetë sistemi aq më i lehtë bëhet identintifikimi i detyruesve dhe vlera e tatimeve që ata duhet të paguajnë. Thjeshtësimi i strukturës së tatimeve gjithashtu do të reduktonte marrëveshjet e fshehta dhe korrupsionin që së bashku lejojnë grupe të caktuara interesi të ballafaqohen me trajtime më të veçanta tatimore.
Efikasiteti
Të gjitha tatimet i shkaktojnë ekonomisë një kosto. Ekonomistët këtë kosto e quajnë “rëndesë e tepruar” e sistemit fiskal. Lidhur me këtë çështje le të nisemi nga pikëpamja ekstreme e mendimit, ku nga parimet e ekonomisë së lirë kuptohet se shkalla e ndërhyrjes së politikave qeveritare ka një limit të caktuar. Sipas këtij mendimi ekonomik, të lindur dhe zhvilluar nga Adam Smith, çfarëdo ndërhyrje e instrumenteve shtetërore do të çrregullonte ekuilibrin e tregut dhe mirëqenien e shoqërisë në tërësi. Kjo situatë krijohet nga ajo çfarë Adam Smith e quajti “dora e fshehtë” duke aluduar në aftësinë perfeksionuese të tregut. Sado që teoria e tij është modifikuar dhe plotësuar nëpër vite, sistemi fiskal në Kosovë mund të përdoret si një shembull adekuat për të demonstruar atë se çfarë Smith mendonte. Në vendin tonë, ndikimi i politikave fiskale jo që nuk është i vogël por nga një ndikim i tillë lindin pasoja fatale për ekonominë. Arsyeshmëria e implementimit të politikave fiskale humbet kur shikon në suficitet enorme në Kosovë, e që janë fakt i pamohueshëm i pengesës që i është bërë mekanizmit të tregut në përdorimin efiçent të qindra miliona eurove që ky mekanizëm eventualisht do të bënte sikur ato para të mbeteshin në duart e ndërmarrësve. Të paktën politikat fiskale në Kosovë do të kishin kuptim sikur këto para të distribuoheshin nga tatimbledhësit e jo nga tregu të nxirren 200-300 milion euro e më pas të mbyllen në ndonjërin prej podrumeve të thesarit të shtetit. Tatimet mblidhen për tu shpërndarë dhe çfarëdo destinimi tjetër i tyre zgjeron më tepër rëndesën e sistemit.
Gjithashtu, politikat e tanishme fiskale shpesh kanë ndërtuar barriera artificiale veçanërisht për bizneset. Janë format e pagesës së tatimeve e në veçanti rimbursimi i tyre që për shumë vite kanë rënduar veprimtaritë të ndryshme biznesore. Për vite me radhë ambienti fiskal në vend në sy të bizneseve konsiderohet të jetë një ndër pengesat kryesore përkundër disa stimujve fiskal të iniciuara nga qeveri të ndryshme në vend.
Drejtësia
Sistemi aktual, jo vetëm që është i komplikuar dhe joefikas por bazuar në studimet ekonomike me fokus në drejtësinë e sistemeve fiskale, parimisht është i padrejtë. Një vështrim më pak ekstrem thekson mungesën e drejtësisë që lind nga aplikimi i tatimeve progresive. Në mesin e atyre qytetarëve, ekonomistëve dhe politikbërësve, të cilët nuk e vënë në dyshim obligimin qytetar për të paguar tatime, mbizotërojnë dy këndvështrime kryesore mbi kuptimin e drejtësisë së tatimeve. Drejtësia nën tatimet proporcionale (flat tax) nënvizon barazinë si: çdonjëri duhet të jetë subjekt i rregullave të njëjta prandaj çdo subjekt duhet të paguaj tatime me norma të njëjta. Në anën tjetër, drejtësia nën tatimet progresive sheh barazinë si: të gjithë subjektet duhet të paguajnë tatime bazuar në aftësinë e tyre për të bërë një gjë të tillë, prandaj sistemi fiskal duhet ti përjashtojë të varfrit dhe të aplikojë tatime të ndryshme për grupe të ndryshme dhe në këtë mënyrë të shpërndajë barrën e tatimeve varësisht prej të ardhurave që subjektet gjenerojnë.
Që nga fillimi i shekullit 20-të kur ideja e progresivitetit mori përmasa globale, mendimi mbizotërues ishte se tatimi progresiv mbi pasurinë është parakusht për barazi shoqërore. Megjithatë, nuk duhet harruar faktin se tatimi progresiv është një çështje morale dhe si shumë çështje të tjera morale nxit debate dhe dyshime të mëdha. Debatet lindin nga shikime konfliktuoze, vlera dhe kuptime të vlerave varësisht prej kritikëve dhe preferencave të tyre socio-politike. Por mbi të gjitha, përkrahësit e idesë progresive asnjëherë nuk kanë arritur të provojnë se një euro shtesë vlen më tepër për një të varfër se një të pasur apo anasjelltas. Nëse ky pohim është i saktë, atëherë pse duhet të vëmë taksa të ndryshme për njerëz të ndryshëm? Por le të mbetemi me idenë se të varfrit duhet të përjashtohen nga sistemi fiskal. Në fund të fundit kjo ide është një koncenzus i pamohueshëm i lindur nga të gjitha frymët ekonomike.
Për më tepër, mos të harrojmë se edhe nën sistemin e rrafshët të pasurit paguajnë gjithnjë më shumë se të tjerët. Me fjalë të tjera 10% i një subjekti që gjeneroj fitime 1 milionëshë është shumë më i madh se 10% i dikujt që gjeneron fitime tre shifrore. Me cfarë logjike të drejtësisë duhet një subjekt produktiv trajtuar me norma më të larta tatimore se një subjekt tërësisht më pak produktiv?
Përfundim
Në përgjithësi, sistemi fiskal në Kosovë është i komplikuar, aspak efikas dhe për më tepër jo i drejtë. Nëse vendi ynë përqafon lëvizjen Flat-Tax, për një sërë probleme që me vite të tëra po rëndojnë sistemin tonë do të ketë një fund. Përfitimet nga sistemi proporcional janë të pakontestueshme edhe nga kritikët e pakët të këtij sistemi. Për të nxitur zhvillimin ekonomik në Kosovë, për të krijuar vende të reja pune, për të arritur thjeshtësinë e tatimeve, për të ndjekur drejtësinë, prosperitetin ekonomik, për të ruajtur trajtimin e barabartë të të gjithë taksapaguesve dhe përfundimisht për të rritur vjeljen e tatimeve Kosova mund dhe duhet të fillojë reformat fiskale. Nëse ne si shtet promovojmë vlerat e patjetërsueshme se secili prej nesh është i barabartë, atëherë është e drejtë të thuhet se adoptimi i tatimeve proporcionale është domosdoshmëri. Për kosovarët, adoptimi i sistemit proporcional do të thoshte se më në fund të gjithë do ti kuptonim tatimet, se formularëve të gjatë e të pafund, pagesave që marrin kohë e rimbursimeve që nuk bëhen kurë me kohë do t’iu vjen fundi, se për biznese pavarësisht qarkullimit, fitimit, kursimit a investimit përjashtime dhe rrjedhimisht komplikime të panevojshme nuk do të ketë, për administratorët tatimorë më në fund implementimi i politikave do të ishte i thjeshtë dhe në fund për institucionet qeverisëse kënaqësia do të vinte nga ideja se politikat e tyre nuk pengojnë tregun, se mbledhja e tatimeve është rritur dhe përfundimisht se ata i trajtojnë të gjithë qytetarët e tyre njëjtë.
Koha Ditore, 2007