Wednesday, 17 October 2007

Kur evazioni bëhet normë shoqërore



Për të kuptuar se sa tolerant ndaj evazionit janë kosovarët merreni një shembull nga përditshmëria jonë. Sa prej nesh kërkojnë faturë pasi të kenë një kafe në ndonjërën prej kafiterive tona, sa prej nesh kërkojnë biletë parkingu, faturë nga taksi ose faturë nga shumë shërbimet e produktet që ne konsumojmë brenda një dite?



Për një joekonomist, roli fiskal i shtetit është një formulë e thjeshtë matematikore që në njërën anë të barazimit ka mbledhjen e tatimeve dhe në anën tjetër ka shpërndarjen e buxhetit të krijuar nga këto tatime për prioritetet e caktuara nga politikat e institucioneve udhëheqëse. Sekreti i funksionimit efikas të këtij barazimi qëndron në mjeshtërinë e mbledhjes dhe shpërndarjes së fondeve/tatimeve. Ndonjëherë mbledhja e mjaftueshme e tatimeve bëhet e vështirë duke disbalancuar kështu barazimin në fjalë (aspak më e lehtë nuk është as shpërndarja). Vështirësitë lindin nga faktorë të shumtë, por vetëm njëri është decisiv: zbatimi i ligjit. Sikur zbatimi i ligjit në Kosovë në mbledhjen e tatimeve do të ishte i kënaqshëm (thuhet i kënaqshëm meqë as shtetet moderne nuk kanë efikasitet të plotë anti-evaziv) çështjet e kulturës dhe përgjegjësisë së qytetarëve ndaj shtetit nuk do të ishin relevante aspak. Në një rast të tillë hipotetik, çdo taksapagues do të përballej me një situatë ku pagesa e tatimeve nuk do të ishte çështje preferencash por thjesht një akt i kryer.

Thuhet se tatimet janë të pashmangshme, megjithatë përgjatë historisë së tatimeve njeriu ishte i prirë ti shmangej atyre nëpërmjet formave ilegale. Sot individët, firmat dhe entitetet tjera paraqesin raporte të pandershme duke deklaruar të ardhura, profite dhe përfitime më të pakta. Evazioni fiskal (ikja nga tatimet) është krim në të gjitha vendet e botës, me përjashtim të Zvicrës e cila çështjet e evazionit fiskal nuk i zgjedh në gjykatat për krim. Dënimet nga veprimet e tilla ilegale janë të njëjta me krimet tjera (merreni shembull Al Kaponen, i cili përkundër reputacionit që kishte në mungesën e fakteve për vrasje ishte i dënuar nën akuzën e evazionit fiskal). Shtetet moderne i kanë shpallur luftë dukurive evazive që prej kohësh, por në këtë luftë qeveritë moderne llogarisin në kulturën dhe shprehitë fiskale të qytetarëve të tyre. Monitorimi i të gjitha transaksioneve financiare në shoqëri nga administrata tatimore është i pamundur por edhe sikur një gjë e tillë të ishte teknikisht e realizueshme, kostot e një monitorimi të tillë do të ishin enorme dhe rrjedhimisht të paarsyeshme. Aty ku ligji nuk mund të veprojë, pritjet orientohen drejt vullnetit të lirë të qytetarëve për të paguar tatime. Përballë pyetjes se çfarë është vullneti i lirë kosovarëve për të paguar tatime do të gjeni përgjigje mjaft dëshpëruese.

Anarko-kapitalistët besojnë në eliminimin e rolit të shtetit në të gjitha sferat e jetës. Ata besojnë në ekstremin e ekonomisë së lirë si bazë për shoqëri të lirë, e refuzojnë shtetin mbi bazën se shtetet janë entitete agresive që grabisin pasurinë e qytetarëve kryesisht nëpërmjet tatimeve, iniciojnë kontroll në resurset e prodhimit, përdorin forcën detyruese në dobi të disa individëve apo bizneseve, krijojnë monopole dhe kufizojnë tregtinë. Pavarësisht përshtypjeve që një kosovar mund të ketë për një model të shtetit, idetë anarko-kapitaliste duken më tepër si një aventurë filozofike se sa ide me sens. Për të kuptuar seriozitetin e problemit shoqëror që kemi ndoshta duhet kuptuar se sa në të vërtetë janë veprimet e kosovarëve anarko-kapitaliste? Ndonëse jo me vetëdije të plotë, veprimet dhe toleranca evazive e çdo kosovari janë në princip kundër qëllimit të ekzistencës së shtetit. Sado që e dhimbshme mund të tingëllojë, përgjegjësia fiskale e kosovarëve ndaj shtetit konsiderohet të jetë mjaft e ulët. Evazioni fiskal është shndërruar në një normë shoqërore dhe kur një dukuri shndërrohet në një normë të tillë atëherë ç’bërja e saj mund të duket si një proces i gjatë dhe i mundimshëm, por para së gjithash duhet të bëhet. Ndoshta një shikim historik i relacionit kosovar-shtet mund të jap përgjigje dhe njëkohësisht arsyeshmëri në mungesën e ndjenjës si pjesë integrale nga të dy agjentët. Historikisht shteti dhe kosovarët kanë qenë në dy anë të polarizimeve, për një arsye të thjeshtë: shteti nuk ishte i tyre. Por tash kur ne kemi një shtet dhe dëshirojmë të besojmë se për aq sa kemi shtet do të kemi edhe institucione që do të punojë për nevojat reale tona, atëherë shprehitë evazive nuk do të gjejnë asnjë arsyeshmëri dhe atyre duhet shpallur luftë me të gjitha mekanizmat penalizues.

Për të kuptuar se sa tolerant ndaj evazionit janë kosovarët merreni një shembull nga përditshmëria jonë. Sa prej nesh kërkojnë faturë pasi të kenë një kafe në ndonjërën prej kafiterive tona, sa prej nesh kërkojnë biletë parkingu, faturë nga taksi ose faturë nga shumë shërbimet e produktet që ne konsumojmë brenda një dite? Janë pikërisht këto shprehi të pafalshme të kosovarëve që ndihmojnë zhvillimin e evazionit dhe ngurtësimin tij si normë shoqërore. Pas luftës së fundit, ne kishim rastin e njëjtë me pagesën e energjisë elektrike, kur konsiderohej se pagesa e saj nuk bëhej nga pjesa më e madhe e shoqërisë dhe ky percepcion shndërroi dukurinë e mospagesës në një akt shumë normal, për të mos thënë se ata që paguanin energjinë elektrike vullnetarisht nuk kuptoheshin nga të tjerët. Po të njëjtin fenomen sot kemi edhe me evazionin fiskal. Me mosmarrjen e një fature, sado e vogël të jetë vlera e saj, i jepet mundësi ofruesit të shërbimit apo produktit të fsheh dukshëm të hyrat dhe fitimet, mbi bazën e të cilave do të përcaktohej shuma e obligimit tatimor e që më pas, nën supozimin e një shpërndarje efektive dhe të drejtë, do të përdorej për prioritetet e taksapaguesit.

Në anën tjetër do të ishte e mbarë të bëhet pyetja për bizneset që vazhdimisht ankohen për politika të gabuara fiskale nga qeveritë e mëparshme (jo për të luajtur rolin e avokatit mbrojtës të qeverive) se sa prej tyre i regjistrojnë shërbimet apo prodhimet e tyre? Sa kanë të drejtë morale të kërkojnë përmirësime fiskale kur pikërisht bizneset janë evazionistët më të mëdhenj në vend. Dukshëm të ndihmuar nga shprehia e tolerancës mbi evazionin nga çdo qytetar në Kosovë bizneset mund të ndihen mjaft me fat për ambientin tolerant ku ata operojnë. Për të kompletuar fotografinë e evazionit fiskal, janë edhe lëshimet e bëra nga administratorët tatimorë që në presupozimin normal duhej të korrigjonin këtë entropi të sistemit. Kosova pas Moldavisë ka numrin më të vogël të administratorëve tatimorë në 1000 banorë në tërë Evropën. Megjithatë ky fakt dhe ideja se pagat e tyre janë të ulëta nuk arsyetojnë mosparaqitjen e drejtë e veprimeve evazive qoftë nga bizneset apo qytetarët nga administratorët tatimorë. Në këtë trekëndësh ku qytetarët, bizneset dhe administratorët tatimorë janë të verbër, është shoqëria kosovare humbësja më e madhe. Kur japonezët po rindërtonin sistemin e  tyre fiskal gjatë viteve të 60-ta dhe 70-ta ata filluan një kampanjë agresive mbi edukimi fiskal, madje kulturën fiskale e kishin paraparë në të gjitha insituticonet edukative të nivelit të ulët. Nxënësve në ato shkolla u përsëritej vazhdimisht se një ndër arsyet kryesore pse ata duhej të zhvillonim mësimin në kushtet jo të mira ishte se prindërit e tyre nuk paguanin tatime. Rëndësia e përmbushjes së obligimit primar të çdo qytetari theksohej qysh në bazat e para të çdo edukimi. Nuk do habi fakti që sot 99% e japonezëve përmbushin obligimet fiskale ndaj shtetit.    

Të ndërrosh një normë shoqërore, në këtë rast shprehinë e ikjes së tatimeve, është një sfidë mjaft e rëndë për çdo institucion qeveritar. Aplikimi i denjë i ligjit është faktori thelbësor por jo i vetëm në luftimin e kësaj dukurie. Nëse shoqëria jonë dëshiron të bëjë një akt patriotik për këtë shtet atëherë le të fillojmë nga eliminimi i dukurive negative brenda secilit prej nesh. Le të fillojmë të ndihemi dhe të sillemi si kontribuues në ndërtimin e këtij shteti edhe nëpërmjet përmbushjes së obligimeve tona qytetare. Le ti shpallim luftë edhe ne evazionit fiskal dhe ngurtësisë së tij si normë shoqërore pavarësisht nga veprimet dhe politikat fiskale të institucioneve qeverisëse. Të ndihmosh ndërtimin modern të Kosovës është akti më i lartë qytetar i çdo kosovari. Në fund të fundit ishim ne që krijuam këtë cikël negativ prandaj është përgjegjësi e jona ta çrrënjosim atë. Le të krijojmë shprehi të reja me krijimin e shtetit të ri.


Koha Ditore, 2007

Wednesday, 15 August 2007

Pse i duhet Kosovës Flat-Tax-Mania


Vendi ynë, që për herë të fundit ka ridizajnuar sistemin fiskal në vitin 1999 dhe njëkohësisht ka kaluar pothuajse një dekadë të tërë në përpjekje për ta komplikuar edhe më tej, mund të vijë shumë shpejtë në pikën kur ndërrimi radikal i këtyre politikave nuk është zgjedhje por nevojë.



Objektivat kryesore që duhet të definojnë debatin mbi reformat fiskale, mund të artikulohen në tre fusha kryesore: thjeshtësimi i tatimeve, efikasiteti i politikave fiskale  dhe drejtësia që sigurohet nga implementimi i këtyre politikave. Intensiteti dhe pesha e këtyre tre komponentëve varet kryesisht prej karakteristikave dhe nevojave të tregjeve. Nën sistemin e tanishëm fiskal në Kosovë, të tri këto objektiva duken të paarritshme. Sot ne mund të thuhet se sistemi jonë nuk është as i thjeshtë, as efikas e fatkeqësisht as i drejtë. Afërsisht njëmbëdhjetë vite pas mbarimit të luftës, në Kosovë vazhdimisht dëgjohen zëra për reforma fiskale. Tendencat paradoksale qëndrojnë në faktin se ende pa u ndërtuar mirë sistemi i ri fiskal, thirrjet për reforma bëhen edhe më të fuqishme. Ndër propozimet e shumta që u dëgjuan e vazhdojnë të dëgjohen më së paku ju dha vend sistemit proporcional të tatimeve, botërisht i njohur si “flat tax”. Dallimi i këtij sistemi nga ai çfarë tani kemi, në princip është se të gjitha subjektet qofshin ata individë, biznese individuale, korporata, të gjitha grupet e njerëzve të ndarë sipas të ardhurave, të pasur apo të varfër, do ti nënshtroheshin një norme të njëjtë tatimi për të gjitha llojet e tatimeve qofshin në konsum, të ardhura apo fitim. Ultra përkrahësit e pakët të kësaj ideje listuan një sërë përparësish që do të lindin në periudha të caktuara kohore për vendin tonë dhe të gjitha këto përparësi mundësonin arritjen e objektivave që reformat e suksesshme fiskale do të arrinin: thjeshtësinë, efikasitetin dhe drejtësinë.

Kosova, në fund të fundit nuk do të ishte vendi i parë që do të adaptonte një sistem të tillë, i cili padyshim në vendet e tranzicionit e në veçanti në vendet e Evropës Qendrore dhe Juglindore u tregua thjeshtë produktiv. Ishte Hong Kongu nga vendet e para që qysh në vitin 1947 vendosi sistemin e tatimeve proporcionale prej 16%. Vendet Baltike si Estonia, Lituania dhe Letonia  kanë pasur tatime proporcionale prej 24%, 23% dhe 25% që nga mesi i viteve të 90-ta, të pasuara nga Rusia dhe Ukraina me 15% respektivisht 13% në fillim të shekullit 21. Sllovakia është një ndër vendet e rralla që ka aplikuar sistemin proporcional në të gjitha tatimet (në tatime në të ardhura, korporata dhe TVSH) prej 19%. Vendet si Rumania, Sllovenia, Maqedonia, Mali i Zi, Serbia, Polonia, Hungaria, Bullgaria dhe Shqipëria (10% nga viti 2008) janë shtetet e fundit që aplikojnë sistemin proporcional, ndërkaq  Çekia dhe Greqia janë vendet e radhës që pritet të adoptojnë një sistem të tillë. Mësimet e nxjerra nga këto vende ishin se tatimet u bënë më të lehta dhe më lehtë u administruan, kishte më pak motiv për subjektet për evazion, dhe në fund pati stimulim impresiv të zhvillimit ekonomik. Tatimet proporcionale u treguan aq të suksesshme sa që debate të shumta sot e kësaj dite vazhdojnë të zhvillohen në SHBA dhe Britani për aplikimin e tatimeve proporcionale në këto vende.

Thjeshtësia

Sa më i komplikuar të jetë sistemi fiskal në vend aq më tepër i jepet motiv qeverisë për komplikime të tjera, deri në masën kur komplikimet arrijnë limitin e arsyeshmërisë dhe reformat fiskale në drejtim të thjeshtëzimit të tyre janë të domosdoshme. Kosova, që për herë të fundit ka ridizajnuar sistemin fiskal në vitin 1999 dhe njëkohësisht ka kaluar pothuajse një dekadë të tërë në përpjekje për ta komplikuar edhe më tej, mund të vijë shumë shpejtë në pikën kur ndërrimi radikal i këtyre politikave nuk është zgjedhje por nevojë.

Nëse i hedhim një vështrim të lehtë sistemit ekzistues fiskal atëherë fotografia e bërë do të përmbajë procedura të shumta, ligje dhe dokumentacione që rrallëherë mund të kuptohen, administratë tatimore plotësisht injorante ndaj evazionit fiskal, transaksione në kesh e kurrë të regjistruara, frymë rezistuese e pothuajse çdo qytetari ndaj mekanizmave fiskale, për të mos filluar fare me anën distributive të sistemit meqë do të bënte mbledhjen e tatimeve të dukej mjaftë mirë. Megjithatë, ajo për çfarë qytetarët, bizneset, administratorët tatimorë madje edhe vet politikbërësit pajtohen është se sistemi fiskal në Kosovë është thellë i komplikuar. Pajtimi rreth kësaj çështje vjen çuditërisht nga opinionet tërësisht kontradiktore të tyre. Kosovarët thonë se nuk kanë fare ide se subjekt të të cilit tatim janë për të mos përmendur fare format e pagesës dhe si duhet bërë ato, bizneset kosovare ankohen në mënyrën e pagesave të tatimeve specifike e me theks të veçantë në tatimet mbi konsum, administratorët tatimorë arsyetohen se nuk kanë kapacitete të mjaftueshme humane, monetare dhe fizike për të monitoruar transaksionet e një sistemi aq të komplikuar dhe në fund institucionet qeveritare vazhdimisht përsëritin faktin se nuk kanë administratorë tatimor të aftë për këtë sistem fiskal të komplikuar. Në këtë sferë të ideve që në pah nxjerr komplikueshmërinë e sistemit lind pyetja se pse vazhdohet me një sistem të tillë?

Sistemi proporcional që eventualisht do të zëvendësonte sistemin e tanishëm fiskal në Kosovë, të tre llojeve të normave tatimore, qindra zbritjeve, beneficioneve, përjashtimeve, ligjeve, urdhëresave, formularëve, etj, do të sillte me vete thjeshtësinë. Thjeshtësia nuk përfshinë vetëm konceptimin e sistemit fiskal por gjithashtu edhe shpenzimet e implementimit të tij. Sistemi fiskal i Kosovës jo që konceptualisht është i pakuptueshëm, madje edhe për profesionistët e tatimeve, por sjell me vete edhe shpenzime të mëdha për implementim. Ndonjëherë këto shpenzime të implementimit të janë aq të mëdha sa që implementimi nuk ndodh fare, duke rezultuar kështu në evazion të lartë fiskal në vend. Sa më i thjeshtë të jetë sistemi aq më i lehtë bëhet identintifikimi i detyruesve dhe vlera e tatimeve që ata duhet të paguajnë. Thjeshtësimi i strukturës së tatimeve gjithashtu do të reduktonte marrëveshjet e fshehta dhe korrupsionin që së bashku lejojnë grupe të caktuara interesi të ballafaqohen me trajtime më të veçanta tatimore.


Efikasiteti

Të gjitha tatimet i shkaktojnë ekonomisë një kosto. Ekonomistët këtë kosto e quajnë “rëndesë e tepruar” e sistemit fiskal. Lidhur me këtë çështje le të nisemi nga pikëpamja ekstreme e mendimit, ku nga parimet e ekonomisë së lirë kuptohet se shkalla e ndërhyrjes së politikave qeveritare ka një limit të caktuar. Sipas këtij mendimi ekonomik, të lindur dhe zhvilluar nga Adam Smith, çfarëdo ndërhyrje e instrumenteve shtetërore do të çrregullonte ekuilibrin e tregut dhe mirëqenien e shoqërisë në tërësi. Kjo situatë krijohet nga ajo çfarë Adam Smith e quajti “dora e fshehtë” duke aluduar në aftësinë perfeksionuese të tregut. Sado që teoria e tij është modifikuar dhe plotësuar nëpër vite, sistemi fiskal në Kosovë mund të përdoret si një shembull adekuat për të demonstruar atë se çfarë Smith mendonte. Në vendin tonë, ndikimi i politikave fiskale jo që nuk është i vogël por nga një ndikim i tillë lindin pasoja fatale për ekonominë. Arsyeshmëria e implementimit të politikave fiskale humbet kur shikon në suficitet enorme në Kosovë, e që janë fakt i pamohueshëm i pengesës që i është bërë mekanizmit të tregut në përdorimin efiçent të qindra miliona eurove që ky mekanizëm eventualisht do të bënte sikur ato para të mbeteshin në duart e ndërmarrësve. Të paktën politikat fiskale në Kosovë do të kishin kuptim sikur këto para të distribuoheshin nga tatimbledhësit e jo nga tregu të nxirren 200-300 milion euro e më pas të mbyllen në ndonjërin prej podrumeve të thesarit të shtetit. Tatimet mblidhen për tu shpërndarë dhe çfarëdo destinimi tjetër i tyre zgjeron më tepër rëndesën e sistemit.

Gjithashtu, politikat e tanishme fiskale shpesh kanë ndërtuar barriera artificiale veçanërisht për bizneset. Janë format e pagesës së tatimeve e në veçanti rimbursimi i tyre që për shumë vite kanë rënduar veprimtaritë të ndryshme biznesore. Për vite me radhë ambienti fiskal në vend në sy të bizneseve konsiderohet të jetë një ndër pengesat kryesore përkundër disa stimujve fiskal të iniciuara nga qeveri të ndryshme në vend.


Drejtësia

Sistemi aktual, jo vetëm që është i komplikuar dhe joefikas por bazuar në studimet ekonomike me fokus në drejtësinë e sistemeve fiskale, parimisht është i padrejtë. Një vështrim më pak ekstrem thekson mungesën e drejtësisë që lind nga aplikimi i tatimeve progresive. Në mesin e atyre qytetarëve, ekonomistëve dhe politikbërësve, të cilët nuk e vënë në dyshim obligimin qytetar për të paguar tatime, mbizotërojnë dy këndvështrime kryesore mbi kuptimin e drejtësisë së tatimeve. Drejtësia nën tatimet proporcionale (flat tax) nënvizon barazinë si: çdonjëri duhet të jetë subjekt i rregullave të njëjta prandaj çdo subjekt duhet të paguaj tatime me norma të njëjta. Në anën tjetër, drejtësia nën tatimet progresive sheh barazinë si: të gjithë subjektet duhet të paguajnë tatime bazuar në aftësinë e tyre për të bërë një gjë të tillë, prandaj sistemi fiskal duhet ti përjashtojë të varfrit dhe të aplikojë tatime të ndryshme për grupe të ndryshme dhe në këtë mënyrë të shpërndajë barrën e tatimeve varësisht prej të ardhurave që subjektet gjenerojnë.

Që nga fillimi i shekullit 20-të kur ideja e progresivitetit mori përmasa globale, mendimi mbizotërues ishte se tatimi progresiv mbi pasurinë është parakusht për barazi shoqërore. Megjithatë, nuk duhet harruar faktin se tatimi progresiv është një çështje morale dhe si shumë çështje të tjera morale nxit debate dhe dyshime të mëdha. Debatet lindin nga shikime konfliktuoze, vlera dhe kuptime të vlerave varësisht prej kritikëve dhe preferencave të tyre socio-politike. Por mbi të gjitha, përkrahësit e idesë progresive asnjëherë nuk kanë arritur të provojnë se një euro shtesë vlen më tepër për një të varfër se një të pasur apo anasjelltas. Nëse ky pohim është i saktë, atëherë pse duhet të vëmë taksa të ndryshme për njerëz të ndryshëm? Por le të mbetemi me idenë se të varfrit duhet të përjashtohen nga sistemi fiskal. Në fund të fundit kjo ide është një koncenzus i pamohueshëm i lindur nga të gjitha frymët ekonomike.

Për më tepër, mos të harrojmë se edhe nën sistemin e rrafshët të pasurit paguajnë gjithnjë më shumë se të tjerët. Me fjalë të tjera 10% i një subjekti që gjeneroj fitime 1 milionëshë është shumë më i madh se 10% i dikujt që gjeneron fitime tre shifrore. Me cfarë logjike të drejtësisë duhet një subjekt produktiv trajtuar me norma më të larta tatimore se një subjekt tërësisht më pak produktiv?


Përfundim
Në përgjithësi, sistemi fiskal në Kosovë është i komplikuar, aspak efikas dhe për më tepër jo i drejtë. Nëse vendi ynë përqafon lëvizjen Flat-Tax, për një sërë probleme që me vite të tëra po rëndojnë sistemin tonë do të ketë një fund. Përfitimet nga sistemi proporcional janë të pakontestueshme edhe nga kritikët e pakët të këtij sistemi. Për të nxitur zhvillimin ekonomik në Kosovë, për të krijuar vende të reja pune, për të arritur thjeshtësinë e tatimeve, për të ndjekur drejtësinë, prosperitetin ekonomik, për të ruajtur trajtimin e barabartë të të gjithë taksapaguesve dhe përfundimisht për të rritur vjeljen e tatimeve Kosova mund dhe duhet të fillojë reformat fiskale. Nëse ne si shtet promovojmë vlerat e patjetërsueshme se secili prej nesh është i barabartë, atëherë është e drejtë të thuhet se adoptimi i tatimeve proporcionale është domosdoshmëri. Për kosovarët, adoptimi i sistemit proporcional do të thoshte se më në fund të gjithë do ti kuptonim tatimet, se formularëve të gjatë e të pafund, pagesave që marrin kohë e rimbursimeve që nuk bëhen kurë me kohë do t’iu vjen fundi, se për biznese pavarësisht qarkullimit, fitimit, kursimit a investimit përjashtime dhe rrjedhimisht komplikime të panevojshme nuk do të ketë, për administratorët tatimorë më në fund implementimi i politikave do të ishte i thjeshtë dhe në fund për institucionet qeverisëse kënaqësia do të vinte nga ideja se politikat e tyre nuk pengojnë tregun, se mbledhja e tatimeve është rritur dhe përfundimisht se ata i trajtojnë të gjithë qytetarët e tyre njëjtë.


Koha Ditore, 2007